Prof. dr.Muhamet Pirraku: Kontributi i Mulla Sadri Prestreshit në ONDSH (17 tetor 1917-16 janar 2002)

Emri Shpresim është pseudonim i veprimtarit politik të Lëvizjes Nacionale Demokratike Shqiptare më 1946, Mulla Sadri Prestreshit. Meqë ky pseudonim ngërthente në vete një përmbajtje me porosi të madhe, trashëgim nga veprimtaria politike ilegale kombëtare e martirit të kombit, Gjon Serreçi, këtë shënim për veprimtarinë politike, arsimore, fetare e kombëtare të Mulla Sadrisë e titulluam me pseudonimin që atij ia kishte caktuar Gjon Serreqi, dhe me të cilin emër ka për të hyrë në historinë e Lëvizjes për Lirimin e Tokave Shqiptare (LLTSH), të udhëhequr nga Komiteti Qendror (i NDSH së) në Shkup (mars 1945   korrik 1946) .

Mulla Sadri Prestreshi u lind më 17 tetor 1917 në Mazgit të Prishtinës. I ati,Rexhepi, ishte bujk i mirë, fetar i përkorë dhe dashamirë i arsimit. Duke mos pasur dëshirë që djalin ta linte “qorr pa knim”,e dërgoi në shkollën fillore shtetërore serbe në Kastriot (ish-Obiliq). Sadriu asokohe kishte mbiemrin Ibrahimi. Ishte shëndetmirë, i pashëm e i shkathët, kështu që shkollën fillore e mbaroi me sukses të shkëlqyeshëm në vitin 1930. Po atë vit i vazhdoi mësimet në Medresenë e Pirinazërit në Prishtinë, në të cilën jepnin mësim dy muderrizë të njohur: Haxhi Hamdi Efendi Ibrahim Gërçina dhe Ahmet Ajet Efendi Mardoçi nga Prishtina. I pari mbante mësime në ciklin e lartë dhe shquhej për dituri fetare, kurse i dyti jepte mësim në ciklin e ultë dhe shquhej për atdhedashuri dhe guxim në mbrojtjen e identitetit kombëtar të shqiptarëve .

Më 1939 Mulla Sadria e ndërpreu shkollimin për ta mbaruar shërbimin ushtarak në regjimentin e këmbësorisë së “Gardës Mbretërore” në Beograd. Lufta e Dytë Botërore e zuri në ushtrinë e pushtuesit. Në korrik   gusht 1941 Mulla Sadria kreu Kursin administrative për nëpunës në gjuhën shqipe, por në shtator të vitit 1941 i vazhdoi mësimet në Medresenë “Sulltan Selimi” të Prishtinës, e cila ishte ndarë nga Medreseja e Pirinazërit. Fillimisht mësoi te muderrizi haxhi Hamdi Ef. Gërçina, kurse, pas vdekjes së tij (më 1942), për muderriz pati haxhi Iljaz Ef. Shahsivarin – Hashanin nga Glloboderi ( nga ripushtimi serbo-jugosllav më 1918-Obiliq). Pasi i mbaroi me sukses të lartë të dymbëdhjetë vitet e mësimit, u diplomua më 25 maj 1944, kur e mori “Ixhazetnamenë” (diplomën) për kryerjen e studimeve në shkencat islame .

Në gusht të vitit 1944 me dekretin e Qeverisë së Shqipërisë u emërua imam ofiçar në Xhaminë e Dobrajës së Madhe të Lypjanit , kurse pas vendosjes së pushtetit komunist jugosllav, me dekretin e datës 28 dhjetor 1944 iu besuan dy detyra njëkohësisht: imam në Xhami të Dobrajës së Madhe dhe mësues i shkollës shqipe aty. Në mars të vitit 1945 i ndoqi mësimet në kursin pedagogjik për mësues në Prishtinë, dhe ndonëse e mbaroi me sukses, nga fillimi i vitit shkollor 1945/46 mbajti vetëm detyrën e imamit në Xhaminë e Dobrajës . Mirëpo, pas prishjes së marrëdhënieve Shqipëri- Jugosllavi, pasoi largimit nga Kosova i shumë nësuesve që u përkisnin viseve të Shqipërisë Londineze. Tashti do të tregohet nevoja për mësues të shkollës shqipe në trojet shqiptare nën okupmim jugosllav, ndaj në vitin shkollor 1946/47, Mulla Sadri Ibrahimit, krahas detyrës së imamit në xhami, prapë iu besua ditari i mësuesit në shkollën e Dobrajës. Detyra binjake   imam dhe mësues, i bëri të mundshme të lidhej fuqimisht me masat e gjera popullore dhe të merrej me hallet e tyre jetësore. Rrethanat politike, në të cilat jetonte Kosova, e detyruan Mulla Sadrinë të merrej edhe me veprimtari politike kombëtare ilegale .

Mulla Sadri Prestreshi shfaqi tendenca për t’u marrë me politikë në interes të jetës kombëtare qysh në vitet ’30, si nxënës në ciklin e ulët të mësimeve në medrese. Asokohe e shohim në shoqëri me nxënësit e shquar: Arif avdi Shalën të Flamurasit (ish-Sankofci), Milaim Delia-Qelaj të Krujes (ish-Kizhareka) dhe me Hazir Isllam Metaj të Kroimirit( ish- Krimirofc). Sipas Mulla Sadri Prestreshes, Arif Shala qysh atëherë njihej me emrin Hoxhë Avdia, sepse ishte i vetmi nxënës i Medresesë së Pirinazërit, të cilit i ishte lejuar të bante shallin e hoxhës. Të dhënat e tjera vërtetojnë se Hoxhë Avdia asokohe mbante mësim në Mejtepin e Halilaçit dhe të Karraticës së Epërme. Më 1942 taleben Sadri Ibrahimin – Prestreshin e shohim në turmën e demonstruesve kundër pushtuesit fashist italian. Këtë demon¬stratë e drejtuan dy patriotë antifashistë: Mustafa Abiti, nëpunës në Bashkinë e Prishtinës dhe Ibrahim Banush Sadllari, “Shkonjës publik” në Prishtinë. Në fillim të nëntorit të vitit 1943 Mulla Sadri Ibrahim   Prestreshi mori pjesë në funeralin e përmortshëm të patriotit Iljaz Agushi, vrarë në Tiranë, nga komunistët gjakovaro-tiranas, më 27 tetor 1943. Varrimi i Iljaz Agushit ishte një manifestim kombëtar për tërësinë e Shqipërisë Etnike, të rrezikuar nga aleanca komuniste shqiptaro  jugosllave kominterniste .

Pas ripushtimit jugosllav komunisto çetnik të Kosovës, dhe sidomos nga fillimi i vitit 1945, Mulla Sadrinë e shohim pranë personaliteteve popullore patriotike: Idriz Sheqa-Breznica i Miradisë , Bahti Brahimi i Terinës, Hamdi Rexhepi Çadraku të Blinajës (ish-Vërshefci) .

Mandej Mulla sadriun e shohim në takime me Arif Shalën, alias Hoxhë Avdinë, i cili mbante pozitën e Komandantit të Rojës Partizane për viset e Komoranit   Sadllarit dhe të Magurës, dhe ishte në lidhje bashkëveprimi me Adem Gllavicën, udhëheqës i Shtabit Suprem të Kosovës, të formuar më 1 dhjetor 1944. Takimet e mulla Sadrisë, imamit të xhamisë së Dobrajës, me gueriljen shqiptare të viseve të Lypjanit dhe veçanërisht me kapterin Smail Dragusha, oficer për shërbimin informativ ushtarak pranë Shtabit të Organizatës N 2 të NDSH së LLTSH së ishin të frytshme dhe kjo sidomos pas organizimit të Mulla Sadrisë në Organizatën e NDSH së për viset e Rrethit të Lypjanit, nga fillimi i vitit 1946 .

Duke u mbështetur në të dhënat burimore, mund të konstatohet se Mulla Sadrinë me Shtabin e Organizatës N 2 të Lëvizjes për Lirimin e Tokave Shqiptare e lidhi drejtpërdrejt patrioti me një shkallë të lartë të vetësakrificës madhore, Azem Bajrami- Bellaçefci-Jashanica (1914 1948). Në një dokument me të dhënat biografike për Mulla Sadrinë, datë 21 prill 1982, thuhet: “Në fillim të vitit 1946 u inkuadrua në Organizatën e atëhershme ilegale NDSH (Komiteti Nacional Demokratik Shqiptar) për rrethin e Sitnicës me seli në Lipjan. Aktivitetin e zhvilloi deri në muajin shkurt 1947, kur u zbulua nga UDB ja dhe u burgos në Prishtinë” .

“Shkoja nga shtëpia (Pomozotini) për në Dobrajë të Madhe, ku punoja imam, dhe në Fushë Kosovë u takova me Azem Bellaçefcin, i cili punonte në ferovi. Pasi njiheshim që më herët, ai më tha duhet të organizohemi për luftë! Ma bëri të njohur se ‘Flamurin e ka Ajet Gurguri, kurse Gjon Serreqi është në lidhje me Ajetin”. Qysh herët e njihja Ajetin për patriot, kurse për Gjonin kisha dëgjuar se ishte një profesor me autoritet. Gjoni punonte ende profesor në Gjimnazin e Prishtinës. Nuk e refuzova Azemin dhe, edhe tashti ruaj një kujtim të shtrenjtë nga Gjoni, Letrën që më ka dërguar ai nga Drenica…!”

Paraqitja e Azem Jashanicës para Mulla Sadrisë me kërkesën: “Duhet të organizohemi për luftë…!” ishte më tepër urdhër që vinte prej një eprori ndaj një anëtari të Lëvizjes, sesa ofertë e një veprimtari politik drejtuar një personi për bashkëpunim politik ilegal .

 Duke pasur parasysh edhe faktet se “Flamurin e kishte Ajet Gurguri” (të cilin e njihte mirë Mulla Sadria) dhe “Gjon Serreqi (profesor në Gjimnazin e Prishtinës), ishte në lidhje me Ajetin…!”,bëri që imami, Mulla Sadria ti përveshet punës pa hezitim, për realizimin e kërkesave që shtronte Programi politik i Organizatës së NDSH së   Çlirimi dhe ribashkimi etokave shqiptare .

Pas “takimit të Rastësishëm” në Fushë Kosovë, për disa muaj në vijim, Mulla Sadria pati edhe takime të tjera me Azem Bellaçefcin, kurse pas kalimit të Azemit në ilegalitet (arrati), lidhjen e Mulla Sadrisë me Shtabin e Organizatës N 2 e mbante vëllai i Azemit, Raif Bajram Jashanica i njohur në popull si Raif Beha, një burrë me guxim dhe virtyte të pastra kombëtare shqiptare . Raifi ishte njeri i shkolluar për kohën, sepse kishte mbaruar shkollën fillore serbisht dhe dy vjet mësim në Medresën e Pirinazërit në Prishtinë te myderriz Mulla Ahmet Mardoçi .

 Mulla Sadrisë iu besua detyra: “Të rekrutonte anëtarë e ithtarë për Lëvizjen Nacionale Demokratike Shqiptare!” dhe nga eprorët e anëtarët e kësaj Lëvizjeje do të trajtohej si “Sekretar i Komitetit Nacional Demokratik Shqiptar të Rrethit të Sitnicës” me seli në Lypjan. Pa vonuar, Mulla Sadria rreth vetes lidhi burrat e shquar: Bahti Brahim Terinën, Hamdi Rexhep Vershecin, Rexhep Salih Qyqlagën, Mulla Hamdi Gllogocin, Mulla Rexhep Arif Ribarin e dhjetëra të tjerë, për të cilët do të flitet më vonë. Mulla Sadia u vu në lidhje me kreun patriot, Idriz Sheqën e Miradisë, dhe mbajti lidhje të ngushta veprimi me anëtarët e “Komitetit të NDSH së për vise të Fushë Kosovës”: Rrahman Gurgurin nga Krysheci, Ramadan (Dan) Berishën nga Bardhi i Madh, Ismail Sllamnikun nga Livragona (ish-Vragolia) etj.

Nga mesi i muajit prill 1946 Shtabi i Organizatës N 2 e thirri një mbledhje (e dyta) me aktivistët e terrenit, e cila u mbajt në Odën e Vesel Sogojevës në Grabofc. Veseli ishte patriot i kulluar dhe për ONDSH së punonte nga posti i kryetarit të Komunës së Fushë Kosovës ( më von do të dënohet me 15 vjet burg të rëndë). Meqë në këtë mbledhje arritën rreth 40 veta, ajo do të njihet si “Konferenca e Dytë e Organizatës N 2. Komitetin e NDSH së të Rrethit të Sitnicës e përfaqësoi sekretari Mulla Sadri Prestreshi, të cilin në Grabofc e solli korrieri Raif Beha.. I kushtuan rëndësi të madhe Në rrugë e sipër do të takohet edhe me: Ismail Sllamnikun,Ramadan (Dan) Berishën dhe Rrahman Gurgurin, tre burra dinjitozë në “Lëvizje për Liromin e Tokave Shqiptare” .

 Këtë Konferencë e drejtuan Ajet Gurguri dhe Azem Bellaçefci, i pari kryetar e i dyti nënkryetar të Organizatës N 2 të LpLTSH-së. “Ata folën për çështjet strategjike politike e luftarake të Lëvizjes me një konspiracion të madh. Kërkuan prej aktivistëve e anëtarëve të NDSH së të rekrutonin anëtarë e simpatisues dhe t’i përgatisnin psikikisht për një luftë të domosdoshme për çlirimin e Kosovës dhe të tokave të tjera shqiptare, të aneksuara nga Jugosllavia me dhunë e gjenocid. Koha dhe mënyra e luftës së armatosur do të përcaktoheshin më vonë, mbi bazë të përvojës e të mësimeve nga momentet që do të pasonin, meqë pritej edhe një ndërlikim luftarak i aleatëve antifashistë midis tyre, midis Anglo amerikanëve dhe Rusisë. Dihej se shpresa për fitoren e Lëvizjes sonë mbështetej në Anglinë…!”   do të konstatojë Mulla Sadria .

Nga fundi i muajit prill 1946 kaloi në arrati edhe profesor Gjon Serreqi. Tashti shpresat e veprimtarëve të “Komiteteve të NDSH së në Zonën e Organizatës N 2, në Drenicë përkatësisht të LpLTSH së do të shtohen. Gjoni iu bashkua Shtabit të Ajet Gurgurit në Bushat (ish- Kamaran) dhe e mori detyrën e “Sekretarit përgjegjës për Propagandë e Informim”. Prej kësaj kohe Mulla Sadria do të vihej në lidhje me Gjonin me anë të korrierit të Shtabit, Raif Behës   Bellaçefcit. Fillimisht, Mulla Sadia, informatat Gjonit ia dërgonte verbalisht dhe verbalisht i merrte urdhëresat direktivat e sugjerimet. Kështu veprohej për shkaqe të sigurisë e të konspiracionit. Prej kësaj do të rezultonte fakti që pas shthurjes së Organizatës N 2 të LpLTSH së nuk do të zbulohej asnjë veprimtar i NDSH së i lidhur me Mulla Sadrinë .

Shtabi i Organizatës N 2 aktivitetin në formimin e komiteteve të LpLTSH me cilësi të komiteteve ushtarake dhe politike, e nisi nga fundi i prillit të vitit 1946. Komitetin e parë e formoi në Bushat nën kryesinë e këshilltarit komunal Sokol Ibrahim Haxholli nga Zabeli i Poshtëm, me prjardje nga Flamurasi. Megjithatë, Ora e këtij komiteti ishte Mulla Arif Avdia- Shala i Flamurasit, sekretar i komunës së Bushatit. Arif Shala ishte një ndër veprimtarët më të shquar të LpLTSH së, i lidhur me Adem Gllavicën (themelues i “Shtabit Suprem i Kosovës”, më 1 dhjetor 1944 në Terpezë të Moraravës së Sipërme), edhe gjatë Sulmit të forcave të Lëvizjes së Rezistencës Shqiptare në Ferizaj, më 2 4 dhjetor 1944 . Pas Komitetit të Komoranit Shtabi i Organizatës N 2 do t’i formojë edhe tetë komitete të tjera, midis të cilëve edhe atë në Dobrajë të Madhe për Komunën e Radevës .

Sipas të dhënave që mund të vilen në procesverbalet nga hetuesia për Hilmi Zariqin, Hamit Eminin   “Doktorin” dhe Ajet Gurgurin Gjon,Sreqin etj . Komiteti i NDSH së në Dobrajë është themeluar në fund të dekadës së dytë të qershorit 1946 .Bashkëkohësit e pjesëmarrësve në Konferencën themeluese vërtetojnë se Komiteti i Dobrajës është formuar në natën e 18/19 qershorit 1946 në mbledhjen në Mullirin e Ali Brahimit të Qyqylagës, në një vend të strehuar midis fshatrave Qyqylagë dhe Poturoc. Hilmi Zariqi, një kohë nënkryetar i Organizatës N 2 në procesverbalin në hetuesi, datë 5 nëntor 1946, dha të dhëna të mjaftueshme për të parë kornizat e organizimit dhe të Konferencës themeluese të Komitetit të LLTSH së në Dobrajë . Sipas tij Njësia e Shtabit të Organizatës N 2, pasi kreu disa aktivitete në fshatrat e Artakollit, nga Mali i Gaspojës mbi Graboc u nis për në Lypovicë, për t’u takuar me Njësinë luftarake të Kadri Bebës. Lidhja ishte vënë me ndihmën e Komitetit të Komoranit. Në njësinë e Shtabit të Organizatës N 2 atë ditë kishte 13 luftëtarë, midis të cilëve edhe udhëheqësit kryesorë: Ajet Gurguri, Gjon Serreqi, Azem Bellaçefci, Hilmi Zariqi, Zeqir Lutani, Smajl Dragusha etj. Në Njësitin e Kadri Bebës kishte 14 luftëtarë dhe pranë Kadrisë ishin i vëllai, Salihu, Islam Domaneku, Nezë Buja, Hazir Bajrami e të tjerë. Ushqimin për këta 27 luftëtarë do ta siguronin anëtarët e komiteteve të NDSH së LpLTSH së të Komoranit e të Sadllarit .

Sipas Hilmi Zariqit, nga Lypovica në Dobrajë të Madhe u dërgua oficeri pranë Shtabit të Organizatës N 2, kapteri Smajl Dragusha. Ai kishte për detyrë të caktonte vendin për mbajtjen e Konferencës Themeluese . Të dhënat e vjela nga terreni vërtetojnë se Dragusha fillimisht ra në kontakt me Mulla Sadrinë, imamin e Xhamisë së Dobrajës dhe veprimtarin politik të ONDSH-re për rrethin e Sitnicës. Mulla Sadria, sipas sugjerimeve të Smajlit, i ftoi bashkëveprimtarët dhe simpatizuesit e ONDSH es. Sipas Hilmi Zariqit, njësia e bashkuar e Ajetit   Kadrisë arriti në Dobrajë natën, kurse Smajlin e gjetën në “një mulli”, së bashku me disa fshatarë . Mulla Sadrisë i kujtohet se në mbledhje ishin rreth 15 vetash civilë dhe Ajet Gurguri, Gjon Serreqi, Azem Bellaçefci, Hilmi Zariqi e Islam Domaneku . Nga kujtesa historike mund të mësohet se në Mbledhje, brenda në mulli, ishin: Mulla Sadria nga Mazgiti, Isuf Qerimi dhe Salih Ajeti nga Poturoci, Emin Bublica, Avdi Beha, Halim Mikulani, Ramë Hasani, Izet Kleçkani, Shefki Brahimi   të Dobrajës, Bahti Brahim Terina, Beg Ramë Bardheci dhe Sylë Bardheci nga Magura, Shefki Haxholli nga Ribari, Shaban Dragusha nga Rufci, Rexhep Salihu dhe Shaban Bytyçi nga Qyqlaga. Në rojë prej civilëve kanë qenë: Pajazit Murtezi dhe Latif Brahimi të Poturocit, mandej luftëtarët Hazir Bajrami i Petreshticës, Bajrush Tërrni i Koshares .

Sipas Hilmi Zariqit në mbledhjen në mulli folën gjerësisht Gjon Serreqi e Smajl Dragusha, dhe shkurtimisht Ajet Gurguri . Sipas kujtimeve të pjesëmarrësve, “Profesori (Gjoni  M.P.) kishte thënë: “Kemi lidhje me Anglinë dhe po na kërkon njerëz të besueshëm e trima për luftë kundër Jugosllavisë…!” . Të gjithë oratorët theksuan nevojën e përgatitjeve për një Luftë Nacionalçlirimtare të paevitueshme kundër pushtuesit jugosllav, për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, pa marrë parasysh sistemin politik dhe shoqëror në Shqipëri. Në mbledhje u emërua udhëheqja e Komitetit të NDSH së: Jusuf Qerimi (kryetar), Beg Bardheci (sekretar) dhe Shefki Brahimi (komandant i xhandarmërisë për Komunën e Radevës. Disa të dhëna nga tradita vërtetojnë se në atë Mbledhje në Mulli u bënë edhe disa emërime të personaliteteve për postet në nivel të rrethit të Lypjanit: Idriz Sheqa- Breznica komandant i ushtrisë, Hamdi Rexhep Versheci kryetar komune, etj .

Të dhënat nga kujtesa historike, të vërtetuara edhe me burime të dorës së parë, vërtetojnë se OZN a u vu në dijeni të plotë për mbajtjen e Konferencës Themeluese të Komitetit të NDSH së që të nesërmen. Realisht, në Mbledhjen Themeluese ishin ftuar edhe Sejdë Llugiqi, kryetar i komunës në Radevë dhe ish jatak i Fadil Hoxhës gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe Ibrahim Haxholli, kryetar i komunës në Lypjan e jatak komunistësh e partizanësh gjatë LDB së. Këta ishin ftuar përmes Shefki Brahimit   Llugiqit, Bahti Terinës dhe Hamdi Vërshecit. Sejda do të shprehej qartë se nuk do “t’i hyja një telhyqeje, pasi e di se Tito ka garancione për pesëdhjetë vjet prej Fuqive botërore…!”, kurse Ibrahimi do ta dërgojë në mbledhje kushëririn, Shefki Haxhollin, të cilin e kishte polic të vetin. Ibrahimi ishte në lidhje të ngushtë veprimi me shefin e OZN ës, Zhivko Mitroviqin e Vrellës, i cili më 20 ose 21 qershor 1946 do ta takojë, “rastësisht”, të zotin e mullirit, Rexhep Salihun, dhe do t’i vënë në pah se e di për “Mbledhjen e bandës në mulli, prandaj…!” Kjo bëri që Komiteti i NDSH së për Komunën e Radevës të zhvillonte një aktivitet shumë të kufizuar .

Pas formimit të Komitetit të NDSH së në Dobrajë, njësia e Shtabit të Organizatës N 2 prapë do të kthehet në Drenicë. Pas një qëndrimi të shkurtër në Gaspojë, mbi Grabofc, Hilmi Zariqi, Zeqir Lutani e luftëtarët e tjerë nga viset e Drenicës Veriore shkuan në vise të veta, kurse “Shtabi i Organizatës N 2” me Ajetin, Gjonin, Azemin dhe Dragushën në krye, shkuan në vise të Përmalinës e të Artakollit,të Vushtrrisë, për të vazhduar punën në formimin e komiteteve të LpLTSH së. Nga fillimi i muajit korrik 1946 pranë “Shtabit të Organizatës N 2” arriti direktiva nga Komiteti Qendror i LpLTSH së në Shkup, për nevojën e organizimit të një konference të përgjithshme me të gjitha grupet e armatosura në Kosovë, ku do të ftoheshin edhe veprimtarët politikë më të shquar në veprimtaritë politike të komiteteve të ONDSH re. Roli i organizatorit iu besua “Shtabit të Organizatës N 2”, kurse në mbledhje duhej të vinin edhe përfaqësuesit e “Komitetit Qendor të LpLTSH së. Kjo shihet qartë nga korrespondenca e “Shtabit të Organizatës N 2” me udhëheqësit e grupeve luftarake në “Malet e lira të Kosovës” .

Në Letërdirektivën që Ajet Gurguri i drejtonte Ahmet Selacit më 11 korrik 1946   “Në Male të lira të Kosovës”   në Shalë ë Bajgorës, vihej në pah se Konferenca   kongresi do të mbahej më 25 korrik 1946, kurse vendi mbetet sekret për Ju, pasi do t’ju prijë “ushtari i besueshëm Aziz Zhilivoda!”

Po atë ditë që Ajeti i shkroi Ahmet Selacit, Gjon Serreqi do t’i shkruante Mulla Sadri Ibrahimit   Prestreshit. Mirëpo, Letra që Gjoni ia dërgoi Mulla Sadrisë, nuk ka përmbajtjen e Letërdirektivës për Selacin. Ky dokument nuk shprehte kërkesa as urdhëresa lidhur me konferencën që do të mbahej. Letra e Gjonit ka elemente të një korrespondence intime midis dy bashkëveprimtarëve politikë urtakë, me disa këshilla e inkurajime, madje e shkruar pa ndonjë kujdes të veçantë, pa ndonjë disiplinë të ngurtë administrative ushtarake. Gjon Serreqi vetëm në mënyrë të tërthortë do ta informojë Mulla Sadrinë për një takim të dëshirueshëm në një të ardhme të shpejtë, por vetëm midis këtyre dy miqve intimë, gjithsesi në interes të aktivitetit politik të Mulla Sadrisë në të ardhmen. Gjoni   i shkroi Mulla Sadrisë:”Nga “Malet e Drenicës, më 11.VI.1946, ora 9:

“Shpresimi i dashtun”

Nga aj Zotnija mora lajmet tua dhe më gëzoj po ashtu sikur që më gëzon kuer nji vlla do me shtri kontributin e vetë në Luftën e këtij Populli Shqiptar për kufijt e Atdheut t’onë. Qindrimi i yt asht i mirë dhe se Ti i dashtuni Shpresim duhet që ti përvishesh punës aktivisht se kemi parasysh aftësijen dhe praksën t’ande.

Faksimil i Letrës për Shpresimin

Kemi dishir që (të) takohemi personalisht ku mund të marrish instruksione mbi luftën Nacional Demokrate Shqiptare në Rejonin e Organizimit t’onë N 2.

Sido qoft Ti mos e ndal hovin e veprimit t’and se koha nuk pret e bash Ti ke fat që punës së Organizimit t’onë ti ndihmojsh me fjalen taktike t’anden.

Të porositi që të hetojsh vetë gjurmet e njerëzvet t’onë besnik mbasi të baj disa hetime mbi qendrimin t’and në proçesin rreth çështjes s’onë. Kjo gja asht e nevojshme edhese ti je me të vërtet shpresa ndër ma të mira të Lidhjes s’onë Nacionalistave Demokratë shqiptar.

Tue të lutë që mundsisht të më dërgon një gjymës kile duhan kaçak, si shej shoqnije që aq të bukur e patëm dhe me çfar vleftësije ideale mund ta vazhdojm i nap fund me t’onen:Besa kombëtare   Ndera Shqiptare!Rroftë Ushtrija Nacional Demokratike Shqiptare!Në luftë për kufijt e Shqipnis Etnike 1912 sene!”

Këtu e vlen të konstatojmë se data 11 korrik 1946 që mban Letra e Ajetit  për Ahmet Selacin dhe Letra e Gjonit për Mulla Sadrinë, koincidon me datën e vrasjes së Profesor Ymer Berishës në vise të Gjakovës. “Shtabi i Organizatës N 2” dhe veprimtarët e saj në terren nuk do të mësojnë për vrasjen e Berishës deri në ditën kur po mbahej Kongresi V-të  LpLTSH re në Blinajë (ish- lypavocë), më 25 korrik 1946 .

Korrieri i Shtabit të Organizatës N 2, Raif Beha do ta informojë me kohë Mulla Sadrinë për mbajtjen e Kongresit V në Lypovicë. Mulla Sadria ishte një ndër veprimtarët e Komitetit Nacional Demokratik të Rrethit të Sitnicës (Lypjanit), që duhej të mirrte pjesë në kongres. Mirëpo, në vigjilje të mbajtjes së Kongresit të Blinajes, Mulla Sadria u shtrëngua të hiqte dorë nga pjesëmarrja në kongres. Kështu veproi sipas kërkesës së kapterit vigjilent, Smajl Dragusha. Ai e ftoi Mulla Sadrinë në një takim në ahurin e Sadri Dragushës në Gllanicë të Lypjanit dhe i tha shkurt: “Mulla Sadri, Ti nuk bën të dukesh në Kongres, sepse mund të të njohë ndonjëri dhe mund të zbulohesh. Ti duhet të mbetesh i pazbuluar për interes të ardhmërisë së Lëvizjes sonë…!”

Kongresi II i Ballit Kombëtar, përkatësisht i V-ti i LpLTSH së i mbylli punimet për disa orë pune jonormale. Mosardhja e delegatit të Komitetit Qendror, mosarritja e Prof. Ymer Berishës, i cili duhej të emërohej Komandant i Ushtrisë Demokratike Shqiptare në Malet e Lira të Dardanisë, dhe veçanërisht zbulimi i të dërguarit të Spasoje Gjakoviqit, shef i OZN ës së Kosmetit, në të njëjtën kohë korrier i Prof. Ymer Berishës për lidhje me Hilmi Zariqin  Rexhep Lushi i Carrabregut të Deçanit, bëri që Kongresi të shpërndahej shpejt dhe pa ndonjë vendim të rëndësishëm. Dhe pas rrethimit që iu bë “Njësisë së Shtabit të Organizatës N 2” në vise të Hoçës së Gjytetit afër Prizrenit, më 8 gusht 1946, LpLTSH ja në Kosovën Qendrore mori goditje të rëndë fatale për të ardhmen e Lëvizjes .

 Realisht, nga burimet e sakta, mësojmë se OZN a në Kongresin II(V) në Blinajë i pati disa informatorë. Aty ishte edhe Ibrahim Haxholli, i cili vepronte me të dy palët: me ONDSH-LpLTSH në dhe me OZN në. Kishte edhe të tjerë të dyshimtë, midis të cilëve edhe një shoqërues i Azem Bellaçefcit. Kështu, në ditët e para pas Kongresit, OZN a arrestoi disa anëtarë dhe veprimtarë të Komiteteve të NDSH së së Sadllarit dhe të Fushë Kosovës. Në Luftën e Hoçës së Gjytetit, 8 husht 1946, Ajet Gurguri duke u munduar ta shptonte kokën me çdo kusht, e humbi “trasta me arkivin e Organizatës N 2”, ku kishte edhe listat e delegatëve të ftuar dhe të atyre që kishin marrë pjesë në kongres. Kishte edhe dokumente të tjera për veprimtarët e NDSH së në terren, por emrat e tyre ishin shënuar me pseudonime. Sidoqoftë, OZN a tashti kishte në duar burime të dorës së parë për tërë rrjetin e Organizatës së NDSH së-LpLTSH së. Pas kapjes së Hamit Eminit   “Doktorrit” më 23 shtator dhe të Hilmi Zariqit më 3 nëntor 1946, OZN a tashti i kishte në duar dy informatorë të mirë mga burimi, të cilët zbuluan shumë lidhje e personalitete, në të cilat ishte mbështetur ONDSH re  LpLTSH e. Me kapjen e Ajet Gurgurit, më 3 shkurt 1947, mund të thuhet se OZN a korri fitoren e plotë mbi LpLTSH në në Kosovën Qendrore. Ajeti, i gjetur para shumë nga arkivi qp i mbeti në Vijem e Luftës së 8 gushtit dhe të dhënave që kishin deponuar “Doktorri” dhe Zariqi, do të thyhet për disa çështje, por jo edhe për t’i zbuluar anëtarët e “Komitetit të NDSH së të Dobrajës”. Meqë Hilmi Zariqi në hetuesi, më 6 nëntor 1946, kishte pranuar se në Kongresin e Lypovicës, midis të tjerëve ishte edhe “një të cilin e quanin Hoxhë, a nga LLapi është” (Mulla Ramë Givori-M.P.), OZN a në “Hoxhën” donte të zbulonte Mulla Sadrinë, për të cilin dinin se kishte lidhje me “Bandën”. Nga hetuesia ndaj Ajet Gurgurit, shihet se ky nuk kishte pranuar asgjë për Mulla Sadrinë. Ai madje nuk kishte pranuar as pjesëmarrjen e Shefki Brahimit   Llugiqit në Mbledhjen Themeluese të “Komitetit të NDSH së në Dobrajë”. Interesimi i OZN ës për Shefkiun ishte i lidhur me emërimin e tij nga ONDSH-së “Komandant i Xhandarmërisë për Komunën e Radevës!”

Nga mesi i shkurtit 1947 OZN a shtoi mbikëqyrjen mbi lëvizjet e personaliteteve, për të cilët kishte të dhëna se kanë qenë në mbledhjen e 18/19 qershorit 1946 në mullirin e Alisë në Qyqylagë. Veçanërisht përcillej lëvizja e imamit të xhamisë në Dobrajë, Mulla Sadrisë. Dhe, më 22 shkurt 1947 u thur vegëza për arrestimin e Tij jashtë vendit të punës. U ftua të shkonte në komunën e Obiliqit për të “ndihmuar” për përpilimin e disa listave për “zgjedhësit!”. Më 23 mars, derisa Mulla Sadria po punonte në detyrën e dhënë, hynë operativistët e OZN ës dhe e arrestuan. Të lidhur e sollën në burgun hetues të Prishtinës dhe ndaj tij filluan hetimet me ashpërsi gjakësore. Meqë Mulla Sadria nuk thyhej, nga burgu i Prishtinës e dërguan në burgun e Mitrovicës. Kështu vepruan për të krijuar rrethana për thashetheme midis xhematit të Mulla Sadrisë, për ta zbuluar aktivitetin e tij politik në Dobrajë e rrethinë. Aty nga fundi i marsit 1947 oficeri i UDB ës, Zhivko Mitroviq, arrestoi të gjithë anëtarët e Komitetit të NDSH së të Dobrajës dhe me një kamion i solli në burgun hetues të Prishtinës. Ata, gjithsesi sipas këshillave të Mitroviqit, meqë njiheshin nga marrëdhëniet fqinjësore të mëhershme, pranuan se kishin marrë pjesë në Mbledhjen Themeluese të “Komitetit të ONDSH-re” dhe se në aktivitetin politik i kishte lidhur Mulla Sadri Ibrahimi- Prestreshi .

Mulla Sadria, duke iu përmbajtur Betimit   Se për jetë nuk ka për t’i zbuluar shokët dhe bashkëveprimtarët e LpLTSH së, nuk do të pranojë asnjë “kontakt me bandën” dhe as faktet që i ofronin për “Komitetin e NDSH së së Dobrajës”. Të gjithë anëtarët e atij komiteti do t’ia sjellin në ballafaqim si dëshmitarë, por Mulla Sadria nuk do të shkelë Betimin! Anëtari i KNDSH së, Ramë Hasani, një burrë fisnik, duke e parë Mulla Sadrinë në gjendje të rëndë, do t’i drejtohet me dhembje: “O Hoxhë, prano, se Vallahi kemi kallxue për çka kemi ditë…!”

Meqë “Komiteti i NDSH së në Dobrajë” nga dëshmitarët për Mulla Sadrinë u dëshmua si komitet me detyra kryesisht ushtarake, ndaj “Dosja e Mulla Sadrisë do të përgatitet për Gjyqin Ushtarak të Divizionit të Prishtinës. Ky ishte precedent nga gjykimi për eprorët e tij politikë e ushtarakë   Ajetin, Gjonin, Hilmiun e të tjerë, të cilët do t’i gjykoj Gjyqi Civil i Qarkut të Prishtinës. Kështu u veprua ndaj Mulla Sadrisë për shkak se dëshmitarët i vërtetuan lidhjet e Mulla Sadrisë me togerin Smajl Dragusha, i cili në “Shtabin e Organizatës së LpLTSH-së N 2” ishte i ngarkuar me detyrën e instruktorit ushtarak dhe të oficerit për informata e lidhje ushtarake. Më 7 prill 1947, kur filloi gjykimi i Mulla Sadrisë, ia sollën përpara edhe Ajet Gurgurin për të vërtetuar identitetin dhe pjesëmarrjen e Mulla Sadrisë në Kongresin II(V) të LpLTSH së. Duhet të theksohet se Dosja e Ajetit ende nuk ishte gati, por që asokohe dihej qartë se personalitetet drejtuese kryesorë të “Shtabit të Organizatës N 2  të LpLTSH së do të dënohen me pushkatim!

“Ajeti ishte tepër i rraskapitur dhe i thyer fizikisht e shpirtërisht. Kishte përjetuar tortura të pamëshirshme. Megjithatë, u përmbajt dhe nuk pranoi se e kishte parë ndonjëherë “këtë Hoxhë”. Pyetjes së gjykatësit ushtarak: “A ka marrë pjesë ky Hoxhë në Kongresin e Blinajes..?”, Ajet Gurguri do t’i përgjigjej me një betim, paksa të mjerë për vendin: “Pasha Zotin nuk e di…!”. Gjykatësi gjakpirës nuk e kurseu dhe e ofendoi: ‘Ah, dhelpëro, ç’ke bërë, e tashti nuk e di…!?”   e kujton Mulla Sadria, më 31 janar 1996, për ballafaqimin e hidhur me Ajetin, më 7 prill 1947 .

Gjyqi Ushtarak i Divizionit të Prishtinës, më 15 prill 1947, Mulla Sadri Ibrahimin e dënoi me me 4 vjet heqje lirie dhe me punë të detyrueshme, kurse pas vuajtjes së burgut edhe një vit heqje lirie për të drejtat qytetare. Nga burgu i Prishtinës do të dërgohet në burgun e Mitrovicës, në një shkollë  të kthyer në burg, e pas dy javësh prapë do të kthehet në Burgun e Qarkut të Prishtinës. Këtu do të takohet me të burgosurit me dënime të rënda e me pushkatim, si me Shaban Dragushën, vëlla i Smajl Dragushës, Shemsi Mramorin (pushkatuar në prill 1947), Kadri Bebën (i pushkatuar më 1948), Hafëz Rizah Gërbeshin e Marecit, një patriot veç si ai, të cilit dënimi me vdekje iu kthye në dënim me 20 vjet burg të rëndë. Në burgun e Mitrovicës dhe të Prishtinës qëndroi me bashkëluftëtarin më të ngushtë të Hilmi Zariqit, Sahit Bucollin të Poklekut, një trim dhe besnik i pathyeshëm në idealet që shprehet Programi i NDSH së.

Nga fundi i majit 1947, Mulla Sadrinë OZN a e dërgoi në Kazamatin e Nishit, e pas një muaji në Kazamatin e Pozharefcit, pikërisht në kampin e punës Lubiçevo, ku i dërgonin personalitetet politike të dënuara me punë të dhunshme, për t’ua thyer shëndetin dhe dinjitetin. Atje Mulla Sadria do të shoqërohet me burra të çmuar, si me Haxhi Agushi i Prishtinës, axhë i Iljaz Agushit, njëri ndër burrat më të pathyeshëm, kombëtar dhe fetar i përkorë, i dënuar me 15 vjet burg me punë të detyrueshme. Pranë e pranë me Mulla Sadrinë, aty e kemi kapitenin e Ushtrisë Mbretërore Shqiptare, Shefqet Fetah Bylykbashin, të Drenicës, një patriot urtak dinjitoz. Një respekt të veçantë ndaj Mulla Sadrisë do të tregojnë dy jatakët e Prof. Ymer Berishës: Rrustemi dhe Nuha (Ndou), katolikë me moral të lartë e të pathyeshëm. Pranë Mulla Sadrisë, në kampin e dhunës në Lubiçevo, i shohim të pandarë, edhe dy nipat e patriotit të madh prizrenas, Njazi Alishanit: Shemsiun dhe Ganiun. Mulla Sadria ishte i respektuar nga të burgosurit nga fakti se ishte ndër ata pak shqiptarë të dënuar politikë, që ishte i vetëm, pa grup, dhe që u kishte bërë ballë hetimeve mizore të OZN ës pa zbuluar asnjë bashkëpunëtor, pa e thyer Betimin para Organizatës së NDSH së .

Vuajtja e burgut Mulla Sadrisë do t’i ndërpritet me Vendimin e Gjyqit Ushtarak të divizionit të Prishtinës, më 11 dhjetor 1947 dhe pikërisht mbi bazë të Nenit 1 të Dekretit për amnisti të personave ushtarakë, datë 9 maj 1947, ku thuhej se të dënuarit “i falet mbajtja e mëtutjeshme e dënimit: Heqje e lirisë me punë të detyrueshme!”. Nga vendpunishtja Lubiçevo e Kazamatit të Pozharefcit do të lirohet më 28 dhjetor 1947, për t’iu kthyer një jete me plot krajata, as i lirë as i dënuar. Lirimi i parakohshëm më shumë kishte për qëllim t’ia thyente kreninë, që nuk ia dolën t’ia thyenin në hetuesinë barbare .

Faksimile vendimi i gjyqit, dy faqe

Fillimisht nuk iu lejua të kryente punën e imamit, ngase ekzistonte frika se nuk do të mund të kontrollohej nga UDB ja, prandaj nga fundi i vitit 1948 do të emërohej mësues në shkollën fillore të Kastriotit. Në fillim të vitit shkollor 1949/50 do të transferohej në shkollën fillore të Karraticës së Poshtme në Drenicë, në Kullën e Jetullah Boshnjakut. Këtu nuk qëndroi shumë, dhe pas gjysëmvjetorit do të kthehej në shkollën fillore të Kastriotit. Në korrik dhe gusht 1950 mësoi në Kursin Pedagogjik për t’u kualifikuar për mësues. Nuk e mbaroi këtë kurs, ngase e kaploi TBC ja. Ishte kjo pasojë e hetuesisë nga duart e OZN asë dhe e vuajtjeve në burg. Pas dy vjetësh shërimi e kurimi, më nuk do t’i lejohet detyra e mësuesisë. Iu dha detyra e imamit në xhaminë e Miradisë, ku do të punojë midis viteve 1953 1962. Në këtë kohë Mulla Sadria iu dha studimeve islame. Si njohës i disa gjuhëve (përpos shqipes, fliste dhe shkruante serbisht, turqisht dhe arabisht, kuptonte edhe persishten), u pajis me dituri në shumë lëmenj të shkencës dhe të Islamit në përgjithësi. Kjo i mundësoi që në janar të vitit 1962 të emërohej imam në Xhaminë e Madhe (Sulltan Mehmet) të Prishtinës dhe në të njëjtën kohë të kryente edhe punë administrative në Kryesinë e “Bashkësisë Islame për Republikën Popullore të Serbisë” me seli në Prishtinë. Aktiviteti i gjerë fetar e kulturor me përmbajtje patriotike shqiptare i tij përcillej pandarë nga bashkëpunëtorët e Sigurimit Shtetëror Jugosllav, prandaj më 1966, me motivim se “është i papërshtatshëm politikisht”, do të transferohet imam në Xhaminë e Jashar Pashës, ku kishte një xhemat të vogël. Mulla Sadria duhej të largohej nga Xhamia e Madhe, që të largohej nga kontakti me personalitetet fetare e politike të jashtme, të cilat e vizitonin Kryesinë e Bashkësisë Islame dhe xhematin e shumtë të Xhamisë së Madhe. UDB ja mendonte se pas Mulla Sadrisë do të pakësohej xhemati i Xhamisë së Madhe, që të mos binte në sy të të “huajve!”

Mulla Sadriprestreshi punoi imam në “Xhaminë e Jashar Pashës” deri në vitin 1969. Tashti kishin nisur erërat politike pasbrioniane në të mirë të ekzistencës kombëtare shqiptare. Filloi të vihej në jetë një ecje në drejtim të rehabilitimit politik të të burgosurve politikë. Edhe Mulla Sadria do të gëzojë këtë të drejtë. Duke pasur dëshirë jetike t’i kthehej detyrës së pedagogut u emrua mësimdhënës në medresenë “Alauddin” të Prishtinës. Ishte i dashur dhe i respektuar nga sumica në kolektivin punues e veçanërisht për  nxënësit, tanë, më vonë studies, pedagogë e hoxhallarë të vyer.Mulla Sadri Prestreshi në “Medresen Alauddin” do të punojë deri në pension, më 1983.

Veprimtari i pathyeshëm i Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare, Mulla Sadria, bashkëveprimtar i Mulla Arif Shalës, Azem Bellaçefcit, Ajet Gurgurit,  Gjon Serreqit, i Smajl Dragushës e i dhjetëra patriotëve të shquar, martirë të kombit, pas një përvoje të gjatë jetësore, pas shumë vuajtjesh e sprovash, disfatash e ngadhënjimesh, do të më diktoj si amanet për brazat : “Për gjendjen tonë kemi do faje edhe ne. Luftën për Liri e kemi fat historik, prandaj duhet të jemi më të vendosur, më sakrifikues, më të pathyeshëm për realizimin e kërkesave jetike të popullit tonë. Liria duhet të fitohet me punë, me besnikëri, me përpjekje, me sakrifica mbinjerëzore! Ai që vendos të bartë Flamurin, duhet ta ketë të qartë: Nuk ka kthim pas, nuk ka kompromise, pos Liri ose Varr! Se, përndryshe, nuk mund të quhet udhëheqës, por mburravec, e me të tillë jam ballafaquar në përpjekjet e mia politike për Lirinë e popullit shqiptar. Vetëm të vendosurit i shpërblen All llahu me Liri dhe Paqe!” .

Se sa Mulla Sadri Prestreshi e deshti tokën arbërore, kam edhe një dëshmi nga jeta ime dhe e tij tëpër e hidhur. Ishte Një prilli 1999. Realisht, parmilitarët serbë më 28 mars 1999, Ditë e Bajramit, grantuan Ligjën Sofali dhe përballë Saj Lagjën time- “Kashagia” (sot e “Norma¬lës”. Para zjarrit artilerik na nxorrën nga shtëpit, kush kah mundi të shpëtonte! Meqë kisha planifikuar një rrezistencë të armatosur,në oborr u ndava përkohësisht nga familja . Deri më një Prill deri nga mbrëmja mbeta në lagjen “Tasligje”, kur paramilitaret serbë e i nxorën banorët dhe u grahën në drejtim të Stacionit të Trenit. Aty u takuam me Mulla Sadriun. Ishte shumë i mërzitur. Më lot në sy më tha: “Gjyshi më ka vdekur me shpresë se do të kthehen në Prestreshë të Toplicës. As na ma kurrë nuk kemi për ta parë Kosovën….!?! Jo vaj, por gjëmë burri bëri Mulla Sadriu Prestreshi por e priti vdiq në Liri .

Prishtinë, 28 mars 2012

Kontrolloni gjithashtu

Marie Shllaku, (1922-1946) luftëtarja heroinë e bashkimit të trojeve në një Shqipëri Etnike

Marie Shllaku, (1922-1946) luftëtarja heroinë e bashkimit të trojeve në një Shqipëri Etnike

Pavarësisht Kanunit, fesë dhe traditës patriarkale, në shumë raste gjatë historisë, femra  shqiptare i ka …