Prof.dr. Sabile Keçmezi-Basha: NJË LIBËR ME DËSHMI TË SHUMTA INDIVIDUALE DHE VLERA SHKENCORE

Prof.dr. Sabile Keçmezi- Basha: JATAKËT DHE BUNKERËT E LIRISË – KUSH ISHTE HASAN ALIA-REMNIKU (8)

Kështu, organizata e NDSH-së në Remnik u shndërrua në një shembull të gjallë se si idealet e lirisë mund të gjenin rrënjë të thella në popull, duke u mbështetur në një kombinim të disiplinës së hekurt, kontributit të përbashkët dhe përkrahjes së gjerë popullore. Ky model e bëri atë një qendër të gjallë të rezistencës, e cila mbeti në kujtesën historike si dëshmi e qëndresës së pathyeshme shqiptare.

Në kontekstin e kushteve jashtëzakonisht të vështira dhe të rrezikshme të veprimtarisë ilegale, një nga aspektet që dëshmon nivelin e disiplinës dhe përkushtimit të anëtarëve të NDSH-së ishte mënyra e pagesës së anëtarësisë. Këto të holla, sado modeste, ishin jetike për funksionimin e organizatës, por mënyra e dorëzimit të tyre nuk ishte aspak e thjeshtë. Për arsye sigurie, anëtarët nuk guxonin t’ia dorëzonin personalisht arkëtarit shumën që i takonte secilit, sepse çdo kontakt i drejtpërdrejtë rrezikonte të binte në gjurmët e organeve të ndjekjes.

Për këtë arsye, ata kishin krijuar një metodë alternative, të mbushur me kujdes dhe konspiracion. Më herët, në takime të fshehta, anëtarët vendosnin për një vend të sigurt, zakonisht në ndonjë shteg të fshehur mali apo në ndonjë skutë të mbuluar, larg syve të të tjerëve. Aty, në ditën dhe orën e caktuar, secili prej tyre linte kontributin e vet, ndërsa simpatizantët, të cilët gjithashtu ndihmonin organizatën, vepronin në të njëjtën mënyrë. Ky akt, i thjeshtë në dukje, në të vërtetë ishte një manifestim i lartë i besës dhe i disiplinës. Secili dinte detyrën e vet dhe e përmbushte pa kërkuar lavdi apo njohje.

Më pas, në një ditë të paracaktuar, arkëtari i organizatës shkonte në vendin e fshehtë dhe mblidhte paratë. Këto mjete financiare shërbenin për nevojat e ndryshme të lëvizjes, për blerjen e armatimit dhe furnizimeve, për përhapjen e materialeve propagandistike, për ndihmën e familjeve të ndjekura apo për mbështetjen e të arratisurve. Çdo monedhë e lënë fshehur në mal përfaqësonte jo vetëm një kontribut material, por një akt të vetëdijshëm sakrifice, një dëshmi se kauza e lirisë kishte zënë rrënjë të thella në ndërgjegjen e njerëzve.

Kjo mënyrë e fshehtë e pagesës së anëtarësisë, edhe pse bartte me vete shumë rreziqe, ishte një tregues i qartë i nivelit të organizimit dhe i vendosmërisë së NDSH-së. Ajo shpalos edhe një dimension tjetër të rezistencës se përveç pushkës, fjalës dhe besës, lëvizja ilegale mbështetej mbi sakrifica të vogla e të përditshme, të cilat të bashkuara bëheshin shtylla të një ideali të madh.

Në vitin 1950, Kosova u përfshi nga një fushatë e re politike dhe shoqërore- aksioni për heqjen e ferexhesë. Kjo ndërhyrje, që synonte të ndryshonte me dhunë mënyrën e jetesës dhe traditën shekullore të grave shqiptare, u prit me kundërshtime të forta nga një pjesë e popullsisë. Ndër zërat më të ashpër kundër ishte Arif Syla, i cili nuk ngurroi të shfaqte hapur pakënaqësinë dhe kundërshtimin e tij. Sjellja e tij, duke qenë i angazhuar në pozita zyrtare dhe njëkohësisht i lidhur ngushtë me lëvizjen ilegale, konsiderohej e patolerueshme nga organet e pushtetit.

Për këtë arsye, Arif Syla u arrestua dhe iu nënshtrua hetimeve të ashpra. Hetuesit dyshonin se ai po fshihte diçka më të madhe se sa qëndrimin e tij kundërshtues ndaj aksionit. Në disa momente, përmes frazave të thëna tërthorazi ose të shpëtuara pa dashje, u kuptua se Arifi kishte lidhje me Hasan Remnikun dhe se ishte pjesë e një organizate ilegale. Ky zbulim e ktheu atë në një objekt vëzhgimi të përhershëm. Megjithatë, organet e sigurimit vepruan me dinakëri, në vend që ta mbanin gjatë në burg, ata vendosën ta lironin, duke krijuar përshtypjen se ishte i lirë, por në fakt e ndoqën në çdo hap. Për të shmangur dyshimet, atij madje i dhanë edhe një detyrë të re si referent për arsim në fshatin Remnik, duke e përdorur si mënyrë për ta kontrolluar më lehtë.

Pas një periudhe, kur u duk se gjurmët e ndjekjes dhe hetimeve po zbeheshin, anëtarët e komitetit të NDSH-së në Remnik arritën të takoheshin sërish. Në këto mbledhje, përveç diskutimeve të zakonshme, doli edhe një propozim, të likuidoheshin dy policët që kishin torturuar Arif Sylën gjatë qëndrimit të tij në burg. Ky propozim buronte nga një ndjenjë e fortë hakmarrjeje dhe nga dëshira për t’i dhënë një mesazh pushtetit se krimet nuk do të mbeteshin pa përgjigje. Megjithatë, pas një debati të gjatë mes anëtarëve, vendimi përfundimtar ishte të mos ndërmerrej një aksion i tillë në atë moment. Ata arsyetuan se rrethanat nuk ishin të favorshme dhe se një veprim i tillë do të rrezikonte jo vetëm strukturën e vogël të komitetit, por edhe gjithë rrjetin e rezistencës.

Ky episod nxjerr në pah dy elementë të rëndësishëm të veprimtarisë ilegale shqiptare në vitet e pasluftës. Së pari, ajo tregon se përballja me pushtetin nuk ishte vetëm ideologjike e politike, por edhe e ngarkuar me emocione të forta, ku edhe hakmarrja shihej si mjete i mundshem. Së dyti, dëshmon se pjekuria strategjike e lëvizjes ilegale shpesh arrinte të frenonte impulsin e menjëhershëm, duke e vendosur interesin e përbashkët dhe mbijetesën e organizatës përpara ndjenjave individuale.

Në vitin 1948, në kulmin e krizës së thellë politike mes Shqipërisë dhe ish-Jugosllavisë, gjatë periudhës së ashpër të njohur si koha e Informbyrosë, marrëdhëniet midis dy vendeve kishin arritur në një pikë vlimi që rrezikonte jo vetëm balancat rajonale, por edhe jetën e individëve që vepronin në hapësirat kufitare. Kosova, si gjithnjë, u shndërrua në arenë të këtyre tensioneve, duke u bërë vendkalim për shumë persona që për pushtetin jugosllav konsideroheshin të dyshimtë, veçanërisht për ata që hynin nga Shqipëria.

Në këtë kontekst të trazuar politik, një ngjarje e veçantë pasqyron mënyrën se si këto tensione ndikonin drejtpërdrejt në terren, kalimi i oficerit të Shërbimit Informativ të Shqipërisë, Skënder Kosova. Ai, si drejtues i një tresheje operative, kishte kaluar kufirin dhe kishte hyrë në Kosovë me një mision që mbetet ende i vështirë për t’u ndriçuar plotësisht, por që pa dyshim lidhej me rrethanat e acaruara politike dhe me interesat e sigurisë së Shqipërisë së asaj kohe.

Megjithatë, prania e tij nuk i shpëtoi syrit të organeve të sigurimit jugosllav, të cilat në atë periudhë kishin ngritur një mekanizëm të hekurt kontrolli dhe ndjekjeje ndaj çdo lëvizjeje që dyshohej si e lidhur me Tiranën. Për pushtetin e Beogradit, hyrja e Skënder Kosovës në territorin e Kosovës ishte një akt i patolerueshëm, që shihej si provokim dhe si kërcënim i drejtpërdrejtë për stabilitetin e tyre politik.

Për pasojë, organet e sigurimit jugosllav vepruan me shpejtësi dhe ashpërsi. Skënder Kosova u kap dhe u likuidua, duke e shënuar këtë akt si një fitore të aparatit represiv, por në të vërtetë si një dëshmi të errët të kohës, ku jetët e individëve flijoheshin në altarin e përplasjes së ideologjive dhe interesave shtetërore.

Ky rast flet shumë mbi klimën e dyshimit, dhunës dhe konfrontimit që karakterizonte Kosovën në fund të viteve ’48. Çdo njeri që vinte nga Shqipëria, pavarësisht qëllimit, shihej nga pushteti jugosllav jo si qytetar, por si agjent i mundshëm. Në këtë mënyrë, fati i Skënder Kosovës përfaqëson jo vetëm një episod individual tragjik, por edhe simbolikën e një kohe ku kufiri shqiptaro-jugosllav nuk ishte thjesht vijë ndarjeje gjeografike, por një vijë zjarri, ku përplaseshin vizionet politike dhe jetët njerëzore.

Vrasja e Skënder Kosovës nga organet jugosllave nuk mbeti pa jehonë dhe pa pasoja në radhët e lëvizjes ilegale shqiptare. Shërbimi Informativ i Shqipërisë, i cili e konsideronte këtë akt një goditje të rëndë, reagoi menjëherë. Përmes një letre të dërguar në adresë të Mustafë Kokës, u kërkua në mënyrë urgjente që të ndërmerrej hakmarrja dhe të likuidoheshin dy nga oficerët më të rrezikshëm të UDB-së në Kosovë, të cilët konsideroheshin si përgjegjës për represionin e egër ndaj popullsisë shqiptare dhe për një varg krimesh të kryera ndaj saj.

Në këtë kuadër, komiteti i NDSH-së identifikoi si objektivë kryesore për eliminim dy emra konkretë: oficerin Xhafer Lila dhe Vojisllav Taliqin – i njohur ndryshe si Voja. Të dy, për shkak të rolit të tyre në aparatin represiv, përbënin rrezik të madh për lëvizjen dhe për vetë popullin shqiptar. Vendimi për t’i vrarë nuk ishte i rastësishëm, por i menduar si një veprim strategjik, për të treguar se terrori shtetëror nuk mund të mbetej pa përgjigje dhe se gjaku i atdhetarëve nuk do të harrohej.

Detyra për likuidimin e tyre iu besua Mustafë Kokës, njërit prej figurave më të vendosura të komitetit të Remnikut, i njohur për guximin dhe disiplinën e tij. Në mesnatën mes 5 dhe 6 qershorit 1951, ai e kreu me sukses misionin e ngarkuar, duke realizuar një akt që për komitetin e NDSH-së u konsiderua si hakmarrje e drejtë dhe si një mesazh i qartë se rezistenca ilegale nuk dorëzohej para dhunës.

Ky episod dëshmon për mënyrën se si lëvizja ilegale shqiptare, në kushtet e represionit brutal, funksiononte si një organizatë e rreptë e disiplinuar, ku çdo vendim merrej me përgjegjësi kolektive, ndërsa veprimet ekzekutoheshin me përkushtim individual. Vrasja e dy oficerëve të UDB-së nuk ishte thjesht një akt hakmarrjeje, por një shenjë e qartë se shqiptarët kishin vendosur të kundërviheshin edhe me çmimin e jetës së tyre.

Në këtë mënyrë, 5/6 qershori i vitit 1951 mbeti i shënuar si një datë e rëndësishme në historinë e rezistencës ilegale shqiptare në Anamoravë – një dëshmi se në përballjen me pushtetin jugosllav, guximi i individëve dhe besa e dhënë shndërroheshin në armë të fuqishme të qëndresës kolektive.

Pas eliminimit të dy oficerëve të UDB-së, reagimi i aparatit jugosllav të ndjekjes qe i menjëhershëm dhe i ashpër. Për pushtetin, ky akt nuk ishte vetëm një goditje kundër strukturës së tij represive, por edhe një sfidë e hapur që duhej shuar me çdo kusht. Si rrjedhojë, organet e sigurimit e shtuan në mënyrë drastike presionin dhe përndjekjen ndaj grupit të Hasan Ali-Remnikut dhe bashkëluftëtarëve të tij.

Fshatarët e Anamoravës, të pafajshëm por të ekspozuar ndaj dhunës së pushtetit, u bënë objekt i torturave dhe i presioneve të pamëshirshme. Me forcë e me kërcënime, ata detyroheshin të rrëfenin çdo të dhënë që mund të kishte lidhje me vendndodhjen e grupit ilegal. Për pushtetin, fshati ishte ura e jetës së rezistencës, dhe duke e goditur popullin e thjeshtë, synohej të shkëputej çdo hallkë e mbështetjes së tyre. Kjo gjendje krijoi një klimë frike, por njëkohësisht e forcoi edhe më shumë urrejtjen e shqiptarëve ndaj pushtuesit.

Në terren, forcat e ndjekjes intensifikuan veprimet. Njësi të shumta ushtarake dhe policore u shpërndanë në Anamoravë, duke kontrolluar rrugët, duke ngritur postblloqe dhe duke organizuar prita të përhershme. Malet dhe shtigjet e Anamoravës, dikur strehë e sigurt për ilegalët, tani u mbuluan nga një rrjet i gjerë ndjekjeje, që synonte të izolonte e të shkatërronte çdo gjurmë të lëvizjes. Çdo hap i Hasan Alis dhe grupit të tij përballej me rrezikun e kapjes, çdo natë në mal ishte një sfidë për të mbijetuar.

Ky intensifikim i përndjekjes dëshmonte njëherazi dy gjëra: fuqinë e aparatit shtetëror për të mobilizuar forca të mëdha dhe, nga ana tjetër, frikën që pushteti kishte ndaj një grushti burrash që vepronin me besë dhe me ideal. Fakti që Jugosllavia vinte në lëvizje trupa të tëra për të ndjekur disa ilegalë tregonte se rezistenca, megjithëse e vogël në numër, përbënte një rrezik të madh për autoritetin e saj politik dhe moral në Kosovë.

Kush ishte Hasan Alia-Remniku

Familja e Hasan Alisë, njëra ndër ato familje që do të lidhej pazgjidhshmërisht me historinë e rezistencës shqiptare, kishte ardhur në fshatin Remnik rreth vitit 1913. Në atë kohë, sipas të dhënave, Hasani ishte vetëm një fëmijë trevjeçar. I lindur më 1910, në një familje fshatare mesatarisht të kamur, ai do të rritej në një mjedis ku punës, ndershmërisë dhe besës u jepej një vlerë e madhe. Vendosja e familjes në fshatin e ri nuk u shoqërua me vështirësi të mëdha, sepse vendasit i pritën ngrohtësisht dhe shumë shpejt ata krijuan miqësi të qëndrueshme. Me sjelljen e tyre të fisme dhe të ndershme, familja e Hasan Alisë u bë pjesë e pandarë e jetës së fshatit, duke ndarë së bashku me banorët e tjerë si gëzimet ashtu edhe hidhërimet.

Me kalimin e kohës, lidhja e tyre me fshatin u bë aq e fortë sa që mbiemri i familjes filloi të lidhej drejtpërdrejt me vendbanimin. Kështu, Hasani dhe familja e tij u identifikuan gjithnjë e më shumë si “Remnikët”, mbiemër që do të mbetej i ngulitur edhe në dokumentet e shumta të UDB-së, ku Hasani shënohej si Hasan Remniku. Ky ndryshim i thjeshtë formal fshihte në vetvete edhe një simbolikë të fortë: lidhjen e pandashme të tij me vendin ku jetoi dhe u formësua si personalitet.

Hasani trashëgoi virtyte të çmuara nga të dy prindërit. Nga babai i tij, Ali Ramë Çollaku, ai mori guximin, trimërinë dhe vendosmërinë – tipare që do ta shoqëronin gjatë gjithë jetës dhe do ta shndërronin në figurë të respektuar në lëvizjen ilegale shqiptare. Nga nëna e tij, Zela, ai trashëgoi ndjeshmërinë, butësinë dhe dashurinë për të varfrit e skamnorët, duke e bërë jo vetëm një burrë të vendosur në luftë, por edhe një shpirt të ndjeshëm e të mëshirshëm në jetën e përditshme.

Kështu, që nga fëmijëria e hershme, në personalitetin e Hasan Remnikut u ngulitën dy shtylla themelore: forca dhe guximi i trashëguar nga babai, të ndërthurura me dhembshurinë dhe humanizmin e trashëguar nga nëna. Pikërisht kjo ndërthurje e virtyteve do ta bënte atë më vonë një figurë të kompletuar të rezistencës kombëtare – një burrë që dinte të luftonte me pushkë në dorë, por edhe të ngushëllonte e të ndihmonte popullin e vet.

Në dosjet zyrtare të UDB-së, Hasan Remniku shënohej thjesht si “një fshatar me gjendje të mesme ekonomike, banor i Ribnikut të komunës së Cërnicës”. Ky përshkrim i thatë burokratik e reduktonte figurën e tij në një kategori sociale të zakonshme, duke fshehur pas saj gjithë dimensionin e tij moral e atdhetar. Mirëpo, gjatë hulumtimeve historike dhe dëshmive që kanë mbijetuar, paraqitet një portret krejt tjetër i këtij burri: një lloj “Robin Hudi” shqiptar, i cili, me ndjenjën e tij të fortë të drejtësisë, nuk mund ta pranonte kurrë kontrastin e hidhur mes bollëkut të pushtetit dhe mjerimit të popullit të vet.

Kur shihte depot e pushtetit të mbushura me mallra, ushqime dhe veshmbathje, ndërkohë që shqiptarët e varfër nuk kishin as një kafshatë bukë për fëmijët apo një palë opinga për të përballuar dimrin, zemra e tij nuk e lejonte të qëndronte duarkryq. Për të, kjo nuk ishte vetëm një çështje ndjenje, por një detyrim moral. Ai e konsideronte padrejtësi të madhe faktin që pasuritë e vendit grumbulloheshin nga pushteti, ndërsa populli që i takonte asaj toke përjetonte skamjen. Në këtë kuptim, marrja e mallrave nga depot shtetërore dhe shpërndarja e tyre në mesin e shqiptarëve të varfër nuk shihej si një akt i thjeshtë rebelimi, por si një korrigjim i një padrejtësie të madhe.

Ky veprim e afron Hasan Remnikun me figurën e heroit popullor që nuk lufton për vete, por për të tjerët. Ai nuk ishte hajdut për përfitim personal, përkundrazi, ai ishte një shpërndarës i drejtësisë sociale në rrethana ku shteti nuk ofronte asgjë tjetër veç dhunës dhe shtypjes. Veprimet e tij i dhanë atij respektin e njerëzve të thjeshtë, të cilët e panë si mbrojtës dhe si njeri që vinte interesin e tyre mbi të vetin.

Po aq e fortë ishte edhe urrejtja e tij ndaj padrejtësive që buronin nga fqinjësia e përditshme. Sidomos kur komshinjtë e tij serbë ushtronin dhunë dhe arrogancë mbi shqiptarët, Hasan Remniku nuk qëndronte i heshtur. Ai nuk e duronte dot poshtërimin, dhe kjo ndjeshmëri e kthente atë në figurë të pathyeshme të rezistencës lokale, që mbante gjallë krenarinë e një populli të tërë.

Kështu, përtej emërtimit të ftohtë në dosjet e sigurimit, Hasan Remniku shfaqet në kujtesën historike si një figurë simbolike – një burrë që mishëroi guximin, ndjeshmërinë dhe drejtësinë popullore, duke u shndërruar në mbrojtës të të varfërve dhe në një kundërshtar të vendosur të pushtetit dhe padrejtësisë.

Hasan Ali-Remniku, përveçse një figurë e spikatur e rezistencës ilegale, ishte edhe një burrë familjar. Ai ishte martuar me Naziren nga Lubishta dhe në jetën e tyre martesore lindën tre fëmijë: Nazirja, Nurija dhe Aliu (1942). Pavarësisht rrethanave të vështira dhe përplasjeve të shumta politike, ai përpiqej të ruante jetën e tij si prind dhe bashkëshort, duke mbajtur lidhjen e pandarë me familjen e tij, e cila do të bëhej më vonë pjesë e sakrificës së tij të madhe.

Gjatë periudhës së okupimit, Hasan Aliu kishte punuar si polic në komunën e Parteshit, por ky rol nuk e lidhi kurrë me pushtetin; përkundrazi, pas mbarimit të luftës, ai u shndërrua në një ndër figurat më të njohura të Anamoravës që vepronte në fshehtësi për të mirën e kombit të vet. Përkushtimi i tij e çoi në një jetë të mbushur me lëvizje të përhershme, duke ndërruar shpesh strehimet, duke ndërruar jatakët, dhe duke gjetur vende të reja për t’u fshehur – herë në terrene të thyer malore, herë në shpella të fshehta, ku jeta e tij varej nga një fije peri.

Ai ishte plotësisht i vetëdijshëm se aparati represiv i UDB-së ishte vënë pas tij me çdo mjet. Nga informatorët e tij, ai kishte mësuar se pushteti jugosllav e kërkonte me këmbëngulje, duke shpresuar që përmes tradhtisë të arrinin ta kapnin të gjallë. Për këtë arsye, Hasan Remniku tregonte vigjilencë të jashtëzakonshme. Çdo takim i tij, çdo vend ku strehohej, çdo kontakt ishte i matur me kujdes, duke shmangur rrezikun që e rrethonte në çdo hap.

Në këtë rrugëtim të vështirë, ai kishte përkrahës të besueshëm. Një ndër ta ishte Arif Sherif Selmani nga Remniku, të cilin Hasan Aliu e kishte caktuar korrier personal. I ri në moshë, por i dalluar për trimëri dhe besnikëri, Arifi kishte marrë përsipër një detyrë jetike, mbajtjen e lidhjeve dhe sigurimin e informacioneve. Përmes tij, Hasan Remniku mësonte lëvizjet e ushtrisë dhe policisë jugosllave, rrezikun e pritave të organizuara, madje edhe çmimin që pushteti kishte vënë mbi kokën e tij.

Kështu, jeta e Hasan Remnikut ishte një kombinim i dy botëve: nga njëra anë, përgjegjësia e një familjari që kishte fëmijë e duhej të siguronte të ardhmen e tyre, dhe nga ana tjetër, misioni i një luftëtari të vendosur për të mos u dorëzuar, duke jetuar çdo ditë me ndjenjën se vdekja mund ta priste në çdo hap, por edhe me besimin se sakrifica e tij ishte pjesë e betejës së madhe për liri.

Në një nga takimet e tij me Hasan Remnikun, u bë e qartë se veprimtaria ilegale nuk ishte thjesht një rezistencë spontane, por një organizim i menduar me kujdes, i cili kërkonte disiplinë dhe detyra të qarta për secilin anëtar. Hasan Remniku, si prijës me përvojë dhe vizion, i caktoi bashkëpunëtorit të tij detyra konkrete, të cilat ishin të lidhura drejtpërdrejt me mbijetesën dhe forcimin e lëvizjes.

Së pari, ai duhej ta informonte rregullisht për qarkullimin e ushtrisë dhe të milicisë, si dhe të interesohej se cilët njerëz ishin në shënjestër të pushtetit. Ky informacion ishte jetik për shmangien e rrezikut dhe për ruajtjen e strukturës ilegale nga goditjet e befasishme.

Së dyti, një nga detyrat më delikate ishte mbajtja e evidencës së bashkëpunëtorëve aktivë të pushtetit. Listat që do të hartoheshin nuk kishin thjesht karakter informues, por përgatitës, në momentin e duhur, këta individë do të likuidoheshin për të shuar rrënjët e tradhtisë dhe për të penguar veprimet e mëtejshme të aparatit represiv.

Së treti, detyrë tjetër ishte të vëzhgonte dhe të identifikonte njerëzit e pakënaqur me rendin shoqëror të kohës. Këta individë, të cilët përjetonin padrejtësi ose kishin humbur besimin te pushteti, përbënin terren të frytshëm për rekrutimin e ardhshëm. Përmes punës sistematike, ata do të bëheshin pjesë e lëvizjes ilegale, duke i dhënë asaj gjak të ri dhe energji të reja.

Së fundi, Hasan Remniku kërkoi informacione të detajuara mbi gjendjen e magazinave dhe shitoreve të kooperativave. Këto të dhëna kishin rëndësi të madhe praktike, në rast të konfiskimeve apo plaçkitjeve të organizuara nga grupi, ata nuk duhej të binin në befasi. Ky ishte një aspekt logjistik që tregonte se lëvizja mendonte jo vetëm për luftën politike e morale, por edhe për furnizimin dhe mbijetesën e saj.

Këto detyra, të dukshme në thjeshtësinë e tyre, në fakt shpalosnin strukturën e menduar të veprimit ilegal: inteligjencën, evidentimin e armikut, zgjerimin përmes rekrutimit dhe sigurimin e burimeve. Në to shihet qartë se Hasan Remniku nuk e shihte rezistencën vetëm si akt trimërie, por si një organizim të plotë, ku çdo hallkë kishte rolin e saj të domosdoshëm për mbijetesën dhe suksesin e lëvizjes.

Vijon

Kontrolloni gjithashtu

Prof.dr. Sabile Keçmezi-Basha: NJË LIBËR ME DËSHMI TË SHUMTA INDIVIDUALE DHE VLERA SHKENCORE

Prof.dr. Sabile Keçmezi- Basha: JATAKËT DHE BUNKERËT E LIRISË – LËVIZJA ILEGALE PATRIOTIKE SHQIPTARE NË KOSOVË 1945-1990 (1)

Lëvizja ilegale patriotike shqiptare, si një nga faqet më të ndritura të historisë sonë, u …