Prizreni e meriton Tahir Sinanin

Fjala e kryetarit të Rahovecit, mbajtur në përurimin e shtatores së heroit të kombit, komandantit Tahir Sinani

Përshëndetje bashkëluftëtarëve, veprimtarëve atdhetar, familjeve të dëshmorëve dhe familjes së heroit Tahir Sinani dhe të gjithë qytetarëve liridashës,

Mirënjohje nismëtarëve për vendosjen e shtatores (Gjeneral Selim Krasniqit me shokë) dhe të gjithë atyre që ndihmuan këtë vepër të rëndësishme artistike, e cila lartëson emrin dhe veprën jetësore të komandant Tahir Sinanit, ideali i të cilit do të jetojë ndër breza.

Të dashur pjesëmarrës,

Akti më madhor i një populli të ndarë, të pushtuar, të shtypur e të shfrytëzuar është lufta çlirimtare. Karakterin kombëtar të luftës së UÇK-së nuk e përcakton vetëm fakti se aty u rreshtuan bij e bija nga të gjitha viset shqiptare dhe nga mërgata jonë e madhe, por edhe fakti se, kjo luftë zgjoi potencialet e fjetura kombëtare. Në kapërcyell të ndërrimit të shekujve shqiptarët ndërmorën aktin më të rëndësishëm në historinë e tyre për të çliruar trojet e pushtuara nga sllavët. Kjo ndërmarrje e përbashkët kombëtare, me karakter çlirimtar, humanist e fisnik në vetvete, e ndryshoi jo vetëm historinë tonë, por ripërcaktoi sferat e interesit më të gjerë global.

Përfundimi i një rrugëtimi të përgjakshëm ishte fundi logjik i një padrejtësie të madhe historike ndaj kombit tonë. Padrejtësitë që na ishin bërë në konferenca e kongrese evropiane, më në fund po fillonin të ndreqeshin. Pikërisht këtu në Prizren nisi zgjimi i vetëdijes kombëtare pas shumë shekujsh pushtimi e poshtërimi. Jehona e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit do të ndjehet e përjetohet si një jehonë që vinte nga thellësitë e shekujve, që nga epoka e lavdishme e Gjergj Kastriotit. Dhe Tahir Sinani e kishte ndjerë thirrjen e të parëve të tij, Ali Ibrës e Mic Sokolit, Haxhi Zekës, Abdyl Frashërit e Ymer Prizrenit, Sulejman Vokshit e Ahmet Korenicës, Bajram Currit dhe të shumë trimave të Malësisë së Gjakovës, që i vunë gjokset e tyre para topave e bajonetave osmane, për të mbrojtur tokat shqiptare nga copëtimi i fqinjëve grabitqarë.

Tahir Sinani e dinte se populli shqiptar duhet ta kryente këtë amanet, prandaj përveshi mëngët dhe u rreshtua në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, në Ushtrinë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc dhe e përfundoi rrugëtimin e tij atdhetar, me nder, në Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare. Latinët e lashtë thoshin: Finis opera ornat (Fundi stolis veprat), dhe Tahir Sinani e përmbylli me nder e dinjitet një rrugëtim të vështirë e të rrezikshëm. Rënia e tij dhe e bashkëluftëtarëve të tjerë në malet e Korabit afër Gostivarit, i vuri kapak floriri veprimtarisë së tij atdhetare dhe çlirimtari. Ai e dinte se synimet e Lidhjes së Prizrenit nuk ishin përmbushur, prandaj e ndërmori hapin e duhur për ta përmbyllur këtë kapitull tragjik të popullit shqiptar. Pjesëmarrja e këtij luftëtari të paepur e të komandantit trim nga fshati Gri në kaq shumë fushëbeteja i bëri jehonë këtij synimi madhor të kombit shqiptar. Shtatorja e tij, e vendosur pikërisht këtu në Prizren që po përurohet sot me 28 nëntor, është trokitje në ndërgjegjen tonë se kemi ende rrugë për të bërë në përmbushjen e aspiratave kombëtare.

Ky burrë i heshtur me pamje kaq madhështore u bë simbol i përpjekjeve tona për bashkim, ndërsa Prizreni, si kryeqyteti historik i shqiptarëve, e meriton ta ketë në gjirin e vet këtë vigan të kombit shqiptar. Lavdia e tij do të frymëzojë brezat, ndërsa për ne është mësim, se mbi të gjitha dashuritë qëndron dashuria për atdheun e kombin.

Lavdi e nderim heroit të kombit Tahir Sinani, e mbarttë me nder këtë shtatore Prizreni, kryeqyteti ynë shpirtëror e historik!

Urime Prizren, urime të gjithëve!

Kontrolloni gjithashtu

Komuna e Skenderajt, në partneritet me UNDP, ka përmbyllur fazën e parë të Programit për Qëndrueshmëri Ekonomike

Komuna e Skenderajt, në partneritet me UNDP, ka përmbyllur fazën e parë të Programit për …