Brickos

Nusret Pllana: Serbia pushtuese ka vrarë e masakruar 1432 fëmijë, e jo 1133, siç po thonë liderët e Kosovës

Prof. dr. Nusret Pllana: Shteti laik, shkolla laike dhe eksperimenti me mësimin e fesë

               (Ose: Laicizmi i shkollës shqipe dhe feja)

                                         –Kumtesë

                           “Njeriu ka nevojë për arsim, ashtu si bima për ujë.

                           Ashtu sikundër thahet pema kur është e njomë, po

                        s’u vadit, edhe njeriu thahet shpirtërisht po nuk u

                             edukua që në vogëli, sepse nuk i mbetet gjësendi për

                             t’i shërbyer njerëzimit”.

                                                                              Sami Frashëri

Ky qëndrim i dijetarit tonë të madh të Rilindjes sonë Kombëtare, ishte në rrjedhën e Vendimeve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878), se pa shkollën në gjuhën shqipe, nuk mund të ketë komb të përparuar. Nëse merren parasysh rrethanat, nëse merren në konsideratë, se gjuha shqipe ishte e ndaluar edhe me ferman sulltanor, derisa në trevat e okupuara shqiptare lulëzonin shkolla në të gjitha gjuhët e tjera, me qindra e me mijëra, vetëm shkolla në gjuhën shqipe nuk kishte, ose ato të paka që hapeshin, ndiqeshin siç ndiqen sot terroristët e islamizmit radikal, me të gjitha mjetet.

Historia e shkollës shqipe ka shënuar fakte tronditëse në rrugën e zhvillimit, për pengesat e pa imagjinuara, për ndalesat absurde, si dhe për përpjekjet për zhdukjen e saj.  Prandaj, nuk është aspak e rastit, që në themelet e shkollës shqipe, është derdhur gjaku i mësuesve shqiptarë.

Hyrje

Mund të jetë, për kohën në të cilën jetojmë dhe edukojmë gjeneratat e shqiptarëve, se krahasimi i ndjekjes nuk është fort i qëlluar, por mos harroni, edhe sot e gjithë ditën libri shqip mbahet mbyllur në depot e shkollave të Kosovës Lindore, ose siç e quan administrata ushtarake amerikane, Lugina e Preshevës.

Madje, madje, për të qenë absurdi edhe më i madh, libri i autorit të kësaj kumtese shkencore(N.P) “The Terror Of Occupier Over Albanians 1844 – 1999”, i cili i ka thyer të gjitha rekordet e promovimeve nëpër botë(në këto dy dekadat e fundit) gjendet i izoluar, për të mos thënë i “arrestuar” aty ku më së paku kishte besuar dikush, brenda selisë së Parlamentit Evropian, anipse u ishte dedikuar ‘dhuratë’ nga autori, në shenjë respekti 751 deputetëve të këtij Parlamenti, në kuadër të 10 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, e 550 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut(mbrojtësit të krishterizimit evropian).

Ky libër, nga data 16 Gusht 2015(cituar nga Tanjug), gjithashtu është “arrestuar” nga policia serbe në Horgosh të Vojvodinës- përgjatë kufirit me Hungarinë. Dhe, është për të besuar apo jo, askush, ama bash askush prej Institucioneve të Republikës së Kosovës nuk interesohet për “fatin”e këtij libri enciklopedik, i përkthyer në nëntë gjuhë të botës, libër ky që ka marrë mirënjohje nga shumë Biblioteka evropiane e botërore, madje edhe nga Biblioteka Botërore e Kongresit Amerikan.

Prandaj, desha të sjellë në kujtesën tuaj, rrugën historike të zhvillimit të shkollës shqipe, për të cilën sot kanë hapur gojën e flasin të gjithë, në radhë të parë politika dhe administrata e saj, më shumë se tri apo katër ministri të arsimit nëpër hapësirat ku jetojnë shqiptarët, zyrtarë të paguar dhe analistë të papaguar, kalemxhinj që sa duket nuk kanë lexuar një libër të vetëm shqipe dhe na shesin mend se si bëjnë shkollë Evropa dhe të tjerët, se si duhet në frymën e kohës dhe të lirive të njeriut të respektohen të gjithë, thuajse shqiptarët, edhe kështu të copëtuar siç janë, duhet të bëhen model, shëmbëllesë e plotësimit të të gjitha kërkesave nëpër të cilat popuj të tjerë kanë kaluar një shekull e më shumë para shqiptarëve.

Shkolla laike shqipe dhe kushtetuta e shteteve shqiptare

Shqipëria ka qenë shtet laik që prej themelimit, nga viti 1912, edhe pse ka pasur shumë ndryshime sistemesh politike. Përgjatë shekullit të 20-të pas pavarësisë (1912), qeveritë demokratike, monarkike dhe më vonë totalitare komuniste ndoqën politika për shekullarizimin sistematik të kombit dhe kulturës kombëtare. Koncepti shqiptar i laicizmit ka ndikime të forta nga koncepti francez. (“Aleksandër Xhuvani, Laiciteti dhe shekullarizimi i shkollave dhe morali laik , Marrë në Tirana Observer, më 30. 7. 2017)

Do të thotë, nëse i besohet dijetarit të madh, që cituam më sipër, koncepti i laicitetit të shkollës shqipe, të kulturës shqiptare, të kombit shqiptar, pra edhe të shtetit shqiptar, siç e kishte lënë Konferenca e Ambasadorëve në Londër (1913), kishte shëmbëllime me konceptin e njërës prej kulturave më të përparuar evropiane-të kulturës franceze.

Mirëpo, rrënjët janë më të thella shiquar historikisht, thënë më saktë, ashtu siç ka shkruar Sami Frashëri, përkundër të gjitha pengesave që kishin nxjerrë pushtues të ndryshëm të tokave shqiptare, ishte zhvilluar një lëvizje e fuqishme kombëtare, arsimore e gjuhësore, që sipas Samiut, ‘‘dha pemë fort t’embla e të bukura’’. (Sami Frashëri, Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet, marrë më 30. 7. 2017)

Aktualisht Shqipëria është një republikë parlamentare laike, ku shteti garanton lirinë e besimit. Kushtetua njeh barazinë e komuniteteve fetare dhe shteti është neutral në çështjet fetare. E tillë është edhe Kosova, pas Luftës së lavdishme me përmasë kombëtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nuk mund të thuhet se a është e tillë Maqedonia Veriore, në raport me shkollën shqipe, nuk mund të thuhet a është i tillë Mali i Zi, që është bërë edhe anëtar i NATO-s, kurse për Serbinë, as që mund të flasim. Por, këto janë çështje, që sipas bindjes, nuk mund të trajtohen në një rrafsh, për fat të keq të historisë së jetës sonë, sepse edhe shkolla, edhe programet shkollore, edhe institucionet private fetare, edhe e gjithë struktura e arsimit shqip, është zhvilluar ndaras, sa as sot, njëzet vjet pas Luftës për liri në Kosovë, nuk jemi në gjendje të krijojmë një shkollë të përbashkët, së paku një program shkollor të përbashkët, një sistem edukativ, qoftë edhe për parashkollorët, të përbashkët.

Dhe e dini pse? Sepse politikat shtetërore janë të varura, jo nga mendje si ajo e Sami Frashërit dhe rilindësve tanë, por nga mendje, formim kulturor dhe ideologji, që u mjafton vetvetja, u mjafton të jenë të parët në katund, se sa të dytët në qytet, thotë një urti jona popullore.

Kurse dijetari ynë i madh, i Rilindjes sonë Kombëtare, që formoi kombin shqiptar, krijoi shkollën tonë kombëtare, Sami Frashëri, që në vitin e hershëm të 1878-të shkruante: “Një shkollë u hap në Korçë e për së pari herë zuri të mësohesh gjuha jonë. Shkollat nuk’u shtuanë e të vinin mbarë si duheshe, po shkronjat shqip u përhapnë nëpër gjith’anët të Shqipërisë, edhe burra e gra, djem e vasha, gjithë mësuan në pak kohë të shkruajn’ e të këndojnë gjuhën shqip”. (Sami Frashëri, po aty)

Shteti laik dhe historia e atdhetarisë shqiptare

Përgjatë periudhës Osmane, shqiptarët ishin të ndarë në fe sipas sistemit osman të “miletit”, ku myslimanët përdornin sheriatin ndërsa të krishterët përdornin ligjin kanonik. Atdhetarët shqiptarë, në gjithë veprimtarinë e tyre, edhe gjatë pushtimit osman, që nga pikënisja kërkonin që të kapërceheshin ndarjet fetare të myslimanëve sunit, të krishterëve ortodoksë, të bektashinjve dhe të katolikëve, ngase, siç dihet, feja përdorej nga osmanët për t’i përçarë. Po sipas këtyre atdhetarëve shqiptarë, që krijuan shkollën kombëtare shqiptare dhe krijuan kombin modern shqiptar, përçarjet sektare dhe fanatizmi fetar, ishin të huaja për kulturën shqiptare, ndaj dhe promovuan atë që disa historianë e quajnë “‘fenë civile’ të shqiptarisë”. Këtë e dëshmon poezia e famshme programore e Pashko Vasë Shkodranit, kur u drejtohej shqiptarëve: “E mos shikoni kisha e xhamia/ Feja e shqyptarit asht shqyptaria! (Pashko Vasë Shkodrani, O moj Shqypni,, 1880)

Kurse Sami Frashëri, në veprën e tij programore të Rilindjes sonë kombëtare, që më 1899, “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet” ideoi një Shqipëri që nuk do kishte fe zyrtare dhe me arsim laik.  (Sami Frashëri, po aty).

Qeveria shqiptare në 2011 donte të kalonte një ligj të ri arsimi që do ndalonte simbolet fetare në shkollë. Kjo solli debate të reja mbi laicitetin e arsimit si dhe të mundësisë për diskriminim fetar pasi ligji do mund të ndalonte hixhabin. Qeveria e hoqi atë pjesë të ligjit që do ndalonte simbolet fetare pas kundërshtimit të komuniteteve fetare.

Në një sondazh të 2011 në Shqipëri, 53,6% e të anketuarve u përgjigjën se ata e mbështesnin tërësisht ndalimin e simboleve fetare në shkollat publike, ndërkohë që 20.7% e mbështesnin “deri në një farë pike” dhe 21.5% ishin kundra. (Muqerem  Tafaj, “Nuk do ta miratojmë nenin për simbolet fetare’’, Marrë nga  Arkiva Shqiptare e Lajmeve, më 31. 7. 2017)

Marrëdhënia e fesë me shtetin dhe shoqërinë shqiptare është e ndërlikuar, shpesh edhe kontradiktore. Parimi “Shkolla është laike” dhe ideja se feja nuk duhet të përzihet me shkollën është e pranuar gjerësisht. Për këtë arsye kjo tentativë e papritur për të futur lëndë fetare në shkollat shqiptare është një thyerje tabuje e madhe dhe ka hasur kundërshtime të forta nga një numër personalitetesh të ndryshme. (Feja në shkollat shqiptare: Laicizmi në pikëpyetje, Telegraf, 12 prill, 2016).

Kur në Mesjetën e vonë Europa rizbuloi klasikët e Greqisë dhe të Romës, Shqipëria ishte një vend i pushtuar, ku vihej në rrezik jo vetëm vijimi i kulturës autoktone, por vetë jeta e kombit.

(Amik Kasoruho, Kisha katolike dhe shkolla e parë shqipe, MAPO, 8 janar 2013)

Përfundim

Nëse merren parasysh të gjitha rrethanat historike, nëse konsiderohen të rëndësishme për mbetjen në skenën e historisë, të gjitha ato përgjakje shekullore të këtij populli, edhe nga pushtues të cilët na lanë trashëgim edhe fenë e tyre, atëherë, mjafton vetëm të përcjellim me vetëdije ngjarjet për rreth nesh, që të vëmë gishtin kokës dhe të mos i ngarkojmë fëmijët e shkollave tona, edhe me një barrë më shumë se këto që i bartin çdo ditë në shpinën e tyre të njomë nga Programet e shkollës së Bolonjës, që është ana tjetër e fatkeqësisë së arsimit tonë kombëtar.

Më tutje, duhet shtuar se mosha e atyre që preken nga ndalimi i mësimit të fesë, apo si do të quhet lënda që mund të zbatohet, janë mosha që ende nuk mund të mendojnë në mënyrë të pavarur.

Përderisa këta nuk mendojnë në mënyrë të pavarur atëherë për shkollat 9 vjeçare dhe ato të mesme, mos futja e mësimit të fesë, është e drejtë.

‘‘Këtu dua të shtoj dhe një argument tjetër: kjo masë është marrë edhe më parë, në një Shqipëri tjetër që kishte probleme me analfabetizmin dhe kur besimi fetar ka qenë edhe më i ngulitur. Është marrë që në kohën e Mbretërisë”. (Arben Muka, Shkenca dhe edukimi, Tiranë, 2013).

Kontrolloni gjithashtu

Ali Ahmeti në Kërçovë: Fronti na bashkon për fitoren më të madhe në histori

Ali Ahmeti në Kërçovë: Fronti na bashkon për fitoren më të madhe në histori

Fronti Europian stacionin e radhës e ka pasur qytetin e Kërçovës, ku para një numri …