Prishtina do të nisë të frymoj më lirshëm nga komunikacioni

Kompanitë e kontraktuara nga Ministria e Infrastrukturës kanë nisur punimet për rehabilitimit dhe rikonstruktimit të rrugës nacionale N9 – pjesa Rrethrrotullimi Prishtinë – Rrethrrotullimi Fushë-Kosovë dhe riorganizimit të rrugës nacionale N2 – segmenti Veternik.

Nga dy korsi që janë në shkuarje dhe ardhje, pas kryerjes së punimeve do të bëhen me nga tri korsi duke ndikuar në shkarkimin e komunikacionit që shpeshherë di të sjellë kolona të gjata dhe aksidente komunikacioni.

Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku ka deklaruar se me këto investime u është bërë zgjidhje edhe banorëve dhe biçiklistëve, të cilët nuk kanë pasur shteg të veçantë për ta.

“Shumica e kërkesave kanë të bëjnë me pengesat që janë shfaqur në komunikacion për shkak të shiritit shtesë. Kërkesat e banorëve kanë qenë që ne ta largojmë barrierat mes shiritit anësor dhe mes dy shiritave kryesor dhe të kemi natyrisht me kërkesë të banorëve edhe shtegun e kalimit për këmbësor dhe për biçiklistë. Investimi në dy projektet është afër 1.5 milionë euro. Ne besojmë që brenda 200 ditëve do të kryhen të gjitha riorganizimet. E para, qëllimi i kësaj është lehtësimi i komunikacionit, natyrisht plotësimi i kërkesave të banorëve për një qasje më të mirë në rrugë dhe zvogëlimi i aksidenteve në komunikacion”, ka deklaruar ministri Zharku.

Vlera e kontratës për projektin që lidh Prishtinën me Fushë Kosovën, kap shifrën e 633,761.67 € .

3 korsitë në ardhje dhe ne shkuarje do të jenë 3×3.5 metra gjerësi, shiriti i biçiklistëve do të jetë 2 metra i gjerë, shiriti i këmbësorëve do të jetë 2×1.5 metra, ndërsa shiriti ndarës i gjelbërimit në mes do të jetë 4.0m që në total profili karakteristik arrin gjerësinë prej 33.60 metra.

Kompania që ka fituar njërin lot të tenderit për rregullimin e kësaj rruge kanë premtuar se do të dinamizojnë punët për të kryer projektin para kohe.

Në rastin konkret që është, ne me strafin e kompanisë kemi vlerësuar dhe zotohemi edhe këtu përpara juve që do të punojmë edhe në ndërrimin e dytë, kështu që shpresojmë se do ta përfundojmë para afatit të caktuar, që të ecim më shpejtë dhe që komunikacionin ta menaxhojmë në mënyrën më të mirë që të mos mbetet i bllokuar”, ka deklaruar Bajram Gashani, përfaqësues i kompanisë kontraktuese.

Po ashtu në kuadër të kësaj kontrate parashihen të ndërtohen dy Rrethrrotullime:

Në hyrje të objektit të FSK-së, në stacionazhën 0+500m nga rrethrrotullimi në dy nivele në Prishtinë dhe në udhëkryqin afër mbikalimit të Autostradës, në stacionazhën 1+850m nga rrethrrotullimi në dy nivele në Prishtinë.

Ndërkaq, vlera e riorganizimit të rrugës nacionale N2 – segmenti Veternik arrin në 698,523.94 € për njësi.

Kompanitë kontraktuese kanë afat prej 180 ditë punë që të finalizojnë punimet.

Kjo rrugë do të ketë tre shirita qarkullues 3×3.75 metra dhe një shirit për biçiklist me gjerësi 2.25m, kurse në mes të këtyre shiritave nuk do të ketë ndarje fizike.

Po ashtu në kryqëzimin e rrugës me hekurudhën do të ndërtohet një rrethrrotullim përmes të cilit do t\’u lehtësohet qarkullimi dhe kyqja e pjesëmarrësve të komunikacionit, si atyre që janë në qarkullim në rrugën N2 po ashtu edhe lagjeve dhe bizneseve që janë afër kësaj rruge.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Smajl Latifi ofron mbështetje për gratë në sektorin e bujqësisë, në punët artizanale në politikë e vendimmarrje

Kryetari i komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi ka takuar gra nga pjesë të ndryshme …