leoni

Prof. dr. Agron Duro: FJALOR TERMINOLOGJIK I TEORISË SË MEKANIZMAVE DHE TË MAKINAVE

FJALOR TERMINOLOGJIK I TEORISË SË MEKANIZMAVE DHE TË MAKINAVE

(sistemor, me përkufizime dhe me tregues alfabetikë, të numërtuar në shqip, në anglisht, në gjermanisht dhe në frëngjisht), hartuar nga autorët  Dr. Gani S. Pllana

dhe Dr. Sadete Pllana

 

Fjalori në fjalë, hartuar nga autorët Dr. Gani S. Pllana dhe Dr. Sadete Pllana, është një kontribut me vlera të veçanta terminologjike, fryt i një përvoje shumëvjeçare të autorëve në fushën e terminologjisë. Fjalori është përftuar si vepër nga studimet e veçanta të kryera nga autorët në fushën e terminologjisë.

Duhet nënvizuar qysh në fillim, se në Fjalor është pasqyruar në mënyrë të veçantë puna e kryer për terminologjinë e fushave teknike, si: fusha e mekanikës teorike dhe të zbatuar, e kinematikës, e makinave dhe mekanizmave etj., prej të cilave janë nxjerrë pothuajse termat e shqipëruar dhe termat shqip në përgjithësi me barasvlerësit e huaj, të cilët janë vlerësuar, rivlerësuar dhe vështruar nga ana teknike, por gjithsesi, pa i ndryshuar ata. Kështu, ata janë paraqitur në Fjalor në bllok sinonimik, ku si terma parësorë janë dhënë termat shqip, ose, sipas rastit, termat e huaj si: bosht udhëzues (ngarës) [tejçimor; transmisioni] (drive shaft; Antriebswelle; arbre de transmission), elementi i mekanizmit (mechanism element; Mechanismenelement; élément de mécanisme), nyjëtesë (çernierë) kinematike (kinematic joint; Kinematisches Gelenk; joint cinématique), zinxhir kinematik i hapur (open kinematic chain; offene kinematische kette; chaîne cinématique ouvèrte;),  robot inteligjent (intelligent robot; intelligenter roboter; robot intelligent) etj.

Vlera më parësore e Fjalorit, qëndron pikërisht në paraqitjen në të të termave teknikë, që do t’i bëjnë një shërbim të madh terminologjisë që është në qarkullim, për t’i forcuar asaj fizionominë shqipe dhe kryesisht për t’i rritur motivueshmërinë, qartësinë e koncepteve etj.

Ideja e zgjidhjes së disa problemeve themelore të terminologjisë është vënë në bazë të konceptimit të Fjalorit si vepër, çka del edhe nga mikrostruktura dhe makrostruktura e tij.

Krahas termave shqip janë lënë nganjëherë edhe termat në gjuhë të huaja dhe kjo është bërë jo vetëm pse këta të fundit janë më të njohur tani për tani në terminologjinë tonë teknike, por edhe për arsye se, në disa raste të veçanta, përkthimi shqip nuk përkon  plotësisht me termin e huaj. Ndeshemi këtu me ata terma që janë quajtur ndërkombëtarizma, d.m.th. terma që i takojmë në disa gjuhë evropiane të largëta njëra nga tjetra. Si ndërkombëtarizma janë vështruar jo vetëm ata terma që i kanë të përbashkët dy ose më shumë gjuhë romane, por që i takojmë edhe në gjuhë të tjera si anglishtja, gjermanishtja etj.

Ballafaqimi i shqipes me anglishten, gjermanishten dhe frëngjishten për “Terminologjinë e Teorisë së Mekanizmave dhe të Makinave” lehtëson punën edhe për trajtimin të çdo problemi teorik të terminologjisë, meqë terminologjia e gjuhës shqipe krahasohet me tri gjuhë që shërben si model standardizimi ndërkombëtar për terminologjinë teknike (krahas anglishtes si e parë, e gjermanishtes si e dytë dhe e frëngjishtes si e tretë). Kështu, duke u mbështetur në Fjalor, mund të jepen zgjidhje më të drejta në standardizimin e terminologjisë teknike shqipe për përcaktimin më drejtë të termit standard shqip, duke u bazuar në mënyrën e zgjidhjes së këtij problemi në anglishte, gjermanishte dhe në frëngjishte.

Duke u nisur nga sa parashtruam më sipër, mendojmë, se Fjalori i mësipërm, duhet konsideruar si një vepër terminologjike e veçantë, me orientim studimor, me vlera praktike zbatimore.

Po kështu, ai do të shërbejë si model i përzgjedhjes së termit standard, duke u mbështetur në tri gjuhë standarde në fushën e terminologjisë, siç janë anglishtja, gjermanishtja dhe frëngjishtja, çka ka vlerë të veçantë të nënvizohet, sepse këto tri gjuhë janë pasqyruar në mënyrë shumë të mangët, për të mos thënë aspak, në Fjalorët terminologjikë të shqipes, qoftë teknikë, qoftë edhe në ata jo teknikë. Këtë fakt e nënvizojmë, sepse ballafaqimi me anglishten, gjermanishten dhe frëngjishten, dhe kryerja e kësaj pune me profesionalizëm në këtë vepër terminografike nga autorët (si njohës të mirë të terminologjisë teknike, si të anës gjuhësore, ashtu edhe të asaj konceptore), përbën një kontribut të veçantë. Kjo ia rrit vlerën Fjalorit dhe e bën shumë të domosdoshëm botimin e tij. Ai do t’u shërbejë studiuesve të terminologjisë, studentëve universitarë në studim për terminologjinë e makinave dhe mekanizmave, hartuesve të teksteve mësimore teknike e të fjalorëve, jo vetëm terminologjikë, por edhe jo terminologjikë, ku, në këta të fundit, termat zënë vendin e tyre dytësor.

 

Tiranë, shtator 2022                                                                            Redaktor: Prof. dr. Agron Duro

Më 30 dhjetor 2022, përfunduam me sukses botimine katër Fjalorëve, me shpresë se do të shfrytëzohen nga nxënësit, studentët, inxhinierët dhe të gjithë ata që merren me terminologjitë teknike.

Autorët.

Dr. Gani S. Pllana & Dr. sc. Sadete Pllana

Kontrolloni gjithashtu

Me 27 shtator ora 5:15 minuta në mëngjesin e ditës së diele po sa ishim zgjuar filluan granatimet nder dy tri granatat e para njëra ra në oborr

Sadik Halitjaha: Ligjvënësit dhe pushtetarët e Kosovës po i shembin të gjitha vlerat çdo ditë – turp!

Thyerjet dhe përdhosjet e monumenteve të UÇK-së! Realisht, duhet të jetë shqiptar i shëmtuar ai …