leoni

Prof.dr. Sabile Keçmezi-Basha: NJË LIBËR ME DËSHMI TË SHUMTA INDIVIDUALE DHE VLERA SHKENCORE

Prof. dr. Sabile Keçmezi- Basha: KUR KUJTESA FLET NGA QELITË- HISTORIA E PATHËNË E TË BURGOSURVE POLITIKË SHQIPTARË

Në kujtesën kolektive dhe në rrëfimet e asaj kohe shpesh përsëritej një thënie domethënëse se me nisjen e procesit gjyqësor ndaj të arrestuarve politikë, niste një fazë tjetër e jetës së tyre – një periudhë që, paradoksalisht, konsiderohej si më e lehtë sesa ajo që e kishte paraprirë. Kjo ide lidhej me faktin se përballja në sallën e gjyqit shënonte përfundimin e hetuesisë, aty ku dhuna, presioni psikologjik dhe metodat e nënshtrimit ishin bërë pjesë e përditshmërisë së të akuzuarve.

Procesi gjyqësor, sado i manipuluar dhe i kontrolluar nga pushteti, për të pandehurit kishte një kuptim të dyfishtë. Nga njëra anë, ata e dinin se vendimi ishte i parapërcaktuar dhe se dënimi ishte pjesë e skenarit politik të pushtetit. Nga ana tjetër, gjyqi i nxirrte ata nga errësira e hetuesisë dhe i vendoste në një hapësirë publike, ku dhuna e hapur trupore zëvendësohej me një dhunë tjetër – atë të fjalës së akuzës dhe të vendimit gjyqësor. Ky transformim, ndonëse nuk i shpëtonte dot dënimit, sillte njëfarë lehtësimi të dhimbjes fizike dhe hapte një dritare të re për përballjen me fatin e tyre.

Në këtë kuptim, procesi gjyqësor nuk ishte vetëm një akt juridik, por edhe një lloj stacioni kalimtar nga torturat e hetuesisë në jetën e gjatë të burgut. Për të burgosurit politikë, ky moment përjetohej si një çlirim i pjesshëm, sepse trupi i tyre më nuk ishte i ekspozuar çdo ditë ndaj dhunës së pamëshirshme të hetuesve. Ata hynin në një fazë të re, ku dhimbja fizike zëvendësohej me përballjen me vuajtjen morale, me humbjen e lirisë dhe me stigmatizimin shoqëror.

Kështu, thënia se “me fillimin e procesit gjyqësor fillon edhe koha e rehabilitimit” nuk ishte shprehje e një optimizmi të rremë, por një reflektim i hidhur mbi natyrën e sistemit represiv. Një sistem që i vendoste njerëzit në zgjedhje mes dy të këqijave – mes dhunës së pamëshirshme të hetuesisë dhe një gjyqi të paracaktuar që sillte më pak plagë në trup, por plagë të thella në shpirt dhe në jetë.

Hetimet, që nisin në momentin kur një i dyshuar arrestohet e deri në çastin kur ai del para trupit gjykues, përbëjnë fazën më të errët dhe më të dhembshme të përvojës së tij si i burgosur. Pikërisht ky interval kohe është ai ku shënohet kulmi i dhunës, i presionit psikologjik dhe i poshtërimit sistematik. Për individin, kjo periudhë është një shtegtim nëpër terrin më të thellë të represionit, ku çdo orë bëhet e rëndë dhe çdo ditë shndërrohet në një betejë për të ruajtur vetëdijen dhe dinjitetin.

Në këtë etapë, i burgosuri është më i pambrojtur se kurrë. Nuk ka asnjë mbrojtje juridike reale, asnjë siguri për jetën, asnjë kufi që ta frenojë arbitraritetin e pushtetit. Hetuesit e kanë në dorë plotësisht dhe e përdorin këtë fazë si një mjet për ta thyer shpirtin e tij, për ta detyruar të pranojë akuza të fabrikuara ose për të prodhuar dëshmi që legjitimonin vendimet tashmë të përgatitura. Këtu lind dhimbja më e ashpër, jo vetëm ajo trupore nga torturat fizike, por edhe ajo morale, që buron nga izolimi, pasiguria dhe tradhtia e parimeve më elementare të drejtësisë.

Procesi gjyqësor, megjithëse i manipuluar dhe i njëanshëm, për të burgosurit shpesh shihej si një farë çlirimi nga kjo periudhë e errët. Sepse hetuesia përfaqësonte fundin e çdo shprese, një kohë të ndërprerjes së çdo lidhjeje me botën e jashtme, një përpjekje për ta shndërruar njeriun në hije të vetvetes. Kështu, nuk është e habitshme që shumë të mbijetuar e kanë përshkruar këtë fazë si pjesën më të rëndë të përvojës së tyre, momentin ku njeriu sprovohej deri në kufijtë e durimit.

Në këtë prizëm, hetuesia shfaqet jo thjesht si një procedurë ligjore, por si një mekanizëm represiv i projektuar për të gjunjëzuar individin, për ta shkatërruar rezistencën e tij të brendshme dhe për ta bërë atë të nënshtrohet jo vetëm ndaj ligjit të pushtetit, por edhe ndaj frikës që ai ushqente në zemrën e çdo të burgosuri.

Për këtë pjesë të errët të përvojës së të burgosurve politikë – atë të hetuesisë dhe dhunës së ushtruar para procesit gjyqësor – gati nuk shkruhet fare, ose përmendet vetëm në mënyrë të shkurtër e të përgjithshme. Ky boshllëk në literaturë është domethënës, tregon jo vetëm frikën dhe traumën që e kanë shoqëruar këtë fazë, por edhe vështirësinë e të mbijetuarve për ta përshkruar me fjalë atë që shpesh dukej e papërshkrueshme.

Megjithatë, pikërisht kjo pjesë është ajo që kërkon më shumë vëmendje dhe trajtim të hollësishëm. Hetuesia nuk ishte një episod kalimtar, por një përvojë vendimtare që shënonte shpirtin dhe trupin e të burgosurit. Ajo përfaqësonte momentin ku njeriu përplasej me brutalitetin e pushtetit në formën e tij më të zhveshur: dhunën, shantazhin, izolimin dhe poshtërimin. Nëse burgimi i gjatë përjetohej si një sfidë e kohës dhe e durimit, hetuesia ishte plagë e hapur, e cila shpesh nuk shërohej kurrë.

Prandaj, mendoj se kjo periudhë duhet të zërë vend qendror në literaturën kushtuar të burgosurve politikë. Ajo kërkon jo vetëm të dokumentohet me përpikëri, por edhe të analizohet me kujdes, në mënyrë që të kuptohet dimensioni i plotë i represionit. Pa këtë pjesë, rrëfimi për burgosjet politike mbetet i cunguar, sepse humbet pikërisht fazën ku pushteti tregonte fytyrën e tij më të pamëshirshme dhe ku i burgosuri sprovohej deri në kufijtë e mbijetesës.

Të shkruhet më shumë për këtë fazë nuk është vetëm një detyrim shkencor, por edhe një detyrë morale, për t’i dhënë zë vuajtjeve të atyre që pushteti u përpoq t’i fshihte me forcë, dhe për të ndriçuar një realitet që nuk duhet harruar, në mënyrë që historia të jetë e plotë dhe e vërtetë.

Për ta arritur këtë qëllim, për ta bërë të njohur të vërtetën dhe për ta çliruar nga heshtja një pjesë të pazbuluar të historisë, është e domosdoshme që vetë të burgosurit e asaj kohe – ata që përjetuan qelitë dhe korridoret e burgjeve jugosllave – të shkruajnë dhe të lënë kujtimet e tyre. Askush tjetër nuk mund ta pasqyrojë me aq saktësi, dhimbje dhe vërtetësi atë realitet, sa vetë ata që e kanë jetuar mbi kurrizin e tyre.

Kujtimet e të burgosurve politikë nuk janë thjesht rrëfime personale, por dëshmi historike të pazëvendësueshme. Ato përbëjnë një thesar dokumentar që, nëse nuk shkruhet e ruhet me përpikëri, rrezikon të humbasë bashkë me brezin që e përjetoi. Çdo detaj i përditshëm – nga orët e gjata të hetuesisë, deri tek muret e lagështa të qelive apo bisedat e fshehta mes të burgosurve – ka vlerë të jashtëzakonshme për të rindërtuar panoramën e plotë të represionit.

Për më tepër, këto rrëfime kanë një funksion të dyfishtë: nga njëra anë, ato shërbejnë si kujtesë kolektive për një shoqëri që nuk duhet të harrojë të kaluarën e saj dhe nga ana tjetër, ato përbëjnë një akt çlirues për vetë autorët, të cilët përmes shkrimit mund të shndërrojnë dhimbjen në fjalë dhe vuajtjen në dëshmi. Kështu, vuajtjet individuale kthehen në pjesë të kujtesës kombëtare, duke i dhënë kuptim të ri sakrificës së tyre.

Nëse këto kujtime mbeten të pashkruara, historia rrezikon të deformohet, të mbulohet nga harresa ose të rrëfehet vetëm nga perspektiva e pushtetit që ushtroi dhunën. Për këtë arsye, shkrimi i kujtimeve nuk është vetëm një detyrë personale, por një obligim moral dhe historik ndaj brezave që vijnë. Vetëm përmes tyre, opinioni i gjerë do të ketë mundësinë të kuptojë se çfarë do të thoshte të jetoje si i burgosur politik në Jugosllavi dhe se sa thellë dhuna politike kishte depërtuar në jetën e përditshme të njerëzve të zakonshëm.

Edhe pse nuk disponojmë të dhëna të plota dhe të dokumentuara për çdo aspekt të asaj që ka ndodhur brenda qelive të errëta të burgjeve, faktet e pakta që kemi mjaftojnë për të ndërtuar një kuadër të besueshëm mbi natyrën e atij realiteti. Në mungesë të dëshmive të drejtpërdrejta, mund të themi me bindje se ajo që ka ndodhur atje ka qenë e mbushur me frikë, tmerr dhe dhimbje të papërshkrueshme.

Qelitë e burgjeve, të përmendura shpesh vetëm nëpër raporte të thata apo kujtime të rralla, shfaqen si hapësira të mbuluara nga errësira jo vetëm fizike, por edhe shpirtërore. Aty ku njeriu izolohej nga bota e jashtme, aty ku fjala e tij nuk dëgjohej dhe trupi i tij i nënshtrohej dhunës së pamëshirshme, përjetohej një realitet që shkon përtej çdo imagjinate.

Prandaj, edhe pse nuk kemi një dokumentim të plotë, fragmentet e ruajtura dhe dëshmitë e pakta na lejojnë të mendojmë se brenda atyre qelive janë zhvilluar skena që e tejkalojnë kufirin e dhimbjes së zakonshme njerëzore. Ato kanë qenë vende ku pushteti ushtronte fytyrën e tij më brutale, ku shpresa për të mbijetuar sfidohej përditë, dhe ku njeriu sprovohej në kufijtë e qëndrueshmërisë.

Në këtë prizëm, mungesa e të dhënave nuk e zbeh të vërtetën, përkundrazi, e bën atë edhe më të rëndë. Sepse ajo që dimë, megjithëse e pjesshme, mjafton për të kuptuar se e pathëna është shumë më e tmerrshme se ç ‘mund të imagjinojmë. Heshtja që ka mbetur rreth asaj periudhe është po aq dëshmi sa edhe fjalët. Ajo tregon frikën e dhimbjen që i ka shoqëruar të burgosurit politikë edhe pas lirimit të tyre nga burgu.

Më kujtohet gjithmonë rrëfimi i gjyshes për babain tim, ditën kur ai ishte kthyer nga burgu. Ajo ditë mbeti e gdhendur në kujtesën e familjes si një përzierje gëzimi dhe tronditjeje të thellë. Gëzim, sepse ai ishte gjallë dhe kishte arritur të kthehej, tronditje, sepse njeriu që u shfaq në pragun e shtëpisë nuk ishte më ai djaloshi i ri e i paharruar, me energjinë e djalërisë dhe pamjen që ata mbanin mend.

Në kujtimet e saj, gjyshja e përshkruante atë si tërësisht të shpërfytyruar. Kishte hyrë në burg si një djalë i ri, plot jetë, me flokë të dendura e të zeza, që i jepnin pamjen e një të riu të fortë dhe të shëndetshëm. Por kur ishte kthyer, ajo nuk e njihte dot më, vetëm disa fije të pakta kishin mbetur pas në kokë, dhe ato, të mbuluara nga koha dhe vuajtja, tashmë ishin zbardhur krejt. Ishte sikur vitet nuk kishin kaluar natyrshëm, por si të ishin mbledhur në një stuhi të dhunshme, që ia kishte marrë rininë përnjëherë.

Ky ndryshim i papritur dhe i dhimbshëm nuk ishte vetëm pasojë e moshës apo e kohës së kaluar në qeli, por dëshmia e gjallë e një torture që ishte munduar ti gërryente trupin dhe shpirtin. Burgu nuk e kishte dënuar vetëm me heqje lirie, por e kishte dërmuar fizikisht, duke ia lënë shenjat e dhunës të gdhendura mbi trupin dhe pamjen e tij.

Gjyshja më rrëfente me dhimbje të thellë për plagët që burgu kishte lënë mbi trupin dhe shpirtin e babait tim. Ajo kujtonte se një gisht i mungonte, jo si pasojë e ndonjë aksidenti të zakonshëm, por nga një akt çnjerëzor që i ishte bërë në qeli. Një mi i madh i futur aty me qëllim, ia kishte hëngër gishtin e më vonë e kishte humbur krejtësisht. Nuk ishte thjesht një rast i rastësishëm, por një torturë e menduar dhe e orkestruar për ta çmendur, për t’ia thyer qëndrueshmërinë mendore e për ta shndërruar në një qenie të pafuqishme përballë makinerisë së dhunës. Ky detaj, i vogël në pamje të parë, ishte dëshmi e gjallë e mizorisë së pafund që mbretëronte brenda qelive.

Por, siç thoshte gjyshja, kjo nuk ishte pjesa më e rëndë. Dhimbja më e madhe nuk lidhej vetëm me humbjen fizike, por me atë që ai vetë kishte rrëfyer. Në një moment të lodhjes së skajshme e të urrejtjes, babai – djali i saj – i kishte thënë me një zë që mezi dëgjohej: “Nënë, o nënë, ti nuk e di, as nuk mund ta marrësh me mend se çfarë janë në gjendje të të bëjnë në burg njerëzit monstra, të pashpirt.” Në ato fjalë të thjeshta, që rridhnin si britmë e mbytur, përmblidhej e gjithë përvoja e tij e vuajtjes: poshtërimi, dhuna, tortura psikologjike e fizike, dhe një mizori që shkonte përtej çdo kufiri njerëzor.

Ky rrëfim i gjyshes nuk ishte vetëm një dëshmi familjare, por një testament i të vërtetës historike për natyrën e pushtetit represiv. Ai tregonte se burgu nuk ishte thjesht një vend dënimi, por një laborator dhune, ku qëllimi nuk ishte vetëm privimi nga liria, por shkatërrimi i plotë i njeriut – i trupit, i mendjes dhe i shpirtit të tij edhe pse kurrë nuk e kishin arritur. Fjalët e babait të thëna nënës së vet janë më shumë se një kujtim personal. Ato janë një thirrje që përshkon breza, një kujtesë se çfarë mund të bëhet kur pushteti kthehet në monstër dhe njeriu në pre të tij.

Në rrëfimin e gjyshes, babai im kishte thënë vetëm një fjali të shkurtër, por që bartte peshën e një bote të tërë dhimbjeje: “As shtazët nuk trajtohen në atë mënyrë sikur na trajtonin ata neve…” Pas këtyre fjalëve ai kishte heshtur, sikur nuk kishte më forcë të shtonte asgjë tjetër. Dhe në atë heshtje, në atë ndërprerje të rrëfimit, fshihej tragjedia më e madhe – ajo që është aq e rëndë, saqë nuk mund të shprehet me fjalë.

Ky krahasim i shkurtër mes mënyrës se si trajtohen kafshët dhe mënyrës se si ishin trajtuar të burgosurit politikë, e shpalos më shumë se çdo përshkrim i gjatë. Ai zbulon shkallën e dehumanizimit, ku njeriu shndërrohej në një objekt mbi të cilin mund të ushtrohej dhunë pa asnjë kufi. Burgjet nuk ishin më vende ku njeriu vuante dënimin e tij, por hapësira ku ai zhvishej nga çdo dinjitet, ku trajtimi i tij binte nën standardet më elementare të jetës, madje edhe më poshtë se si trajtohen shtazët.

Fakti që ai nuk kishte mundur të vazhdonte më tej tregimin, e thekson edhe më shumë dimensionin e tmerrit. Nuk ishte mungesë kujtese, por një barrë e padurueshme që nuk mund të përkthehej në fjalë. Heshtja e tij bëhej vetë dëshmi e torturës. Ajo që nuk thuhet, që mbetet e pathënë, shpeshherë është më e rëndë se ajo që rrëfehet.

Në këtë kuptim, kjo fjali e thjeshtë dhe ajo heshtje që e pasonte janë dëshmi të gjalla të brutalitetit të kohës. Ato nuk janë thjesht kujtime personale, por pjesë e një kujtese historike, që na mëson se çfarë ndodh kur pushteti zhvesh njeriun nga humaniteti dhe e trajton më keq se kafshën.

Dhe kështu, bijtë dhe bijat më të mirë të këtij kombi u gjendën përballë torturave më çnjerëzore që mund të shpikej nga mendja e sëmurë e pushtuesit, por nuk u dorëzuan kurrë. Çdo ditë dhe çdo natë, në qelitë e errëta ku dhuna ishte bërë ligj, ata përballuan rreziqe të panumërta dhe dhimbje që e tejkalonin kufirin e të durueshmes. Megjithatë, asnjë nuk arriti t’ua thyejë shpirtin, sepse forca e tyre nuk buronte vetëm nga trupi, por nga besimi, nga ideali dhe nga dashuria për atdheun.

Ata qëndruan të patundur përballë çdo goditjeje, çdo fyerjeje dhe çdo presioni të vazhdueshëm. Ishin të pathyeshëm jo sepse nuk ndienin dhimbje, por sepse mbi dhimbjen vendosnin dinjitetin; mbi frikën vendosnin krenarinë; mbi jetën e tyre individuale vendosnin fatin e kombit. Ky qëndrim i tyre ishte një akt heroizmi i heshtur, një dëshmi e gjallë se njeriu, kur është i lidhur me idealin, mund t’i mbijetojë edhe ferrit.

Figura e tyre mbetet monument i qëndresës: burra e gra që, ndonëse u rrahën, u malltretuan dhe u lanë pa shpresë, nuk u gjunjëzuan. Në vend të dorëzimit, ata ngritën lart krenarinë; në vend të heshtjes së imponuar, ata mbajtën gjallë dinjitetin; në vend të thyerjes, ata u bënë shembuj të pavdekshëm të rezistencës. Ata treguan se edhe në errësirën më të thellë, mund të ketë dritë – dritën e guximit dhe të dashurisë për atdheun, që nuk shuhet as nga dhuna, as nga frika, as nga vdekja.

Kam lexuar edhe një rast tjetër, ndër më tronditësit që dëshmojnë brutalitetin e regjimit ndaj të burgosurve politikë. Bëhet fjalë për atdhetarin e njohur Hydajet Hysenin, i cili ishte rrahur me aq egërsi dhe pa mëshirë, saqë trupi i tij nuk e kishte përballua dot dhe ai kishte rënë pa ndjenja. Dhuna mbi të nuk kishte pas kufij, ajo ndaj tij ishte përdorur jo vetëm si ndëshkim, por si një mënyrë për ta shkatërruar shpirtërisht, për ta detyruar të thyhej para syve të pushtetit.

Në atë gjendje të alivanosur, kur nuk kishte vetëdije dhe nuk ishte në gjendje të reagonte, autoritetet e burgut e dërguan që ta takonte nënën e tij, e cila kishte ardhur në vizitë për të parë të birin. Ishte një skenë e dhimbshme, ku pushteti, përveçse ushtronte dhunë mbi trupin e të burgosurit, synonte të thyente edhe nënën, duke i treguar asaj se çka jemi në gjendje të bënin. Ishte një akt i ftohtë terrori psikologjik, ku viktimë nuk ishte vetëm i burgosuri, por edhe familja e tij. Pas një kohe, Hydajeti ishte këndellur. Mirëpo, nga ajo vizitë e nënës nuk i kujtohej asgjë.

Ky episod nuk është vetëm një tregim i një akti mizorie, por një dëshmi e qartë e mënyrës se si sistemi synonte ta shkatërronte njeriun në të gjitha dimensionet: fizikisht, mendërisht dhe emocionalisht. Dhuna nuk kufizohej në qelinë e burgut, por shtrihej deri te zemra e nënës, e cila duhej të mbante peshën e pamjes së tmerrshme të të birit. E tillë ishte logjika e represionit që të gjymtonte trupin, të errësonte kujtesën dhe të copëtonte shpresën.

E gjithë kjo makineri dhune e represioni nuk kishte karakter të rastësishëm, por një qëllim të qartë e të paramenduar, t’ua nguliste shqiptarëve në mendje idenë se ndaj këtij shteti nuk guxohej të sfidohej as me fjalë e as me vepra. Ishte një strategji e ndërtuar me kujdes për të mbjellë frikë, për të paralizuar çdo mendim për rezistencë dhe për ta kthyer heshtjen në mënyrën e vetme të mbijetesës.

Dhunimet, torturat, gjyqet publike dhe dënimet e rënda nuk synonin vetëm individët konkretë që përfundonin në bankën e të akuzuarve. Përkundrazi, ata ishin shembuj të zgjedhur me kujdes, viktima që do të shërbenin si paralajmërim i gjallë për gjithë të tjerët. Mesazhi ishte i thjeshtë dhe brutal- kushdo që ngre zërin, kushdo që ofron ndihmë apo solidaritet, kushdo që guxon të vërë në pikëpyetje legjitimitetin e pushtetit, do ta pësojë edhe më keq.

Në këtë mënyrë, shteti shfaqej jo thjesht si një aparat administrativ, por si një forcë që kërkonte të sundonte përmes terrorit psikologjik dhe nënshtrimit të plotë. Burgjet dhe sallat e gjyqeve ishin shndërruar në skena ku luhej drama e torturës kolektive, e projektuar për të depërtuar deri në vetëdijen më të thellë të shoqërisë shqiptare.

Kjo politikë e frikës nuk ishte vetëm një mekanizëm për të kontrolluar të tashmen, ajo ishte edhe një investim për të ardhmen. Ajo synonte të krijonte breza të tërë të heshtur, të cilët, duke parë shembujt tragjikë të bashkëqytetarëve, do të mësonin të mos guxonin, të mos kundërshtonin, të mos ëndërronin përtej kufijve që pushteti kishte vendosur.

Në këtë kuptim, dhuna nuk ishte vetëm instrument ndëshkimi, por një gjuhë e pushtetit, një mënyrë për të ndërtuar një rend shoqëror të bazuar mbi frikën. Dhe pikërisht ky ishte qëllimi përfundimtar që çdo shqiptar të jetonte me bindjen se sfidimi i shtetit nuk sillte asgjë tjetër veçse vuajtje, poshtërim dhe shkatërrim të pashmangshëm.

Një rast i veçantë, që mbetet i gdhendur në kujtesën e vuajtjeve kombëtare, lidhet me atdhetarin e madh të çështjes kombëtare, bacën Ali Aliun. Fati i tij u kryqëzua me një nga skenat më famëkeqe të terrorit jugosllav – kampin e Goli Otokut, ku pushteti kishte ngritur laboratorin më të egër të ndëshkimit politik. Aty, falangat e dhunës, të ushqyera me urrejtje dhe të pajisura me imunitetin që jepte pushteti, e rrahën dhe e maltretuan aq mizorisht, saqë trupi i tij nuk arriti për një kohë të rikthehej në gjendjen e mëparshme.

Nga ato tortura çnjerëzore, ai pësoi një amnezi të pjesshme. Kjo gjendje nuk ishte vetëm pasojë e dhunës fizike, por edhe një shenjë e pashlyeshme e brutalitetit të një sistemi që synonte jo vetëm ta ndëshkonte kundërshtarin, por ta shkatërronte përgjithmonë, duke ia lënë plagët e hapura mbi trup dhe mbi shpirt. Amnezia e bacës Ali Aliu nuk ishte thjesht një fatkeqësi personale, ajo u bë simbol i gjallë i çmimit të lartë që paguanin ata që i dilnin përballë pushtetit.

Ndryshe nga shumë të tjerë, të cilët u shuan në qelitë e ftohta ose u zhdukën nëpër vorbullat e dhunës, ai mbeti gjallë, por me një trup të dërmuar nga dhuna fizike. Kjo mbijetesë ishte njëkohësisht tragjedi dhe dëshmi: tragjedi, sepse njeriu që kishte dhënë gjithçka për çështjen kombëtare u dënua me një gjendje dhune; dëshmi, sepse ai vetë, me praninë e tij, në Goli Otok mishëronte faktin se çfarë ishte në gjendje të bënte një regjim ndaj atyre që nuk pajtoheshin me të.

Në këtë mënyrë, historia e bacës Ali Aliut nuk është vetëm një episod individual, por një metaforë e një populli të tërë që u përball me dhunë sistematike. Plaga e tij, e shndërruar në amnezi të përkohshme, ishte plaga e një kombi që kërkonte lirinë. Dhe ashtu si ai, shumë të tjerë bartën mbi trup e mbi shpirt dëshmitë e gjalla të një kohe ku idealizmi për atdheun përplasej me brutalitetin e një pushteti të pamëshirshëm.

Një nga episodet më të dhimbshme, por edhe më domethënëse të asaj kohe, lidhet me mënyrën sesi udbashët, në egërsinë e tyre, e përdornin dhunën jo vetëm për të thyer trupin, por edhe për të poshtëruar shpirtin e njeriut. Për t’u mburrur me “sukseset” e tyre, ata e provokonin bacën Ali Aliun duke e pyetur për gjëra themelore, për vetë rrënjën e identitetit të tij: “Si e ka emrin nëna jote?” Dhe aty, në atë gjendje të rëndë nga torturat, ai nuk arrinte ta kujtonte emrin e nënës që e kishte lindur.

Përballë kësaj harrese të imponuar nga dhuna, ata qeshnin me cinizëm, duke u thënë të tjerëve: “E shihni? Kjo është fuqia jonë. Aq shumë e kemi shkallmuar, sa nuk e kujton as emrin e nënës së vet.” Ishte një poshtërim i qëllimshëm, një shfaqje mizorie që nuk kënaqej vetëm me gjymtimin fizik, por që synonte të hiqte edhe fijen e fundit të identitetit e të dinjitetit njerëzor.

Megjithatë, pas gjashtë muajsh të gjatë vuajtjesh e përpjekjesh të brendshme, bacës Ali iu rikthye kujtesa. Ai e kujtoi emrin e nënës. Dhe në atë çast, ndjeu një gëzim aq të madh, sa nisi të qeshte me shpirt. Ishte një e qeshur e çlirimit, një fitore e vogël, por me domethënie të madhe, shenja se, pavarësisht gjithë brutalitetit, pushteti nuk kishte arritur ta zhdukte krejtësisht njeriun brenda tij.

Ky episod tregon shumë për natyrën e dhunës dhe të qëndresës. Dhuna kishte fuqinë të fshinte përkohësisht kujtimet, të shkatërronte trupin e të deformonte mendjen. Por qëndresa, e fshehur thellë në shpirtin e një njeriu të lidhur me idealin dhe dashurinë për rrënjët e tij, kishte fuqinë t’i rikthente kujtimet, duke e ringjallur edhe në kushte çnjerëzore. Kujtimi i emrit të nënës, në këtë rast, ishte më shumë sesa një detaj personal: ishte një akt rilindjeje, një dëshmi se identiteti nuk mund të shuhet lehtësisht, edhe kur pushteti mendon se e ka asgjësuar përgjithmonë.

Këto ngjarje nuk përbëjnë raste të izoluara në historinë e të burgosurve politikë shqiptarë. Përkundrazi, ato janë pjesë e një tabloje të gjerë tragjedish, ku individë të thjeshtë, intelektualë, mësues e veprimtarë u përballën me dhunën e një sistemi që nuk njihte kufij në represionin e tij. Çdo dëshmi e tillë është pjesë e një mozaiku të dhimbjes kolektive, që dëshmon përpjekjet e pushtetit për ta thyer shpirtin e një populli, duke goditur bijtë më të ndritur të tij.

Nga dokumentet që kam lexuar, gjithmonë mbeten të pashlyera rasti dhe vrasja e mësuesit Fazli Grajqevci, si dhe ajo e Shaban Shalës. Ata nuk ishin thjesht emra në listën e viktimave të represionit, por figura që mishëronin idealizmin, dashurinë për dijen dhe përparimin, si dhe guximin për të mos u nënshtruar. Fati i tyre tragjik është shembull i asaj se si regjimi nuk kurseu askënd, as ata që mbanin në dorë librin e diturisë, as ata që udhëhiqnin me shembullin e tyre moral e qytetar.

Vrasja e tyre nuk ishte vetëm një humbje personale për familjet dhe komunitetet që i rritën, por edhe një goditje e rëndë për tërë shoqërinë shqiptare. Ajo kishte një mesazh të heshtur, por të qartë se çdo njeri që guxonte të mendonte ndryshe, të edukonte brezat me frymë lirie ose të qëndronte përballë padrejtësisë, do të paguante çmimin më të lartë – jetën e tij.

Dhe dua të shtoi se kujtimi i Fazli Grajqevcit dhe Shaban Shalës është më shumë se një reflektim mbi të kaluarën. Është një kujtesë e përhershme se historia e të burgosurve dhe të vrarëve politikë shqiptarë nuk është thjesht histori vuajtjesh, por edhe histori qëndrese dhe sakrifice. Ata u bënë dëshmi se, edhe në kohët më të errëta, ishin ata që nuk e tradhtonin dot idealin, edhe kur ky ideal u kushtonte jetën.

Megjithatë, unë besoj se për gratë shqiptare burgu ka qenë edhe më i rëndë, ndërsa periudha e hetuesisë është shndërruar në përvojën më të dhembshme dhe më të pamëshirshme. Në një realitet të ashpër, ku edhe burrat e kalonin me vështirësi, gratë e burgosura u përballën me një peshë të dyfishtë, me represionin politik dhe me dhunën e pashpirt që buronte nga paragjykimet gjinore dhe mizoria e hetuesve.

Gratë shqiptare, në traditën tonë, gjithmonë janë dalluar për forcën, për durimin dhe për trimërinë e tyre të pashoqe. Ato ishin shtylla të familjes dhe të shoqërisë, të gatshme të përballonin çdo sakrificë. Por në hetuesi, kjo forcë u vu në sprovat më ekstreme. Në ditët e gjata e të errëta të marrjes në pyetje, ato përjetuan jo një, por nëntë rrathë ferri. Dhuna që iu ushtrua nuk ishte vetëm fizike, por edhe psikologjike, duke synuar të thyejë jo vetëm trupin, por edhe dinjitetin dhe shpirtin e tyre.

Hetuesit e regjur të UDB-së shpiknin format më barbare të torturës, duke përdorur fantazinë e tyre çnjerëzore për t’i detyruar gratë të nënshtroheshin, të pranonin akuza të fabrikuara ose të tradhtonin idealet e tyre. Ato u trajtuan si objekt i një eksperimenti mizor, ku pushteti provonte deri ku mund të shkojë njeriu në shkatërrimin e tjetrit.

E megjithatë, edhe pse i kaluan këta rrathë të ferrit, ato nuk u thyen. Forca e tyre e heshtur, rezistenca e tyre e brendshme, treguan se dhuna, sado e pamëshirshme, nuk mund ta fshinte guximin e një gruaje shqiptare. Për këtë arsye, historia e burgosjes së grave shqiptare duhet të shkruhet e të vlerësohet me përpikëri, sepse ajo përfaqëson jo vetëm një kapitull të dhimbshëm të së kaluarës sonë, por edhe një dëshmi madhështore të qëndresës dhe trimërisë së tyre.

Duhet përmendur patjetër rasti i Hyrije Hanës, një grua që përfaqëson një nga shembujt më të dhimbshëm të vuajtjes dhe qëndresës së grave shqiptare nën regjimin jugosllav. Në kujtimet e saj, ajo rrëfen me një thjeshtësi tronditëse, por me një forcë të jashtëzakonshme, dramën e përjetuar në qelitë e burgut. “Unë nuk linda fëmijë,” – thotë ajo – “e si të lindja, kur kisha përjetuar dhunën më të egër që mund të ekzistojë nga okupuesi.” Në këtë fjali të shkurtër përmblidhet një dhimbje e paimagjinueshme: jo vetëm humbja e mundësisë për të qenë nënë, por edhe shkatërrimi i ëndrrave dhe i jetës që asaj iu mohua me dhunë.

Hyrija vazhdon rrëfimin duke përshkruar një moment që e përshkruan më shumë se çdo tjetër përmasën e pasojave të torturës. Pas një kohe, kur më në fund kishte mundur të shikonte veten në pasqyrë, ajo nuk e kishte njohur më atë fytyrë që i shfaqej përballë. Ishte sikur Hyrija e dikurshme, ajo vajza e bukur, plot jetë e ëndrra, të kishte humbur përgjithmonë. Torturat e kishin shpërfytyruar jo vetëm trupin e saj, por edhe imazhin që ajo kishte për vetveten.

Ky rrëfim nuk është vetëm dëshmi e dhimbjes individuale, por edhe një dokument i gjallë i një realiteti kolektiv. Ai tregon se si dhuna e okupatorit nuk ndalej te privimi i lirisë, por depërtonte deri në thellësitë më të ndjeshme të qenies njerëzore, duke u munduar që të shkatërronte trupin, shpirtin dhe të ardhmen e të burgosurve. Në figurën e Hyrije Hanës shohim përplasjen mes një gruaje të fortë, që mbijetoi për të dëshmuar, dhe një sistemi që synonte ta zhdukte edhe fizikisht.

Në këtë prizëm, Hyrije Hana nuk është thjesht një dëshmitare e një kohe të errët, por një simbol i fuqishëm i rezistencës dhe i plagëve të pashlyeshme që historia i la mbi gratë shqiptare. Kujtimi i saj është thirrje që këto përvoja të mos harrohen, por të mbeten si dëshmi e përhershme e dhunës dhe e qëndresës.

Një tjetër dëshmi që e zbardh me dhimbje realitetin e grave të burgosura shqiptare është ajo e Nazire Currit. Edhe pse ajo nuk kaloi shumë vite prapa hekurave, periudha e hetuesisë për të ishte e barabartë me vetë ferrin. Hetuesia, me gjithë egërsinë dhe brutalitetin e saj, ishte më e rëndë se çdo burg i gjatë, sepse aty njeriu përballej drejtpërdrejt me shkatërrimin e tij.

Nazirja kujton se një natë, nën duart e dhunës së hetuesve, iu thyen katërmbëdhjetë dhëmbë. Ky akt barbar nuk ishte thjesht dhunë fizike, por një formë poshtërimi, një mënyrë për ta thyer dhe për ta lënë të njollosur në shpirt e në trup. Dhe aty lind pyetja e pashmangshme: si e përjetoi ajo atë çast? Çfarë ndjeu kur dhëmbët iu thyen një nga një? A ishte e tmerruar nga dhimbja, apo e paralizuar nga frika? Apo ndoshta, mes vuajtjes, mendoi për diçka tjetër – për familjen, për idealin, për vetë faktin se po sakrifikonte veten në një betejë të pabarabartë?

Këto pyetje mbeten të hapura, por ato na ndihmojnë të kuptojmë dimensionin e plotë të përvojës së saj. Sepse hetuesia nuk synonte vetëm dhimbjen momentale, ajo kërkonte të mbillte terror, të linte gjurmë të përhershme, të zhdukte buzëqeshjen, të deformonte trupin, në mënyrë që çdo pasqyrë e së ardhmes të pasqyronte plagët e së shkuarës.

Rasti i Nazire Currit është një shembull i gjallë i asaj se si sistemi represiv nuk e kursente as trupin, as shpirtin e grave shqiptare. Përmes një akti të tillë barbar, hetuesit synonin jo vetëm të thyenin kockat e dhëmbët, por edhe guximin dhe forcën e tyre të brendshme. Megjithatë, fakti që ajo dëshmon dhe flet, tregon se edhe përtej dhimbjes dhe poshtërimit, ajo mbeti e fortë – dhe dëshmia e saj mbetet një akuzë e përjetshme ndaj një kohe ku dhuna kërkonte të shndërrohej në ligj.

Gruaja shqiptare nuk do t’i harrojë kurrë këto përvoja të errëta, jo vetëm sepse shumë prej tyre ishin vetë aktere të ngjarjeve dhe bartëse të plagëve të drejtpërdrejta të torturës, por edhe sepse i përjetuan si nënë, motër, bashkëshorte apo e afërt e të burgosurit politik. Dhimbja nuk ishte vetëm personale, por kolektive, duke u shtrirë në të gjitha dimensionet e jetës së tyre.

Si të burgosura, ato mbajtën mbi vete vulën e dhunës më çnjerëzore, duke e përballuar trupërisht dhe shpirtërisht atë që pushteti kërkonte të quante “drejtësi”. Por edhe kur nuk ishin pas hekurave, ato jetuan me të njëjtin ankth e dhimbje- nëna që prisnin lajmin për djalin, motrat që bartnin turpin dhe frikën e imponuar nga regjimi, bashkëshortet që rritnin fëmijët nën hijen e mungesës, apo të afërmet që shndërroheshin në mbështetje të heshtur.

Në këtë mënyrë, kujtesa e gruas shqiptare është shumëdimensionale. Ajo nuk është vetëm kujtesa e një viktime të drejtpërdrejtë, por edhe e një dëshmitareje të afërt, e cila jetonte dhimbjen e tjetrit si të ishte e saj. Kjo e bën përvojën e tyre të veçantë dhe të pazëvendësueshme, një kujtesë e ndërtuar jo vetëm mbi trupin e plagosur, por edhe mbi zemrën e përgjakur nga humbjet dhe sakrificat që prekën të gjithë shqiptaret.

Për këtë arsye, gruaja shqiptare mbetet një nga ruajtëset më të fuqishme të historisë së dhimbjes dhe qëndresës. Kujtimet e saj nuk janë thjesht tregime për atë që ka ndodhur, por akt i gjallë i rezistencës ndaj harresës. Ajo i ruan këto përvoja si pjesë të qenies së vet, duke i transmetuar brez pas brezi, që ato të mos harrohen kurrë.

Me një përkushtim të veçantë dhe me kujdesin më të madh, kam hulumtuar hollësisht proceset gjyqësore të kohës, duke ndjekur me vëmendje të gjitha detajet, dëshmitë dhe aktakuzat e ngritura ndaj shqiptarëve. Nga ky punim i shkurtër dhe i mundimshëm, përfundimi që del është tronditës dhe njëherësh i dhimbshëm, për shqiptarët nuk kishte asnjë dallim në shkallën e ndëshkimit. Çdo arsye, qoftë edhe më e parëndësishme, shndërrohej në pretekst për burgim, për gjyq farsë apo edhe për eliminim fizik.

Nëse dikush kapte në dorë një pushkë të blerë ilegalisht, kjo mjaftonte që ai të shpallej armik i shtetit. Nëse dikush tjetër angazhohej në një organizim politik, të cilin pushteti e etiketon menjëherë si “antishtetëror”, atëherë dënimi i tij ishte i sigurt. Madje edhe një gjest i thjeshtë, siç ishte hedhja e një parulle të shkruar me dorë në ndonjë rrugë të fshatit a të qytetit, shihej si akt i rrezikshëm dhe i ndëshkueshëm rëndë. Për më tepër, kishte raste kur edhe një copë bukë e dhënë nga një familje e varfër për të ndihmuar një të arratisur, interpretohej si krim i rëndë kundër shtetit.

Në një shoqëri të qytetëruar e demokratike, këto veprime do të trajtoheshin, në rastin më të keq, me gjoba simbolike ose me ndëshkime të lehta, pasi nuk përbënin rrezik të madh për rendin publik. Por në realitetin represiv të Jugosllavisë, çdo akt i tillë shndërrohej në dëshmi të mjaftueshme për të legjitimuar burgosje, dënime të rënda, madje edhe ekzekutime. Në sytë e pushtetit të kohës, nuk kishte rëndësi shkalla e veprës, mjaftonte etiketa e “armikut” për të justifikuar çdo formë dhune.

Kështu, proceset gjyqësore nuk ishin mjete për të zbatuar drejtësinë, por instrumente për të përhapur frikë dhe për të kontrolluar shoqërinë. Ato dëshmojnë se për shqiptarët nuk ekzistonte shkalla e fajit, as baraspeshë mes veprës dhe ndëshkimit. Ekzistonte vetëm logjika e pushtetit të eliminohej çdo zë që dilte jashtë rreshtit, çdo individ që guxonte të mendonte ose të vepronte ndryshe.

E keqja më e madhe e gjykatave penale nuk ishte vetëm ashpërsia e vendimeve, por vetë mënyra se si ato ndërtoheshin. Në shumicën e proceseve gjyqësore, nuk thuhej e vërteta për arrestimin e të pandehurve. Dosjet ngarkoheshin me shantazhe, denigrime dhe ndërskamca, të cilat nuk kishin qëllim tjetër përveçse të deformonin realitetin dhe ta paraqisnin të burgosurin si fajtor të padiskutueshëm.

Në të vërtetë, qëllimi i vërtetë i këtyre farsave gjyqësore ishte shumë më i thellë, të krijonin huti në popullatë, të mbillnin dyshim dhe mosbesim ndaj figurave që për vite të tëra kishin qenë të angazhuara në lëvizjen për lirinë e vendit. Duke i kriminalizuar dhe denigruar këta njerëz, pushteti përpiqej të shkatërronte jo vetëm rezistencën e organizuar, por edhe respektin dhe mbështetjen që ata gëzonin në sytë e popullit.

Kjo strategji e gjykatave ishte pjesë e një mekanizmi më të gjerë represiv, ta bënte popullin të mos shihte më heronj në ata që sakrifikonin për liri, por “kriminelë” të zakonshëm. Ishte një mënyrë për të thyer shpirtin e rezistencës duke i dhënë asaj një fytyrë të rreme, të përbaltur. Dhe pikërisht këtu qëndron ironia e madhe, ndërsa gjykatat përpiqeshin të zhduknin kujtimin e tyre, populli i ruajti në këngë e kujtesë si martirë të lirisë.

Duke u nisur nga të gjitha këto të dhëna dhe dëshmi, bëhet e qartë se të burgosurit politikë shqiptarë kanë një detyrë të shenjtë që të lënë pas kujtimet e tyre, të shkruajnë dhe të rrëfejnë përjetimet e tyre në burgjet jugosllave. Kjo përvojë e dhimbshme nuk është turp, përkundrazi, është sakrifica më e lartë që ata kanë bërë për atdheun, një dëshmi e gjallë e qëndresës dhe e besnikërisë ndaj idealeve kombëtare.

Rrëfimet e tyre do të shërbejnë si një pasuri e pazëvendësueshme në hulumtimet e mëtejme për gjeneratat që vijnë. Ato janë dritare nga e kaluara, që u mundësojnë brezave të ardhshëm të njohin realitetin e errët të shtypjes, të kuptojnë peshën e sakrificës dhe të mësojnë nga historia. Këto kujtime janë, në të vërtetë, mburoja më e fortë për të mos lejuar që e kaluara të përsëritet. Sepse një shoqëri që harron sakrificën dhe vuajtjet e saja është e destinuar të bjerë sërish në të njëjtat pozita.

Të burgosurit politikë janë pjesa më e ndërgjegjshme e historisë kombëtare shqiptare. Ata nuk u gjunjëzuan para dhunës, nuk u shitën për privilegje, nuk pranuan të heshtnin kur populli i tyre kishte nevojë për zë. Prandaj, kujtimi i tyre duhet ruajtur si një trashëgimi e shenjtë. Ne u kemi borxh jo vetëm respektin tonë, por edhe angazhimin që rrëfimet e tyre të mos mbeten në hije, por të bëhen pjesë e historisë së shkruar, e literaturës, e kujtesës kolektive.

Ruajtja dhe nderimi i kujtimit për ta nuk është vetëm një akt mirënjohjeje, por edhe një akt drejtësie historike. Sepse ata, me jetën dhe vuajtjen e tyre, dëshmuan se liria nuk është e dhënë, por fitohet me sakrificë. Dhe për këtë arsye, ata meritojnë të mbeten përjetësisht në kujtesën tonë, si shembuj të pavdekshëm të guximit dhe të ndërgjegjes kombëtare.

2 shtator, 2025

Prishtinë

Kontrolloni gjithashtu

Mehmet Bislimi

Mehmet Bislimi: 109 Trëndafila të kthyer në arkivole!

– Këtu janë emrat e 109 ushtarëve shqiptarë të vrarë e masakruar nëpër Kazermat ushtarake …