Prof. Dr. Jeton Kelmendi: ATY KU EKSTREMI BËHET NORMË – SHOQËRIA PO TË SHPËRBLEN

Prof. Dr. Jeton Kelmendi: ATY KU EKSTREMI BËHET NORMË – SHOQËRIA PO TË SHPËRBLEN

Në vitet e fundit, në shumë shoqëri demokratike, por sidomos në kontekste ku demokracia është ende në fazat e saj të konsolidimit, është vënë re një fenomen shqetësues: rritja në popullaritet e figurave politike që përdorin ekstremizmin verbal, ofendimet dhe retorikën e ashpër si armë kryesore për të fituar mbështetje popullore. Ky fenomen ngre pyetje të rëndësishme për natyrën e standardeve demokratike dhe ndikimin e tyre në strukturën sociale dhe morale të shoqërisë. Zakonisht kjo frymë politike ka kryesisht dy adute: çështjen e patriotozmin në njërën anë dhe sulmet e vazhdueshme ndaj rivalëve politik dhe kujtdo tjetër që nuk e mbështet ata. Për më tej, ky fenomen bëhet me persona jo professional dhe figura të gatshëm për tu instrumentalizuar. Në vendin tone kjo shihet sidomos të deputetët ekstremë: një fenomen në rritje

Rasti i deputetëve që arrijnë të jenë ndër më të votuarit pavarësisht – apo pikërisht për shkak të – gjuhës së ashpër dhe shpesh fyese, nuk është më rastësi. Këta politikanë, shpesh pa një formim intelektual apo program konkret politik, përdorin populizmin ekstrem, fjalët e rënda, dhe sulmet personale për të mobilizuar emocionet e votuesve. Kjo strategji shpërblehet me vota, duke reflektuar një prirje të rrezikshme: shoqëria jo vetëm që i toleron, por shpesh i përkrah këta aktorë politikë. Në fakt, kjo në dukje duket sikur normale për demokracinë, sepse demokracia e vlerëson shumicën, mirëpo kjo realisht e tejkalon demokracinë, madje unë mendoj se pikërisht kjo mund të quhet kakikraci.

Pse ekstremizmi politik fiton terren?

Se është deri diku e vërtetë, nuk ka dilemë askush, sepse jemi deshmitarë të kësaj situate, mirëpo pse kjo dukuri është kaç e pranishme dhe po realizohet, kjo mund të shpjegohet përmes disa faktorëve:

  1. Polarizimi i shoqërisë: Në një mjedis të polarizuar, votuesit shpesh kërkojnë figura që duken si “të fortë”, që i mbrojnë me çdo kusht interesat e tyre, madje edhe nëse kjo nënkupton përdorimin e gjuhës fyese apo sulmeve personale.
  2. Mungesa e edukimit politik: Kur shoqëria nuk ka një bazë të fortë të edukimit politik, individët janë më të prirur të bien pre e retorikës së thjeshtëzuar dhe emocionale, duke u tërhequr nga figurat që flasin “pa dorashka”.
  3. Medializimi i ekstremizmit: Mediat shpesh luajnë një rol thelbësor në përhapjen e ekstremizmit, duke i dhënë hapësirë figurave që krijojnë polemikë dhe skandale, pasi kjo tërheq vëmendjen dhe rrit shikueshmërinë.
  4. Pakënaqësia me sistemin aktual: Në shoqëritë ku korrupsioni dhe padrejtësitë janë të theksuara, individët që paraqiten si sfidues të sistemit të korruptuar shpesh përqafohen, pavarësisht se çfarë gjuhe apo metode përdorin.
  5. Media sociale dhe AI: Mekanizmat parapolitik, të instrumentalizuar nga subjektet politike populiste spikasin kampanja të fuqishme dhe të sinkronizuara me qarqe të mndryshme, qoftë Brenda apo edhe jashtë vendit.

Kur ekstremizmi bëhet standard

Kur ekstremizmi dhe ofendimi shpërblehen me vota, ky nuk është thjesht një simptomë e një problemi më të thellë, por bëhet vetë një standard i ri politik. Fillimisht ndahet shoqëria na të mire dhe të këqinje, me ne dhe me ata, në patriot dhe tradhëtar. Kjo çështje ngrihet në nivele të ndryshme të shoqërisë, por fokusi gjithnjë në shtresat me edukim të ulët, sepse ata pëbëjnë shumicë dhe madje kjo kategori ka mundësinë dhe fuqinë për t’i atakuar edhe elitat dhe mediat e pavarura. Kjo krijon disa pasoja shqetësuese:

  • Normalizimi i gjuhës së urrejtjes: Gjuha e ashpër bëhet pjesë e diskursit politik të përditshëm, duke rrënuar etikën e debatit demokratik.
  • Margjinalizimi i intelektualizmit: Politikanët që ofrojnë ide të menduara thellë apo zgjidhje të bazuara në analiza të thelluara, shpesh duken të mërzitshëm krahasuar me figurat e zjarrta që ndezin emocionet e turmës.
  • Rritja e tensioneve sociale: Retorika ekstreme nxit ndarjet brenda shoqërisë, duke krijuar kampe kundërshtare që shpesh shkojnë përtej debatit politik në përplasje të ashpra sociale.

Në një shoqëri me demokraci të re siç është rasti i Kosovës, kjo paraqet diçka më me rrezikshmeri. Por çfarë në fakt kjo do të thotë për demokracinë? Nëse një shoqëri shpërblen ekstremizmin, ajo gradualisht e minon vetë bazën e demokracisë. Votuesit që mbështesin figurat e tilla shpesh e bëjnë këtë jo sepse janë dakord me gjithçka që thonë, por sepse ndihen të përfaqësuar në mënyrë emocionale. Megjithatë, emocionet janë të paqëndrueshme dhe shpesh çojnë në vendime të nxituara që dëmtojnë mirëqenien afatgjatë të shoqërisë. Për një intelektual që sadopak e përcjell jetën politike, kjo shihet qartë dhe dukshem, por problem shihet pak më sfidues, sepse masa gjykon me emocione, ndërsa inteklektualin nuk e pyet kush fare.

Ku na çon ky mentalitet dhe Çfarë mund të përfitojë shoqëria?

Ky mentalitet, shihet nga dy prizma: prizma afatshkurtër dhe afatgjatë. Tek prizma e parë, mbase po dihet, çdo gjë është shkelqyeshëm, sepse kështu trumpetohet nga eksponentët ekstrem dhe madje imponohet si e tillë, ndërsa në prizmen afatgjatë, sjell:

  • Ulja e cilësisë së përfaqësimit politik: Politikanët që ngrihen përmes retorikës ekstreme shpesh kanë mungesë vizioni dhe strategjie për të zgjidhur problemet reale të vendit.
  • Polarizim i thelluar shoqëror: Ndërsa gjuhët e urrejtjes përforcohen, komunitetet bëhen më të ndara dhe më të prirura për konflikte.
  • Zbehje e besimit në institucione: Kur gjuha ekstreme dominohet, besimi i qytetarëve në institucione bie, duke krijuar terren për autoritarizëm.

Në këtë skenar të zymtë, mund të përmenden dy përfitime të mundshme, ndonëse të diskutueshme:

  1. Ndërgjegjësim i nevojës për reformë: Kjo krizë mund të shërbejë si një thirrje për zgjim, duke nxitur qytetarët të reflektojnë mbi standardet që vendosin për udhëheqësit e tyre.
  2. Rritje e pjesëmarrjes politike: Ironikisht, ekstremizmi mund të rrisë angazhimin qytetar, pasi njerëzit ndihen më të motivuar për të kundërshtuar retorikën e urrejtjes.

Kur ekstremi bëhet normë, nuk është vetëm politika që humb dinjitetin, por e gjithë shoqëria që fillon të përballet me pasojat e një kulture që shpërblen brutalitetin mbi urtësinë. Kjo nuk është vetëm një sfidë për liderët politikë, por një thirrje për të gjithë qytetarët që të reflektojnë mbi vlerat që duan të përfaqësojnë. Sepse, në fund, demokracia është pasqyrë e shoqërisë që e mbështet – dhe kur kjo pasqyrë nxjerr në pah fytyrën e ekstremizmit, është koha për të pyetur: ku po shkojmë?

Kontrolloni gjithashtu

Fatmir Graiqevci

Fatmir Graiçevci: Nuk është brengosëse mungesa e dashurisë së pakushtëzuar, por përbuzja e saj edhe në ato pak raste kur shfaqet!

     Një ndër filozofët më të mëdhenj, që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme, është …