Kryetari i Komunës së Rahovecit z. Smajl Latifi, në shoqërimin e bashkëpunëtorëve të tij, priti në takim Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z. Bajram Begaj, bashkë me kabinetin e tij, dhe z. Petrit Malaj, Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Kosovë.
Presidenti Begaj e uroi kryetarin Latifi për mandatin e katërt si Kryetar i Komunës, ndërsa biseduan edhe për temat që na lidhin si dy shtete dhe një komb i vetëm: për sigurinë, për kulturën, për ekonominë dhe për misionin tonë të përbashkët për të ruajtur e për të përforcuar vlerat kombëtare kudo ku jetojnë shqiptarët.
Kryetari Latifi theksoi rolin dhe vlerat kombëtare të Rahovecit, komunë që historikisht i ka dhënë shumë vendit. Po ashtu tregoi për arritjet, sfidat dhe sukseset, si dhe pasurinë bujqësore e kulturore që e bëjnë Rahovecin një komunë me potencial të madh zhvillimor.
Në shenjë nderimi të lartë institucional dhe atdhetar, i dorëzoi Presidentit Begaj dekoratën “MEDALJA E LIRISË”, me motivacionin: “Për kontributin atdhetar e humanist, për rolin e tij në mbrojtjen e vlerave kombëtare shqiptare në të gjitha etapat e historisë sonë, për angazhimin e vazhdueshëm në afirmimin kombëtar e ndërkombëtar të çështjes shqiptare, si dhe për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore e historike në trojet etnike shqiptare.”