Prof.dr. Sabile Keçmezi-Basha: NJË LIBËR ME DËSHMI TË SHUMTA INDIVIDUALE DHE VLERA SHKENCORE

Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha: Një thirrje e hapur për deputetët e Parlamentit të Kosovës

Në diskursin politik dhe historik, shpesh ndodh që figurat e mëdha – heronjtë dhe intelektualët – të instrumentalizohen nga forca të ndryshme politike. Megjithatë, një parim i qenësishëm i mendimit qytetar dhe etikës publike është se këta individë, me veprën dhe sakrificën e tyre, nuk i përkasin asnjë partie apo grupimi të caktuar politik. Ata i përkasin popullit. Është vetë historia ajo që dëshmon se kontributi i tyre nuk ka qenë kurrë i kushtëzuar nga ngjyrat politike, por nga ideali i përbashkët për liri, drejtësi dhe përparim shoqëror.

Duke u nisur nga ky postulat thelbësor – që heronjtë dhe intelektualët janë pasuri kombëtare dhe jo partiake – synoj që edhe në këtë reflektim të qëndroj besnike ndaj tij. Ky shkrim nuk ka për qëllim të ngrejë gishtin ndaj askujt, të fyejë, të akuzojë apo të kërcënojë. Kjo nuk është as natyra ime personale, as qëllimi i angazhimit tim publik.

Ajo që më shtyn të shkruaj është një ndjenjë e thellë shqetësimi qytetar: vonesa në konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Në një shoqëri që aspiron demokracinë funksionale dhe stabilitet institucional, zvarritja e proceseve kushtetuese nuk mund të shihet si një çështje dytësore apo teknike. Ajo prek vetë themelin e besimit qytetar dhe ndikon në cilësinë e jetës publike.

Si qytetare dhe si intelektuale e përkushtuar ndaj të vërtetës dhe përgjegjësisë kolektive, ndihem e thirrur të jap zërin tim në këtë çast të rëndësishëm. Ky nuk është një apel ndaj partive, por një thirrje për vetëdije kombëtare. Proceset demokratike nuk mund të mbahen peng i kalkulimeve politike. Populli meriton institucione funksionale, përfaqësim dinjitoz dhe vendimmarrje në kohë. Në këtë drejtim, heshtja nuk është më neutralitet, por pasivitet që dëmton të ardhmen.

Prandaj, shkrimi im është një dëshmi e përkushtimit ndaj interesit të përgjithshëm. Ai nuk ka për qëllim të ndëshkojë, por të nxisë reflektim; jo të krijojë ndasi, por të kërkojë përgjegjësi. Duke u nisur nga parimi se përfaqësimi politik është detyrë dhe jo privilegj, është e domosdoshme që secili akter institucional të reflektojë për barrën që mban mbi supe – barrën e besimit qytetar dhe të së ardhmes që po ndërtojmë së bashku.

Kosova, në vetë qenien e saj, nuk është thjesht një emër gjeografik apo një njësi politike në hartën e botës. Ajo është shprehje e gjallë e historisë, sakrificës dhe identitetit të një populli që ka ditur të qëndrojë me dinjitet përballë sfidave më të ashpra. Institucionet e saj, të ngritura me mund dhe gjak, nuk janë struktura të ftohta burokratike, por mishërim i vullnetit dhe përkushtimit të popullit të saj trim dhe të pathyeshëm.

Pikërisht për këtë arsye, mbrojtja e Kosovës dhe e institucioneve të saj duhet të jetë një obligim i përbashkët, një mision i përjetshëm i çdo qytetari të ndershëm. Ajo nuk i përket një grupi të caktuar, një partie politike apo një elite momentale – ajo i përket të gjithëve: atyre që kanë dhënë jetën për të, atyre që jetojnë dhe punojnë për të, dhe brezave që do të vijnë.

Ruajtja e kësaj toke të shenjtë dhe të shtrenjtë nuk nënkupton vetëm mbrojtjen fizike të kufijve të saj, por mbi të gjitha, nënkupton mbrojtjen e vlerave mbi të cilat ajo është ndërtuar: liria, barazia, drejtësia dhe solidariteti. Të jesh qytetar i Kosovës do të thotë të ndjesh përgjegjësi për fatin e saj, të angazhohesh për mirëqenien e saj dhe të reagosh kur ajo kërcënohet – qoftë nga jashtë, qoftë nga brenda.

Në këtë kuptim, thirrja për ta ruajtur dhe mbrojtur Kosovën deri në fund nuk është një deklaratë patetike, por një angazhim qytetar dhe moral. Është një thirrje për vigjilencë, për reflektim dhe për veprim të përgjegjshëm. Sepse vetëm duke e mbrojtur Kosovën me mendje të kthjellët dhe zemër të përkushtuar, mund të ndërtojmë një të ardhme të denjë për emrin dhe historinë e saj.

Në çdo demokraci funksionale, barra e përfaqësimit publik nuk është thjesht një rol formal, por një përgjegjësi madhore ndaj qytetarëve dhe së ardhmes së përbashkët. Sot, më shumë se kurrë, kjo përgjegjësi bie mbi supe të gjithë neve si pjesë e shoqërisë, por në mënyrë të veçantë mbi ju – deputetët, si zëri i drejtpërdrejtë i popullit në institucionin më të lartë përfaqësues.

Nuk ka rëndësi se cilës parti politike i përkisni, sepse mandati që mbani nuk është thjesht reflektim i ngjyrave partiake, por një kontratë morale dhe kushtetuese me qytetarët që kanë besuar se do të përfaqësoni interesin e tyre më të mirë. Në këtë kuptim, përkatësia partiake duhet të zërë vend dytësor përballë nevojës për të gjetur zgjidhje të arsyeshme, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse për krizën që po rëndon sistemin tonë politik.

Nuk është e udhës më të zvarriten proceset vendimmarrëse, të relativizohen përgjegjësitë apo të justifikohet pasiviteti me retorikë të stërpërdorur. Është momenti kur duhen kapërcyer ndarjet artificiale dhe të vihet përpara interesi kombëtar dhe dinjiteti institucional. Sepse, me plot të drejtë, qytetari i zakonshëm pyet: “A nuk mjaftoi më?” Dhe përgjigjja e kësaj pyetjeje është një thirrje që s’mund të anashkalohet: po, boll më!

Ky “boll më” nuk është një shprehje e zemërimit të çastit, por një akumulim i zhgënjimit, i pritjeve të parealizuara dhe i mungesës së stabilitetit. Ai përfaqëson pragun kritik të durimit qytetar dhe sinjalin se koha e justifikimeve ka përfunduar. Tani është koha e veprimeve konkrete, e vendimeve të guximshme dhe e kapërcimit të egoizmave partiakë.

Deputetët, në thelb, nuk janë thjesht ligjvënës – janë ndërtues të shpresës kolektive. Prandaj, është detyrë e tyre të dëshmojnë maturi politike dhe përkushtim institucional në momente kyçe për vendin. Sepse historia nuk do të gjykojë mbi bazën e flamujve partiakë, por mbi bazën e kontributeve të vërteta ndaj së mirës së përbashkët.

Kanë kaluar katër muaj të gjatë që ne, qytetarët e këtij vendi – ata që përfaqësojmë zërin dhe shpresën e demokracisë – presim me një durim që po i afrohet kufijve të tij. Siç thotë fjala popullore, “me vesh në krah”, qëndrojmë në një pritje të zgjatur, të mundimshme dhe shpesh të zhgënjyer, për një lajm të mirë që do të sinjalizonte fundin e bllokadës institucionale: zgjedhjen e organeve legjislative dhe nisjen e punës për ndërtimin e së ardhmes së përbashkët.

Kjo pritje nuk është e zakonshme. Ajo është shprehje e besimit të dhënë përmes votës, e shpresës se përfaqësuesit tanë do ta vënë përgjegjësinë mbi interesin, dhe maturinë politike mbi kalkulimet afatshkurtra. Katër muaj pa Kuvend funksional nuk janë thjesht një statistikë kalendarike, por një boshllëk funksional në vetë zemrën e sistemit demokratik. Në këtë boshllëk mungojnë vendimet, mungon drejtimi, dhe mbi të gjitha, mungon sinjali që qytetari ka nevojë ta dëgjojë: se institucionet janë të gatshme të punojnë për të, e jo kundër pritjeve të tij.

Në një shtet që synon zhvillim dhe integrim, funksionimi i organeve legjislative nuk është luks, por themel. Dhe çdo ditë që kalon në pritje, është një ditë e humbur për reforma, për përmirësimin e jetës publike, për avancimin e agjendave shtetformuese dhe për ringjalljen e besimit në sistem.

Prandaj, kjo pritje nuk është vetëm e qytetarëve të thjeshtë, por është një provë për të gjithë sistemin demokratik: a është i aftë të përgjigjet me seriozitet ndaj mandatit që i është dhënë? Ne kemi votuar me bindjen se zëri ynë do të përkthehet në veprim. Tani është radha e përfaqësuesve tanë që të dëshmojnë se janë të denjë për atë votë, duke e thyer heshtjen institucionale dhe duke i hapur rrugë punëve të mira që vendi ynë aq shumë i ka nevojë.

Nuk është qëllimi im të hyj në analizë se kush ka të drejtë dhe kush jo në këtë situatë të tensionuar politike. As të bëj gjyqin e radhës për akterët institucionalë apo t’i jap përparësi njërës palë ndaj tjetrës. Jo se kjo nuk ka rëndësi në rendin juridik apo etik, por sepse në këtë moment, për qytetarin e zakonshëm – për atë fshatar në Gollak, në Karadak, apo në cilëndo anë të vendit – këto debate janë të largëta, abstrakte dhe shpesh të pakuptimta.

Ajo që e shqetëson qytetarin nuk është retorika politike, por mungesa e rezultateve konkrete. Ai nuk kërkon të dijë se kush ka interpretuar më mirë rregulloren parlamentare apo ka ndjekur me përpikëri procedurat; ai kërkon që vendi të ketë një Kuvend funksional, një Kryeministër që drejton qeverinë, ministra që merren me problemet reale të përditshmërisë së tij – me shkollimin e fëmijëve, me sigurimin shëndetësor, me zhvillimin ekonomik, me rrugën që e lidh me qytetin, me subvencionin që i është premtuar dhe nuk është realizuar.

Për të, shteti nuk është një nocion abstrakt apo një shfaqje për ekranet televizive. Shteti është konkret: është prania ose mungesa e tij në jetën e përditshme. Kur institucionet nuk funksionojnë, ai e ndien këtë drejtpërdrejt – në vonesat, në mungesën e shërbimeve, në papunësinë e të rinjve, në mungesën e perspektivës. Prandaj, çdo vonesë në formimin e institucioneve përkthehet për të si një tjetër ditë e humbur në përpjekjen për një jetë më të mirë.

Në këtë kuptim, debatet politike e humbin peshën përballë domosdoshmërisë së veprimit. Populli nuk pret më analiza – ai pret përgjegjësi. Dhe është pikërisht kjo pritje që duhet të jetë udhërrëfyes për çdo përfaqësues politik: jo kush ka të drejtë në teori, por kush do të veprojë në praktikë për të mirën e vendit dhe të qytetarëve të tij.

Pozita që mbani nuk është privilegj, por përgjegjësi e lartë dhe e pakthyeshme ndaj qytetarëve dhe shtetit që përfaqësoni. Ju jeni aty, në zemër të institucionit ligjvënës, jo për të zgjatur krizën, as për të mbrojtur interesat e ngushta partiake, por për të ofruar zgjidhje. Roli juaj është të gjeni rrugën për të ecur përpara, për të dalë nga ngërçi institucional dhe për të kthyer besimin e qytetarëve në funksionalitet konkret.

Sepse koha nuk është thjesht një kalim i orëve në një kalendar – ajo është faktori më i rëndësishëm që përcakton fatet individuale dhe kolektive. Në duart e mençurisë dhe vendimmarrjes së drejtë, koha bëhet aleate e progresit, përparimit dhe stabilitetit. Por në mungesë të vullnetit dhe guximit për të vepruar, ajo kthehet në një armik të heshtur, që gërryen themelet e shtetit dhe shpresën e qytetarit.

Pikërisht për këtë arsye, nevojitet urgjencë në veprim, vizion në vendimmarrje dhe përgjegjësi në angazhim. Nuk ka më vend për vonesa, sepse çdo ditë që kalon pa institucione funksionale është një ditë e humbur për reformë, për mirëqenie, për drejtësi. Qytetarët nuk presin më fjalë të bukura, por zgjidhje konkrete.

Ju jeni aty për të bartur peshën e kësaj përgjegjësie dhe për ta kthyer atë në mundësi – jo vetëm për të zgjidhur problemet e momentit, por për të ndërtuar një të ardhme që nuk do të jetojë peng i së shkuarës. Dhe për këtë, koha është gjithmonë një provë: ajo shpërblen veprimin dhe dënon neglizhencën. Zgjedhja është në duart tuaja.

Përballë një momenti të ndjeshëm për fatin institucional të vendit, nuk është as moralisht e drejtë, e as qytetarisht e pranueshme që një përfaqësues i zgjedhur të qëndrojë në margjinë, i mbyllur në heshtjen e vet, dhe të largohet nga përgjegjësia me një qetësi të ftohtë, thuajse ajo që po ndodh nuk ka asnjë lidhje me të. Indiferenca në momente vendimtare nuk është neutralitet – ajo është mospërfillje, dhe si e tillë bëhet bashkëfajtore e stagnimit politik dhe krizës së përfaqësimit.

Pjesëmarrja në jetën institucionale nuk është vetëm çështje protokolli apo pranie fizike në sallat e Kuvendit. Ajo nënkupton përkushtim të thellë ndaj misionit të përfaqësimit, gatishmëri për të kontribuar, dhe mbi të gjitha, ndjenjë përgjegjësie për t’i dhënë drejtim proceseve që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve. Çdo akt neglizhence apo shmangie nga përballja me realitetin përbën një cenim të etikës publike dhe një zhgënjim për qytetarin që ka votuar me besimin se zëri i tij do të dëgjohet.

Të largohesh nga një situatë e tillë me duart në xhepa dhe me heshtjen si mburojë, nuk është as akt dinjitoz e as qëndrim i drejtë politik. Përkundrazi, është një dëshmi e asaj që i mungon më së shumti jetës publike sot, ndjeshmëria ndaj përgjegjësisë. Të thuash “kjo nuk ka të bëjë me mua”, në një kohë kur vendi kërkon zgjidhje dhe drejtim, është ta mohosh vetë qenien si përfaqësues.

Në fund të fundit, politika nuk është strehë për të shmangur barrën e sfidave, por është arenë ku provohet përkushtimi ndaj interesit të përbashkët. Dhe është pikërisht në kohë të vështira që bëhet dallimi mes atyre që janë thjesht të pranishëm dhe atyre që janë realisht të përkushtuar. Heshtja dhe indiferenca, në këtë kontekst, nuk janë opsione – janë dështime.

Në këtë udhëkryq institucional ku ndodhemi, qytetarët janë shndërruar në spektatorë të pafuqishëm, të ngulitur para ekraneve të televizorëve apo telefonave, në pritje të një lëvizjeje shprese, të një gjesti të matur e të përgjegjshëm që do të vinte nga ju, përfaqësuesit tanë të zgjedhur. Jo një herë, por njëzet e një herë kemi pritur me shpresë, gati në lutje, që nga salla e Kuvendit të burojnë lajme të mira, sinjale për unitet, vendime që na afrojnë me normalitetin institucional dhe jo me krizën e pafundme.

Por ajo që vjen, vazhdimisht e mërzitshme dhe zhgënjyese, është një pamje tjetër, përfaqësues që dalin para kamerave jo për të folur me përgjegjësi, por për të fyer njëri-tjetrin, për të akuzuar, për të përdorur fjalor që nuk i shkon për shtat asnjë qytetari të zakonshëm, e aq më pak një deputeti të një parlamenti demokratik. Kjo sjellje, përveçse minon besimin e publikut në institucione, zbeh edhe dinjitetin e pozitës që mbani.

Parlamenti nuk është një skenë për përplasje personale, por një tempull i fjalës së matur, i debatit të argumentuar dhe i vendimmarrjes në emër të të gjithë qytetarëve. Kur ai shndërrohet në një teatër të replikave boshe dhe të gjuhës denigruese, ai humb qëllimin e vet dhe rrezikon të kthehet në një arenë që nuk prodhon zgjidhje, por thellon ndarjet.

Është koha që të kuptoni se qytetari nuk pret më retorikë. Ai kërkon veprim, zgjidhje, vizion dhe mbi të gjitha, dinjitet në përfaqësim. Sepse mrekullitë nuk ndodhin rastësisht. Ato ndërtohen me vullnet politik, me përgjegjësi morale dhe me angazhim të sinqertë për të mirën e përbashkët. Dhe në këtë betejë për shpresë, ju jeni të thirrur të jepni shembullin.

Është e nevojshme të rikujtohet një e vërtetë themelore në çdo rend demokratik, legjitimiteti i pushtetit buron nga qytetari. Ju nuk jeni rastësisht aty ku jeni – jeni të vendosur me vullnetin dhe besimin e votuesve, të atyre që ju kanë mandatuar me shpresën se do të udhëhiqni me përgjegjësi, urtësi dhe maturi institucionale. Ne jemi ata që ju votuam – dhe për këtë arsye, ju jeni ata që duhet të gjeni zgjidhjen për ngërçin politik që ka paralizuar institucionet dhe ka zhgënjyer opinionin publik.

Mund të tentohet shpërndarja e përgjegjësisë nëpër faktorë të shumtë, mund të fajësohen kundërshtarët politikë apo rrethanat e jashtme, por në fund të çdo rruge, barra bie mbi ju – mbi ata që janë të thirrur të marrin vendime në emër të qytetarëve dhe të shtetit. Përgjegjësia nuk është koncept i shpërndarë në mjegull, ajo është konkrete, e identifikueshme dhe e matshme. Dhe pikërisht për këtë, nuk është një përgjegjësi që mbaron me përfundimin e një mandati – ajo mbetet dhe do të gjykohet në dritën e historisë.

Sepse historia nuk harron. Ajo ruan kujtesën kolektive të një populli dhe vlerëson me drejtësi kontributin e atyre që, në çaste kyçe, zgjodhën të veprojnë për të mirën e përgjithshme, po aq sa dënon harresën, ngurrimin dhe kalkulimet e ngushta politike. Historia nuk mat me retorikë, por me ndikim real. E nëse sot jeni përballë një ngërçi, nesër do të jeni përballë gjykimit historik- a ishit udhëheqës të denjë për momentin që u besua në duart tuaja?

Kjo është thirrje për ndërgjegje dhe veprim, jo për retorikë. Sepse llogaridhënia përballë qytetarëve është detyrim kushtetues, ndërsa llogaridhënia përballë historisë është detyrim moral që askush nuk mund ta shmangë.

Sot, nga zemra politike dhe institucionale e Kosovës, nga ky kryeqytet që është simbol i sakrificës dhe i aspiratave të një populli të tërë për liri dhe drejtësi, ndjej detyrimin moral dhe qytetar të drejtoj një thirrje të hapur: ndaluni për një çast, vini gishtin në tamth dhe reflektoni thellë mbi atë që po ndodh në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

A është kjo që po ndodh aty – ky ngërç, kjo përçarje, kjo bllokadë institucionale – në përputhje me besimin që qytetarët ju kanë dhënë? A i shërben kjo situatë demokracisë, funksionalitetit shtetëror dhe interesit të përbashkët? A është ky përfaqësim i dinjitetshëm i një shteti që synon konsolidim të brendshëm dhe respekt ndërkombëtar?

Është koha për të kaluar nga konfrontimi në bashkëpunim, nga retorika në reflektim, nga paraliza në veprim. Sepse asgjë nuk është e përjetshme. Çdo gjendje ka një pikë kulmore, dhe më pas – një epilog. Çdo veprim, por edhe çdo mosveprim, e shkruan fillin e fundit të një kapitulli politik. Dhe kur ky epilog të vijë, ai do të jetë i pashmangshëm dhe i qartë: do të tregojë se kush qëndroi në anën e përgjegjësisë dhe kush u mbështoll me heshtjen e rehatshme të indiferencës.

Mos harroni: institucionet nuk janë thjesht vende pune, por janë pjesë e ndërtimit të fatit të një vendi. Dhe nëse Kuvendi i Kosovës është sot i bllokuar, nuk është vetëm demokracia që lëndohet – është vetë shpresa qytetare që goditet. Prandaj, më shumë se kurrë, kërkohet pjekuri politike dhe vetëdije historike për të kthyer drejtimin, për të hapur rrugën dhe për të mos e lejuar që ky kapitull të përfundojë me zhgënjim. Sepse populli sheh, pret dhe një ditë – gjykon.

26 maj, 2025

Prishtinë

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Halimi: SHËTITJET DHE PËRPËLITJET E NJË MISIONARI DESTRUKTIV

Emri i Nexhmedin Spahiut është i njohur në fushën e destruktivitetit shqiptar Dhe natyrisht është …