Dhuna ndaj protestuesve të vitit 1981

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË – VI

-50-

Për përdorim të kufizuar

Fm Beograd 1510312, qershor ’81                                                                  (Kopje origjinale)

To routine FCO

Tel. nr. 98, datë 15 qershor 1981

Përsëritur për Zagreb

Nr. ynë i telegramit 93

Kosova

 

  1. Sekretariati federal i Marrëdhënieve me Jashtë më ka informuar zyrtarisht se turistët e huaj nuk do të lejohen të vizitojnë Kosovën deri në një njoftim tjetër. Në lidhje me biznesmenët çështja është si në rastin e turistëve.

             [Ky telegram nuk është përcjellë]

CLARK

ENU 015/3

17 qershor 1981

EESD

CONS D

NEWS D

 -51-

Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit

Londër SW1A 2AH

  1. J. Crarke Esq

Beograd                                                                                              15 qershor 1981

Kosova: situata e brendshme politike

 

  1. Ju falënderoj shumë për letrën tuaj të datës 10 qershor, ku raportoni komente interesante të Ribiçiç në lidhje me “atë që ka thënë Kardelj”. Mesazhi që përcillet me zë të lartë dhe qartë është se i tërë episodi i Kosovës po trajtohet me një shkallë të habitshme transparence; gjithashtu çdokush pyet veten se çfarë efektesh (plotësisht të ndara nga implikimet e vetë ngjarjeve të Kosovës) do të kenë këto ngjarje dhe jehona e tyre për çështje kaq të gjera si liria e shtypit dhe llogaridhënia e zyrtarëve dhe ministrave.
  2. Më lejoni t’ju falënderoj ju dhe anëtarët e tjerë të Misionit për raportimin gjithëpërfshirës mbi problemin e Kosovës. Ka interes të konsiderueshëm këtu për këto ngjarje dhe jemi ndjerë në një pozitë të mirë për të hartuar përmbledhje raportimesh etj., falë informacioneve shumë të detajuara dhe analizave të matura që keni dërguar ju.

16 qershor 1981

  1. E. Montgomery

Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore

Për dijeni: P. Rosling Esq, Zagreb

  1. Rennie Esq, Departamenti i Kërkimit

           

-52-

Për përdorim të kufizuar

Fm Beograd 120800z, qershor ’81                                                             (Kopje origjinale)

Informacion rutinë për FCO

Tel. nr. 93, datë 12 qershor 1981                                                                 16 qershor 1981

Nr. i telegramit tuaj 74

Kosova

  1. Nuk është bërë ende e mundur të merret vija e qartë zyrtare për vizitat e turistëve në Kosovë. E kam ngritur këtë çështje me Vrhovec, më 9 qershor, por ai nuk kishte informacion për këtë dhe ia la Departamentit që të na jepte një përgjigje. Sondazhet nga stafi im me protokoll tregojnë se turistët nuk e përsëris nuk, duhet të shkojnë në Kosovë. Biznesmenët duhet të bëjnë kërkesë përmes nesh për leje, e cila zakonisht do të jepet me kusht që firmat pritëse të jenë të gatshme për t’i takuar dhe të kujdesen për ta.
  2. Sugjeroj që përgjigjet e pyetjeve të jepen përmes kësaj këshille jozyrtare deri kur të marrim përgjigjen e premtuar.

                                                    [Ky telegram nuk është përcjellë]

Bolland

MIMIMUM

EESD

CONS. D

NEWS. D

-53-

GRS 1390                                                                                                        Kopje origjinale

Fm Beograd 121345z, korrik ‘81

Prioritet parësor FCO

Nr. tel. 86 datë, 10 qershor 1981

përsëritur prioritet për UKDEL NATO, Washington, Moduk.

Telegrami im nr. 85                                                                                            15 qershor 1981

Kosova: situata e sigurisë

 

  1. Herljeviç, sekretari Federal për Punët e Brendshme, i paraqiti Kryesisë Federale më 9 qershor vlerësimin më të hollësishëm deri më sot mbi situatën e sigurisë në Kosovë.
  2. Herljeviç ia atribuoi aktivitetin kundërrevolucionar në Krahinë fushatës së vazhdueshme dhe të mirë organizuar nga nacionalistët dhe irredentistët shqiptarë, të cilët kanë arritur të fitojnë dimensionet aktuale si rezultat i indoktrinimit të gjerë dhe të thellë, tolerancës së gjatë dhe mungesës së vigjilencës politike ndaj saj. Përgjegjësia për këtë qëndrim tolerant ishte akoma më e madhe, pasi Tito në vitin 1975 dhe 1979 dhe Kardelj në vitin 1977 kishin dhënë paralajmërime të qarta.
  3. Në mars dhe prill, irredentistët dhe nacionalistët shqiptarë kanë organizuar 16 demonstrata dhe aksione të tjera në 11 komuna të Kosovës, në të cilat ata iu kthyen përdorimit të dhunës, duke përfshirë të shtënat dhe shkatërrimin e pronës shoqërore dhe vetjake, e duke rrezikuar kështu sigurinë e njerëzve. Ai përsëriti se 9 njerëz (8 demonstrues dhe 1 milic) humbën jetën e tyre dhe 257 të tjerë (133 anëtarë të forcave të sigurisë dhe 124 demonstrues) u plagosën. Ai theksoi se Sekretariati Federal i kishte propozuar Sekretariatit të Punëve të Brendshme të Kosovës para demonstratave më 25/26 mars që të kërkonte ndihmë nga jashtë Krahinës. Autoritetet kosovare refuzuan dhe kërkuan ndihmë vetëm kur nuk qenë në gjendje të përballonin prishjen e qetësisë dhe rendit. Ai zbuloi më tej se që më 3 prill e deri më 26 maj nacionalistët ishin përpjekur rreth 10 herë për të organizuar demonstrata dhe ia dolën në tre qytete të vogla dhe tre herë në Prishtinë.
  4. Forcat e sigurisë kishin zbuluar një numër organizatorësh të drejtpërdrejtë të cilët i përkisnin një organizate të njohur irredentiste “Lëvizja Nacionalçlirimtare e Kosovës dhe Viseve të Tjera Shqiptare në Jugosllavi”. Kjo organizatë mbështeste Partinë e Punës së Shqipërisë dhe u organizua në sistemin Troika. Ajo e zhvilloi veprimtarinë e saj përmes “komiteteve lokale” dhe kishte edhe një organizatë rinie. Deri më sot janë zbuluar 9 organizata ilegale të kësaj “lëvizjeje”. Gjithashtu, janë identifikuar 5 anëtarë të “Komitetit Qendror” të saj, 3 nga të cilët janë arrestuar dhe 2 janë jashtë vendit. Një numër i anëtarëve të organizatës “Lëvizja” ishin aktivë në radhët e punëtorëve shqiptarë jashtë vendit ku kishin formuar një organizatë të njohur si “Fronti i Kuq Popullor” i cili mbështeste Partinë e Punës së Shqipërisë dhe kishte lidhje me Kosovën dhe pjesë të tjera të Jugosllavisë. Kohët e fundit janë arrestuar 1,700 veta nga të cilët 506 janë dënuar, si dhe ka filluar procedimi penal ndaj 154 të tjerëve. Ai shtoi se pjesa më e madhe e këtij grupimi të fundit ishin intelektualë.
  5. Përveç “Lëvizjes” së përmendur më lart, ai deklaroi se në vitin 1979 deri 1981 ishte zbuluar një organizatë tjetër – Partia Komuniste Marksiste-Leniniste Shqiptare e Jugosllavisë. Kjo organizatë kishte të njëjtin objektiv si organizata “Lëvizja”, pra shkëputjen e të ashtuquajturave pjesë shqiptare të Jugosllavisë dhe bashkimin e tyre me Shqipërinë e Madhe.
  6. Duke iu kthyer përsëri organizatës “Lëvizja”, Herljoviç tha se deri tani ishin identifikuar 137 njerëz. Disa prej tyre ishin dënuar më parë për aktivitet armiqësor dhe një numër i caktuar kishte pasur lidhje me shërbimin inteligjent shqiptar dhe emigrantët shqiptarë armiqësorë në Perëndim.
  7. Anëtarët e këtyre grupeve ilegale ishin angazhuar në shtimin e anëtarëve të rinj në sistemin Troika, duke shkruar dhe shpërndarë broshura dhe fletushka. Me arrestimin e tyre, janë gjetur materiale propagandistike që flasin për indoktrinimin e të rinjve në mbështetje të Partisë së Punës së Shqipërisë. Ata po përgatiteshin për aktivitete armiqësore të dhunshme dhe masive.
  8. Ai tha se këto grupe, kanë planifikuar të arrijnë objektivat e tyre kundërrevolucionare në tri faza: së pari, indoktrinimi i nacionalizmit/irredentizmit, duke krijuar pakënaqësi në mesin e shqiptarëve dhe duke e bërë organizatën kështu një lëvizje masive. Së dyti, kryerja e aktiviteteve propagandistike dhe demonstratave me qëllim që të tërhiqnin shqiptarët. Dhe së treti, në rrethana të caktuara, organizimi i kryengritjes së armatosur dhe shkëputjes nga Jugosllavia. Kjo platformë ideo-politike nuk ndryshonte nga ajo e viteve të mëparshme, ku dallimi i vetëm në rrethanat aktuale ishte se njerëzit e përfshirë ishin më të arsimuar. Herljevic përsëriti detajet e operacioneve të sigurisë kundër organizatave ilegale në Kosovë prej vitit 1974 deri në vitin 1981 (referuar në letrën e Clark 015/2 të datës 18 maj drejtuar Montgomerit).
  9. Duke iu kthyer përgjegjësisë, Herljeviç tha se forcat e sigurisë në Kosovë ishin marrë kryesisht me individë nacionalistë dhe nuk kishin aktivë sa duhet në trajtimin e burimeve kryesore të frymëzimit, duke përfshirë atë nga Shqipëria. Për më tepër, disa individë që ishin përgjegjës për drejtimin e forcave të sigurisë dhe vetëmbrojtjes shoqërore nuk i dhanë rëndësinë e duhur politike dhe të sigurisë informacioneve për përgatitjen e aktiviteteve armiqësore në dispozicion të tyre. Autoritet e sigurisë në Serbi dhe Federatë nuk morën informacionin e duhur në kohë për situatën në Kosovë.
  10. Herljeviç tha se situata mbetej shumë e vështirë pasi armiku nuk ishte zbuluar dhe neutralizuar ende. Ai nuk e përjashtoi mundësinë që armiku mund të përpiqej të rifillonte aktivitete të tjera duke përdorur metoda më të egra të tilla, si: terrori, dhuna dhe rrëmbimi. Kjo tregohej nga këmbëngulja e armikut për të kryer forma subversione dhe forma të tjera të rezistencës pasive duke filluar me shkrimin e parullave armiqësore e deri tek vënia e zjarrit në prona. Ai vuri në dukje mënyrën me të cilën sinkronizoheshin parullat dhe broshurat si në përmbajtjen dhe kohën e shfaqjes së tyre. Ai përmendi më tej se forcat e sigurisë ishin vënë nën zjarr dy herë më 13 dhe 15 maj dhe se në pjesë të tjera të Jugosllavisë kishin ndodhur aktivitete armiqësore duke përfshirë përpjekjet për një demonstratë në Lubjanë.
  11. Herljeviç u shpreh se qarqet zyrtare shqiptare, shtypi, radio dhe televizioni mbështesnin irredentistët dhe i inkurajonin ata për aktivitete të reja armiqësore, duke përfshirë në këtë kategori bombën e hedhur në Ambasadën jugosllave në Tiranë. Ai pretendoi se ishte zbuluar një numër i caktuar agjentësh i shërbimit të fshehtë shqiptar në radhët e organizatave ilegale dhe organizuesve të demonstratave në Kosovë. Emigrantët shqiptarë të “Frontit të Kuq Popullor” dhe ustashë jashtë vendit ishin përfshirë gjer më sot në 20 demonstrata. Në këtë drejtim, ai theksoi se autoritetet e disa vendeve perëndimore nuk kishin ofruar mbrojtjen e duhur për qytetarët jugosllavë. “Fronti i Kuq Popullor” ishte mbështetur nga anëtarë të ndryshëm të grupeve fraksioniste marksiste-leniniste të Partive Komuniste në vende të ndryshme perëndimore të cilat njihej se kishin kontakte me Shqipërinë. Emigrantët fashistë shqiptarë kishin nisur sërish të hedhin bomba në zyrën e aviokompanisë jugosllave “JAT” dhe zyrën jugosllave të shoqatës së turizmit në Bruksel. Ai tha se ishte e nevojshme për të parandaluar këtë lloj aktiviteti jashtë vendit duke i kushtuar më shumë vëmendje punëtorëve jugosllavë me origjinë shqiptare të cilët ishin të ekspozuar ndaj indoktrinimit të zyrtarëve shqiptarë dhe përfaqësuesve të ndryshëm nacionalistë dhe irredentistë.
  12. Herljeviç tha se ngjarjet më të fundit treguan se forcat e brendshme të sigurisë së Kosovës ishin të pakta në numër dhe nuk ishin të pajisura dhe të përgatitura sa duhet. Kryesia e Kosovës kishte vendosur kohët e fundit që të rriste numrin e milicëve me 1,000 veta dhe të përmirësonte pajisjet e tyre. Në të njëjtën kohë do të dyfishohej numri i anëtarëve të shërbimit të sigurisë. Sekretariati Federal, Serbia dhe Vojvodina do të ndihmonin me formimin dhe pajisjen e njësive speciale të milicisë në Kosovë. Duke pasur parasysh situatën aktuale, ishte e nevojshme që të mbeteshin në fuqi masat e sigurisë të përfshira në periudhën e demonstratave, duke përfshirë praninë e forcave të milicisë nga jashtë Kosovës.
  13. Herljeviç konkludoi se besonte që forcat e sigurisë do të ishin në gjendje të zbulonin armikun dhe ta neutralizonin atë, por që problemi më i madh do të ishte eliminimi i pasojave të indoktrinimit nacionalist.

Ky ishte një problem afatgjatë.

Bolland                                                                        (Ky telegram nuk është përcjellë)

 

 -54-

Për përdorim të kufizuar

                                                                                                                           Zagreb

                                                                                                                     17 qershor 1981

I nderuar Terry,

Situata e brendshme politike në Kosovë

 

  1. Qëndrova sot një orë me Jaksha Petriç, anëtar i Kryesisë së Kroacisë, një nga kontaktet më të dobishme këtu, i cili është i gatshëm që të flasë hapur për çështjet kombëtare dhe lokale. Diskutuam së bashku për skenën politike kombëtare, Kosovën dhe Kroacinë.
  2. Vetë Petriç, tha se problemi kryesor i vendit ishte ai i menaxhimit ekonomik dhe në veçanti arritja e kohezionit shumë të dëshiruar dhe marrëveshjes ndërmjet republikave (që Petriç e krahasonte me shtetet sovrane në konfederatë) me tendencën e tyre të fortë për autarki. Petriç tërhoqi vëmendjen në takimin e përbashkët të kohëve të fundit midis kryesive të Federatës dhe të Partisë, të cilat ai i kishte ndjekur si përfaqësues i Bakariç, dhe Kryesisë Federative dhe Këshillit Ekzekutiv Federal, që i kishin kushtuar vëmendje serioze këtij problemi. Petriç tha se ishte rënë dakord që masat të merreshin me marrëveshje para pushimeve verore për të ndaluar kalbjen, gjë që të gjithë e pranonin se kishte arritur shumë larg. Petriç shtoi se politika ishte që të përmirësohej dhe përshpejtohej arritja e marrëveshjes për masat ekonomike në mes të republikave dhe krahinave. Nuk pati asnjë sugjerim për t’ia hequr kompetencat këtyre të fundit, gjë që nuk ishte nismëtare. Fjalimi i Djuranoviç në Kuvendin Federal, më 10 qershor, pasqyroi shqetësimin e përbashkët në nivel të lartë. Petriç e përshkruante Djuranoviç si një njeri të shqetësuar dhe përmendi për shembull, që niveli i investimeve ende nuk po binte. Petriç tha se nuk kishte mosmarrëveshje në nivel të lartë, ku kishte unitet. Problemi i vërtetë filloi kur njëra nga palët filloi të ulej në pozitë nga ata që ishin të bashkuar në krye; dhe sa më tej që largohej nga maja aq më e vështirë bëhej situata.
  3. Në Kosovë, Petriç tha se autoritetet tashmë kishin arritur në fund të asaj që kishte ndodhur. Pjesa tjetër e Jugosllavisë ishte e vetëkënaqur, dhe jashtëzakonisht “liberale” (term të cilin mendoj se Petriç e përdorte në sensin jugosllav të “mosndërhyrjes”). Ka pasur neglizhencë në radhët e udhëheqjes së Kosovës, por vetëm pak prej tyre e dinin se çfarë po ndodhte dhe qëllimisht keqinformuan të tjerët, duke përfshirë në një fazë të mëvonshme, Dolane dhe Herljeviç, të cilët sidoqoftë kishin qenë të pafuqishëm në mos ishin nxitur nga autoritetet e Kosovës. Jugosllavët nuk u ngutën ndaj çështjes së Kosovës. Situata në bazë gradualisht po përmirësohej. Forcat speciale të SUP-it ishin tërhequr (sipas meje kjo nënkuptonte (?) njësi speciale dhe jo anëtarë të tjerë shtesë për të cilët Herljeviç tha se do të dërgohen). Shtytja kryesore e policisë do të jetë integrimi i ekonomisë me pjesën tjetër të vendit përmes investimeve ndërmjet republikave dhe krahinave në vend të sigurimit të komunikatave për burokracinë e Kosovës, që ka shkaktuar nacionalizmin dhe gjithfarë dokrrash. Petriç përmendi shembullin ku Kosova kishte përdorur fondet e ndihmave për të importuar pajisje të shtrenjta franceze në vend që të merrte një produkt po aq të mirë nga Kroacia. Por, pjesa tjetër e vendit, duke përfshirë serbët, e pranonte që politikat duhet të ndiqeshin duke punuar me kosovarët dhe përmes tyre, dhe që këto politika do të duhej të ishin shumë afatgjata. Megjithatë, nuk mund të kishte asnjë ndryshim në statusin kushtetues të Kosovës. Përveç në forcën e ndjenjës serbe, ndryshimi kushtetues do të kishte implikime të rrezikshme tjetërkund në vend (Më vonë, Petriç tha nga njëra anë se mbetej çështje e hapur për të parë se çfarë mund të ndodhte, le të themi, në 20 vitet e ardhshme duke pasur parasysh se kosovarët ishin një popull që vinte duke u shtuar, por për momentin nuk do të kishte asnjë ndryshim).
  4. Petriç tha më tej se durimi dhe kujdesi i jugosllavëve në trajtimin e Kosovës u pasqyrua në qëndrimin e tyre ndaj ambasadorit shqiptar në Beograd. Ai ishte përfshirë thellë në rrjetin “trojka” të ngritur nga shqiptarët, i cili tashmë ishte prishur (Petriç tha se ata kishin marrë Komitetin Qendror). Sipas standardeve normale, ambasadorit duhej t’i kërkohej që të largohej, por jugosllavët nuk dëshironin të lejonin ndonjë hapësirë, p.sh. përmes përshkallëzimit, për përfshirjen e ndonjë fuqie të madhe (duke nënkuptuar qartazi këtu atë sovjetike). Deri më tani nuk kishte pasur shumë tregues të një përfshirjeje të tillë megjithëse shiheshin përreth disa “peshkime klandestine duke çukitur grepin në skaje”; për shembull, shërbimi i fshehtë bullgar ishte në kontakt me shqiptarët për Kosovën. Shqiptarët ishin përgatitur në të kaluarën që të kërkonin mbështetjen sovjetike e më vonë atë kineze për çështjen e Kosovës, dhe jugosllavët nuk donin t’u jepnin atyre ndonjë pretekst për këtë tani (rastësisht, Petriç më tregoi një histori të vogël se si, kur ai ishte futur në Partinë shqiptare, Enver Hoxha i kishte zënë be që do të punonte për marrjen e Kosovës).
  5. Kroacia ishte e gatshme të investonte në Kosovë, për përfitim reciprok. Kroacia kishte mungesa të energjisë elektrike dhe ishte e gatshme, për shembull, të investonte në prodhimin e energjisë në Trepçë. Në përgjithësi,kroatët kanë qenë më të ashpër ndaj trazirave nacionaliste në Kosovë, dhe udhëheqësve kroatë u është dashur të frenojnë tundimin e tyre për të reaguar ndaj kosovarëve që jetonin aty. Vetë Petriç i kishte folur turmës në Brac, ishullin e tij të lindjes, e cila kishte dashur të dëbonte, dhe të vepronte akoma më keq, ndaj dyqanxhinjve kosovarë (shumica e ëmbëltoreve këtu dhe në Slloveni mbaheshin nga kosovarët). Gjithashtu, atij i është dashur të fliste me të birin në ushtri i cili, së bashku me shokët e tij, kishte dalë vullnetarë për të shkuar dhe “për t’i sjellë në vijë” kosovarët. Ndjenja e përgjithshme, siç tha Petriç, ishte zemërimi se kosovarët kanë kërcënuar stabilitetin e vendit.
  6. Lidhur me politikën e informimit, Petriç ishte kritik ndaj keqinformimit dhe fshehjes që kishte ndodhur më parë, por ai ishte i kujdesshëm për sa i përket qarkullimit më të lirë të informacionit. Sipas tij, jo çdo informacion mund të vihej në dispozicion.
  7. E pyeta Petriç për atmosferën politike në Kroaci, siç pasqyrohej në fjalimin e Baltiç drejtuar Komitetit Qendror kroat më 20 maj (përmendur në letrën time të datës 26 maj), ku sipas Baltiç kishte armiq pas çdo peme. Petriç komentoi se popullin mund ta kënaqje shumë lehtë dhe ishte e drejtë t’ia kujtoje rreziqet nga nacionalizmi dhe kundërshtarë të ndryshëm, por ai mendonte se Baltiçi i kishte rënë tepër fyellit në këtë pikë dhe tabloja e shfaqur ishte mjaft e ekzagjeruar. Duke iu referuar kishës, Petriç foli me terma miqësore për refuzimin e Kuhariç dhe tarafit të tij për të pranuar shoqërinë aktuale jugosllave, duke kërkuar në Poloni – por ku historia dhe roli i kishës ka qenë dhe është tërësisht ndryshe – një rol politik, që do t’u refuzohej atyre. Petriç ishte i vendosur kur deklaroi se nëse kisha e shkelte ligjin, atëherë do të merreshin me të. Ai shtoi se kisha ende po vazhdonte në këtë mënyrë dhe përmendi kontaktin e vazhdueshëm ndërmjet Kuhariç dhe grupimit më të keq të emigrantëve kroatë, duke përfshirë, tha ai, ish-famullitarin ushtarak të Pavlic, Cecelja, që aktualisht jetonte në Vjenë dhe ishte vetë në kontakt me emigrantët terroristë. Petriç nuk ishte plotësisht i kënaqur me qëndrimin e Vatikanit. Nga njëra anë Vatikani kishte marrëveshje me Jugosllavinë, të cilën e mirëpriti dhe u shpreh se do ta pranonte dhe respektonte, por nga ana tjetër, njerëzit në Vatikan vepruan ndryshe.

                                                                                                                                    I Juaji

                                                                                                                        (P. E. Rosling)

-55-

Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore                                       Ambasada britanike

Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit                                                                Beograd

                                                                                                                   17 qershor 1981

I nderuar Alan,

Kosova: ekonomia

 

  1. Prej njëfarë kohe na ka munguar raportimi midis nesh për Kosovën, për vlerësimin e ekonomisë së saj, por për arsye të ndryshme nuk kemi pasur burime për t’ia kushtuar një studimi të tillë. Disa të tjerë kanë pasur të njëjtën ide dhe në një nga takimet së fundmi të Këshilltarëve Tregtarë të Misioneve të Komunitetit Evropian këtu është vendosur që të ngrihet një grup i vogël pune për të shqyrtuar ekonominë e Kosovës. Sapo kam marrë një draft, i cili është shkruar kryesisht nga Këshilltari Ekonomik në Zyrën e KE-së këtu, e që pas miratimit nga të gjitha Misionet e KE-së, do të dërgohet në Hagë për Grupin e Punës të KEP-it të Evropës Lindore, i cili do të mblidhet më 22 qershor, me sa duket për të diskutuar për Jugosllavinë.
  2. Këtë mëngjes nuk kam pasur kohë të shqyrtoj draftin, por vetëm i kam hedhur një sytë përciptë dhe mendova që duhet t’jua dërgoj juve pasi është pjesë e përgatitjes për përfaqësuesin tonë në Grupin e Punës të KEP-it të Evropës Lindore. Komenti im i vetëm është për konkluzionin: natyrisht është e vërtetë që perspektiva ekonomike e Kosovës varet nga situata e përgjithshme ekonomike si në Jugosllavi në përgjithësi ashtu edhe në mbarë botën, por duhet shtuar se varet gjithashtu në masë të madhe nga zgjidhja politike e problemit të përgjithshëm të Kosovës. Siç e dini nga raportimet tona kjo zgjidhje, nëse vërtet mund të arrihet, është në thelb afatgjatë.
  3. Lidhur me hollësitë, një pikë e rëndësishme është se kam dëgjuar që autoritetet kosovare kanë vendosur të “tërheqin” Planin 5-vjeçar të rënë dakord më parë (përmendur në paragrafin 2 të draftit) meqenëse disa nga republikat dhe Vojvodina, kanë shënuar se ky plan nuk ishte i përshtatshëm për nevojat e Kosovës, të paktën në masën që ka të bëjë me investimet e tyre në Kosovë. Për këtë arsye Plani do të rishikohet në të ardhmen e afërt dhe është e pamundur të parashikohen në këtë fazë se cilat do të jenë ndryshimet. Ajo që mund të them është se kjo i shton një element tjetër pasigurie të ardhmes ekonomike të Kosovës.

                                                                                                                                     I Juaji,

  1. J. Clark

  

-56-

Konfidenciale

 

  1. E. Montgomery Esq Ambasada britanike   

Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore                                                        Beograd

Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit                                                            17 qershor 1981

I nderuar Alan,

Kosova: situata e brendshme politike

 

  1. Po përgatitesha t’ju shkruaja mbi zhvillimet e fundit për frontin e gjerë të përgjegjësisë për ngjarjet në Kosovë kur mbërriti letra juaj e datës 15 qershor, e cila më nxiti akoma më shumë. Siç e thoni edhe ju, Kosova ka hapur një fushë të rëndësishme të politikës për debatin publik dhe, siç më kanë thënë gazetarë të ndryshëm jugosllavë, shtypit i është dhënë dorë e lirë jo vetëm për të raportuar ngjarjet, por edhe për t’i komentuar ato në mënyrë kritike. Është e qartë se njeriu nuk dëshiron ta çojë analogjinë shumë larg, sepse, siç u tha edhe në gazetën “Politika” një javë më parë, Jugosllavia do t’ia dilte mbanë më mirë pa traumën e Kosovës sa herë që do t’i nevojitej një impuls për të trajtuar një problem veçanërisht të vështirë.
  2. Megjithëse data 15 qershor ishte e jashtëzakonshme në faktin që për herë të parë pas disa javësh gazeta “Politika” nuk kishte ngjarje për Kosovën, ende nuk ka reshtje në procesin e kritikës, vetëkritikës dhe “diferencimit”, siç quhet spastrimi (në dëshminë e fundit publike mbi 400 njerëz janë dëbuar nga LKJ-ja). Sidoqoftë, data 15 qershor nuk ishte një ditë e zbrazët për publikun e Beogradit pasi të gjithë ne u ngopëm me një film dokumentar 100-minutësh në TV për ngjarjet; kjo ishte përpjekja e parë në trajtimin e kësaj teme në televizion dhe shembulli i parë që mund të mbaj mend nga gazetaria investigative në TV e stilit perëndimor, megjithëse në një mënyrë mjaft amatoreske. Pjesa më e madhe e iniciativës për debatin duket se vjen nga Serbia; gjithashtu po vërehet gjithnjë e më shumë një tendencë drejt ripohimit nga ana e serbëve të pozitës së tyre përballë shqiptarëve në Kosovë. Siç e kam raportuar, shtypi i Beogradit është bërë gjithnjë e më shumë këmbëngulës për t’i kërkuar llogari personave përgjegjës për rritjen e nacionalizmit shqiptar. Korrespondentët e këtij shtypi kanë arritur që në shkallë të pashembullt të pasqyrojnë ngjarjet dhe të theksojnë në veçanti ato histori që duket se janë krijuar për të prekur pasionin e serbëve, p.sh. historitë për migrimin e detyruar të serbëve nga Kosova, gjë për të cilën është duke shkruar Charles Crawford. Shtypi aktualisht e merr sinjalin nga politikanët serbë, siç edhe konfirmohet nga disa shembuj që kanë ndodhur javën e fundit.
  3. Herljeviç, sekretari federal i Punëve të Brendshme, i distancoi autoritetet federale të sigurisë nga përgjegjësia për shpërthimin e trazirave në Kosovë në një fjalim para Kryesisë Federative, më 9 qershor (përmendur në telegramin tonë nr. 86 të datës 10 qershor). Stanojeviç, sekretari serb i Punëve të Brendshme, mbajti qëndrim të ngjashëm në një debat për Kosovën në Kryesinë serbe, më 10 qershor. Ai pretendoi se megjithëse autoritetet serbe të sigurisë i kanë informuar rregullisht autoritetet kosovare për çdo gjë që kishin në lidhje me Kosovën, nuk ka pasur reciprocitet, veçanërisht lidhur me ngjarjet më të fundit. Ai përmendi në mënyrë specifike se autoritetet e tij ishin informuar vetëm më 1 maj të këtij viti për një sërë manifestimesh antiserbe dhe antijugosllave në Kosovë në vitin 1980; dhe kishin dëgjuar vetëm në fund të marsit të këtij viti për shpërndarjen e broshurave të “Partisë Komuniste Shqiptare Marksiste-Leniniste të Jugosllavisë”, në periudhën midis marsit 1979 dhe nëntorit 1980. Ai vijoi më tej duke thënë se “njerëzit që janë më shumë përgjegjës në Sekretariatin Krahinor të Punëve të Brendshme, nuk arritën në thelb të pranonin vlerësimet dhe marrëveshjet e arritura në mbledhjen e datës 19 mars pas rrëmujave të para në Krahinë, pra ata nuk i respektuan vlerësimet pikërisht në mënyrën që kërkonte situata”. Ai shtoi se nëse nuk do të kishte pasur hezitim për faktin nëse kjo situatë quhej apo jo kundërrevolucion, forcat serbe të sigurisë tashmë të mobilizuara do të dërgoheshin këtu për të penguar ngjarjet e 26 marsit dhe 1-3 prillit. Këto forca me sa duket ishin mobilizuar më 11 dhe 26 mars dhe 1 prill dhe ishin vënë në dispozicion të autoriteteve kosovare, por pas dy a tre ditësh u tërhoqën në secilin rast meqenëse autoritetet lokale u shprehën se këto forca nuk ishin të nevojshme. Si shembull tjetër i ftohtësisë së Kosovës, ai kujtoi se në vitin 1979 autoritetet e Kosovës kishin refuzuar të futeshin në një ushtrim për të testuar efikasitetin e forcave të sigurisë, përveç se në mënyrë shumë të kufizuar dhe vetëm kur pothuaj kishte mbaruar. Si rezultat i ngjarjeve, ai pohoi se nacionalizmi i Serbisë së Madhe kishte filluar të ngrinte kokën, duke pretenduar që për këtë duhej të fajësohej i tërë nacionalizmi shqiptar. Ai tregoi 13 raste të shënuara me parulla shqiptare të shkruara, ku me përjashtim të njërit, ishin kapur autorët e të gjitha rasteve. Megjithatë, një delegat në debatin pasues protestoi se numri i pjesëmarrësve joshqiptarë që ishin arrestuar dhe dënuar, ishte i tepruar dhe i pavend dhe pretendoi se kjo ndodhte për shkak të përpjekjeve për të balancuar dënimin e shqiptarëve me atë të joshqiptarëve!
  4. Në një seancë të Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Serbisë, më 15 qershor, u deklarua më tej se në disa komuna (të papërcaktuara) kishte pasur akte të ndryshme hakmarrjeje kundër shqiptarëve, të tilla si thyerja e xhamave të dyqaneve dhe shkarravitja e parullave. Dhe faji i mbeti nacionalizmit serb. Shtypi i Beogradit ka raportuar gjithashtu rënie të fortë në shitjen e ëmbëlsirave dhe akulloreve në dyqanet e zotëruara kryesisht nga shqiptarët, me sa duket pjesë e bojkotit të qëllimshëm nga ana e serbëve.
  5. Pakënaqësia me progresin e ngadaltë të spastrimeve (të shqiptarëve) u shpreh nga një serb i Kosovës në Beograd, më 10 qershor, në mbledhjen e komunistëve kosovarë që punojnë në Administratën Federale këtu. Ai tha se Lidhja e Komunistëve të Kosovës nuk ishte e tëra fajtore, por vetëm ata që ishin në pozicione drejtuese. Deri në momentin që dikush të përmendte emra konkretë, ishte e vështirë të pritej një spastrim real. Ai vuri në dukje se zëvendëssekretari i Punëve të Brendshme kishte dhënë dorëheqjen, por ai natyrisht nuk e shikonte këtë si zgjidhje të çështjes, sepse zëvendëssekretari, tha ai, nuk mund të ketë marrë vendimin për të refuzuar ofertën e ndihmës Federale pa marrë paraprakisht pikëpamjet e Këshillit Ekzekutiv të Kosovës. Kryesia e Kosovës kishte ruajtur qetësinë dhe ky qëndrim inkurajoi edhe të tjerët të ruanin qetësinë. Ai besonte se sekretari krahinor i Punëve të Brendshme dhe të gjithë ata që e inkurajuan atë, duhet të shkarkohen dhe dënohen pas pranimit publik të fajit. Një serb tjetër u ankua se programi i veprimit të Komitetit Krahinor të LKK-së nuk shprehej mjaftueshëm për përgjegjësinë e udhëheqjes politike të Krahinës dhe se ishte e nevojshme që spastrimi të bëhej në nivel të lartë. Një shqiptar i Kosovës vuri në dukje disi në mbrojtje që të paktën për sa i përket politikës ndaj Shqipërisë, Kosova nuk ka vepruar pa dijeninë e organeve republikane dhe federative. Një shqiptar tjetër i Kosovës e mbylli mbledhjen me vërejtjen se edhe në këtë rast ka pasur mungesë të vetëkritikës dhe shmangie të thirrjeve të individëve për të pranuar gabimet.
  6. Filmi në TV i përmendur më lart tregonte shumë qartë problemet e përfshira në thirrjen e njerëzve për të dëshmuar. Rrëfyesi përpiqej të intervistonte një numër studentësh dhe nxënës shkollash në Prishtinë dhe gjetkë për dijeninë e tyre mbi ngjarjet dhe përfshirjen e tyre në to. Pothuaj në çdo rast, ai merrte përgjigje të tilla si: ata nuk dinin asgjë, atyre u është thënë të mos thonë asgjë, gjithsesi ata nuk janë përfshirë dhe nuk kanë folur serbo-kroatisht. Investigimi i kryer në një apo dy raste të viktimizimit të serbëve/malazezëve tregoi se policia lokale nuk kishte bërë asgjë për të ardhur në ndihmë në atë periudhë apo më pas. Rrëfyesi tregoi gjithashtu shifrën më të lartë deri më sot për numrin e pjesëmarrësve të përfshirë në demonstratat e prillit në Prishtinë – 10,000. Kështu, duke pasur parasysh numrat e dhënë dhe hezitimin e njerëzve për të folur, nuk është fare për t’u çuditur që diferencimi po ecën ngadalë.
  7. Gazeta “Politika” e 17 qershorit nxori në pah arsye të tjera të progresit të ngadaltë, duke raportuar se aktualisht po mbaheshin zgjedhjet në konferencat komunale të LKK-së dhe se kishte përplasje jo dinjitoze për heqjen e titullarëve aktualë nga pozicionet drejtuese! Gazeta “Politika” shtoi se asnjë nga kryetarët apo sekretarët e Lidhjes së Komunistëve në Komuna nuk e kishin parë të nevojshme deri më sot të kritikonin performancën e vet apo të jepnin dorëheqjen për shkak të demonstratave. Gazeta raportoi gjithashtu një qëndrim të ngjashëm midis kuvendeve të komunave, ku kryetarët dhe anëtarët e qeverive lokale vepronin “të qetë” sikur ngjarjet e fundit nuk kishin të bënin fare me ta, por ishin çështje ekskluzivisht të LK-së.
  8. Një shembull i fundit se sa thellë ka rënë shtypi serb për të fajësuar shqiptarët doli në gazetën “Politika” më 12 qershor. Në një raport tejet të gjatë dhe të përfshirë në arkeologjinë e Kosovës, gazetari iu vu punës për të përcaktuar se autoritetet arkeologjike shqiptare lokale i kishin hyrë me qëllim punës për të fshehur zbulimet arkeologjike që tregonin kolonizimet e hershme sllave të Kosovës dhe që do të tronditnin konceptin e një krahine shqiptare, të pastër nga pikëpamja racore!
  9. Një numër i vogël i shqiptarëve të Kosovës, kryesisht nga Universiteti i Prishtinës, kanë akuzuar shtypin e Beogradit për raportim tendencioz, por është e vështirë për shqiptarët lokalë që të mbrojnë veten e tyre pa dalë para akuzave të nacionalizmit. Kështu, për momentin, serbët shijojnë argëtimin. Politikanët serbë vazhdojnë të vënë theksin në nevojën për të zbatuar Kushtetutën serbe në vazhdimësi dhe shqiptarët e Kosovës nuk kanë alternativë tjetër përveçse të shoqërohen me lëvizje të ndryshme për t’i vënë fre pavarësisë së tyre të veprimit. Por, politikanët serbë dhe federalë janë të vetëdijshëm për rreziqet nëse reagimet e ashpra të serbëve shkojnë shumë larg por jam i sigurt se ata nuk do të lejojnë që situata t’u shpëtojë nga duart. Për momentin, kjo i shërben qëllimit të dobishëm për t’i thënë vazhdimisht shqiptarëve ngurrues të Kosovës që të shprehin me forcë mendimet e tyre.

                                                                                                                                            I Juaji,

  1. J. Clark

Për dijeni: P. E. Rosling Esq

Zagreb

  1. Rennie Esq

Departamenti i Kërkimit

 

 

-57-

Konfidenciale

ENU 015/3                                                                                          19 qershor 1981

Ch d’A                                                                                                           

Kosova: pozita kushtetuese

                                            

  1. Në darkën me z. dhe znj. Raudenbush të Ambasadës së SHBA-së, më 12 qershor, takova një jurist kushtetues nga Universiteti i Beogradit, dr. Vladimir Kilibarda, i cili kryen specializimin për kushtetutat e shteteve federative. Dr. Kilibarda ka studiuar në Shtetet e Bashkuara (prandaj flet shkëlqyeshëm anglisht) dhe mendoj se ka marrë gradën doktor në Universitetin Stanford. Ai është mik i ngushtë (megjithëse së paku dhjetë vjet më i ri) dhe bashkëlojtar në tenis me dr. Djurisiç. Ka lindur në Pejë.
  2. Dr. Kiliborda foli në mënyrë interesante dhe shumë hapur për pozitën kushtetuese të Kosovës të cilën ai e përshkruan si “të pabazë”. Ai më tha se tre a katër vite më parë ai dhe disa kolegë, të cilët gjithashtu ishin juristë kushtetues, kishin paraqitur një studim për pozitën e Kosovës, ku theksonte rreziqet që dalin përpara nëse Kushtetutat e Serbisë dhe Kosovës nuk përshtateshin për të marrë parasysh anomalitë e ndryshme të dukshme dhe për t’i bërë ato më të pajtueshme me njëra-tjetrën. Studimi u hodh poshtë nga autoritetet Federale dhe grupit të juristëve iu tha të mbyllnin gojën dhe të shikonin punën e tyre (ndaj pozitës së federatave përveç Jugosllavisë).
  3. Sipas mendimit të dr. Kilibarda, pozita aktuale në Kosovë është e pashpresë. Situata kishte shkuar deri në atë pikë sa ishte e pamundur për të futur ndryshime të nevojshme kushtetuese; sidoqoftë, autoritetet federale i kishin përjashtuar ato. Trazira aktuale vetëm mund të përmbahej, por jo të zhdukej, dhe kjo do të bëhej një faktor gjithnjë e më dobësues në jetën e Federatës Jugosllave.
  4. Dr. Kilibarda tha se formula “Kosova Republikë”, pavarësisht se sa e papëlqyeshme për serbët, ishte e vetmja formulë logjike sipas së drejtës ndërkombëtare. Fjalimet e Titos dhe referencat e paqarta të “plebishiteve” dhe Aktit Final të Helsinkit, nuk ishin të mira sa duhet. Por, Jugosllavisë i duhej të jetonte me kontradiktat e Kosovës, meqenëse përfundimisht integriteti i Federatës ishte në rrezik dhe kjo pa dyshim, siç e kemi pranuar ne dhe shumë shtete perëndimore, kishte rëndësi të dorës së parë për Jugosllavinë dhe për pjesën tjetër të Evropës.
  5. Dr. Kilibarda ishte i prerë në pohimin e tij se pas parullës “Kosova Republikë” nuk ishin makinacionet e Tiranës, Moskës apo ndonjë kryeqyteti tjetër të huaj, por ato të vetë shqiptarëve të Kosovës. Ky ishte rasti i irredentizmit në termat e Prishtinës dhe jo të Tiranës. Kosovarët dëshironin Republikën e tyre si prelud për të realizuar ëndrrën e tyre të “Shqipërisë së Madhe”. Kjo nënkuptonte imponimin e nocioneve të tyre të kombësisë shqiptare dhe një rendi shoqëror për vetë Shqipërinë të cilin do të dëshironin ta transformonin në aspektin social, ekonomik dhe politik pas largimit të Hoxhës. Nëse agjitimi në Kosovë ia dilte të përshpejtonte këtë, aq më mirë nga pikëpamja e kosovarëve. Dr. Kilibarda theksoi se shumë pak prej parullave, nëse ekzistonin, ishin në të vërtetë “pro Hoxha” – ato ishin thjesht proshqiptare. Por natyrisht, autoritetet federale e kishin paraqitur situatën në një dritë tërësisht të ndryshme, d.m.th., që demonstruesit me sa duket dëshironin të bashkoheshin me Shqipërinë siç është tani, ose të impononin stanilizmin mbi veten e tyre (gjë që zor të jetë e besueshme).
  6. Kur thashë se ajo që ai më kishte treguar mund të ishte të paktën pjesërisht përfundim i një studimi nga afër i shtypit jugosllav (pas mungesës fillestare të informacionit për atë që kishte ndodhur në Kosovë për kaq shumë vite), dr. Kilibarda ra dakord menjëherë. Ai tha se tashmë shtypi po luante një rol shumë pozitiv në informimin e njerëzve mbi rreziqet e situatës, që zor se mund të ekzagjerohej. Kjo nuk i pëlqente të gjithëve qoftë në Beograd apo Prishtinë. Në të vërtetë situata tregoi se si shtypi po shfaqej si “forcë politike” në Jugosllavi dhe ishte gjithnjë e më e vështirë, që pas ikjes së Titos, për t’i mbyllur gojën. Shumica e artikujve me emër në ditët tona e shohin rolin e tyre investigativ më shumë si parësor sesa dytësor në informimin e publikut jugosllav në lidhje me atë që po ndodhte.
  7. Si federalist, dr. Kilibarda ishte qartazi në favor të fuqizimit të makinerisë federative dhe kundër delegimit të mëtejshëm të pushtetit politik në kryeqytetet e Republikave. Në këtë pikë, Kosova kishte nxjerrë një mësim të vlefshëm. Nëse pushteti politik do të ishte më shumë i përqendruar në Beograd, ngjarjet në Kosovë mund të ishin zbuluar shumë më herët dhe situata aktuale ndoshta mund të ishte evituar. Ai pranoi se pikëpamja e tij ishte jashtë mode (vetë ai nuk do ta kishte pranuar atë pak vite më parë), por të paktën një rikthim i kufizuar në centralizëm do të ishte i nevojshëm për stabilitetin e Jugosllavisë si në sensin politik dhe atë ekonomik. Ai tha se Djuranoviç të cilin e admironte, duhet të kishte si kryeministër i Federatës, shumë më tepër kompetenca dhe jo vetëm të natyrës ekzekutive.
  8. Mbase mund të dëshironi të flisni me dr. Kilibarda ndonjëherë. Ai banon në adresën Ivana Milutinoviça 88 (numri i telefonit 436-224). Mund të organizojmë një takim dreke ose darke të tre së bashku.

 

  1. I. Miller

15 qershor 1981

Për dijeni: J C R Gray Esq, EESD, FCO

 -58-

Për përdorim të kufizuar

                                                                                                               Ambasada britanike

J C R Gray Esq                                                                                                 Beograd

EESD

FCO                                                                                                            17 qershor 1981

I nderuar Charles,

Kosova: emigrimi i serbëve dhe malazezëve

 

  1. Siç e kam përmendur në letrën time për Kosovën javën e kaluar, këtu është shprehur shqetësimi zyrtar për “pasiguri” në mesin e serbëve dhe malazezëve në Krahinë dhe për efektet e dëmshme të emigrimit të tyre. Megjithëse ka pasur një qarkullim të qëndrueshëm të emigrantëve për disa vite deri më sot, vetëm kohët e fundit janë shfaqur komente kritike zyrtare dhe të shtypit në drejtim të trazirave aktuale.

Shifrat e censusit

  1. Siç e ka përmendur edhe Jon Ward në letrën për ju, më 13 maj, në konferencën e tij kryesore për shtyp, Dolanc ka mohuar me forcë ekzistencën e një migracioni të dukshëm të serbëve dhe malazezëve nga Kosova. Për të qenë i saktë, Dolanc tha se “duke parë profilin e popullsisë në terma përqindjeje, përqindjet nuk kanë ndryshuar shumë gjatë 20 viteve të fundit, megjithëse nuk e mohoj se ka pasur disa raste të tilla”. Meqenëse censusi është plotësuar vetëm në Kosovë më 20 prill dhe rezultatet e tij u publikuan në fillim të majit, vlerësimi i Dolanc ishte i nxituar dhe, siç rezultoi, tërësisht i gabuar. Kështu, siç tregoi letra e Jon, gjatë dhjetë viteve të fundit numri total i serbëve në Kosovë ka rënë me 8.1%, ndërsa numri total i malazezëve ka rënë jo më pak se 14.8%. Në vitin 1961 njerëzit që e deklaronin veten si serbë përfaqësonin 23.5% të popullsisë së përgjithshme të Kosovës; në vitin 1971 ata përbënin 18.4% dhe në vitin 1981 përbënin 13.2% (shifrat për malazezët janë respektivisht 3.9%, 25% dhe 1.7%). Me fjalë të tjera, megjithëse midis viteve 1961 dhe 1981 popullsia e përgjithshme zyrtare e serbëve ra vetëm me 17,000 diferenca ndërmjet numrit të atyre që jetojnë në Kosovë me ata që do të kishin jetuar aty sipas normave të zakonshme jugosllave të rritjes dhe pa emigrimin, është shumë më e theksuar. Në terma si absolute dhe relative, numri i serbëve dhe malazezëve që jetojnë në Kosovë ka rënë dukshëm që prej vitit 1971.

Deklaratat zyrtare

  1. Ndërkohë që vendimet individuale për t’u larguar nga Kosova nuk mund të kritikoheshin zyrtarisht, tendenca në përgjithësi është dënuar nga autoritetet; gjithashtu janë bërë premtime për masa të forta kundër kujtdo që ushtronte “presion” për të nxitur emigrimin. Kështu, më 1 qershor, Jusuf Kelmendi, anëtar i Konferencës së Lidhjes Socialiste të Kosovës, tha se ishte detyrë konkrete për të shqyrtuar në detaj motivet për secilin vendim individual për të emigruar. “Duhet të merren masa më aktive politike dhe ligjore” kundër atyre që ushtrojnë presion. Më 4 qershor, Petar Kostiç, sekretari i Komitetit Krahinor të LKJ-së, tha se ishte e nevojshme për “ndërhyrje urgjente” për të ndaluar largimin e serbëve dhe malazezëve. Azem Vllasi, kryetar i Lidhjes Socialiste të Kosovës, tha në konferencën e tij për shtyp, më 6 qershor, se pas demonstratave është krijuar një situatë e cila “në mënyrë objektive dha pamjen e presionit”. Ai vazhdoi: “në këtë situatë çdo migracion ka një ngjyrë politike që krijon me shpejtësi një ndikim të pakëndshëm veçanërisht për ata njerëz që kanë ndërmend të jetojnë gjithë jetën e tyre në këtë Krahinë”. Dhe më 10 qershor, Mustafa Ristiç, kryetar i Seksionit të LKJ-së të Lidhjes Socialiste të Kosovës, tha se raportimi nga ana e shtypit për Kosovën nuk ka kontribuar gjithmonë në qetësimin e gjërave, veçanërisht për sa i përket emigrimit të serbëve dhe malazezëve, të cilët i janë nënshtruar presionit për të shitur shtëpitë e tyre dhe për t’u larguar. “Publikimi i vazhdueshëm i fotografive të dominuara nga tabelat ku thuhet “Shtëpi për shitje” nuk po ndihmojnë për të ndaluar emigrimin. Po të isha serb, do të kërkoja një blerës për shtëpinë time pasi të shihja kaq shumë foto”. Rishtiç shtoi se “asnjë shqiptar në Kosovë nuk mund të ndjehet i sigurt nëse serbët dhe malazezët nuk ndjehen në të njëjtën mënyrë”. (!) Siç mund ta kuptoni, prononcime të tilla janë zakonisht të gjata në denoncime dhe të shkurtra në sugjerime konkrete.

Presioni për të emigruar

  1. Siç e tha Ristiç, shtypi ka gjetur mbështetje në këtë çështje. Gazetat “NIN”, “Duga” dhe “Ilustrovana Politika”, kanë pasur të gjitha artikuj me intervista dhe foto personale të shtëpive me njoftimet “Për shitje” (për interesin tuaj, bashkëlidhur po ju dërgoj një kopje të një faqeje të tillë nga gazeta “NIN” e datës 7 qershor për këtë çështje). Siç e tha gazeta “NIN”, “çështja e presionit është delikate. Nëse e kufizoni atë me shkatërrimin e gjerë të pronës, keqtrajtimin fizik, kërcënimet serioze për jetën dhe i zbatoni këto kërcënime – ndoshta presioni nuk ndodh shpesh. Por, nëse ju gjithashtu i shikoni vështirësitë në rritje për punën, promovimin ose shkollimin si forma të presionit, nëse në mënyrë të ngjashme i klasifikoni aktet e vogla sistematike të mërisë për të cilat normalisht fajtorë janë fëmijët, por edhe të rriturit; dhe nëse shtoni sulmet ndaj monumenteve kulturore, abuzimin e femrave në rrugë, diskriminimin në punë dhe gjëra të tjera të vogla dhe të mëdha, atëherë do të gjeni mjaft presion për të shqetësuar një person, për ta bërë të ndjehet i trazuar dhe të dëshirojë të gjejë paqe dhe qetësi diku tjetër”.
  2. Për të sjellë shembuj, këtu ka disa fragmente nga artikulli i gazetës “Duga” për historinë personale të Aleksandër Millosheviçit, i cili u largua nga Kosova në vitin 1970, duke lënë pas një fermë mjaft të madhe. “Për të gjithë parcelën unë mund të merrja – jo, më mirë të mos e them”. Familja e tij përbëhej nga 17 anëtarë dhe disa ishin të armatosur. Por më kot. Disa fshatarë shqiptarë kanë nxjerrë bagëtitë e tyre nëpër fusha dhe e kanë shkatërruar parcelën. Kur ai u ankua në polici ata i thanë se kishin qenë fëmijë ata që e kishin bërë këtë, apo një shaka praktike. Femrat duhej të shoqëroheshin kur dilnin jashtë. Varret e tyre ishin dhunuar. “Nëse do përpiqeshit të bëni padi, atëherë fajtori do të ishit ju. Ju quajnë “Nacionalist”. Nëse shefi i policisë do të më pyeste, unë do t’i thosha: “U largova për shkakun tuaj – Ju mbrojtët ato grupe që po sulmonin njerëz të tjerë”.” Shumë njerëz ishin larguar vetëm me një çantë në shpinë dhe fëmijët e tyre në krahë. Në dyert e tyre u gjetën shënime të tilla si “Shansi i vetëm për t’u larguar – rruga Krushevac, Kraljevo, Smederevo, Gornji Milanoviç … puthni pragun e shtëpisë tuaj dhe largohuni”.

Komente

  1. Është e tepërt të thuhet se do të jetë pak a shumë e pamundur që autoritetet të ndalojnë përndjekjet në shkallë të vogël apo letrat kërcënuese anonime. Rritja e shpejtë e popullsisë shqiptare dhe ulja e numrit të serbëve jepnin një tablo alarmuese për të ardhmen e Kosovës në afat të mesëm apo të gjatë; dhe, siç e thashë javën e kaluar, largimi i punëtorëve të kualifikuar ka implikime ekonomike serioze të menjëhershme. Sidoqoftë, për sa kohë që vetë Shqipëria ndjek vijën e saj të përgjithshme aktuale nuk ka arsye të imagjinohet se ky problem emigrimi ka shansin më të vogël që të zgjidhet.

           I Juaji,

                                                                                                                  Charles Crawford

                                                                                                              Oficer Informacioni

Për dijeni: P. Rennie Esq

Departamenti i Kërkimit, FCO

 

 -59-

Konfidenciale

23 qershor 1981

  1. Bullard,

Situata në Jugosllavi

 

  1. Keni kërkuar vlerësimin tonë mbi kontributin grek në COREU ngjitur.
  2. Kjo është një pjesë e mirë e cila në shumë drejtime kombinohet me raportimin shumë të hollësishëm që kemi marrë nga Beogradi. Grekët kanë interes të ngushtë dhe të mirinformuar në çështjet e Ballkanit dhe zhvillimet në Kosovë (një pjesë e të cilave janë pasqyruar fillimisht në pretendimet irredentiste greke) paraqesin interes të veçantë për ta.
  3. Jemi të një mendimi me vërejtjet e përgjithshme në lidhje me udhëheqjen pas Titos dhe situatën ekonomike. Sidoqoftë, jo për çudi, kjo pjesë përqendrohet në trazirat e fundit në Kosovë. Mendojmë se grekët të cilët janë të merakosur që të shihen si të paanshëm mund të kenë minimizuar mundësinë e përzierjes shqiptare, por jemi dakord me vlerësimin e tyre se nuk ka të dhëna mbi ndërhyrje nga ana e Bashkimit Sovjetik.
  4. Kur të drejtojmë grupet e punës të Evropës Lindore në gjysmën e dytë të vitit, duket se është me vlerë që të shqyrtojmë mundësinë për t’i kërkuar grekëve që të ofrojnë më tej kontributin e tyre në çështjet me interes aktual të Ballkanit.

                                                                                                                                 I Juaji,

  1. E. Montgomery

Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore

Për dijeni: Z. Broomfield

 

 –60-

Për përdorim të kufizuar

NR 2033

EM  ATM COPEU

CPE/BIL/ETR 145

Direkt për të gjithë COPEU

Grupi punës së Evropës Lindore

Situata në Jugosllavi

  1. a) Situata ekonomike

            Për shkak të krizës ekonomike kombëtare në shkallë të madhe, zhvillimi i situatës ekonomike në Jugosllavi është veçanërisht i pafavorshëm. Numri i të punësuarve u rrit në 1.200.000 (800.000 sipas të dhënave zyrtare). Norma e inflacionit, e cila në vitin 1980 ishte 50%, nuk parashikohet që të bjerë ndjeshëm në vitin 1981. Borxhi i jashtëm i vendit u rrit në 18 miliardë dollarë. Vështirësitë ekonomike çuan në rishikimin e programit ekonomik dhe zhvlerësimin e dinarit me 30% në mesin e vitit 1980.

  1. b) Çështja e kombësive

1)         Të përgjithshme

            Një prej problemeve më serioze me të cilat përballet udhëheqja post-Tito është ajo e pretendimeve të kombësive dhe pakicave (kroatët, sllovenët, maqedonasit, myslimanët, shqiptarët etj.), të cilat përbëjnë Republikën Federative të Jugosllavisë. Këto pretendime (të cilat janë nënvizuar nga pabarazia ekonomike midis krahinave të varfra dhe atyre të pasura) padyshim u bënë më këmbëngulëse pas vdekjes së Titos i cili falë personalitetit të tij të fuqishëm, ia doli me sukses që të ruante unitetin e mozaikut shumëkombësh të vendit të tij.

            Komuniteti shqiptar i Kosovës (1.200.000) përbën shumicën dërrmuese (80%) të popullsisë së rajonit. Ngjarjet e fundit aty çuan në krizën e parë të madhe nacionaliste në Jugosllavi, pas vdekjes së Titos.

2)  Incidentet në Kosovë

  1. Fakte

            Tablloja e Prishtinës, më 11 dhe 26 mars, vijoi më 1 prill me demonstrata masive. Kërkesa kryesore e demonstruesve ishte që ta bënin Krahinën Autonome të Kosovës Republikë të shtatë socialiste, të barabartë me gjashtë republikat e tjera. Megjithatë, kishte gjithashtu parulla në favor të “bashkimit me atdheun”.

            Autoritet jugosllave reaguan në mënyrë veçanërisht tronditëse duke dërguar ushtrinë dhe forcat e policisë pas demonstruesve, ku shumë njerëz u vranë dhe u plagosën. Kosova u deklarua zonë emergjente dhe për të huajt u ndalua hyrja në këtë Krahinë. Shumë persona u arrestuan dhe u morën masa të rënda, në veçanti kundër profesorëve, studentëve dhe mësuesve.

            Sipas të dhënave zyrtare jugosllave, 287 persona u dënuan për pjesëmarrje në demonstrata, 189 të tjerë u pushuan nga puna dhe 442 anëtarë të LK-së lokale u shkarkuan, përfshirë Bakallin, kryetar i Komunistëve të Kosovës. Për më tepër, u bllokua bashkëpunimi arsimor dhe kulturor midis Kosovës dhe Shqipërisë.

            Autoritetet e Kosovës akuzuan Shqipërinë se kishte organizuar aktivitete subversive kundër Jugosllavisë.

            Shtypi shqiptar mbështeti hapur kërkesat e demonstruesve dhe akuzoi Jugosllavinë se kishte shfrytëzuar elementin shqiptar. Sipas kundërsulmit të shtypit jugosllav, kjo përbënte një kërcënim ndaj integritetit territorial të vendit.

            Tensioni midis dy vendeve u përshkallëzua kur, më 23 maj, në Ambasadën jugosllave në Tiranë shpërtheu një bombë, ndërkohë që qeveria hodhi poshtë protestën jugosllave.

3)  Vlerësime

            Me gjithë polemikat e egra midis dy fqinjëve, nuk ka prova të prekshme se Shqipëria ka përkrahur trazirat në Kosovë. Për më tepër, fakti që shtypi shqiptar filloi të mbështeste kauzën e demonstruesve plot një javë pas trazirave, sugjeron më tepër se shqiptarët u zunë në befasi dhe se shkaqet e trazirave ishin të brendshme. Ky konkluzion ka të ngjarë që të përforcohet nga fakti se, disa muaj pas trazirave Kosova është ende në gjendjen e ndalimqarkullimit. Për më tepër, kushdo mund të vërejë se qëndrimi shqiptar është shprehur vetëm nga lajmet në media dhe se asnjë zyrtar i qeverisë nuk bëri asnjë deklaratë përkatëse. Përkundrazi, disa zyrtarë jugosllavë përdorën një gjuhë mjaft të fortë kundër fqinjëve të tyre, gjithsesi pa shkuar shumë larg që të mos rrezikonin në mënyrë permanente marrëdhëniet midis dy vendeve.

            Siç duket, dy vendet nuk dëshirojnë që t’i shtyjnë gjërat në ekstrem… Jugosllavia për shkak të frikës së saj se një Shqipëri plotësisht e izoluar, mund të kërkojë pas periudhës së Enver Hoxhës mbrojtjen e sovjetikëve dhe Shqipëria nga ana e saj, për shkak të nevojës së saj jetësore që të mbulohej nga një shtet politikisht i qëndrueshëm tampon kundrejt BRSS-së.

            Nga ana tjetër, nuk ka tregues se trazirat në Kosovë janë provokuar nga Bashkimi Sovjetik.

            Duket e sigurt se këto incidente janë shkaktuar nga kushtet e këqija politike dhe ekonomike që kanë mbizotëruar në Kosovë prej shumë vitesh. Aktualisht, Kosova është pjesa më pak e zhvilluar e Jugosllavisë – megjithëse zhvillimi i saj pas luftës ishte impresionues. Raporti i zhvillimit midis Kosovës dhe Kroacisë në vitin 1971 ishte 1:3,2 ndërsa shifra e sotme ka shkuar në 1:7.

            Veç kësaj, fakti që kjo krahinë banohet vetëm nga një pakicë josllave në Jugosllavi (përveç hungarezëve të Vojvodinës) e pengoi atë natyrisht për arsye politike që të garantonte statusin e Republikës.

            Popullsia shqiptare e Kosovës ka përshtypjen se është e klasit të dytë. Ky fakt së bashku me urrejtjen e tyre kundër Republikës Socialiste të Serbisë, brenda së cilës Kosova përbën një krahinë autonome, i nxiti kërkesat e tyre për pavarësi më të gjerë politike.

            Pranimi nga Qeveria jugosllave se Kosova duhet të marrë statusin e Republikës kërkon, gjë që ka pak gjasa, që të marrë parasysh faktin se një veprim i tillë do t’i jepte një goditje poshtëruese Republikës së Serbisë së cilës pas luftës i është shkëputur territori i Republikës Socialiste të Maqedonisë. Ky fakt gjithashtu do të krijonte precedent për Krahinën Autonome të Vojvodinës.

            Nga ana tjetër, ngjarjet në Kosovë vërtetuan se sa e gabuar ishte politika e Qeverisë federale për të inkurajuar kontakte të drejtpërdrejta të Kosovës me Shqipërinë veçanërisht në sektorët delikatë të bashkëpunimit midis universiteteve, programeve kulturore, shkëmbimit të profesorëve etj., duke lejuar kështu që brezi i ri i kësaj krahine të ndërgjegjësohej për origjinën e tij shqiptare.

            Në mesin e prioriteteve me të cilat po përballet udhëheqja jugosllave, natyrisht janë… a) rishikimi i sistemit të bashkëpunimit me Shqipërinë dhe i strukturës lokale arsimore me qëllim që të shtypet nacionalizmi shqiptar; b) rishikimi i pushtetit lokal dhe mekanizmit partiak dhe; c) nxitja e menjëhershme dhe liberale e programit të zhvillimit me qëllim që të plotësohen kërkesat ekonomike kryesore të popullsisë.

 

ATH Copeu

Teksti përfundimtar

                         [Dërgohen kopje për ambasadat e KE-së në Londër]

 

 

-61-

Për përdorim të kufizuar

Referencë 025/427/1

HofC

G

DA                                                                                                      24 qershor 10981

 

Vizita e z. Hesseling të Ambasadës holandeze në Shqipëri

 

  1. Jan Hesseling raportoi në takimin javor të EC sot (24 qershor) se sapo ishte kthyer nga pritja e lamtumirës së tij në Shqipëri.
  2. Gjatë kohës që ishte aty, ai ishte lejuar të lëvizte vetë me makinë dhe për shkak të tabelave të pamjaftueshme rrugore dhe hartës së pasaktë, humbi në dy raste dhe iu desh të kthehej në rrugën e tij pasi arriti në postblloqe ushtarake. Në një rast, mbi të fluturoi një helikopter, pa dyshim për t’u siguruar se ai nuk ka hyrë në zonën ushtarake.
  3. Ai zhvilloi bisedime në Tiranë me zyrtarë shqiptarë të cilët, midis të tjerash, folën për marrëdhëniet jugosllavo-shqiptare. Shqiptarët thanë se ishte me shumë rëndësi për ta që shqiptarëve të Kosovës t’i jepeshin të drejtat e tyre sipas Kushtetutës Federale jugosllave. Ata thanë se nuk kishin pretendime territoriale, por se ndjenin keqardhje që Fuqitë e Mëdha nuk ia kishin dhënë Kosovën Shqipërisë në vitin 1913. Z. Hessling pyeti për hartën e “Shqipërisë së Madhe” e cila është në qarkullim dhe shqiptarët i thanë se nuk e kishin shpërndarë këtë dhe se një gjë e tillë duhet të jetë bërë nga grupet e emigrantëve të tillë si ballistët apo zogistët. Z. Hesseling raportoi gjithashtu, se shqiptarët i kishin thënë se nuk e kishin idenë se si do të zhvilloheshin marrëdhëniet jugosllavo-shqiptare dhe se kjo varej shumë nga Jugosllavia. Shqiptarët nga ana e tyre do të dëshironin marrëdhënie të fqinjësisë së mirë me Jugosllavinë, por me kusht që secili vend të mund të kritikonte tjetrin.
  4. Z. Hesseling foli gjithashtu me kolegë të ndryshëm nga misionet e tjera në Tiranë të cilët ishin të mendimit se sulmi i “bombës” kohët e fundit në Ambasadën jugosllave ishte nxitur nga shqiptarët. Diplomatët ishin gjithashtu të mendimit se ngjarjet në Kosovë ishin të dobishme për shqiptarët për të zhvendosur vëmendjen nga problemet e brendshme ekonomike aktuale në vendin e tyre. Ekonomia është në gjendje të dobët dhe shqiptarët e pranojnë se zhvillimi ka qenë i ngadaltë, por vazhdojnë me synimin e tyre për t’u mbështetur tërësisht në burimet e veta. Kongresi i 8-të i radhës pritet që të jetë Kongresi i parë në të cilin plani pesë-vjeçar do të përjashtojë përdorimin e ndihmës apo huas së huaj. Z. Hesseling u ndal në këtë pikë duke thënë se tregtia shqiptare bëhet tërësisht me para dhe se Kushtetuta ndalon specifikisht blerjen e mallrave nga jashtë me kredi. Ai tha se shqiptarët e pranonin që në vitet pas prishjes me Kinën kanë pasur probleme me makineritë dhe automjetet që prisheshin dhe me mungesën e pjesëve të këmbimit me të cilat do t’i riparonin ato dhe se teknologjia në Shqipëri ka mbetur është shumë vite pas. Z. Hesseling tha se marrëdhëniet e Shqipërisë me Kinën janë në nivelin më të ulët të mundshëm, por se misioni kinez, aktualisht i kryesuar nga i Ngarkuari me Punë, kishte mbetur njësoj siç ishte para prishjes me Shqipërinë (sidoqoftë, Lista Diplomatike aktuale në Tiranë tregon se ka një staf prej 12 diplomatësh, përfshirë një ambasador!). Misioni kinez ka ende seksionet ekonomike, kulturore dhe politike dhe një Atashe Ushtarak.
  5. Në frontin ushtarak, Z. Hessling raportoi se kishte parë shumë ushtarë meshkuj dhe femra në rrugët e Tiranës dhe komentoi se kjo pa dyshim ndodhte për shkak të fushatës së shqiptarëve kundër papunësisë. Ai tha se të gjithë njerëzit në Shqipëri kryenin shërbimin ushtarak dhe se sipas diplomatëve në Tiranë numri i stërvitjeve ushtarake është rritur gjatë muajve të fundit, veçanërisht pas shpërthimit të trazirave në Kosovë. Si shënim në fund të faqes i kësaj situate, z. Hesseling tha se ndërkohë që ecte me makinë nëpër fshatra në Shqipëri, kishte vënë re se ishin hapur mijëra “llogore” në shpatet kodrinore dhe në tokat anash rrugëve; disa prej tyre ishin ndërtuar natyrisht me madhësi për një person dhe disa të tjera për më shumë se një person. Ai tha se të gjitha kishin mbulesë konvekse prej betoni mbi to me një prerje horizontale për të siguruar një fushë zjarri.
  6. Do ju dërgoj një letër të shkurtër mbi raportimin e kësaj situate dhe një kopje të listës së diplomatëve në Tiranë për FCO.

                                                                                                                                     I Juaji,

  1. Ward

-62-

ENO 015/3                                                                                                29 qershor 1981

Vizita e gazetarëve të huaj në Kosovë

 

  1. Michael Battey i “Reuters”, më ka treguar gjatë një dreke të premten më 26 qershor mbi vizitën e tij të fundit në Kosovë së bashku me gazetarë të tjerë të huaj.
  2. Battey tha se vizita e tyre ishte organizuar mirë dhe se gazetarët kishin qenë të lirë për të lëvizur nëpër Prishtinë pas përfundimit të programit të ditës së parë. Përshtypja e tij ishte se masat e sigurisë ishin ende të dukshme dhe ruanin një profil shumë të lartë. Forcat e policisë patrullonin qytetin me helmeta çeliku në kokë dhe kallashnikovë mbi supet e tyre. Forcat e Ushtrisë Popullore Jugosllave shiheshin jashtë Ministrisë dhe ndërtesave të tjera të rëndësishme. Ndërkohë që ecte nëpër Prishtinë, ai vuri re se kinematë ishin ende të mbyllura dhe se e vetmja zbavitje e hapur ishte pista e lojës me gjyle; megjithatë, rruga kryesore ishte e mbushur me njerëz në mbrëmje dhe gazetarët të cilët e njihnin Prishtinën dalluan diçka që nuk e kishin parë kurrë më parë. Ai vuri re policë jashtë orarit të punës që dukeshin të relaksuar, duke qeshur e bërë shaka, por, Battey vazhdonte, ata ishin një tufë gangsterësh me fytyra të rënda kur ishin në shërbim. Ai tha se kishte parë shumë aktivitet përreth Aeroportit të Prishtinës me avionë ushtarakë Mig-19 që praktikonin fluturime të ulëta mbi qytet dhe më pas zbritje dhe fluturime në aeroport. Ai kishte dëgjuar se gjatë revoltave në fillim të prillit, Forcat Ajrore ishin angazhuar për të bërë fluturime të shkurtra mbi demonstruesit me shpejtësi supersonike, me sa duket për t’i frikësuar ata më këtë uturimë sonike. Battey pa 3 tanke të vendosur në anë të lumit në rrugën për në Beograd. Ai tha se kishte policë të armatosur në të gjitha rrugët që të çonin në Prishtinë të cilët kryenin kontrolle në vend të automjeteve që hynin. Gjatë vizitës gazetarët shkuan tek Patriarkana në Pejë e cila ruhej nga roje të armatosura. Murgeshat aty thanë se kishin kërkuar mbrojtje pasi bandat e të rinjve që endeshin kishin krijuar shqetësime jashtë Patriarkanës, por që këto ngjarje nuk kishin qenë serioze.
  3. Gjatë kohës që ishin në Prishtinë, gazetarët ndoqën një konferencë për shtyp që po jepte një anëtar i Kryesisë së Kosovës, i cili midis të tjerash, foli për diferencimin, dhe tha se ky proces do të ishte i ngadaltë, metodik dhe i plotë, por kur Battey e pyeti “kush vendosi aktualisht sekush ishte përgjegjës?, A ishte ky një rast ku personat përgjegjës gjykonin personat përgjegjës?” Personi nga Kryesia të cilit iu drejtua pyetja u vu në siklet, ishte tejet bishtnues dhe në fund nuk iu përgjigj pyetjes. Battey e pyeti gjithashtu “si është e mundur që informacioni për eksodin e serbëve dhe malazezëve nga Kosova sapo është bërë i njohur kur dihet gjerësisht se një gjë e tillë ndodh prej vitesh?”. Përgjigja e tij ishte përsëri shumë e paqartë dhe Battey e përsëriti pyetjen e tij dhe më pas e pyeti se pse udhëheqja e Kosovës nuk kishte dijeni që kjo dukuri po ndodhte. Battey më tha se ai asnjëherë nuk mori përgjigje të kënaqshme për pyetjen e tij.
  4. Battey kishte përshtypjen se të gjithë udhëheqësit shqiptarë në Kosovë, me të cilët ai kishte folur, ishin në pozita shumë mbrojtëse për sa i përket përgjigjeve të tyre dhe ngjarjeve të marsit dhe prillit; kjo e kishte bërë atë të arrinte në përfundimin se ata ishin shumë nacionalistë. Gjithashtu, sipas mendimit të tij, duke pasur parasysh mungesën e njerëzve të posteve të larta në radhët e atyre që ishin spastruar, ai kishte përshtypjen se kjo i jepte besueshmëri historisë që mundësia e ngjarjeve të tilla në Kosovë dihej që më parë, dhe në njëfarë mase këto ngjarje kishin ndodhur me bashkëpunimin e heshtur, në mos mbështetjen aktuale të këtyre udhëheqësve. Ai gjithashtu mësoi se kishte një dallim të qartë midis mënyrës se si Kosova i shikonte gjërat dhe mënyrës se si Jugosllavia i shikonte ato. Në këtë pikë, përshtypja e tij ishte se Kosova kishte ndër mend t’i bënte gjërat sipas mënyrës së vet dhe se ai mendonte që kishte një shkallë të qartë konsolidimi në radhët e udhëheqjes.
  5. Gjatë informimit të përgjithshëm në Prishtinë, gazetarëve u ishte thënë se situata në Krahinë ishte tashmë shumë e qetë dhe se masat ende në forcë të sigurisë mund të hiqeshin shumë shpejt.

                                                                                                                                    J Ward

-63-

Konfidenciale

                                                                                                              Ambasada britanike

                                                                                                                                Beograd

                                                                                                                          1 korrik 1981

Përmbledhje

Kosova

 

  1. Një vlerësim i mëtejshëm i Krahinës së trazuar (paragrafi 1).

Ngjarjet

  1. Situata e sigurisë mbetet e pasigurt. Të huajt nuk lejohen të vizitojnë këtë zonë, përveçse nën mbikëqyrje të rreptë. Vazhdojnë rrëmujat në shkallë të vogël, ku përshihet reaksioni antishqiptar në Serbi. Programi politik për aksion zbatohet në rezistencë aktive dhe pasive dhe zhvillohet ngadalë. Marrëdhëniet me Shqipërinë janë përkeqësuar më tepër pas një shpërthimi me bombë në Ambasadën jugosllave në Tiranë; polemikat publike kanë vijuar; lidhjet kulturore janë ndërprerë (paragrafët 2-5).

Implikimet

  1. Aftësia e vazhdueshme e nacionalistëve për të vepruar tregon një shkallë të gjerë simpatie, në mos mbështetjeje. Edhe nivelet më të larta të Partisë Krahinore nuk kanë dhënë asnjë shpjegim bindës për gabimet e tyre ndoshta sepse dashur pa dashur ata kishin inkurajuar idenë e statusit të Republikës. Popullsia joshqiptare lokale dhe autoritetet në Beograd ishin në dijeni të kësaj, por iu shmangën ballafaqimit. Tani vetë shqiptarët kishin provokuar një situatë të tillë, e mbase këtu mund të trajtohen disa aspekte tabu të Kushtetutës, por pa ndryshuar statusin e Kosovës (paragrafët 6-7).
  2. Media e rriti lirinë e vet për raportimet në lidhje me Kosovën. Ka njëfarë kriticizmi formal për sensacionalizëm. Shtypi është i vendosur për të ruajtur dhe zgjeruar të drejtën e vet për të raportuar (paragrafi 8).
  3. Kosova ka mbërthyer disa nga forcat e sigurisë së Jugosllavisë që kanë ndikuar në aftësinë e përgjithshme mbrojtëse të saj dhe ka ngritur pikëpyetje për besueshmërinë e njësive territoriale lokale shqiptare (paragrafi 9).
  4. Një vështrim i ri po i jepet planit 5-vjeçar të zhvillimit të Kosovës. Por shkalla e lartë e lindjeve dhe ekzistenca e një sistemi të pabalancuar të arsimit bën të pamundur ndonjë përmirësim dramatik të ekonomisë së saj (paragrafët 10-11).
  5. Jugosllavët janë të shqetësuar se Shërbimi i Fshehtë Inteligjent Rus dhe ai Bullgar nuk janë duke lënë pas dore Kosovën si objektiv i mundshëm. Disa jugosllavë thonë se Shqipëria duhet të inkurajohet që të dalë nga izolimi i saj para se elementët prosovjetikë të shfaqen në epokën pas Hoxhës, por e shikojnë si të padobishëm për momentin çdo gjest të tepruar ndaj Shqipërisë.

Përmbledhje

  1. Kosova ka pasur efekte pozitive dhe negative. Në aspektin afatshkurtër, do të rikthehet stabiliteti megjithëse mund të priten trazira sporadike. Qetësia që ekziston pas vdekjes së Titos në Jugosllavi është tronditur rëndë dhe në aspektin afatgjatë do të jetë më e pasigurt.

-64-

Konfidenciale

Rt. Hon Lord Carrington KCMG MC                                                   Ambasada britanike

Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit                                                                   Beograd

Londër S W 11 korrik 1981

Kosova

Shkëlqesia Juaj,

  1. Në letrën time të datës 24 prill, kam dhënë një përshkrim të trazirave në Kosovë në mars dhe fillim të prillit 1981. Që atëherë, është ndërmarrë një program politik për aksion për të spastruar nacionalistët lokalë shqiptarë dhe për të rivendosur rendin në një krahinë ende të trazuar nga rrëmujat në shkallë të vogël. Ndërkohë, marrëdhëniet me Shqipërinë janë përkeqësuar më tej dhe Jugosllavia shfaqi shqetësimin e saj për përfshirje të mundshme të sovjetikëve. Në këtë letër, kam bërë një pasqyrë të rendit të ngjarjeve dhe kam analizuar implikimet e tyre për të ardhmen e Jugosllavisë.

Ngjarjet

Gjendja e sigurisë

  1. Më shumë se tre muaj pas demonstratave të para të zhvilluara nga studentët e Universitetit të Prishtinës, gjendja e sigurisë mbetet aq e pasigurt saqë të huajt nuk lejohen ende të hyjnë në këtë Krahinë, përveçse me marrëveshje të veçantë dhe nën mbikëqyrje të rreptë. Hyrja e diplomatëve është plotësisht e ndaluar; gazetarët mund të vizitojnë vendin vetëm në grupe të kontrolluara me kujdes; dhe madje turqit të cilët e kanë origjinën në Kosovë, por që aktualisht banojnë në Turqi nuk lejohen që të vijnë në këtë krahinë për të vizituar të afërmit e tyre. Zyrtarët jugosllavë këmbëngulin që kufizimet bëhen për arsye sigurie, gjë që në pamje të parë është një pranim i trishtuar për një vend që krenohet për sigurinë e tij. Realiteti është ndoshta disi më ndryshe: autoritetet qendrore duan qartazi të minimizojnë rrezikun e përfshirjes së huaj me nacionalistët.
  2. Në këtë mënyrë, është e vështirë të përftohen informacione drejtpërdrejt të besueshme mbi situatën në Kosovë prandaj duhet të bazohemi kryesisht në burime publike. Këto burime, nxjerrin në pah në mënyrë gjithnjë e më të detajuar shkallën e shtrirjes dhe thellësinë e shqetësimit. Pas dhunës që pasoi në fillim të prillit, pati një përgjumje deri në fund të muajit, kur raportet flisnin për akte të ndryshme të provokimit nacionalist, duke përfshirë përpjekjet për të organizuar demonstrata të reja gjatë festimeve të 1 majit. Pas disa ndërprerjeve të zhurmshme, Universiteti i Prishtinës dukej sikur do të shpërthente përsëri, prandaj nga mesi i muajit maj, studentët u dërguan në shtëpi 10 ditë para përfundimit të semestrit. Kjo lëvizje mund të ketë ndikuar vetëm në përhapjen e problemit, pasi nga shumë qytete përreth dhe më tej në zonat e banuara nga shqiptarët në periferi të Kosovës, me gjithë sigurimin e rreptë, raportet flisnin për incidente që përfshinin shkrimin e parullave, pamflete në qarkullim, kërcënime dhe dhunën e ushtruar ndaj shqiptarëve. Në disa pjesë të Serbisë, pati raporte mbi dëmet që i janë shkaktuar pronave të shqiptarëve dhe shfaqjen e parullave antishqiptare. Zërat për përleshje të armatosura nuk ishin të vërtetuara, por milicia speciale dhe njësite ushtarake janë instaluar në këtë zonë, ndoshta për shkak se forcat lokale nuk ofrojnë shumë mbështetje dhe gjithashtu për shkak se autoritetet qendrore nuk po lënë asgjë në dorë të fatit.

Situata politike

  1. Situata politike gjithashtu po normalizohet shumë ngadalë. Po has në vështirësi Programi i aksionit i shpallur nga Kryesia e Kosovës, sipas të cilit Partia dhe organizata të tjera duhej të spastronin të gjithë ata që kishin marrë pjesë në demonstrata apo kishin mbështetur nacionalistët në çfarëdo mënyre. Shtypi raportonte shembuj të shumtë të rezistencës aktive dhe pasive, që varionin nga refuzimi i plotë deri në bindjen ndaj direktivave të Partisë, nëpërmjet shmangies së hapur të përgjegjësisë nga zyrtarët bashkiakë dhe partiakë, në dorëheqjet e vonuara dhe shumë ngurruese të një grupi figurash drejtuese në udhëheqje dhe Universitet. Megjithatë, mbi 400 anëtarë më pak të rëndësishëm të Partisë janë përjashtuar dhe shumë të tjerë janë paralajmëruar, shumë mësues dhe nxënës janë përjashtuar nga shkollat, qindra studentë kanë humbur bursat e tyre dhe akomodimin, dhe një numër më i vogël punëtorësh kanë humbur punën e tyre. Përveç gjyqeve të publikuara të tre nacionalistëve nga komuniteti shqiptar në Maqedoni, një drejtësi e shpejtë, por e heshtur duket se ka dhënë dënimin për 500 veta dhe procedurat janë gati kundër 150 të tjerëve. Dëmi fizik është vlerësuar të jetë rreth 150,000£, megjithëse humbjet e shkaktuara nga dëmet e personave të paregjistruar deri te pasuritë e pasiguruara si dhe humbjet në prodhim duhet të tregojnë kosto shumë më të lartë të dëmeve të tilla.

Marrëdhëniet me Shqipërinë

  1. Një shpërthim misterioz “me bombë” në Ambasadën jugosllave në Tiranë, më 23 maj, shënoi përkeqësimin e marrëdhënieve, e po kështu akuzat e jugosllavëve ndaj ambasadorit shqiptar për përfshirjen e tij personale në aktivitete subversive në Kosovë, p.sh. në krijimin e “troikës” ilegale. Polemikat publike vazhduan pa reshtur, ku shqiptarët bënin justifikime historike mbi statusin e Republikës për Kosovën, dhe jugosllavët publikonin aspektet më të këqija të jetës në Shqipëri, veçanërisht ndikimin në minoritetin Maqedonas dhe Malazez në këtë vend. Jugosllavët vazhduan të akuzonin shqiptarët për ndërhyrje flagrante në çështjet e brendshme, dhe e hidhnin fjalën te influencat e jashtme për ngjarjet në Kosovë. Natyrisht, siç kanë dëshmuar jugosllavët, Tirana ka përdorur me efektivitet marrëdhëniet kulturore dhe arsimore për të nxitur nacionalizmin shqiptar në Kosovë. Por, Beogradi nuk ka paraqitur ende asnjë provë të saktë të aktivitetit subversit të drejtuar nga Tirana. Po kështu jugosllavët nuk kanë lejuar që situata të përkeqësohej deri në atë masë sa të prishte apo pezullonte marrëdhëniet me Shqipërinë. Në vend të kësaj, ata kanë marrë një numër masash praktike, p.sh., pezullimi i marrëveshjeve kulturore midis Kosovës dhe Shqipërisë dhe nxitja e transmetimit në radio nga Prishtina në përpjekje për të kundërshtuar influencën ideologjike të Tiranës në këtë Krahinë. Linja zyrtare e interpretuar në nivelin më të lartë federal ishte se Jugosllavia vazhdon të kërkojë marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunim me Shqipërinë, por që këtej e tutje në terma të barazisë dhe reciprocitetit të rreptë. Të gjitha marrëveshjet me Shqipërinë do të bëhen në nivel federal, d.m.th. nivel ndërshtetëror, dhe jo nëpërmjet protokolleve të negociuara në nivel lokal.

Implikimet politike të brendshme

  1. Trazirat e vazhdueshme dhe rezistenca ndaj procesit të “diferencimit”, siç quhet spastrimi, i veshi në mënyrë elokuente me gënjeshtër pretendimet e udhëheqësve të Partisë se trazirat ishin vepër e një pakice, mbeturina të borgjezisë së vjetër, Kominternit dhe bashkëpunëtorëve fashistë, të cilët kishin shumë pak të përbashkëta me masat e gjera të popullit. Nacionalistët vazhdonin të vepronin me pandëshkueshmëri të dukshme në disa zona dhe për këtë arsye duhet të kenë pasur një masë të gjerë simpatie, në mos mbështetjeje. Kjo reflektohet keq në qëndrimin e Partisë në bazë dhe aftësinë dhe gatishmërinë e saj për t’iu përgjigjur direktivave nga lart të Partisë. Me rëndësi më të madhe është rezistenca në nivelet më të larta të Partisë, veçanërisht dështimi nga ana e udhëheqjes së Kosovës për të dhënë ndonjë shpjegim bindës për gabimet e bëra, të cilat ia ka atribuar mungesës së vëmendjes, vigjilencës dhe informimit, deri te oportunizmi i individëve, e kështu me radhë. Asnjë nga ato pak shqiptarë drejtues të cilët, nën presion të madh dhe me ngurrim të dukshëm deri tani kanë dhënë dorëheqjen, nuk e ka pranuar fajin e tij publikisht.
  2. Shpjegimi i vërtetë është pothuaj i sigurt se ata dhe shqiptarë të tjerë në udhëheqjen e Kosovës, dashur pa dashur, kanë inkurajuar rritjen e nacionalizmit shqiptar duke pretenduar në mënyrë të qëndrueshme për Kosovën të gjitha atributet e pavarësisë nga Serbia. Ideja e statusit të Republikës për Kosovën kishte fituar në këtë mënyrë përhapje të gjerë dhe një shkallë miratimi zyrtar; megjithëse udhëheqja nuk përparoi me kërkesat për bashkim me Shqipërinë, ka të ngjarë që ata i pëlqenin synimet e atyre të cilët kërkonin që Kosova të bëhej Republikë. Pjesa joshqiptare e udhëheqjes, të cilët nuk kishin si të mos e dinin se çfarë po ndodhte – pasi, siç e ka zbuluar edhe shtypi, lidhjet formale me Serbinë po injoroheshin haptazi në të gjitha mënyrat – ose kishin frikë të flisnin hapur ose, ajo që ka më shumë të ngjarë, u është thënë nga autoritetet në Beograd që të mbanin gojën mbyllur. Këto autoritete ishin paralajmëruar nga Kardelj në vitin 1977 se situata ekonomike dhe politike në Kosovë ishte e keqe dhe se një kundërrevolucion po gatuhej, por ata zgjodhën që të mbanin fshehur vlerësimin e tij, me sa duket për të shmangur provokimin e një përballjeje me shqiptarët e Kosovës duke ndërhyrë në çështjet e tyre të brendshme.
  3. Meqenëse vetë kosovarët kanë provokuar përballjen, ka mundësi që të trajtohen një numër çështjesh të hapura në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë. Marrëdhënia kushtetuese është e mbushur me paqartësi dhe anomali, që rezultojnë nga shpresa fillestare se tre pjesët përbërëse të Serbisë do të bashkëveprojnë së bashku në frymën e vullnetit të mirë, gjë që siç rezultoi, ishte më e dallueshme për mungesën e një fryme të tillë. Siç më tha kryetari i Gjykatës Kushtetuese: rruga për në ferr është shtruar me qëllime të mira! Ai vazhdoi më tej duke e bërë absolutisht të qartë se nuk mund të kishte asnjë ndryshim në statusin e Kosovës, meqenëse shqiptarët e Kosovës përbënin vetëm një minoritet etnik të një populli që jeton në një vend fqinj dhe për rrjedhojë nuk barazohej me “kombet” e tjera në mazhorancë të Jugosllavisë të cilat kishin të drejtën kushtetuese të shtetit si republika brenda federatës. Do të ishte absurde, ai tha, që minoriteteve t’i jepej statusi i shtetit, dhe të tilla pakica, shtetet e të cilave ndodhen jashtë Jugosllavisë, ka shumë në Jugosllavi. Për më tepër, një gjë e tillë do t’i hapte rrugën shkëputjes së tyre dhe bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, duke minuar në këtë mënyrë integritetin territorial të Jugosllavisë.
  4. Me interes të gjerë është efekti i jashtëzakonshëm që ka pasur Kosova për lirinë e informimit. Edhe televizioni, i cili fillimisht ka mbetur mjaft prapa shtypit në pasqyrimin e Kosovës, i është përgjigjur me entuziazëm licencës për të hetuar gabimet e kryera aty. Kohët e fundit, udhëheqja serbe është ndjerë e detyruar të kërkojë një qasje më shumë konstruktive dhe më pak selektive nga media, sepse ishte haptazi e alarmuar nga mënyra se si media, veçanërisht shtypi i ilustruar i Beogradit, sensibilizonin në veçanti gjendjen e serbëve në Kosovë, duke nxitur në këtë mënyrë gjithnjë më shumë shpërngulje dhe duke provokuar një reagim të ashpër të serbëve. Gazeta politike e përjavshme “NIN” hodhi poshtë me vendosmëri këto paralajmërime dhe mbështeti vazhdimin e qasjes së vet kritike “pa ekzagjerim, lustrim dhe fshehje”. Megjithëse pasqyrimi i detajuar i ngjarjeve dhe komentet kritike kufizohen në masë të madhe me temën e miratuar të Kosovës, nuk ka të ngjarë që kjo situatë të përfundojë këtu. Në të vërtetë, shtypi është duke iu referuar shembullit të Kosovës për të justifikuar kërkesat e publikut që të marrë informacione në kohë, të plota dhe të sakta për tema të tjera.

Siguria

  1. Ekzistojnë dy aspekte të implikimeve të ngjarjeve të Kosovës për sigurinë jugosllave. Së pari, është e arsyeshme të supozohet se Kosova përbën një shterim për burimet mbrojtëse të Jugosllavisë dhe duhet të ketë të paktën një farë efekti të dëmshëm në aftësinë e përgjithshme të mbrojtjes, megjithëse kjo mund të jetë e përkohshme. Ekzistojnë gjithashtu efekte në doktrinën ushtarake mbizotëruese të Mbrojtjes së të Gjithë Popujve. Tani lind pyetja, se deri në çfarë mase populli i Kosovës mund të mbështetet në njësitet e veta territoriale lokale dhe organizatat e tjera para-ushtarake për të mbrojtur Krahinën e tyre, dhe Federatën, kundër një armiku të jashtëm? Shumë shqiptarë lokalë qartazi nuk i shikojnë “vëllezërit” e tyre nga Shqipëria si armiq. Në mënyrë të pashmangshme, informacionet për sigurinë është vështirë të merren.

Aspekti ekonomik dhe social

  1. Menjëherë pas demonstratave të prillit, Qeveria e Kosovës ndërmori hapin befasues, duke marrë parasysh situatën, që është miratimi i planit të saj pesë-vjeçar. Pak më vonë u mor vesh se ajo e kishte tërhequr planin për rishqyrtim, me sa duket pas paraqitjes nga ana e republikave donatore të mënyrës se si janë shpërndarë ndihmat për zhvillim në industritë me kapital intensiv dhe punimet madhështore publike në vend të përqendrimit në bujqësi dhe industritë prodhuese të punës intensive. Pasojat e këtij ndryshimi janë të rëndësishme për të trajtuar problemin e rëndë të papunësisë në Krahinë, burimin e të paktën një pjese të ankesave të disa prej demonstruesve.
  2. Kosova nuk mund të presë ndonjë përmirësim dramatik në ekonominë e saj për sa kohë që vuan nën barrën e përqindjes së lartë të lindjeve dhe një sistemi arsimor të drejtuar keq. Kërkesa për më shumë punë për gratë do të ndihmonte për të ulur përqindjen e lindjeve. Qëllimi i shpallur kohët e fundit për t’i drejtuar studentët drejt studimeve që do t’i kualifikonin për nevojat ekonomike të Krahinës, është një hap në drejtimin e duhur. Kjo lëvizje jep shpresë se mund të formojë një pjesë të një reforme më të gjerë arsimore sepse disproporcioni midis numrit të studentëve që studiojnë lëndë “joproduktive” dhe ato “produktive” është shumë i madh në të gjitha institucionet e arsimit të lartë të Jugosllavisë. Për më tepër, i gjithë sistemi është i mbingarkuar me një numër shumë të madh studentësh, shumë prej të cilëve nuk janë diplomuar në Prishtinë, që përbëjnë një masë prej 50%.

Aspekti ndërkombëtar

  1. Deri më sot, konflikti midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë për çështjen e Kosovës nuk ka përfshirë asnjë palë të tretë. Megjithëse shqiptarët e kanë interpretuar heshtjen virtuale të rusëve për këtë çështje si provë të bashkëpunimit të këtyre të fundit në atë që e përshkruajnë si një komplot i Serbisë së Madhe/Rusisë kundër Shqipërisë, jugosllavët nuk kanë arritur në këtë joshje të veçantë. Por, disa jugosllavë të mirënjohur, përfshirë Ministrin e Jashtëm, kanë pranuar privatisht shqetësimin se Shërbimet e Fshehta ruse dhe bullgare nuk po neglizhojnë që të gjuajnë në ujëra të turbullta dhe madje mund të kenë ndonjë kontakt indirekt me Shërbimet e Fshehta shqiptare përmes organizatave të shumëllojshme shqiptare të emigrantëve jashtë vendit, të cilat kanë qenë aktive në demonstrimin e mbështetjes së tyre për opozitën në Kosovë. Me gjithë humbjen e vëmendjes në Poloni dhe Afganistan, thuhet se rusët nuk mund të anashkalojnë objektivin e mundësisë së paraqitur nga Kosova për të minuar stabilitetin e Jugosllavisë. Disa zyrtarë jugosllavë kanë argumentuar se kjo situatë e bën akoma më shumë urgjente nevojën që Jugosllavia dhe vendet e tjera të interesuara për integritetin e Jugosllavisë duhet të përpiqen të nxjerrin Shqipërinë nga izolimi para se të vijnë në krye elementët prosovjetikë pas epokës së Hoxhës. Por, zyrtarë të tjerë kanë shprehur shqetësimin për demonstrimet e tepërta të miqësisë për Shqipërinë në periudhën aktuale gjë që haptazi do të shikohej si e padobishme nga Jugosllavia.

Përmbledhje

  1. Kështu, ngjarjet në Kosovë patën një efekt të përzier në zhvillimet e këtij vendi. Në aspektin pozitiv, këto ngjarje i dhanë udhëheqjes së përbashkët një impuls të ri për të qëndruar të bashkuar dhe për të mbrojtur integritetin e Jugosllavisë. Gjithashtu, këto ngjarje kanë bërë që autoritetet qendrore të rishikojnë zhvillimin social dhe ekonomik të Krahinës së bashku me kontributet që i janë bërë Kosovës nga Republikat e tjera. Shpërthimi i medies për të raportuar mbi Kosovën përbën një hap përpara në zhvillimin më të gjerë demokratik të vendit. Gjithashtu, ripohimi i kontrollit federal mbi marrëdhëniet me Shqipërinë duhet të sigurojë një bazë më të shëndoshë për politikën e fqinjësisë së mirë të Jugosllavisë. Megjithatë, në aspektin negativ këto ngjarje i kanë dhënë goditjen e parë të rëndë një prej trashëgimive më të mëdha të Titos, d.m.th. “vëllazërisë dhe unitetit” që përbëjnë gurin themelor të Federatës. Kështu, jo vetëm që në Kosovë u rizgjua forca përçarëse e nacionalizmit, por, si një reagim ndaj shprehjeve të dhunshme të ndjenjave shqiptare kombëtare, ka pasur një rigjallërim edhe të ndjenjave serbe. Ngjarjet kanë treguar gjithashtu se sa e përciptë është influenca e Partisë në Kosovë, ku populli duket se është më shumë i frikësuar sesa bashkëpunues dhe udhëheqja lokale është qartazi në mosmarrëveshje me Beogradin.
  2. Çfarë do të ndodhë në të ardhmen? Udhëheqja qendrore vazhdon të ndjekë një kurs tejet të ekuilibruar: me durim por me vendosmëri duke ripohuar kontrollin e saj dhe ndërkohë duke vazhduar politikat e saj të zhvillimit. Mendoj, se thjesht me anë të përpjekjeve, ajo do të shtypë forcat përçarëse në Kosovë dhe do ta kthejë Krahinën në gjendjen e saj të qëndrueshme si më parë. Por, natyrisht që do të ketë më shumë shpërthime sporadike, mundet edhe terrorizëm, dhe, në një periudhë afatgjatë, mund të ketë më shumë trazira serioze nëse kërkesat e kosovarëve për statusin e republikës nuk përmbushen në njëfarë mënyre. Kjo, pasi fakt është se nacionalizmi shqiptar është i rrënjosur thellë dhe, si rezultat i përqindjes së tyre të lartë të lindjeve, të plotësuar nga emigrimi i vazhdueshëm i serbëve dhe malazezëve, shqiptarët mund të përbëjnë afërsisht njëzet vitet e ardhshme, jo më 78% të popullsisë që përbëjnë aktualisht, por pothuaj 100% të banorëve të Krahinës. Gjithashtu, ekziston edhe mundësia që të ndërhyjnë forcat e jashtme. Shqipëria padyshim që do të vazhdojë propagandën dhe subversionin, të cilat do të forcoheshin nëse një regjim më i moderuar pason atë të Enver Hoxhës: Jugosllavia do të ketë vështirësi që të neutralizojë këto aktivitete, por duhet të jetë në gjendje të kufizojë efektet e tyre përçarëse. Bashkimi Sovjetik mund të përpiqet që të shfrytëzojë këto pakënaqësi: megjithatë, nuk ekziston asnjë shenjë aktuale për këtë. Por, çfarëdo që të sjellë e ardhmja në këtë drejtim, ngjarjet në Kosovë kanë trazuar fuqishëm zhvillimin e qëndrueshëm dhe paqësor që pasoi vdekjen e Titos majin e kaluar.
  3. Një kopje të këtij informacioni po ia dërgoj Përfaqësuesve të Madhërisë së Saj në Athinë, Bon, Bukuresht, Budapest, Paris, Romë, Sofje dhe Uashington, Përfaqësuesit të Përhershëm të Mbretërisë së Bashkuar në Këshillin e Atlantikut të Veriut dhe Konsullit të Përgjithshëm të Madhërisë së Saj, në Zagreb.

                                                                                                                I Juaji besnikërisht,

  1. Bolland

  

-65-

Konfidenciale

  1. E. Montgomery Ambasada britanike

EESD                                                                                                               Beograd

FCO 13 korrik 1981

I nderuar Alan,

Kosova: përgjegjësia politike

Përmbledhje

  1. Shtypi i Beogradit gjatë dy javëve të fundit ka vazhduar presionin ndaj udhëheqjes së Kosovës që të pranojë përgjegjësinë për rritjen e nacionalizmit shqiptar. Disa nga historitë e brendshme për udhëheqjen duket se kërkojnë një lloj reagimi, p.sh., dorëheqje të tjera, por deri tani njerëzit e interesuar presin rastin e volitshëm. Megjithatë, duket se presioni publik ka arritur që të sigurojë publikimin e vlerësimit “sekret” të Kardelj mbi situatën në Kosovë në vitin 1977.

Detaje

  1. Shtëpia botuese e gazetës “Politika”, e cila përfshin gazetën “NIN”, ka vazhduar me presionin e saj të rreptë për t’i kërkuar llogari udhëheqjes politike në Kosovë. Në një sulm për këtë çështje, të dyja gazetat “Politika” dhe “NIN” të datës 28 qershor shqyrtuan mënyrën se si po vijonte procesi i diferencimit në Kosovë. Politika e shprehu çështjen hapur: “Si është e mundur që pas çdo gjëje që ka ndodhur, njerëzit mbeten në pozicione përgjegjëse të cilët, për faktin e thjeshtë se janë në krye të institucioneve me influencë, mbajnë përgjegjësinë më të madhe për institucionet në Kosovë?” Gazeta “Politika” dha përgjigjen në vijim: “Në situatën aktuale, ku pushteti është uzurpuar, vendimet janë lënë në dorë të një rrethi të vogël njerëzish dhe përgjegjësia e tyre varet vetëm nga vetëndërgjegjja e tyre. Vetëm ata mund të emërojnë dhe pushojnë nga puna veten e tyre… Mungesa e kritikës dhe vetëkritikës në udhëheqje është një barrë e rëndë për diferencimin në Kosovë”. Gazeta “NIN” bëri një analogji ndërmjet mënyrës se si po kryhej procesi i diferencimit dhe spastrimit të radhëve duke filluar nga poshtë-lart. Pas një analize që ishte bërë në një numër komunash, gazeta arriti në përfundimin se procesi po ecte shumë ngadalë për shkak të mungesës së një udhëheqësi të një niveli më të lartë. Gazeta “NIN” kërkoi një koment për këtë nga një anëtar (shqiptar) i Kryesisë së Kosovës, Pljakiç, i cili tha: “kemi vlerësuar LK-në në tërësi, dhe veçanërisht udhëheqjen dhe organizatat në Kosovë, si përgjegjëse, por kjo nuk do të thotë që udhëheqja të japë dorëheqjen në mënyrë kolektive, për arsye se shkalla e përgjegjësisë objektive të individit ndryshon. Përgjegjësia individuale do të konfirmohet në fazën tjetër të veprimit”. Gazeta “NIN” u shpreh se të gjithë pyesnin se pse kjo fazë nuk kishte filluar.
  2. Shtypi gjithashtu theksoi me ironi fatin e një njeriu i cili pati guximin t’i dërgonte një telegram Kryesisë së LKJ-së, në të cilën ai shprehte mbështetjen për masat e marra kundër nacionalistëve në Kosovë dhe gjithashtu shprehte pikëpamjen se disa udhëheqës kosovarë, në veçanti Bakalli, mbanin përgjegjësi. Ai u dërgua në burg për 60 ditë për gënjeshtrat “duke dëmtuar organet social-politike, të tilla si Komiteti Krahinor [i LK-së]”! Megjithatë, kjo nuk e ka penguar gazetën “NIN” që të publikojë më 12 korrik dy kritika të detajuara të udhëheqjes së Kosovës.
  3. Profesor Halit Terrnavci, i cili drejton Katedrën e Gjuhës Shqipe pranë Universitetit të Beogradit dhe është kosovar, mori pjesë vullnetarisht dhe kreu intervista pranë “NIN” rreth çështjeve të ndryshme “të pahapura” në procesin e normalizimit në Kosovë. Ai përdori një gjuhë të fortë për udhëheqjen e Kosovës e cila ka vlerë të përsëritet fjalë për fjalë: “Si mund të presim normalizim në Kosovë kur të njëjtit njerëz në pozicione drejtuese, kundër të cilëve thuhet në programin e masave të LKK-së se kohët e fundit kanë vepruar në mënyrë liberale dhe oportuniste, po zbatojnë aktualisht diferencimin? Objektivi i tyre i qartë është t’i kalojnë çështjet në heshtje… Thjesht nuk besoj se situata në Kosovë do të mund të kapërcehet pa një vlerësim të qartë të përgjegjësive individuale të të gjithë kuadrove drejtues të Krahinës… Është kaq absurde që ne i kërkojmë drejtorëve të firmave ose shkencëtarëve, të cilët janë kompromentuar, të lënë punën, ndërkohë që ata të cilët e miratuan punën e tyre janë ende në krye të zonave më të ndjeshme në jetën e Krahinës.”
  4. Ai më tej trajtoi çështjen e nepotizmit në nivelet më të larta: “Është thjesht e pabesueshme se sa shumë është ndërlidhur një pjesë e shtresës më të lartë politike dhe intelektuale… Është një klan i tërë në të cilin njëri mbron tjetrin, jo për arsye ideologjike ose nacionaliste, por për të mbrojtur interesat familjare.”
  5. Profesor Terrnavci konkludoi: “Prandaj besoj se LKJ-ja duhet të flasë hapur dhe qartë për ngjarjet dhe përgjegjësitë konkrete mbi të gjitha të komunistëve kosovarë; përndryshe situata do të mbetet e vështirë… Është e vështirë vetëm për aq kohë sa nuk flasim hapur dhe është krijuar përshtypja se disa njerëz duan që t’i kalojnë çështjet në heshtje”.
  6. Kjo është një kritikë shumë e fuqishme por artikulli në vijim i “NIN” e preku më në thelb çështjen. Kontributin nuk e dha ndonjë gazetar, por Milija Kovaçeviç (serb), i përshkruar si delegat nga Kosova dhe kryetar i Komitetit të Financave të Dhomës Federative të Republikave dhe Krahinave, d.m.th. një person me rëndësi. Në një përshkrim të përpunuar me kujdes mbi krijimin e “egoizmit nacional” në Kosovë, Kovaçeviç tregoi se si “armiku i klasës” ishte në gjendje të shfrytëzonte kushtet politike për të depërtuar në LKK në një numër të konsiderueshëm njerëzish. Përpjekje e veçantë u bë për të depërtuar në medien e Kosovës, gjë që shpjegonte heshtjen e këtyre njerëzve për “ngjarje të ndjeshme dhe komprometuese” në radhët e tyre si dhe përpjekjet për të mbajtur medien akoma më larg këtyre ngjarjeve. Përkundrejt këtij sfondi, vazhdoi Kovaçeviç, “njeriu nuk mund të shmangë faktin që këto struktura [d.m.th. politikanët dhe nacionalistët], si rezultat i sjelljes së tyre, e cila nuk mund të quhet kurrsesi një gabim i zakonshëm apo pakujdesi, orientimi i tyre afatgjatë dhe nënvlerësimi prej tyre i rrezikut nga armiku, i dhanë hapësirë një situate politike, të cilën armiku e përdori për llogari të vet jo vetëm pa rrezikuar veten por madje pa asnjë pengesë.”
  7. Kovaçeviç iu kthye çështjes së mëparshme për t’i kërkuar llogari personave të përfshirë. Më duhet ta citoj atë fjalë për fjalë sepse i shpjegon kaq qartë vështirësitë aktuale në Kosovë: “Në një situatë të tillë, pjesa më e ngushtë dhe më përgjegjëse e strukturës politike, duke përfshirë mbi të gjitha individët më përgjegjës, duket se përbën bazën dhe pengesën më të vështirë. Ata theksojnë pazëvendësueshmërinë e tyre dhe vazhdojnë me këmbëngulje që t’ia kalojnë përgjegjësinë strukturave më të ulëta politike me justifikimin se LK-ja në përgjithësi kishte dobësi në punën dhe vigjilencën e saj dhe se për rrjedhojë ishte pikërisht këtu pesha kryesore e diferencimit politik. Sidoqoftë, problemi i vërtetë është se këto struktura thellësisht burokratike kanë krijuar kohët e fundit lidhje të forta me njëra-tjetrën dhe me njësitë institucionale të dobishme, nga të cilat varen të gjitha klanet me karakter të theksuar krahinor. Është e vështirë për kuadro kaq politikë që të largojnë veten nga pozicionet kryesore me vendim të tyre pasi në këtë mënyrë do t’u duhej të ndryshonin jo vetëm konceptet e tyre, në fakt sensin mbi rëndësinë e tyre, por edhe disa vendime të caktuara afat-gjata dhe të pandryshueshme që ata kanë trashëguar ose që me kalimin e kohës janë bërë pjesë e vetëdijes së tyre… Për këto arsye, është me rëndësi parësore që marrëdhëniet në hierarkinë politike, d.m.th. në udhëheqjen politike, duhet të spastrohen deri në skaj”.
  8. Kështu, në të tre artikujt mesazhi është i njëjtë, konkretisht që të gjitha elitat më të larta të Partisë duhet të largohen para se të fillojë procesi i vërtetë i normalizimit në Kosovë me njerëz të rinj, të cilët sipas Kovaçeviç janë spostuar në një linjë dytësore politike shumë kohë më parë. Deri më sot, nuk ka pasur asnjë përgjigje nga udhëheqja e Kosovës dhe politikanët federalë nuk kanë marrë asnjë pozicion publik. Megjithatë, është e vështirë të kuptojmë që, në kushtet aktuale, të mund të injorohen këto kritika të hapura dhe pa ekuivoke. Nëse duhet të ketë një riorganizim të udhëheqjes, nuk mbetet shumë kohë para kthimit të studentëve në shtator, kur cilitdo person që të jetë në krye të Kosovës, do t’i duhet të ketë krijuar një kontroll të mirë mbi situatën politike dhe atë të sigurisë.
  9. Mund të jetë krijuar njëfarë shprese se presioni publik për veprim do të triumfojë për shkak të publikimit në gazetën “Komunist”, gjatë dy javëve të fundit të vlerësimit gjer më sot të papublikuar të Kardelj mbi situatën në Kosovë sipas këndvështrimit të tij në vitin 1977 (përmendur në letrën time të datës 10 qershor). Njohja me këtë informacion ndoshta mund të kishte mbetur çështje e mbyllur nëse dy politikanët Sllovenë, Ribiçiç dhe Smole, nuk do të kishin kërkuar publikimin e këtij informacioni dhe nëse shtypi nuk do t’i kishte mbështetur ata plotësisht. Gazeta “Komunist” është duke publikuar të gjithë tekstin në formë libri së bashku me një fjalim të Titos mbajtur në Kosovë në vitin 1979 ku i paralajmëron ata për rreziqet e nacionalizmit. Ky publikim priret të krijojë një sërë pyetjesh se përse politikanët kosovarë nuk i kushtuan kujdes këtyre paralajmërimeve si dhe do t’i japë shtysë të re kërkesave që ata të mbajnë përgjegjësi për atë që ndodhi. Fakti është se pikërisht gazeta “Komunist” është ajo që mori iniciativën të publikojë miratimin e sugjerimeve në nivelin më të lartë partiak të kësaj forme të presionit publik ndaj udhëheqjes së Kosovës.

                                                                                                                                    I Juaji,                                                                                                                      Jemy T. J. Clark

Për dijeni: P. Rennie Esq

Departamenti i Kërkimit, FCO

 

 -66-

Kopje për përdorim të kufizuar

                                                                                                               Ambasada britanike

                                                                                                                                  Beograd

                                                                                                                       15 korrik 1981

Ngjarjet e kohëve të fundit në Maqedoni dhe Kosovë

Përmbledhje

  1. Aktiviteti nacionalist shqiptar vazhdon në Maqedoninë Perëndimore, megjithëse është shprehur më shumë në formën e veprimit përmes fletushkave, bojkoteve dhe sjelljeve të tjera në shkallë të vogël (por të përhapur) sesa përmes trazirave serioze publike. Pkërisht në Kosovë, do të merren masa kundër drejtorit të TV Prishtinës i cili është përfshirë në një incident armiqësor. Në Ferizaj gjendja e sigurisë mbetet “e ndërlikuar”, dhe një rektori i ri dhe dy zëvendësrektorë të rinj janë emëruar në Universitetin e Prishtinës. Ekonomia e Kosovës është në vështirësi të mëdha.

Detaje

Maqedonia

  1. Midis datave 2 korrik dhe 13 korrik, gazeta “Politika” përmbante raporte të manifestimeve të nacionalizmit shqiptar në pjesë të ndryshme të Maqedonisë Perëndimore. Kështu, në një mbledhje të Komitetit të Tetovës të LK-së (Lidhjes së Komunistëve) është shkruar sërish aktualisht një vlerësim i favorshëm i gjendjes politike/të sigurisë. Ishte zbuluar se 26 persona të dënuar për pjesëmarrje në demonstratat e vitit 1968 kishin rifituar vendet e punës së tyre në fushën e edukimit; në të vërtetë, disa prej tyre ishin futur sërish në Parti. Gjithashtu ishte zbuluar se në vitet e fundit pothuajse 10,000 shqiptarë nga Kosova ishin shpërngulur dhe vendosur në krahinën e Tetovës. Gjatë mbrëmjes së 8/9 korrikut, rrugët e Tetovës ishin mbushur “përsëri” me fletushka që nxisnin shqiptarët të formonin një “grupim politik” dhe në to thuhej se shqiptarët në Jugosllavi nuk kishin të drejta. Ndërkohë në Gostivar, u shfaqën parulla nacionaliste. Në Kërçovë të Maqedonisë klasat e mësimit u bojkotuan për 23 ditë. Në fshatin e Greshnicës u gris dy herë një foto e Titos. U kërcënuan zyrtarë vendas (përfshirë disa shqiptarë) të cilët ishin përfshirë në aktivitete antinacionaliste.
  2. Në përgjithësi, këto raporte paraqesin një tablo të nacionalizmit shqiptar mjaft të përhapur, megjithëse në shkallë të vogël, në Maqedoninë Perëndimore i cili është duke shqetësuar në mënyrë të dukshme autoritetet lokale. Sidoqoftë, në Maqedoni gjendja në përgjithësi duket ende “e qëndrueshme” megjithëse ndoshta jo aq “e kënaqshme” sa shprehej se ishte një muaj më parë nga kryeministri i Maqedonisë në intervistën e tij dhënë për gazetën “NIN” (letra e David Miller që është dërguar për ju më 23 korrik, paragrafi 7). Rastësisht, në një notë personale lektori i Këshillit Britanik në Shkup, më tha këtë javë se pronarët e dyqaneve dhe tregtarët e tezgave shqiptare në Shkup e kishin shumë të vështirë për të shitur ndonjë gjë, madje edhe me çmime të zbritura, ndërkohë që njerëz të kombësive të tjera po nxirrnin fitime duke vënë çmime më të larta dhe duke bërë tregti të shpejtë. Kjo situatë dukej se zhvillohej paralel me bojkotin e pronarëve shqiptarë të dyqaneve ndaj serbëve në Beograd (Letra e Klark e datës 10 qershor drejtuar Montgomerit).

Kosova

  1. Më 11 korrik gazeta “Politika” raportonte se Savan Hiseni, drejtori i TV Prishtinës, dhe Haki Dautaj, i cili deri kohët e fundit kishte qenë kryetar i Kryesisë së Konferencës Komunale të LK-së në Deçan, duhej të këshilloheshin për “sanksione më të ashpra” pas implikimit të tyre në një incident ku ishte hedhur përtokë një flamur pro Titos përpara një koncerti të organizuar nga TV Tirana. Kjo dukej një akuzë mjaft modeste për t’iu kundërvënë dhe akuzuar një figure si Hiseni, organizata e të cilit është përballë një kritike të rëndë për tendencat e saj nacionaliste, por është një organizatë që ka tërheqje emocionale popullore dhe është më e lehtë për të ndjekur penalisht këtë organizatë sesa akuzat më të gjera dhe më të çlirëta të nacionalizmit.
  2. Siç raportonte gazeta “Politika” më 6 korrik, gjendja në Ferizaj dhe përreth këtij qyteti ishte ende “e komplikuar” pavarësisht faktit që ishin identifikuar 400 pjesëmarrës në demonstrata armiqësore. Në një mbledhje të konferencës komunale lokale u bënë ankesat tashmë të njohura se “diferencimi” po zhvillohej ngadalë dhe në mënyrë joefikase. Një nga anëtarët e kryesisë së LK-së së Kosovës tha se “sjellja liberale dhe oportuniste” ishte shkaku i gjithë kësaj duke shtuar me pompozitet, por pa dobi se “ne jemi fajtorë për atë që ka ndodhur”.
  3. Në letrën time të datës 10 korrik dërguar për ju flitet për situatën e turbulluar në Universitetin e Prishtinës. Gazeta “Politika” e datës 17 qershor raportonte se është emëruar një rektor i ri (dr. Minir Dusi). Gjithashtu janë emëruar dy zëvendësrektorë, një serb dhe një shqiptar; rektori serb është zgjedhur unanimisht, megjithëse kjo kishte ndodhur pasi ai ishte “lutur” pa sukses pranë Këshillit të Universitetit që të mos paraqiste emërimin e tij për arsye shëndetësore.

Ekonomia e Kosovës

  1. Raportet se si kanë ndikuar trazirat në ekonominë e Kosovës, kanë qenë kontradiktore, por më 14 korrik gazeta “Politika” raportonte se Kryesia e Kosovës dhe Kryesia e LK-së së Kosovës kanë shqyrtuar pozitën ekonomike dhe kanë konstatuar se ajo ishte “tejet e pakënaqshme”. Objektivat e vëna për zhvillimin e Kosovës në vitin 1981 nuk po përmbusheshin, gjë që e bëri gjendjen ekonomike “shumë të ndërlikuar”. Hapat prapa në të gjitha frontet ishin veçanërisht të dukshme në periudhën pas demonstratave. Gjithashtu, është ngritur një grup pune për të përgatitur një përmbledhje të problemeve për mbledhjen e ardhshme të Kryesisë së LK-së së Kosovës. Një nga oficerët tanë i LE-së Komerciale ishte në Prishtinë javën e kaluar dhe ka mësuar se rishikimi i parashikuar i Planit 1981-1985 që është tërhequr nuk ishte asgjëkund gati dhe se do të punohej me të gjatë gjithë verës.

                                                                                                                                  I Juaji,

                                                                                                                 Charles Crawford

                                                                                                              Oficer Informacioni

 

-67-

Për përdorim të kufizuar

UK sekret

Burim delikat

  1. Broomfield,

Për dijeni: M. Rennie, Departamenti i Kërkimit                                           15 korrik 1981

 

Shqipëria

 

  1. Në vijim të shqetësimeve tona aktuale mund të dëshironi të keni në dorë draft njoftimin e JIC (në fakt drafti i tretë) që pritet të shqyrtohet nga CIG nesër pasdite. Me përjashtim të ndryshimeve të vogla të cilat i kam nënvizuar me laps, z. Montgomery dhe unë jemi në përgjithësi të kënaqur me të, megjithëse pohimi për rëndësinë e Shqipërisë është më pak tingëllues nga sa kemi shpresuar. Por, ky draft njoftim ofron një historik të përditësuar të dobishëm për:
  2. a) përpjekjet tona për të zgjidhur dallimet tona me Shqipërinë;
  3. b) raportet për shëndetin e dobët të Hoxhës;
  4. c) Kongresin e ardhshëm të Partisë këtë vjeshtë.
  5. Megjithatë, puna për draftin ka treguar qartë se sa skematike janë njohuritë tona për skenën e brendshme shqiptare. Sipas mendimit tim, mënyra më e mirë për të ndrequr këtë është që gjatë Presidencës tonë të EC-së për Grupin e Punës së Evropës Lindore, të përgatitet një studim mbi situatën në Shqipëri. Në këtë drejtim, duhet të bazohemi shumë tek francezët, italianët dhe grekët (megjithëse përshtypja ime është se ndonëse kanë misione në Tiranë, edhe ata kanë shumë pak dijeni për atë që po ndodh atje). Gjithashtu, mund të konsultohemi edhe me turqit në këtë drejtim.

                                                                                I Juaji,

  1. C. R. Gray

                                                      Departamenti Sovjetik & i Evropës Lindore

                                                           

-68-

Konfidenciale

  1. Bullard, 16 korrik 1981

Shqipëria

 

  1. Keni kërkuar një vlerësim të implikimeve të raportimeve mbi shëndetin e keq të Hoxhës.
  2. Prej disa vitesh ka pasur zëra se Hoxha është i sëmurë rëndë. Dalja e tij e fundit publike për të cilën kemi dijeni ndodhi më 1 maj të këtij viti, ku sipas italianëve ai dukej në një formë mjaft të mirë. Megjithatë, zërat e vazhdueshëm për vdekjen e tij të pashmangshme do të jenë të vërteta një ditë. Duke pasur parasysh këtë fakt dhe shqetësimet tona aktuale me përpjekjet e bëra nga ana jonë për të zgjidhur dallimet tona me shqiptarët, si departament po tregojmë më shumë interes për Shqipërinë sesa kemi pasur prej kohësh. Fryti i parë në këtë drejtim është një draft notë i JIC-së, që po përgatitet aktualisht. Paragrafët përkatës citojnë:
  3. a) Pozita e Shqipërisë i jep asaj një rëndësi të pabarabartë me madhësinë dhe pozicionin e saj ndërkombëtar. Rusët kanë arsye të qartë ideologjike për t’i sjellë shqiptarët në vathën e vet. Për më tepër, ata do të përfitonin në mënyrë të konsiderueshme nga kontrolli mbi objektet ushtarake shqiptare, veçanërisht bazën detare, dhe e shihnin si një avantazh përdorimin e Shqipërisë si bazë prej ku do të ushtronin presionin e tyre ndaj Jugosllavisë apo do të nxisnin subversionin apo destabilizimin aty. Interesimi kryesor i Perëndimit është që të mos e lejojë Bashkimin Sovjetik të përdorë objektet ushtarake. Kina ndoshta ka pak më shumë interes në vend.
  4. b) Udhëheqësit shqiptarë deri tani kanë mbetur armiqësor ndaj Bashkimit Sovjetik dhe të shurdhër ndaj thirrjeve të sovjetikëve për përmirësimin e marrëdhënieve. Por, besojmë se gjatë viteve të ardhshme Bashkimi Sovjetik do të vazhdojë përpjekjet për përmirësimin e marrëdhënieve me Shqipërinë, ndërkohë që do të kultivojë lidhje më të ngushta me çdo element prosovjetik që mund të ketë mbetur në vend. Jugosllavët besojnë se Enver Hoxha ka sëmundje të pashërueshme dhe besojnë se fraksionet pro Moskës po synojnë të marrin kontrollin e Shqipërisë pas vdekjes së Hoxhës. Nevoja e ngutshme për ndihmë të huaj mund ta bëjë me të vërtetë ndonjë udhëheqje të re më të bindur ndaj përçapjeve sovjetike për afrim. Por, dallimet e mbetura e madje ndoshta të heshtura ideologjike dhe dëshira për të shmangur paragjykimin e Shqipërisë për përmirësimin e marrëdhënieve me pjesën tjetër të botës, mund të pengojnë zhvillimin e lidhjeve më të ngushta me Moskën.
  5. c) Po të vinte në fuqi në Tiranë një udhëheqje prosovjetike, pa dyshim që Bashkimi Sovjetik do të kërkonte objekte ushtarake në vend, dhe me qëllim që ato të mbeten të sigurta për një periudhë të gjatë kohore, ndoshta do të dëshironte ta tërhiqte Shqipërinë sërish në Komekon, në mos në Paktin e Varshavës. Shqipëria ndoshta do të kërkonte një quid pro quo (kompensim) të rëndësishëm për objektet ushtarake. Rusët mbase do të ishin të përgatitur për të paguar një çmim mjaft të lartë për një marrëdhënie të tillë, megjithëse një barrë shtesë financiare do të ishte jo e mirëpritur për anëtarët e tjerë të Komekon. Një kosto më të madhe do të kishte frenimi i pashmangshëm i përpjekjeve të rusëve për të joshur Jugosllavinë të cilën e shohin qartazi si një çmim më të lartë. Nuk mendojmë se Bashkimi Sovjetik do të ndërmerrte veprime ushtarake për të fituar kontrollin mbi Shqipërinë përveç se po të ftohej nga shqiptarët ose në rastin e një dobësimi të përgjithshëm në Ballkan.
  6. Sidoqoftë, njohuritë tona mbi skenën e brendshme shqiptare janë mjaft të vagëlluara. Por, mendojmë se nëse vdes Hoxha pasuesit e mundshëm do të përfshinin Shehun, kryeministrin aktual, megjithëse edhe ai është i vjetër dhe me sa duket i sëmurë. Nga ana tjetër, Byroja Politike përbëhet kryesisht nga shokë të Hoxhës të kohës së luftës të cilët në vazhdimësi kanë mbështetur politikat e tij. Nuk kemi shenja për divergjenca serioze mendimesh brenda Byrosë Politike të cilat mund të sillnin një shenjë të politikave të mundshme të brendshme pas largimit të Hoxhës.
  7. Për të plotësuar njohuritë tona mjaft të fragmentuara, kemi parasysh se gjatë Presidencës së EC-së, Grupi i Punës së Evropës Lindore duhet të përgatisë një studim mbi situatën në Shqipëri. Në përgatitjen e këtij dokumenti duhet të mbështetemi fuqimisht tek francezët, italianët dhe grekët (megjithëse përshtypja ime është se pavarësisht se këto vende kanë misione në Tiranë, edhe ata janë të keq-informuar për atë që po ndodh atje). Gjithashtu, mund të konsultohemi edhe me turqit në NATO.

                                                                                             I Juaji,

  1. C. R. Gray

Departamenti Sovjetik & i Evropës Lindore

 

-69-

Nato Konfidenciale

                                                                                                                        16 korrik 1981

Shqipëria

 

  1. Kjo notë vlerëson pozitën politike, strategjike dhe ekonomike të Shqipërisë, dhe mundësinë e implikimeve prej afrimit të mundshëm me Bashkimin Sovjetik.

Historiku: 1939-1980

  1. Shqipëria, që kur u bë shtet i pavarur në vitin 1912, deri së fundmi është varur nga një fuqi e huaj për mbrojtje dhe ndihmë ekonomike. Pas luftës së fundit dukej e mundshme për një farë kohe se Shqipëria do të bëhej pjesë e Federatës Jugosllave, si rezultat i lidhjeve të ngushta të farkëtuara kur Jugosllavia e ndihmoi në krijimin e Partisë Komuniste Shqiptare e cila mori kontrollin e Shqipërisë në vitin 1945. Por, kur Jugosllavia u përjashtua nga Kominterni në vitin 1948, Enver Hoxha, sekretari i parë i Partisë Komuniste Shqiptare (një post të cilin ende e mban), përfitoi nga rasti për t’u kthyer nga Bashkimi Sovjetik për ndihmë dhe për të eliminuar rivalët e tij jugosllavë nga udhëheqja. Bashkimi Sovjetik konsiderohej më shumë si aleat sepse mendohej se kishte plane territoriale për Shqipërinë.
  2. Vdekja e Stalinit në vitin 1953, procesi vijues i destalinizimit dhe afrimi midis Bashkimit Sovjetik dhe Jugosllavisë rritën frikën e Shqipërisë se Jugosllavia mund të ushtronte përsëri ndikim mbi vendin përmes Bashkimit Sovjetik. Kur Kina filloi të kritikonte hapur Bashkimin Sovjetik në vitin 1960, ajo gjeti një aleat tek Hoxha, i cili gjithnjë e më shumë ndante pikëpamjet ideologjike dhe politike kineze. Në fillim të viteve 1960, Shqipëria ndërpreu pjesëmarrjen në Komekon dhe nuk i lejoi më përdorimin e objekteve ushtarake në vend nga sovjetikët. Prishja e plotë me Bashkimin Sovjetik ndodhi në vitin 1968, kur Shqipëria u tërhoq formalisht nga Pakti i Varshavës pas pushtimit të Çekosllovakisë. Ndërkohë, lidhjet me Kinën u forcuan. Kina e mbështeti Shqipërinë si nga pikëpamja ekonomike dhe ideologjike në këmbim të një baze në Evropë për transmetime propagandistike dhe një zë në Kombet e Bashkuara në një kohë kur Kina komuniste nuk përfaqësohej aty. Kina i dha fund kësaj marrëdhënieje të ngushtë me Shqipërinë në vitin 1978, kur duke mos pasur më nevojë për Shqipërinë si aleate, tërhoqi ndihmën e saj ekonomike dhe ushtarake. Sidoqoftë, Kina vazhdoi të ruante marrëdhëniet diplomatike.
  3. Që prej prishjes me Kinën, Shqipëria ka shmangur çdo përfshirje në blloqe dhe ka qëndruar larg angazhimeve multilaterale. E bindur për korrektësinë e interpretimit të marksizëm-leninizmit nga ana e saj, Partia Komuniste Shqiptare mbetet nga pikëpamja ideologjike armiqësore me të gjitha partitë e tjera qoftë ose jo në pushtet, dhe ka marrëdhënie vetëm me grupet marksiste-leniniste të cilat të njëjtën kredo politike e shpallin si të tyren. Bashkimi Sovjetik dhe Kina, po ashtu si Shtetet e Bashkuara, dënohen si “imperialiste”, dhe Shqipëria nuk ka lidhje diplomatike apo tregtare formale me Bashkimin Sovjetik ose Shtetet e Bashkuara.

Marrëdhëniet midis Britanisë dhe Shqipërisë

  1. Britania nuk ka pasur marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë që para luftës së fundit. Ka dy probleme të pazgjidhura. Qeveria shqiptare deri tani nuk është përgatitur për të rifilluar marrëdhëniet përpara dorëzimit “me interes” të arit që ka marrë përkohësisht pas luftës si dëmshpërblim për një sasi që Shqipërisë i është grabitur nga gjermanët. Ari me vlerë 26.5 milionë dollarë, më 28 janar 1981 është mbajtur nga Banka e Anglisë në emër të Komisionit Trepalësh për Kthimin e Arit Monetar, i cili përbëhet nga përfaqësues të qeverive britanike, amerikane dhe franceze. Qeveria britanike dhe ajo amerikane kanë kundërshtuar të dyja dorëzimin e arit “shqiptar” para zgjidhjes së pretendimeve të tyre respektive kundër Shqipërisë. Pretendimi britanik lind nga refuzimi i Shqipërisë për të vepruar në përputhje me çmimin e dhënë të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë prej 800,000 £ si kompensim për dëmin që i është bërë dy destrojerëve britanikë në incidentin e Kanalit të Korfuzit në vitin 1946. Përpjekjet britanike për të rifilluar marrëdhëniet para zgjidhjes së problemeve financiare deri tani nuk kanë qenë të suksesshme.

Perspektivat ekonomike

  1. Shqipëria është vendi më i varfër në Evropë, por standardi i jetesës dhe kushtet shoqërore janë përmirësuar. Rritja e shpejtë e popullsisë do të thotë se vendi duhet të përpiqet për rritje të shpejtë ekonomike me qëllim krijimin e vendeve të punës dhe përmirësimin e mëtejshëm të standardit të jetesës. Në vitin 1945 Shqipëria ishte një vend i prapambetur bujqësor, por filloi të zhvillohej me ndihmën e ndihmës sovjetike dhe më pas kineze deri kur teknikët e fundit kinezë u tërhoqën në vitin 1978. Aktualisht, theksi kryesor në politikën e industrisë është në prodhimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike, kimikatet (veçanërisht plehrat kimike) dhe inxhinieri (veçanërisht pjesët rezervë për pajisjet kapitale ekzistuese). Në bujqësi, Shqipëria ka qenë e pavarur në prodhimin e grurit që në vitin 1976 dhe madje ka prodhuar teprica të vogla për eksport.
  2. Sipas shifrave shqiptare, prodhimi social u rrit me 28% gjatë periudhës së Planit Pesë-vjeçar 1976-1980, dhe në mënyrë të konsiderueshme më shpejt gjatë 2 viteve të fundit – pas tërheqjes së ndihmës kineze – sesa në vitet e mëparshme. Plani aktual Pesë-vjeçar (1981-85) synon vazhdimin e rritjes më të shpejtë, përsëri pa hua nga jashtë dhe asistencë ekonomike. Me gjithë sukseset e pretenduara për rritjen e normës së ngritjes ekonomike pa ndihmë të huaj, Shqipëria mund ta ketë tejet të vështirë që të ruajë rritjen e shpejtë ekonomike nëse vazhdon me politikën e vetëmbështetjes së paepur.
  3. Shqipëria ka disa burime natyrore: naftë që mjafton për të mbuluar një të tretën e nevojave të saj dhe për të lënë një tepricë të vogël për eksport (megjithëse ka cilësi të dobët dhe vështirësi për nxjerrjen e saj), qymyr dhe një potencial të konsiderueshëm hidroelektrik. Vendi ka gjithashtu burime të rëndësishme mineralesh hekuri dhe bakri, megjithëse aktualisht prodhimi i bakrit është në një shkallë mjaft të vogël. Burimi më i rëndësishëm i Shqipërisë është kromi, për të cilin ajo është aktualisht prodhuesja e tretë më e madhja në botë dhe eksportuesja e dytë më e madhe. Por, besojmë se rezervat e vërtetuara janë ndoshta të mjaftueshme për më pak se prodhimin e 10 viteve në normat aktuale dhe përfaqësojnë vetëm rreth 1% të rezervave të përgjithshme botërore; edhe rezervat potenciale ndoshta nuk do të zgjasin më shumë se për 20 vite të tjera. Shqipëria do të jetë me fat nëse do të ruajë prodhimin e mineralit të kromit në nivelin aktual deri në fund të viteve 1980. Për pasojë, objektivi për zgjerim është i kufizuar. Do të duhet disa kohë për të zgjeruar kapacitetin e prodhimit.

Tregtia e jashtme

  1. Qeveria shqiptare ka bërë përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet tregtare me 80 apo më shumë vende me të cilat ajo ka marrëdhënie diplomatike. Por, që në fillim të viteve ‘70, tregtia e jashtme shqiptare nuk është rritur më shumë se 600 milionë dollarë amerikanë në vit, kur rreth dy të tretat e tregtisë bëhej me Kinën. Tregtia me vendet josovjetike Komekon është rreth 200 milionë dollarë amerikanë në vit, kryesisht me bazë shkëmbimi. Tregtia me Bashkimin Sovjetik është e papërfillshme. Tregtia me Perëndimin e zhvilluar arrin gjithashtu në rreth 200 milionë dollarë amerikanë. Shqipëria importon nga Perëndimi kryesisht hekur dhe çelik, kimikate, qymyr dhe tekstile, duke eksportuar në këmbim afërsisht tre të pestat e prodhimit të vet të kromit (një pjesë e tij është e cilësisë së dobët), nikel, tel bakri, produkte ushqimore dhe disa mallra të prodhuara. Partneri më i madh tregtar i Shqipërisë aktualisht është Jugosllavia. Kushtetuta e vendit ndalon ndërmarrjet e përbashkëta me kredi nga “monopolet dhe shtetet borgjeze dhe revizioniste e kapitaliste”. Shqipëria rrallë i është drejtuar bankave perëndimore për ndihmë financiare, përveç me bazë afat-shkurtër. Kohët e fundit, Shqipëria është përpjekur të inkurajojë partnerët e saj tregtarë perëndimorë që të bëjnë tregti mbi bazën e shkëmbimit ose ndërrimit të mallrave: një gjë e tillë mund të pengojë planet për zgjerimin e këtyre lidhjeve tregtare në të ardhmen e afërt.
  2. Balancimi i tregtisë shqiptare midis Lindjes dhe Perëndimit nuk është thjesht rezultat i dëshirës së udhëheqjes për të ruajtur pavarësinë politike të vendit. Pajisjet e avancuara perëndimore do të mbeten jetike për zhvillimin e industrisë shqiptare, por tregjet e Komekon janë më shumë të afta që të tërheqin mallra të prodhuara shqiptare të kualitetit të dobët. Megjithëse Shqipëria ka kapacitetin të shtojë eksportet e saj minerale dhe energjetike, ajo nuk do të jetë në gjendje të importojë të gjitha makineritë që kërkon nga Perëndimi: disa furnizime do të duhet të vijnë nga Evropa Lindore.

Pozita strategjike

  1. Vetë forcat shqiptare nuk kanë ndonjë domethënie të madhe. Ka katër brigada këmbësorie dhe një tankiste, rreth njëqind avionë luftarakë të mbrojtjes ajrore dhe një anije e vogël bregdetare. Të gjitha pajisjet kryesore janë të vjetra, të vjetruara dhe vuajnë nga mungesa e pjesëve rezervë dhe mirëmbajtja e tyre. Megjithatë, duke pasur parasysh pozitën gjeografike të Shqipërisë, objektet e saj ushtarake mund të kenë rëndësi strategjike nëse do të viheshin nën kontrollin e Bashkimit Sovjetik. Bashkimi Sovjetik ka përdorur më parë bazën detare të ndërtuar nga sovjetikët në gjirin e Vlorës, dhe përdorimi i kësaj pike do të ndihmonte në mënyrë të konsiderueshme në ruajtjen e nëndetëseve të Flotës Veriore Sovjetike të pozicionuara në Mesdhe, veçanërisht për arsye se aktualisht Bashkimi Sovjetik ka objekte të kufizuara tregtare në Mesdhe. Gjithashtu, kjo pikë mund të ofrojë një zonë strehimi në thellësi ujore për përdorim nga anijet mbështetëse të Skuadriles Mesdhetare. Flota Ushtarake Detare shqiptare ka gjithashtu dy baza të vogla forcash bregdetare në Ishullin e Sazanit dhe Durrës.
  2. Funksionimi i avionëve sovjetikë nga aerodromet shqiptare nën kontrollin e sovjetikëve do të rriste kërcënimin e Paktit të Varshavës nga ajri për rajonin Jugor të NATO-s, por avionë të tillë do të ishin më shumë të ekspozuar ndaj kundërpërgjigjes së NATO-s dhe do të nevojitej fluturimi mbi territorin e Jugosllavisë për të mbështetur një zotërim të tillë sovjetik. Ngushtica e Otrantos, hyrja në Adriatik, do të ishin më afër shtrirjes së avionëve sovjetikë. Aerodromet ekzistuese ndoshta do të nevojitej të rinovoheshin dhe përmirësoheshin për të përballuar operacionet sulmuese.
  3. Përdorimi nga sovjetikët i objekteve shqiptare do të rriste shqetësimet e vendeve fqinje të Adriatikut, megjithëse shumë pak do të rritej kërcënimi i operacioneve tokësore dhe ajrore kundër Greqisë ose Jugosllavisë, i cili ekziston nëpër Bullgari.

Situata dhe opinioni aktual

  1. Pozita gjeografike e Shqipërisë i jep asaj rëndësi më të madhe sesa do të garantonte madhësia e saj apo edhe pozicioni ndërkombëtar i saj. Bashkimi Sovjetik do të përfitonte në mënyrë të konsiderueshme nga kontrolli mbi objektet ushtarake shqiptare, veçanërisht bazën nëndetëse, dhe do ta shihte si avantazh përdorimin e Shqipërisë si bazë nga e cila të ushtronte presion ndaj Jugosllavisë apo të nxiste subversion ose destabilizim atje. Interesi kryesor i Perëndimit ishte që të mos lejonte përdorimin e objekteve shqiptare nga Bashkimi Sovjetik. Kina nuk po tregon aktualisht ndonjë interes të madh në këtë vend.
  2. Shqipëria paraqet gjithashtu interes të konsiderueshëm për Jugosllavinë, e cila ka një pakicë të madhe shqiptarësh etnikë në Kosovë. Marrëdhëniet e Shqipërisë me Jugosllavinë u përmirësuan pas prishjes me Kinën; po kështu pushtimi sovjetik i Afganistanit dhe shqetësimi mbi fatin e Jugosllavisë pas vdekjes së Titos në vitin 1980 bëri që Shqipëria të rishpallte sigurimet e saj më të hershme për të ndihmuar jugosllavët në rast agresioni sovjetik. Por, brishtësia e kësaj detante dhe potenciali i Shqipërisë për të trazuar stabilitetin jugosllav nëpërmjet tërheqjes së saj natyrale për shqiptarët etnikë janë ilustruar gjeografikisht nga toni i hapur nacionalist dhe irredentist i trazirave të fundit në Kosovë. Reagimi shumë i ashpër jugosllav, i cili pasqyron dyshimin e bashkëpunimit shqiptar, çoi në përkeqësimin serioz të marrëdhënieve bilaterale, dhe pezullimin e marrëveshjeve kulturore.
  3. Udhëheqësit shqiptarë kanë mbetur deri sot armiqësorë ndaj Bashkimit Sovjetik dhe të shurdhër ndaj thirrjeve sovjetike për përmirësimin e marrëdhënieve. Por, besojmë se gjatë viteve të ardhshme Bashkimi Sovjetik do të vazhdojë përpjekjet e tij për të përmirësuar marrëdhëniet me Shqipërinë, ndërkohë që do të kultivojë lidhjet me çdo element prosovjetik në vend. Hoxha thuhet se është i sëmurë rëndë, por nuk kemi informacion përmes të cilit të bazojmë gjykimin tonë mbi llojin e udhëheqjes që mund të dalë pas vdekjes së Hoxhës. Nevoja e ngutshme për ndihmë të huaj mund ta bëjë ndonjë udhëheqje të re më të bindur ndaj përçapjeve për afrim me sovjetikët; por dallimet e mbetura e madje ndoshta të heshtura ideologjike dhe dëshira për të shmangur paragjykimin e Shqipërisë për përmirësimin e marrëdhënieve me pjesën tjetër të botës, mund të pengojnë në praktikë zhvillimin e lidhjeve më të ngushta me Moskën.
  4. Nuk mendojmë se Bashkimi Sovjetik do të ndërmerrte veprime ushtarake për të fituar kontrollin mbi Shqipërinë përveç nëse ftohej nga udhëheqësit shqiptarë apo në rast të çrregullimeve të përgjithshme në Ballkan. Nëse, pas vdekjes së Hoxhës në Tiranë do të vinte në pushtet një udhëheqje prosovjetike, pa dyshim që Bashkimi Sovjetik do të kërkonte të ketë objekte ushtarake në vend, dhe me qëllim sigurimin e tyre për një periudhë të gjatë kohore, ndoshta do të dëshironte ta tërhiqte Shqipërinë sërish në Komekon, në mos në Paktin e Varshavës. Shqipëria ndoshta do të kërkonte që të arrinte një quid pro quo (kompensim) të rëndësishëm për objektet ushtarake. Bashkimi Sovjetik mbase do të ishte përgatitur për të paguar një çmim mjaft të lartë për një marrëdhënie të tillë, megjithëse një barrë shtesë financiare nuk do të ishte mirëpritur për anëtarët e tjerë të Komekon. Sidoqoftë, një kosto më të madhe do të kishte frenimi i pashmangshëm i përpjekjeve sovjetike për të rifituar ndikimin në Jugosllavi, të cilën ata e shohin qartazi si një çmim më të mirë.

Kontrolloni gjithashtu

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË – X

-112- Për përdorim të kufizuar J C R Gray Esq                                                                                           Ambasada britanike FCO                                                                                                                     Beograd I …