11 marsi i vitit 1981 shënon ditën kur u vendos gurë-themeli i Republikës së Kosovës

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË – VIII

-87-

Konfidenciale

E pabotueshme për shtetas të huaj

E botueshme për qeverinë e  Mbretërisë së Bashkuar

Zyra e Shërbimit të Fshehtë dhe Kërkimit

                                                                                                                          Raport 204-AR

                                                                                                                            20 gusht 1981

(U) Trazirat në Kosovë: ndikimi i tyre në marrëdhëniet

jugosllavo-shqiptare

 

Përmbledhje

(U)       Marrëdhëniet midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë janë përkeqësuar ndjeshëm që prej trazirave të fundit të shqiptarëve etnikë në krahinën e Kosovës. Zyrtarët jugosllavë kanë akuzuar Shqipërinë për nxitjen dhe organizimin e trazirave dhe për bashkëpunim me organizatat e emigrantëve anti-jugosllavë që kërkojnë shkatërrimin e shtetit jugosllav. Tirana, nga ana e saj, ka akuzuar jugosllavët, në veçanti serbët, për shfrytëzimin dhe persekutimin e pakicës shqiptare dhe për marrëveshje të fshehtë kundër Bashkimit Sovjetik.

(C)       Aktualisht, ekziston një perspektivëe vogël për ndonjë përmirësim substancial në marrëdhëniet dypalëshe përsakohë mbetet në fuqi regjimi doktrinar dhe stalinist i Hoxhës. Edhe shfaqja e një udhëheqjeje më pragmatike në Tiranë nuk mund të ndryshojë marrëdhëniet, veçanërisht nëse kjo udhëheqje do të ndjehej e kërcënuar nga politikat jugosllave. Në këto rrethana, Tirana mund të jetë mbase më e bindur ndaj propozimeve sovjetike sesa ka qenë nën regjimin e Hoxhës. Për jugosllavët, duken të pazgjidhshme problemet që lidhen me pakicën e tyre shqiptare të pabindur dhe me Shqipërinë armiqësore – së paku në aspektin afatshkurtër.

Reagimi fillestar jugosllav ndaj trazirave

(U)       Trazirat në marsin dhe prillin e kaluar të zhvilluara nga shqiptarët etnikë në Kosovë (një Krahinë autonome brenda Republikës së Serbisë që është më e madhja e gjashtë Republikave përbërëse të Jugosllavisë) përbënin krizën e parë të madhe për udhëheqjen e pas periudhës së Titos dhe kërcënimin më të rëndë për sigurinë e brendshme që prej tronditjes nacionaliste kroate në vitin 1971. Sipas deklaratave zyrtare, trazirat – të cilat u organizuan nga studentë të Universitetit në Prishtinë, kryeqyteti i Kosovës, për të protestuar për kushtet e tyre ekonomike por që menjëherë morën nota politike dhe nacionaliste – lanë 9 persona të vdekur dhe më shumë se 250 të tjerë të plagosur. Këto statistika janë kundërshtuar nga regjimi shqiptar dhe organizata të ndryshme të emigrantëve anti-jugosllavë, të cilët akuzojnë se janë vrarë qindra njerëz pasi regjimi i ka shtypur brutalisht demonstratat.

(C)       Trazirat e para më 11 mars përfshinin një numër të llogaritur prej 2000 studentësh të Universitetit, të cilët protestonin për kushtet e këqija të jetesës. Në demonstratën e 26 marsit në Prishtinë, parullat e studentëve shprehnin ankesat për shtypjen e shqiptarëve, kërkonin liri më të madhe të shtypit dhe liri të tjera, bënin thirrje për statusin e Republikës për Kosovën, dhe i thurnin lavde Hoxhës dhe regjimit të Tiranës. Më 1 prill, rreth 10 mijë protestues të Prishtinës – përfshirë studentët, minatorë dhe punëtorë të tjerë – kërkonin lirimin e personave të arrestuar gjatë demonstratave të mëparshme. Demonstrata të ngjashme u zhvilluan edhe në disa qytete të tjera të Krahinës. Përleshjet midis autoriteteve lokale të sigurisë dhe demonstruesve i detyruan autoritetet jugosllave të dërgonin policinë speciale dhe forca ushtarake nga anë të tjera të vendit për të rivendosur rendin. Për një periudhë të caktuar, u vendosën rregulla të rrepta për kufizimin e udhëtimit brenda dhe jashtë krahinës, si dhe u ndaluan tubimet publike.

(U)       Udhëheqësit jugosllavë u zunë në befasi nga dhuna dhe përmasat e trazirave. Kur u bë e qartë se ishin përfshirë segmente të mëdha të popullsisë shqiptare etnike (pothuajse 80% e banorëve të Kosovës që përbëjnë 1.7 milionë janë shqiptarë nga origjina) – jo vetëm studentët e pakënaqur të Universitetit, por edhe mësues, gazetarë, intelektualë të tjerë, punëtorë e madje dhe anëtarë partie në të gjithë Krahinën – zëdhënësi i regjimit akuzoi se “elementë të huaj armiqësorë” ishin prapa “aktiviteteve kundërrevolucionare”. Sipas jugosllavëve, këta elementë punonin me elementë emigrantë anti-jugosllavë (ustashë, kominformistë, zogistë dhe ballistë shqiptarë, grupe të ndryshme Marksiste-Leniniste të mbështetur nga Tirana dhe “punëtorë sezonalë” shqiptarë në Evropën Perëndimore), të cilët kërkonin të destabilizonin Jugosllavinë. Kishte gjithashtu insinuata se një rol në organizmin e këtyre trazirave kishin edhe “forcat e këqija”, “shërbimet e inteligjencës” dhe “qendrat e spiunazhit”.

(C)       Disa jugosllavë në fshehtësi kishin frikën e një “komploti” që përfshinte sovjetikët, bullgarët dhe shqiptarët. Armiqësia e Tiranës ndaj Moskës dhe Sofies në përgjithësi kishte rënë me argumentin se ishte arritur njëfarë “mirëkuptimi” për të çuar përpara objektivat e përbashkëta të tre regjimeve – shkatërrimin e Federatës jugosllave, ku Shqipëria do të aneksonte zonat e banuara nga shqiptarët dhe Bullgaria do të aneksonte Maqedoninë (zonat e banuara nga shqiptarë në Maqedoni dhe Mal të Zi afër me kufirin me Shqipërinë).

(C)       Sulmet jugosllave ndaj kominformistëve dhe pretendimet për bashkëpunim me sovjetikët provokuan një përgjigje të fortë të dhënë nga gazeta “Pravda” e Moskës nga mesi i prillit. Megjithëse ajo u hodh menjëherë poshtë nga jugosllavët, shumë shpejt u qetësuan polemikat midis medies sovjetike dhe asaj jugosllave mbi Kosovën. Asnjëra palë, mesa duket, nuk dëshironte që të ndërlikonte më tej marrëdhëniet e tyre duke e shtuar Kosovën në listën e çështjeve të diskutueshme të pazgjidhura, të tilla si Afganistanin, Kamboxhian dhe lëvizjen ndërkombëtare komuniste. Gjithsesi, shumë jugosllavë mbeten të bindur mbi rolin sovjetik në këto trazira, megjithëse nuk janë në gjendje që të ofrojnë prova.

Tirana e akuzuar

(U)       Megjithëse disa zyrtarë jugosllavë aludonin se Tirana kishte gisht në trazirat e Kosovës, veçanërisht kur komentonin manifestimet e “nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar”, Tirana nuk u akuzua për përgjegjësi të drejtpërdrejtë për disa javë. Më pas, më 7 prill, një kryeartikull në të përditshmen shqiptare “Zëri i Popullit”, dënonte “brutalitetin” jugosllav në shtypjen e trazirave dhe mbështeste kërkesat që Kosovës t’i jepet statusi i Republikës.

(U)       Regjimi jugosllav u përgjigj me një fushatë masive propagande, e cila e akuzonte Shqipërinë:

– se kishte nxitur dhe organizuar “aktivitetet nacionaliste, irredentiste dhe kundërrevolucionare në Kosovë”;

– se ka pasur “pretendime të hapura territoriale” kundër Jugosllavisë dhe ka kërkuar që t’ia aneksonte Kosovën dhe zona të tjera “Shqipërisë së Madhe”;

– se ka përdorur diplomatët e saj dhe agjencitë e inteligjencës në Jugosllavi dhe në vendet e treta për të kontaktuar dhe rekrutuar elementët anti-jugosllavë;

– për dhunë flagrante dhe abuzim të bashkëpunimit jugosllavo-shqiptar dhe marrëveshjeve të shkëmbimit për të përhapur “parimet staliniste” të Partisë shqiptare dhe për të glorifikuar udhëheqësin e Partisë Hoxha, ndërkohë që dënonte udhëheqësit e Jugosllavisë, si dhe politikat e saj të brendshme dhe të jashtme; dhe

– për ndërhyrje të vazhdueshme në punët e brendshme të Jugosllavisë.

(C)       Fushatat intensive që zgjasnin prej muajsh të tërë përfshinin sulmet publike ndaj Shqipërisë nga udhëheqësit kryesorë politikë të Jugosllavisë. Sidoqoftë, me gjithë sharjet dhe akuzat e shumta, nuk u paraqit asnjë provë e rëndë mbi përfshirjen e drejtpërdrejtë të Tiranës në këto trazira (udhëheqësit jugosllavë mbase nuk do t’i zbulonin prova të tilla edhe nëse ato ekzistonin pasi nëse do e bënin një gjë të tillë, atëherë praktikisht do të detyronin Beogradin që të shkëpuste marrëdhëniet me Tiranën. Këta udhëheqës mund ta kenë parë si më të përshtatshme që të përdornin Shqipërinë më të vogël, më të dobët – më tepër sesa BRSS – si kokë turku për të shmangur vëmendjen nga dështimet e tyre politike në Kosovë dhe më gjerë).

(U)       Disa zyrtarë jugosllavë treguan skepticizëm në lidhje me shtrirjen e përfshirjes së huaj në Kosovë duke argumentuar në të vërtetë se theksimi i tepërt i “elementëve të huaj armiqësorë”, mund të ishte jo produktiv. Ata thanë se udhëheqja duhej të ishte e hapur në vlerësimet e saj ndaj “shkaqeve dhe pasojave të ngjarjeve në Kosovë”. Sipas analizës së tyre, duket se Tirana nuk kishte ndonjë arsye për të nxitur paqëndrueshmëri në Jugosllavi; Është qartazi në interesin e vetë Shqipërisë që të ketë një Jugosllavi të fortë dhe të bashkuar për t’i rezistuar çdo kërcënimi sovjetik kundër vendeve të Ballkanit, veçanërisht Shqipërisë.

Politika të reja ndaj Shqipërisë

(U)       Ndërkohë që rritej preokupimi i tyre për Kosovën, udhëheqësit jugosllavë pohuan se autoritetet federale dhe serbe në të ardhmen do të ushtronin mbikëqyrje dhe kontroll më të ngushtë mbi marrëdhëniet me Shqipërinë. Marrëdhëniet ishin kanalizuar kryesisht përmes zyrtarëve të Kosovës (d.m.th. shqiptarëve etnikë) – meqenëse Tirana kishte këmbëngulur dhe Jugosllavia kishte rënë dakord. Vetëm tregtia ishte zhvilluar në nivel federativ; Tirana kishte kufizuar praktikisht të gjitha shkëmbimet kulturore, arsimore, turistike dhe sportive me Kosovën, Maqedoninë dhe Malin e Zi. Liria e veprimit e Tiranës kishte qenë në përputhje me politikën jugosllave se shqiptarët në Jugosllavi dhe, mbi të gjitha, në Kosovë, duhej të vepronin si “urë” në promovimin e marrëdhënieve dypalëshe.

(C)       Dështimi i dukshëm i kësaj politike i kishte detyruar zyrtarët jugosllavë të vepronin për të kundërshtuar influencën shqiptare në Kosovë dhe në Maqedoni ku nacionalizmi shqiptar kohët e fundit ishte bërë më i theksuar. Marrëveshje dhe shkëmbime të ndryshme ishin anuluar ose pezulluar; Për shembull, më 23 korrik, autoritetet arsimore “rekomandonin” që të pezulloheshin të gjitha marrëveshjet e bashkëpunimit midis Universitetit të Tiranës dhe universiteteve jugosllave (në Prishtinë, Shkup dhe Titograd). Më pas, jugosllavët akuzuan profesorët nga Shqipëria, të cilët jepnin mësim në Universitetin e Prishtinës, se kishin përhapur nacionalizmin shqiptar dhe hidhnin akuza se shumë tekste shkollore në gjuhën shqipe të importuara për përdorim në institucionet arsimore jugosllave ishin thjesht fletushka propagandistike.

(U)       Zyrtarët jugosllavë planifikojnë gjithashtu që të përdorin radio transmetuesin e Prishtinës në mënyrë më efektive për transmetim në të ardhmen në Shqipëri. Megjithëse media jugosllave kishte injoruar me të madhe sulmet e kaluara ideologjike të Tiranës ndaj Jugosllavisë – me shpresën që do të shmangte polemikat dhe kështu do të përmirësonte marrëdhëniet dypalëshe – kjo politikë duhet ndryshuar. Do të bëhen përpjekje për t’i vënë në dukje shqiptarëve si në Jugosllavi dhe Shqipëri karakteristikat më të këqija të regjimit të Hoxhës.

Përgjigja e Tiranës ndaj Kosovës

(C)       Megjithëse protestat e para në Prishtinë u zhvilluan më 11 mars, duket se media shqiptare fillimisht e ka injoruar këtë nxitje në Kosovë. Udhëheqësit shqiptarë mund të kenë pasur dëshirë të qëndrojnë në heshtje pjesërisht në interes të marrëdhënieve të mira me Beogradin, ose, ndoshta, për faktin se nuk ishin vendosur ende se si të reagonin sa më mirë ndaj situatës. Edhe pas demonstratave të dhunshme dhe të përhapura më 1 dhe 2 prill, nuk pati ndonjë reagim të menjëhershëm nga Tirana: më 2 dhe 3 prill, media shqiptare kishte vetëm përshkrime të shkurtra të drejtpërdrejta të incidenteve, duke përdorur materiale nga burimet e agjencive jugosllave të lajmeve.

(U)       Ky qëndrim i matur mori fund me një artikull të gjatë dhe të ashpër në gazetën “Zëri i Popullit” të datës 7 prill. Artikulli akuzonte se varfëria dhe diskriminimi kundër popullsisë shqiptare në Kosovë ishin përgjegjëse për trazirat. Gjithashtu, artikulli akuzonte jugosllavët dhe, mbi të gjitha, serbët se kishin shfrytëzuar burimet minerale të Kosovës në dobi të tyre; dhe miratonte pa ekuivoke kërkesën e protestuesve që Kosova të bëhej Republikë.

(U)       Në maj, një tjetër artikull i “Zërit të Popullit” trajtonte padrejtësitë që shqiptarët kishin vuajtur qëllimisht që para periudhës së Luftës së Parë Botërore në duart e serbëve dhe (me formimin e Jugosllavisë në vitin 1918) jugosllavëve. Artikulli akuzonte komunistët jugosllavë për poshtërsi që nuk kishin lejuar regjimin e Hoxhës që të mbante Kosovën dhe zona të tjera të banuara nga shqiptarët në Jugosllavi që i ishin dhënë Shqipërisë (atëherë, nën sundimin e Italisë) gjatë Luftës së Dytë Botërore – pasi shqiptarët kishin qenë aleatë të Jugosllavisë në “Luftën Nacionalçlirimtare”. Artikulli i referohej një takimi të vitit 1946 midis Hoxhës dhe Titos, ku citohej se ky i fundit kishte pranuar se këto zona me të drejtë duhej t’i përkisnin Shqipërisë “… por jo tani sepse reaksionarët e Serbisë së Madhe nuk do të pranonin diçka të tillë”. Politikat e Titos pas luftës ndaj Shqipërisë janë përshkruar si “të egra dhe asgjësuese”.

(U)       Megjithëse Tirana zor se mund të krahasohej me volumin e fushatës së Jugosllavisë, sulmet e saj ishin po aq të dëmshme sa edhe sajesat e zëdhënësve të Beogradit. Praktikisht, Tirana censuroi çdo aspekt të politikave të jashtme dhe të brendshme të Jugosllavisë, të kaluara dhe aktuale – duke përfshirë vetë-menaxhimin, mos-angazhimin, emigracionin e “punëtorëve sezonalë” jugosllavë, turizmin, aksesin e sovjetikëve dhe amerikanëve në portet jugosllave, borxhet dhe kreditë e huaja. Në të njëjtën kohë, Tirana mohoi me këmbëngulje çdo ndërhyrje në punët e brendshme të Jugosllavisë, çdo qëllim për të shkatërruar Jugosllavinë apo çdo dëshirë për territore jugosllave, por këmbënguli se do të mbronte të drejtat e shqiptarëve në Jugosllavi, “veçanërisht kur këto të drejta mbyten me gjak, siç ndodhi kohët e fundit në të gjithë Kosovën”.

(U)       Tirana akuzoi jugosllavët, veçanërisht serbët se i kanë trajtuar shqiptarët në Jugosllavi qëllimisht “si qytetarë të dorës së dytë” dhe kanë ushtruar “gjenocid”. Thuhej se synohej një komplot “sovjeto-serb” kundër shqiptarëve në Jugosllavi dhe vetë Shqipërinë,i cili synonte gjithashtu të fitonte dominimin serb në të gjithë Federatën Jugosllave. Sipas Tiranës, për arsye historike, fetare dhe politike, serbët ishin aleatët natyrorë të sovjetikëve; të dyja palët ishin bërë “armiq të betuar” të Shqipërisë. Qëllimi përfundimtar i këtij komploti ishte që të lejoheshin sovjetikët të çonin përpara “depërtimin e tyre strategjik, hegjemonist dhe ekspansionist” ndaj Jugosllavisë dhe Ballkanit. Kosova ishte objektivi aktual i këtij “komploti sovjeto-serb” me Bosnjën, Slloveninë dhe më pas Kroacinë (Tirana i karakterizonte Slloveninë dhe Kroacinë si “pro-perëndimore dhe pro-amerikane”) dhe si vende që kërkonin pavarësinë politike nga “hegjemonizmi” serb.

(U)       Mediet shqiptare kritikuan fillimisht sllovenët dhe kroatët për “hegjemonizëm” dhe i etiketuan zyrtarët shqiptarë etnikë në Kosovë si “renegatë” dhe “tradhtarë”. Megjithatë, më vonë mesa duket, media kërkoi të shfrytëzonte mosmarrëveshjet e fshehura nacionaliste, veçanërisht midis serbëve dhe kroatëve. Media i paralajmëroi sllovenët dhe kroatët që të mos mashtroheshin nga akuzat serbe dhe sovjetike se Shqipëria – në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve në Jugosllavi – kishte ndërhyrë në punët e brendshme të Jugosllavisë dhe kishte kërcënuar pavarësinë dhe integritetin territorial të Jugosllavisë. Tirana e përshkroi veten si “bastion i pathyeshëm” kundër “imperializmit dhe revizionizmit sovjetik” dhe vlerësoi pakicën shqiptare në Jugosllavi si një faktor i rëndësishëm për stabilitetin e Federatës, si dhe si “pengesë e fuqishme kundër sulmeve sovjeto-bullgare” që kërcënonin popujt e Jugosllavisë, Shqipërisë dhe vendeve të tjera.

(U) Hoxha dënon politikën Jugosllave për Kosovën

Propagandistët shqiptarë përdorën komentet e Hoxhës për Kosovën për të nënvizuar rëndësinë e fushatës së tyre kundër Jugosllavisë. Në Plenumin e Komitetit Qendror të Partisë të datës 15-16 qershor, Hoxha foli për “sulmet e egra dhe shpifëse” të udhëheqjes jugosllave kundër Shqipërisë, ndërsa udhëheqja shqiptare i ishte përmbajtur “pozitës së moderuar, parimore dhe të ftohtë” ndaj Kosovës. Komiteti Qendror miratoi “me unanimitet” këtë qëndrim. U publikuan shkrimet e vitit 1966 të Hoxhës në lidhje me Kosovën për të mbështetur akuzat e mizorive jugosllave kundër shqiptarëve. Më pas, ai kishte dënuar Titon si “renegat” dhe “revizionist” dhe akuzoi udhëheqësit jugosllavë për “gjenocid” në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi. Ai tha se shqiptarët në këto zona ishin nën “pushtetin e terrorit… që në ditët e para tëçlirimit. Ky terror vazhdon duke rritur gjithnjë e më shumë barbarizmin ende sot”. Hoxha gjithashtu pohoi të drejtën e regjimit të tij për të mbrojtur “interesat jetësore” të  shqiptarëve në Jugosllavi.

Protesta kundër prishjes së marrëdhënieve

(U)       Me intensifikimin e polemikave, marrëdhëniet midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë u përkeqësuan deri në pikën e tyre më të ulët prej vitesh, duke përmbysur kështu tendencën e ngrohtë që kishte qenë e dukshme që prej prishjes shqiptaro-kineze në vitin 1978. Vendimi jugosllav për të prishur marrëdhëniet dukej i pashmangshëm në fund të majit, pas hedhjes së bombës në ambasadën jugosllave në Tiranë, protestave zyrtare jugosllave dhe kundërshtimit të tyre nga Tirana, dhe akuzave shqiptare se jugosllavët kishin realizuar hedhjen e bombës për “provokim”. Në një pikë të caktuar, shqiptarët në të vërtetë i nxitën jugosllavët të prishin marrëdhëniet.

(C)       Gjatë gjithë shkëmbimeve të hidhura, disa zyrtarë në Beograd (dhe padyshim në Tiranë) kërkuan haptazi të shmangin prishjen e marrëdhënieve. Këta zyrtarë, natyrisht e ndjenin që prishja e marrëdhënieve nuk ishte në interesin e jugosllavëve dhe se Moska do të ishte përfituesi kryesor. Më 9 qershor, zëvendës/sekretari i jashtëm jugosllav, Peshiq, deklaroi se Jugosllavia dëshironte marrëdhënie të mira me Shqipërinë, por vetëm mbi bazën e respektit të rreptë për parimet e “pavarësisë, barazisë, sovranitetit, integritetit territorial, mos-ndërhyrjes në punët e brendshme dhe reciprocitetit” (shqiptarët përdorën gjuhë të tillë të ngjashme kur diskutonin marrëdhëniet dypalëshe). Peshiq deklaroi se marrëdhëniet e mira ishin në interesin afatgjatë të të dy vendeve dhe në interes të paqes dhe sigurisë në Ballkan.

(U)       Në diskutimet për Kosovën dhe rolin e pretenduar shqiptar atje, zyrtarë të ndryshëm jugosllavë paralajmëruan Tiranën me ton plot nënkuptim që të shqyrtonte se çfarë efekti do të kishin veprimet e saj – qoftë të miratuara nga ajo vetë apo në marrëveshje të fshehtë me të tjerë – në nxitjen e interesave të “gjithë atyre që janë armiq me Jugosllavinë dhe vetë Shqipërinë”. Mbështetja e Tiranës për “elementët nacionalistë dhe irredentistë” në Jugosllavi dhe “sulmet e saj ndaj integritetit territorial të Jugosllavisë” thuhej se kërcënonin vetë pavarësinë e Shqipërisë: “nacionalizmi i Shqipërisë së Madhe” do të nxiste nacionalizma të tjera në Ballkan (duke përfshirë nacionalizmin grek, bullgar dhe serb) dhe do të shfrytëzohej nga ata që dëshironin ta kthenin këtë zonë në “fuqi baruti”.

(U)       Shqipëria insistoi të shprehej se dëshironte “marrëdhënie të sinqerta dhe normale tregtare”. Ajo vlerësoi shkëmbimet tregtare dhe kulturore si shkëmbime në interes të të dy vendeve. Megjithatë, ajo përbuzi pretendimet jugosllave mbi “bujarinë, tolerancën dhe durimin… gjatë 32 viteve të fundit” dhe hodhi poshtë pretendimet jugosllave se Shqipëria kërkonte trajtim të privilegjuar në marrëdhëniet e saj me Jugosllavinë. Gjithashtu, Shqipëria e akuzoi Beogradin se kishte caktuar çmime të tepruara për mallrat jugosllave ndërkohë që kishte vënë çmime të ulëta për mallrat shqiptare, duke vendosur kështu “pengesa serioze” në rrugën e tregtisë dhe duke shkelur disa nga marrëveshjet ekonomike që prej trazirave të Kosovës.

Faktori sovjetik në marrëdhëniet jugosllavo-shqiptare

(C)       Si udhëheqësit jugosllavë dhe ato shqiptarë janë shqetësuar për një kohë të gjatë për kërcënimin sovjetik ndaj regjimeve të tyre dhe mundësinë që BRSS mund të ishte në gjendje të përdorte territorin e palës tjetër si bazë për subversion. Ndërkohë që po afrohej epoka post-Tito, veçanërisht kur Tito u shtrua në spital, thuhet se shqiptarët ishin të shqetësuar se pasardhësit e Titos nuk do të ishin në gjendje t’i rezistonin presioneve sovjetike për të fituar pozitë të favorizuar në Jugosllavi. Jugosllavët – të shqetësuar për pasiguritë e vazhdimësisë pas Hoxhës – u përpoqën të përmirësonin marrëdhëniet me Shqipërinë me qëllim që të kishin një kuptim më të mirë të zhvillimeve aty dhe të kundërshtonin përpjekjet e Moskës për të rritur influencën politike, ekonomike dhe ushtarake në mesin e zyrtarëve shqiptarë.

(C)       Në bisedat private dhe deklaratat publike, zyrtarët jugosllavë dhe shqiptarë kanë treguar se janë të ndërgjegjshëm që çdo përkeqësim serioz në marrëdhëniet e tyre mund të kishte efekt negativ në stabilitetin e brendshëm të të dy vendeve, dhe në sigurinë e Ballkanit në përgjithësi. Me gjithë mosmarrëveshjet e hidhura për Kosovën, Shqipëria kishte përsëritur kohët e fundit zotimin e saj të mëparshëm për të luftuar “sup më sup” me jugosllavët nëse këta të fundit do të goditeshin nga BRSS.

(C/NF)     Sidoqoftë, megjithëse nuk ka shenja se Hoxha ka ndryshuar armiqësinë e tij të papajtueshme me “revizionistët” sovjetikë, disa jugosllavë dyshojnë se duhet të ketë marrëveshje të fshehtë midis Moskës dhe Tiranës kundër Beogradit. Ata besojnë se elementët pro-sovjetikë në Tiranë janë thjesht duke pritur vdekjen e Hoxhës për të lidhur Shqipërinë në aleancë me BRSS. Ata që janë dyshues për një aleancë të tillë, kanë frikë se një nga hapat e para do të përfshijë shfrytëzimin e armiqësive mbi kombësinë në Jugosllavi. Sipas burimeve greke, kryeministri Gjuranoviq i ka thënë zyrtarëve grekë gjatë vizitës së tij në Athinë më 17-19 korrik se hetimet intensive të bëra mbi trazirat në Kosovë nuk zbuluan asnjë përzierje të Shqipërisë në këto trazira, por zbuluan se sovjetikët kishin gisht në to. Zyrtarë të tjerë të njohur jugosllavë kanë pranuar në fshehtësi shqetësimin se shërbimet e inteligjencës sovjetike dhe bullgare po shfrytëzojnë çështjen e kombësisë në Jugosllavi dhe mund të kenë krijuar tashmë kontakte indirekte me shërbimin inteligjent shqiptar përmes organizatave të emigrantëve shqiptarë anti-jugosllavë. Një gazetë jugosllave – ndërkohë që diskutonte përfshirjen e supozuar të Tiranës në planifikimin dhe organizimin e trazirave në Kosovë – pretendoi ekzistencën e një “programi” për vendet socialiste të udhëhequra nga Shqipëria, për të “çliruar” Jugosllavinë.

(U)       Për më tepër, një koment i medies sovjetike i datës 10 qershor, ku vlerësohej roli historik i Lidhjes së Prizrenit Shqiptar në bashkimin e popullit shqiptar “kundër pushtuesve të huaj”, duhet të ketë ngritur dyshime tek jugosllavët mbi përpjekjet më të fundit të sovjetikëve për t’i ardhur rrotull Shqipërisë. Artikulli, i cili përkujtoi 103-vjetorin e krijimit të Lidhjes, duket se hodhi poshtë akuzat shqiptare se sovjetikët kanë qëndruar në krah të serbëve (dhe jugosllavëve) kundër shqiptarëve.

(C) Interesat jugosllave në Shqipëri

Pozita gjeografike e Shqipërisë e bën atë që të jetë një vend i rëndësishëm nga ana strategjike për sigurinë e Jugosllavisë. Si rezultat, udhëheqësit jugosllavë kanë kërkuar që në mënyra të ndryshme të dominojnë në Shqipëri (si në periudhën menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore) ose në të kundërt të zbusin mosbesimin dhe armiqësinë tradicionale shqiptare – pa shumë sukses. Megjithatë, më shpesh udhëheqësve të Beogradit u është dashur të përballen me një situatë në të cilën Shqipëria – që prej pavarësisë së saj në vitin 1912 – është dominuar nga fuqi kundërshtare (Austro-Hungaria, Italia, BRSS dhe Kina).

Ngritja e regjimeve komuniste në Jugosllavi dhe Shqipëri pas luftës nuk ndikoi shumë për të qetësuar armiqësitë e gjata. Disa komunistë udhëheqës jugosllavë e trajtonin nganjëherë regjimin në Tiranë sikur kishin të bënin praktikisht me një shtet vasal, duke i trajtuar shqiptarët në Tiranë dhe Jugosllavi me një përbuzje që zor se mund të fshihej. Çdo shpresë që Tito mund të ketë pasur për ta përfshirë Shqipërinë si Republikë të shtatë në Federatën Jugosllave mori fund kur Hoxha u rreshtua në krah të Stalinit në vitin 1948. Hoxha më pas eliminoi nga udhëheqja rivalët e tij pro-jugosllavë dhe nxiti irredentizmin kundër Jugosllavisë.

Gjatë viteve, veçanërisht që prej prishjes shqiptaro-kineze, e cila e la Tiranën “pa protektor”, dhe bamirës ekonomik, disa zyrtarë jugosllavë tentuan t’i etiketojnë sulmet politike dhe ideologjike të Shqipërisë ndaj “revizionizmit” jugosllav si sulme me pasoja të vogla. Ato e ndjenë se ishte shumë e rëndësishme që të zbuteshin dallimet dhe të kërkoheshin mënyra, sado modeste, për të rritur kontaktet me zyrtarët shqiptarë dhe në këtë mënyrë për të shtuar perspektivat për influencë të Jugosllavisë në Shqipëri pas epokës së Hoxhës (shumica e udhëheqësve jugosllavë janë pajtuar me armiqësinë e paepur të Hoxhës dhe me përmirësimin e vogël substancial në marrëdhëniet dypalëshe gjatë jetës së tij).

Perceptimet e Shqipërisë ndaj Jugosllavisë

Mosbesimi i Shqipërisë ndaj Jugosllavisë është rrënjosur në shekuj në antagonizmat dhe rivalitetet shqiptaro-serbe. Për Hoxhën dhe udhëheqësit e tjerë shqiptarë, regjimi komunist i Jugosllavisë nuk është fqinj më i mirë sesa paraardhësit e tij “monarkistë” apo “fashistë”. Frika e ambicieve jugosllave ishte një faktor i rëndësishëm në vendimin e Hoxhës për të lidhur regjimin e tij me Stalinin; gjithashtu, kjo luajti një rol të veçantë në prishjen e Hoxhës me sovjetikët, pasi ai kishte frikë se rivendosja e marrëdhënieve miqësore Tito-Hrushov do ta mundësonte Jugosllavinë që të rifitonte influencën e saj në Shqipëri. Përfundimisht, përmirësimi gjithnjë në rritje i marrëdhënieve jugosllavo-kineze në mesin e viteve 1970, mishëruar nga vizita fitimtare e Titos në Kinë në vitin 1977 dhe vizita e Hua Guo-Feng në Jugosllavi në vitin 1978, kontribuoi në ftohjen midis Pekinit dhe Tiranës.

Hoxha, 72 vjeç , ka udhëhequr Partinë Komuniste Shqiptare që në vitin 1943. Ai nuk i ka falur asnjëherë komunistët jugosllavë që i ripërfshinë zonat – Kosovën dhe kufijtë perëndimorë të Maqedonisë – të cilat Shqipëria i aneksoi gjatë Luftës së Dytë Botërore. Duke pasur parasysh këtë përvojë, si dhe qëndrimet izolacioniste dhe ksenofobike të regjimit të Hoxhës, nuk të çudit aspak dyshimi i tij obsesiv për Jugosllavinë.

Fushata politike dhe ideologjike e Shqipërisë kundër Jugosllavisë gjatë tre dekadave të fundit dhe kërkimi nga ana e saj për aleatë kundër Jugosllavisë janë krijuar për të penguar “hegjemonizmin jugosllav” dhe për të përfshirë përfundimisht pakicat shqiptare të Jugosllavisë në “Shqipërinë e Madhe”. Megjithëse Tirana proteston publikisht se nuk ka plane territoriale ndaj Jugosllavisë, ajo ka shpallur gjithashtu se “… kombi shqiptar është një, pavarësisht se një pjesë e tij jeton në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe pjesa tjetër në tre pjesët e Jugosllavisë Federale”. Megjithëse arsyet e vendimit shqiptar për të përmirësuar marrëdhëniet me Beogradin në fund të viteve 1970 nuk dihen, Hoxha mund ta ketë ndjerë se – pas prishjes me Kinën – ishte e nevojshme që të vendoseshin lidhje tregtare/ekonomike për të përballuar vështirësitë ekonomike të Shqipërisë, të cilat përfshinin standardin më të ulët të jetesës në Evropë. Jugosllavia ishte e përshtatshme dhe e gatshme – për arsye taktike dhe strategjike. Për më tepër, vendimi i Titos për të përmirësuar fatin e popullsisë shqiptare në Kosovë, pjesërisht në dëm të serbëve dhe malazezëve atje, mund të ketë qenë faktor në arsyetimin e Hoxhës – veçanërisht nëse ai shihte mundësi unike për tëçuar përpara qëllimet e tij politike dhe ideologjike në Kosovë.

Marrëdhëniet jugosllavo-shqiptare “përmirësohen”

(U)       Me këmbënguljen e Tiranës, marrëdhëniet me Jugosllavinë gjatë viteve të fundit janë zhvilluar më shumë në nivel shtetëror/qeveritar sesa politik. Janë parashikuar disa ndërmarrje të përbashkëta në sektorin ekonomik: Projekte të lidhjes hekurudhore, rrjetit të energjisë elektrike, teknologjisë së energjisë hidraulike dhe rritjes së shërbimit ajror. Shembulli më i dukshëm i përmirësimit të marrëdhënieve dypalëshe ndodhi në korrik 1980: Ministri i Tregtisë së Jashtme të Shqipërisë  bëri një vizitë zyrtare në Jugosllavi, duke përfshirë Maqedoninë dhe Kosovën. Kjo ishte vizita e parë ministrore shqiptare në Jugosllavi, që përpara prishjes Tito-Stalin. Që nga koha e vizitës, Jugosllavia është bërë partneri drejtues tregtar i Shqipërisë.

(U)       Gjatë kësaj periudhe, menjëherë pas Titos (Tito vdiq në maj 1980), Shqipëria u bë më e kujdesshme në komentet e saj për statusin e Kosovës. Për shembull, nuk u tha asgjë për gjyqet e qershorit 1980 të “irredentistëve shqiptarë” të akuzuar për subversion. Kjo heshtje ishte në kundërshtim me kritikën e mëparshme të Shqipërisë për gjyqe të tilla nacionaliste dhe kohët e fundit, me denoncimin e menjëhershëm nga ana e Tiranës të gjyqeve të pesë shqiptarëve etnikë në Maqedoni këtë maj. Tirana i kishte etiketuar këto gjyqe – të cilat rezultuan në dënime të ashpra me burgim për akuzat e formimit të një organizate ilegale që synonte bashkimin e shqiptarëve në Jugosllavi me ato në “Shqipërinë e Madhe” – si një farsë, ku autoritetet jugosllavo-maqedonase përdornin metoda si ato të “fashistëve bullgarë” në Luftën e Dytë Botërore.

(C)       Ndërkohë shkëmbimet arsimore/kulturore dhe tregtare arritën nivele të paprecedentë. Tirana bëri të qartë se përpjekjet e saj do të ishin kryesisht ideologjike dhe nacionaliste në fokus – të drejtuara nga shqiptarët në Jugosllavi. Efekti i kësaj propagande për popullsinë shqiptare të pabindur në Kosovë nuk mund të përcaktohet, por vetë përpjekja është planifikuar dhe organizuar me kujdes. Regjimi i Hoxhës e dinte se përpjekja e tij do të kishte një përgjigje të gjerë dhe dashamirëse:

– Kosova kishte qenë burim tradicional i pakënaqësisë politike dhe ekonomike që në fund të Luftës së Dytë Botërore, ku popullsia shqiptare nuk e dëshironte influencën serbe aty;

– Kosova është gjithashtu zona më e prapambetur dhe e ulët ekonomikisht e Jugosllavisë me gjithë sakrificat e konsiderueshme të republikave dhe kombësive të tjera për të ndihmuar ekonominë dhe standardet e jetesës së saj.

– Segmente të tëra të popullsisë shqiptare në Jugosllavi e ndjenin se janë konsideruar si qytetarë të dorës së dytë dhe se nuk kanë të ardhme në shtetin sllav; dhe

– studentët “e papunë” të Universitetit dhe intelektualët që herë pas here ishin në ballë të agjitacionit nacionalist, do të ishin veçanërisht dyshues ndaj “komunizmit egalitar” dhe konceptit “një Shqipëri” të Hoxhës.

(C)       Dështimi i autoriteteve (d.m.th. federale dhe serbe) për të bërë progres të dukshëm në stabilizimin e “situatës së ndërlikuar” në Kosovë 5 muaj pas shpërthimit të demonstratave studentore nënvizon natyrën e vështirë të problemeve që lidhen me nacionalizmin shqiptar. Për më tepër, tensionet e rritura ndërmjet shqiptarëve, nga njëra anë, dhe serbëve dhe maqedonasve, nga ana tjetër, kanë prodhuar një “reagim të ashpër” nacionalist veçanërisht në radhët e serbëve. Ekziston njëfarë shqetësimi në mes jugosllavëve dhe një “reagim i tillë i ashpër” mund të acarojë mosmarrëveshjet për kombësinë në përgjithësi dhe mund të dëmtojë rëndë Federatën.

(C)       Maturia e jugosllavëve në marrëdhëniet e ardhshme me Shqipërinë

Megjithëse Shqipëria nuk mund të bëhet përgjegjëse për trazirat, zyrtarët jugosllavë duhet të jenë më të kujdesshëm në marrëdhëniet e ardhshme me Tiranën dhe të sigurojnë se shqiptarët në Jugosllavi nuk përbëjnë kërcënim për stabilitetin. Në përballimin e problemeve të lidhura me pakicën e pakënaqur shqiptare dhe Tiranën armiqësore, autoritetet jugosllave do të duhet të tregojnë maturi dhe vetëpërmbajtje – qoftë edhe vetëm për të penguar Shqipërinë që tëmos kthehet nga sovjetikët, dhe BRSS që të mos bëhet përfituesi kryesor i pasojave të Kosovës. Fushata intensive anti-shqiptare e propagandës së Beogradit ka shërbyer për të ndezur armiqësitë tradicionale dhe mbase për të bërë të pamundur ndonjë përmirësim të rëndësishëm në marrëdhëniet dypalëshe gjatë kohës që Hoxha është në pushtet. Përpjekjet jugosllave për të minuar Hoxhën do të jenë ndoshta joproduktive për të ardhmen e parashikueshme; ato ka të ngjarë që do të forconin mbështetjen e tij në radhët e popullsisë shqiptare e frikësuar nga “hegjemonia” jugosllave dhe mund të bëjnë më tërheqës afrimin me sovjetikët.

Nuk dihet se çfarë efekti, nëse ka ndonjë, ka pasur “brutaliteti” i supozuar jugosllav për shtypjen e trazirave në rritjen e ndjenjës kosovare për t’u bashkuar me Shqipërinë (më shumë se statusin e Republikës jugosllave). Po kështu, askush nuk mund të dallojë nëse brutaliteti ka pasur rol në vendimin e regjimit shqiptar për të vepruar si “protektor” i komunitetit shqiptar në Jugosllavi. Por Tirana ishte qartazi e gatshme për të rrezikuar marrëdhëniet e saj me Beogradin mbi çështjen e Kosovës.

(C)       Vazhdimi i armiqësisë shqiptare

Në propagandën e saj, Tirana shfrytëzoi qëllimisht vështirësitë e regjimit jugosllav me qëllim që të përmirësonte imazhin e saj në radhët e komunitetit etnik shqiptar. Ajo bëri të ditur qëllimin e saj për të kundërshtuar “persekutimet” dhe “përndjekjet” e Beogradit në Kosovë; ajo, gjithashtu, akuzoi se politikat e jashtme dhe të brendshme të Jugosllavisë duhet të kundërshtohen sepse ato ishin “të mbushura me rrezik” për Shqipërinë, vetë Jugosllavinë dhe Ballkanin. Duke pasur parasysh rezistencën pa kompromis të Hoxhës ndaj “revizionizmit” jugosllav, ka të ngjarë që regjimi i Tiranës të braktisë rolin e vet negativ në të ardhmen e afërt. Hoxha dhe udhëheqësit e tjerë shqiptarë mund të jenë bindur se përpjekjet e tyre për të shfrytëzuar problemet politike, ekonomike dhe etnike të Jugosllavisë do të detyrojnë udhëheqësit e Beogradit të përqendrohen në punët e brendshme dhe jo në punët e jashtme, duke e bërë Beogradin një kërcënim shumë më të vogël për Shqipërinë. Propagandistët e Tiranës e kanë karakterizuar situatën e Jugosllavisë si një situatë të “kontradiktave dhe dizintegrimit të thellë kombëtar, politik, ekonomik dhe shtetëror”. Nëse shqiptarët aktualisht e ndjenin se regjimi jugosllav rrezikonte të shembej, mund të pritej që ata të organizonin një përpjekje më agresive për të realizuar qëllimin e tyre “Një Shqipëri”. Për të arritur këtë, ata mund të bëjnë marrëveshje me sovjetikët – ashtu siç shumë jugosllavë dyshojnë se ata tashmë e kanë bërë një gjë të tillë.

Sidoqoftë, deri tani nuk ka tregues se Hoxha ka bërë ndonjë gjest ndaj Moskës ose se ai ka qenë perceptues ndaj propozimeve sovjetike për përmirësimin e lidhjeve shqiptaro-sovjetike. Që prej trazirave në Kosovë dhe përkeqësimit vijues të marrëdhënieve jugosllavo-shqiptare, Tirana është përpjekur të përmirësojë marrëdhëniet e saj me vendet e zgjedhura perëndimore dhe të paangazhuara. Marrëveshja e qershorit midis Shqipërisë dhe Italisë për një program shkëmbimi arsimor, kulturor dhe shkencor për vitet 1981-1983, mund të jetë ndikuar nga vendimi jugosllav për të anuluar programet e ndryshme ekzistuese të bashkëpunimit me Shqipërinë. Vlerësimet e brendshme (vështirësitë ekonomike dhe kundërshtimi në rritje ndaj politikave dogmatike dhe izolacioniste) mund të kenë luajtur rol në vendimin e Shqipërisë për të sulmuar politikat e Jugosllavisë. Hoxha mund të ketë pasur dëshirë të përdorte Jugosllavinë si një mjet për të mbledhur popullsinë e tij kundër kërcënimit të jashtëm dhe për pasojë për të minimizuar trazirat e brendshme. Ai gjithashtu mund të ketë qenë i shqetësuar për ndikimin eventual të përpjekjes jugosllave për të përdorur Kosovën si urë dhe “vend tërheqës” për shqiptarët dhe për krahasimet e urryera midis lirive më të mëdha politike, shoqërore dhe ekonomike në Kosovë kundrejt kushteve shtypëse, izolacioniste dhe të prapambetura në Shqipëri (disa mësues të dërguar nga Shqipëria në Kosovë në programet e shkëmbimit thuhet se janëpushuar nga shërbimi apo dëbuar në provinca pas kthimit të tyre – me dyshimin se janë molepsur nga “revizionizmi” jugosllav). Gjithashtu, disa zyrtarë drejtues të spastruar nga Hoxha në vitet 1970, duke përfshirë ish-Ministrin e Mbrojtjes Balluku dhe ish-Kryetarin e Parlamentit Këllezi – të dy bashkëpunëtorë për një kohë të gjatë të Hoxhës – thuhet se kanë pranuar që kanë pasur “lidhje tradhtare” me “revizionistët” jugosllavë dhe sovjetikë.

(C) Perspektivat

Marrëdhëniet jugosllavo-shqiptare kanë pësuar kthim të rëndë prapa; Mund të duhen vite që të ndodhin përmirësime. Ka të ngjarë që të dyja palët të presin me durim duke e parë njëra-tjetrën me mosbesim, por duke shmangur  një prishje që mund të inkurajojë Moskën për t’u bërë më aktive në Ballkan. Zyrtarët jugosllavë e kuptojnë se Tirana ka aftësinë që të nxisë pakënaqësi dhe trazira në radhët e shqiptarëve etnikë. Kështu, zgjidhja e “problemit” shqiptar mbetet vendimtare për integritetin territorial të Jugosllavisë dhe për stabilitetin në Ballkan. Pas ikjes së Hoxhës, mund të rriten perspektivat për përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe, veçanërisht nëse shfaqet një udhëheqje më pragmatike. Megjithatë, një udhëheqje e tillë mund të rrisë tërheqjen e bashkimit me Tiranën për shqiptarët etnikë në kufirin jugosllav – nëse këta udhëheqës nuk kanë minimizuar këndvështrimin nacionalist. Por, udhëheqësit e Tiranës mund të vazhdojnë gjithashtu paragjykimet e forta anti-jugosllave që kanë karakterizuar hierarkinë shqiptare, dhe nga halli të kthehen nga Perëndimi ose, siç ka më shumë të ngjarë, të kthehen nga sovjetikët për ndihmë ekonomike ose mbrojtje kundër Jugosllavisë. Për shumë shqiptarë, Jugosllavia fqinje ka qenë gjithmonë një kërcënim më i madh sesa BRSS e largët.

Përgatitur nga P. Costolanski                                                            Miratuar nga M. Mautner

                             x22876                                                                                               x29536

 -88-

Konfidenciale

Shkresë për Beogradin

GRS 1083

Nga J C R Gray, EESD

Referenca e dosjes, datë 25 gusht ‘81

Grupi i punës i EC/Evropës Lindore: analizë mbi situatën në Shqipëri

 

  1. Duhet të keni parë në përkujtesën time të datës 7 gusht për Joe Banks se në përgjigje të sugjerimit të Terry Clark për të bërë një analizë mbi zhvillimet e brendshme në Shqipëri, po bëjmë përgatitje që këtë ta marrë përsipër EC/EEWG në mbledhjen e radhës më 16 dhe 17 shtator. Paragrafët 2 deri në 9 më poshtë përbëjnë përpjekjen time të parë për një draft të tillë ku dhe do të mirëprisja çdo koment apo kritikë nga Beogradi. A mund t’i dërgoni këto komente afërsisht deri të mërkurën më 2 shtator? Nëse mund të arrijnë pas 28 gushtit a mund t’i adresoni tek Bob Campbell, i cili do të grumbullojë komentet në mungesën time ndërkohë që jam me leje gjatë gjysmës së parë të shtatorit?
  2. Fillimi i draftit

Hyrje

Në mungesë të Ambasadës Britanike në Tiranë jemi domosdo të keqinformuar për situatën politike në Shqipëri. Për rrjedhojë, qëllimi i këtij dokumenti është që të hedhim në letër atë që dimë me shpresën se partnerët që kanë misione rezidente në Tiranë, mund të jenë në gjendje të mbushin këto boshllëqe. Do të mirëpritet veçanërisht një analizë e mëtejshme politike.

  1. Regjimi shqiptar mbetet regjimi më i rreptë despotik dhe Stalinist në Evropën Lindore. Por që prej Kongresit të fundit në vitin 1976, ka pasur njëfarë zbutjeje në çështje të tilla si kontaktet me të huajt. Kjo politikë mund të jetë mbështetur veçanërisht fort nga Hoxha: por ka sugjerime se mund të ketë qenë më pak e mirëpritur për Shehun. Megjithatë, të dhënat për një divergjencë të tillë janë aq të pakta sa të mos konsiderohet më shumë se thjesht një hipotezë e arsyeshme paraprake.
  2. Por, megjithëse kemi pak të dhëna mbi mosmarrëveshjet politike brenda Partisë, ka të dhëna të qarta mbi dallimin mes brezave në organe të ndryshme partiake.

Byroja Politike aktuale e cila u zgjodh në Kongresin e 7-të në vitin 1976, përbëhet nga 11 anëtarë të plotë dhe 5 anëtarë kandidatë. Të gjithë anëtarët e plotë, përveç dy relativisht të posaardhurve, Hekuran Isai dhe Pali Miska, të cilët u zgjodhën në vitin 1975, i përkasin grupit të periudhës së luftës që është i lidhur ngushtë me Hoxhën dhe është zgjedhur në mënyrë të përsëritur. Por të gjithë, përveç njërit prej anëtarëve kandidatë, janë emëruar që në vitin 1975 dhe i përkasin një brezi të ri që ka marrë dominim të menjëhershëm nën patronazhin e Hoxhës. Një dallim i ngjashëm brezash ekziston në Sekretariatin me 4 anëtarë përfshirë Hoxhën: një, Ramiz Alia, ka qenë anëtar që prej vitit 1960. Por dy të tjerët, Hekuran Isai dhe Prokop Murra, janë emëruar në vitin 1976. Prurja e gjakut të ri është edhe më qartësisht e dukshme në Komitetin Qendror, ku më shumë se gjysma e 77 anëtarëve të tij janë zgjedhur për herë të parë në Kongresin e fundit. Duket e mundshme që shumica e figurave të promovuara rishtazi janë persona të favorizuar nga Hoxha dhe që pasqyrojnë pikëpamjet e tij.

Vijimësia

  1. Hoxha, Sekretari i Parë i Partisë e ka mbajtur këtë post që në vitin 1948, dhe Shehu, si Kryeministër, që në vitin 1954. Ata janë respektivisht 73 dhe 68 vjeç dhe thuhet, së paku prej disa vitesh, se Hoxha është i sëmurë rëndë me ankesa të ndryshme përfshirë sëmundjen e kancerit dhe parkinsonit. Dalja e tij e fundit për të cilin jemi në dijeni ishte në ditën e 1 Majit këtë vit kur ai në dukje ishte në formë të mirë. Dëshmi të një vijimësie të mundshme mund të dalin nga Kongresi i 8-të i Partisë që pritet të mblidhet më 1 nëntor. Por, për momentin, besojmë se pasardhësi më i mundshëm do të jetë Shehu dhe Alia do të jetë zgjedhje e dytë.

Ekonomia

  1. Shqipëria është ende vendi më i varfër në Evropë dhe tërheqja nga ndihma kineze në vitin 1978 ishte një goditje. Por standardi i jetesës dhe kushtet sociale janë përmirësuar. Aktualisht theksi kryesor në politikën industriale është në elektricitet, kimikate (veçanërisht plehrat kimike) dhe inxhinieri (veçanërisht pjesët rezervë për pajisjet kapitale ekzistuese). Në bujqësi, Shqipëria ka qenë e pavarur në prodhimin e grurit që në vitin 1976 dhe madje ka prodhuar teprica të vogla për eksport. Plani aktual 5-vjeçar (1981-85) synon vazhdimin e rritjes së shpejtë, përsëri pa hua nga jashtë dhe ndihmë ekonomike. Me gjithë sukseset e pretenduara për rritjen e shkallës së ngritjes ekonomike pa ndihmë të huaj, Shqipëria ka të ngjarë ta ketë tejet të vështirë të ruajë rritjen e shpejtë nëse vazhdon me politikën e vetëmjaftueshmërisë së ngurtë.
  2. Shqipëria ka disa burime natyrore: naftë që mjafton për të mbuluar një të tretën e nevojave të saj dhe për të lënë një tepricë të vogël për eksport (megjithëse ka cilësi të dobët dhe vështirësi në nxjerrjen e saj), qymyr dhe një potencial të konsiderueshëm hidro-elektrik. Vendi ka gjithashtu burime të rëndësishme mineralesh hekuri dhe bakri, megjithëse aktualisht prodhimi i bakrit është në një shkallë mjaft të vogël. Burimi më i rëndësishëm i Shqipërisë është kromi, për të cilin ajo është aktualisht prodhuesja e tretë më e madhja në botë dhe eksportuesja e dytë më e madhe. Por ne besojmë se rezervat e vërtetuara janë ndoshta të mjaftueshme për më pak se prodhimin e 10 viteve në normat aktuale dhe përfaqësojnë vetëm rreth 1% të rezervave të përgjithshme botërore; edhe rezervat potenciale ndoshta nuk do të zgjasin më shumë se për 20 vjet të tjera. Shqipëria do të jetë me fat nëse do të ruajë prodhimin e mineralit të kromit në nivelin aktual deri në fund të viteve 1980. Për pasojë, objektivi për zgjerim është i kufizuar. Do të duhet disa kohë për të zgjeruar kapacitetin e prodhimit.

Tregtia e jashtme

  1. Qeveria shqiptare ka bërë përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet tregtare me 80 apo më shumë vende me të cilat ajo ka marrëdhënie diplomatike. Por që në fillim të viteve 70, tregtia e jashtme shqiptare nuk është rritur më shumë se 600 milion dollarë amerikanë në vit. Tregtia me vendet jo-sovjetike Komekon (Comecon) është rreth 200 milion dollarë amerikanë në vit, kryesisht me bazë shkëmbimi. Tregtia me Bashkimin Sovjetik është e papërfillshme. Tregtia me Perëndimin e zhvilluar arrin gjithashtu në rreth 200 milionë dollarë amerikanë. Partneri më i madh tregtar i Shqipërisë tani është Jugosllavia. Kohët e fundit, Shqipëria është përpjekur të inkurajojë partnerët e saj tregtarë perëndimorë që të bëjnë tregti mbi bazën e shkëmbimit ose ndërrimit të mallrave: një gjë e tillë mund të pengojë planet për zgjerimin e këtyre lidhjeve tregtare në të ardhmen e afërt.
  2. Balancimi i tregtisë shqiptare midis Lindjes dhe Perëndimit nuk është thjesht rezultat i dëshirës së udhëheqjes për të ruajtur pavarësinë politike të vendit. Pajisjet e avancuara perëndimore do të mbeten jetike për zhvillimin e industrisë shqiptare, por tregjet e Komekon janë më shumë të afta që të tërheqin mallra të prodhuara shqiptare të kualitetit të dobët. Megjithëse Shqipëria ka kapacitetin të shtojë eksportet e saj minerale dhe energjetike, ajo nuk do të jetë në gjendje të importojë të gjitha makineritë që kërkon nga Perëndimi: disa furnizime do të duhet të vijnë nga Evropa Lindore.

Nënshkruar nga J C R Gray

 

-89-

Konfidenciale

C

H E C

DA

Për dijeni: J C R Gray Esq, EESD

P Rennie Esq

Departamenti i Kërkimit

Shqipëria

 

  1. Takova sot Jan Hesseling në Ambasadën holandeze për të diskutuar për Shqipërinë.

Personalitetet

  1. Ai tha se ishte shumë e vështirë për Misionet në Tiranë për të marrë të dhëna për personalitetet drejtuese në Shqipëri meqenëse nuk janë publikuar madje as detajet bazë të tilla si vendi dhe data e lindjes. Hesseling komentoi se, megjithëse Hoxha është i sëmurë, ai shkruan ende artikujt kryesorë për gazetën “Zëri i Popullit” dhe ruan një kontroll të fortë të çështjeve shtetërore. Ai shfaqet në publik tre herë në vit, më 1 maj, 29 nëntor dhe rasti i tretë është zakonisht kur viziton një fabrikë. Për pjesën tjetër të kohës ai qëndron në shtëpinë e tij, e cila është larg rrugës kryesore në Tiranë dhe vizitohet vetëm nga këshilltarët e tij të afërt. Thuhet se ai asnjëherë nuk i shtrëngon dorën të huajve, por kalon në distancë dhe i përshëndet. Hesseling komenton se kjo sjellje ksenofobike është ndoshta shkaku kryesor i politikës izoluesee Shqipërisë. Ai tha se Shehu i pranon letrat kredenciale nga Ambasadorët e rinj dhe, në përgjithësi, vepron si President me Hoxhën që ruan një rol të fortë, por gjithsesi në sfond.

Çështjet ekonomike

  1. Drafti i Planit të ri 5-vjeçar u miratua në fillim të korrikut dhe do të jetë plani i parë sipas të cilit Shqipëria duhet të mbështetet tërësisht në burimet e veta. Ai tha se shqiptarët e kanë pranuar se standardi i jetesës do të bjerë për shkak të Planit, por ata kanë thënë se më parë pranojnë të jenë të varfër dhe të pavarur sesa të varen nga vendet e tjera.

Disidentët

  1. Jan Hesseling tha se, sipas jugosllavëve, në Shqipëri ka rreth 1-2,000 të burgosur politikë (një shifër shumë më e ulët se 20,000 që pretendohet nga grekët). Ata zakonisht marrin dënime të rrepta me punë të rëndë dhe mbahen në kampe të veçanta. Të burgosurit nuk mbahen të izoluar por në grupe. Disidentët që janë arratisur thonë se është e vështirë të largohesh nga vendi meqenëse kufijtë (duke përfshirë liqenet) janë të mbrojtur nga dy gardhe me lidhje zinxhirësh rreth 300 metra larg njëri tjetrit. Në kufijtë tokësorë zona ndërmjet gardheve është shtruar me mina tokësore dhe mina anti-personel.
  2. Jugosllavët thonë se rreth 1,000 shqiptarë arrijnë të largohen nga vendi çdo vit për në Jugosllavi. Me të arritur aty, ata mbyllen në kampe të veçanta pritëse për rreth tre jave ndërkohë që merren në pyetje. Pjesa më e madhe e tyre marrin azil politik aty dhe vendosen në zonat shqiptare të Maqedonisë, Malit të Zi dhe natyrisht Kosovës. Pjesa tjetër dorëzohen pranë UNHCR që të risistemohen në vende të tjera.

27 gusht 1981

                                                                                                                                            I Juaji

  1.      Ward

 

-90-

Konfidenciale

GRS 370

FM Beograd 011400Z shtator ‘81

Direkt për FCO

Telegram nr. 156, i datës 01 shtator ‘81

Shkresa e Gray e datës 25 gusht: dokumenti i EC/EEWG mbi situatën në Shqipëri

 

  1. Përshëndes këtë iniciativë për të grumbulluar të dhënat e EC meqenëse është e qartë nga kërkimet e rastësishme këtu se disa nga kolegët tanë kanë më shumë informacione në Shqipëri nga vëzhgimet e drejtpërdrejta sesa na janë vënë në dispozicion.
  2. Kritika ime kryesore për draftin është se nuk adreson në mënyrë të drejtpërdrejtë problemin e ngritur në letrën time të datës 12 maj për Brian Fall, konkretisht pasojat për Kosovën dhe Jugosllavinë nga ndryshimi i regjimit në Shqipëri. Mendoj se duhet të përfshini në hyrje, p.sh. pas fjalisë së parë, diçka që të ketë efektin në vijim: “Interesi ynë është rritur veçanërisht nga deklaratat jugosllave se një prej arsyeve të trazirave të kohëve të fundit në Kosovë ishte se nacionalistët shqiptarë të Kosovës po përgatisnin rrugën për pavarësinë e Kosovës nga Serbia si një hap i parë drejt shkëputjes nga Jugosllavia dhe bashkimit me Shqipërinë. Sidoqoftë, në qarqet perëndimore është arsyetuar se nacionalistët nuk ishin aq shumë të interesuar për t’u bashkuar me Shqipërinë e Enver Hoxhës si një vend nën regjimin e pasuesit në të cilin kosovarët do të luanin një rol drejtues. Të dhënat tona në mbështetje të një spekulimi të tillë janë të pakta, qëllimi i këtij dokumenti është ECT (siç vazhdon drafti juaj)”.
  3. Nëse pranoni këtë hyrje, nevojitet të përmendni në pjesën kryesore të shkresës lidhjet e mundshme midis shqiptarëve të Kosovës dhe organizatave shqiptare të emigrantëve, për të cilat jugosllavët kanë folur shumë, si dhe lidhjet e këtyre organizatave me shërbimet e fshehta shqiptare/sovjetike/të tjera, për aq sa janë të njohura. Nëse ka një dorë sovjetike që punon në Kosovë, si dëshmi të së cilës kemi vetëm deklaratën enigmatike të Gjuranoviq bërë së fundmi në Athinë dhe deklaratën po aq enigmatike të Vrhovec bërë në Londër, a mund të ketë një lidhje me elementët e pretenduar sovjetikë në Shqipëri? Arsyetimi për këto linja do të çonte në një konkluzion të ngjashëm me atë të JIC(81) (N) 39 të datës 16 korrik, (një version të të cilit kolegët tanë të EC do ta kenë nga NATO?).
  4. Në një pikë tjetër më të detajuar në paragrafin tuaj 8, mund të përmendni vizitën e fundit të Bashiq në Tiranë për bisedime tregtare (referuar në shkresën e Jon Ward të datës 12 gusht).

Clark

  

-91-

Konfidenciale

  1. E. Montgomery                                    Ambasada britanike

Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore                                                            Beograd

Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit                                                                  1 shtator 1981

I nderuar Alan,

Kosova

 

  1. Ju falënderoj për letrën tuaj të datës 12 gusht, ku komentoni mbi njoftimin e Ambasadorit të datës 1 korrik. Mirëpres dialogun për këtë pikë.

Situata e sigurisë

  1. Tendenca drejt qetësimit të situatës së sigurisë, që është theksuar në letrën time të datës 28 korrik, duket se vazhdon. Siç shprehet Charles Crawford më vete, shtypi është i mbushur me raporte që tregojnë një qëndrim të sigurt në drejtim të rihapjes së shkollave më 1 shtator. Në të kundërt, raportet mbi “eksese” të vogla po bëhen gjithnjë e më të rralla. Gjithashtu kam dëgjuar nga Departamenti i Protokollit më 1 shtator se diplomatët kanë marrë aktualisht leje për të vizituar Kosovën si turistë, megjithëse njoftimi tyre nuk është bërë ende meqenëse zyrtarët lokalë janë “tepër të zënë”. Do t’ju dërgojmë sa më shpejt informacione mbi studimin e terrenit.
  2. Ndërkohë, ekzistojnë raporte mbi diskutime serioze të zhvilluara midis firmave kosovare dhe firmave të tjera jugosllave me qëllim që të krijojnë ndërmarrje të reja në Krahinë. Këto marrëveshje, të njohura në zhargon si “fondet sociale shoqëruese”, padyshim do të pasqyrohen në Planin e rishikuar 5-vjeçar për Kosovën që pritet të dalë më vonë gjatë këtij muaji.
  3. Megjithëse këto janë të gjitha shenja shpresëdhënëse për rikthimin e statuskuossë mëparshme, jam dakord me konkluzionin tuaj që problemi themelor vazhdon. Dënimet e ashpra që po jepen për udhëheqësit e demonstratave dhe për të tjerë për vepra penale krahasimisht të vogla të tilla si thjesht shkrimi i parullave dhe përjashtimi i studentëve, nxënësve dhe punëtorëve, janë masa të rënda shtypëse, të cilat mund të veprojnë si element frenues në aspektin afatshkurtër, por gjithashtu mund të forcojnë pakënaqësinë e nacionalistëve dhe vendosmërinë e tyre për të rezistuar në aspektin afatgjatë.
  4. Një incident i çuditshëm dhe i pashpjeguar deri tani më 24 gusht mund të jetë puna e opozitës. Në orën 10.15 të këtij mëngjesi, linja elektrike që transportonte energji elektrike nga Kosova në Maqedoni, duhej të mbyllej “për shkak të një defekti”. Maqedonia ishte pa energji elektrike për një orë e gjysmë derisa u mundësua një lidhje me Greqinë. Për këtë u ngrit një komision i veçantë për hetimin e situatës. Unë arsyetoj se ky rast mund të ketë qenë sabotim.

Nacionalizmi serb

  1. Kam reflektuar mbi vëzhgimet tuaja lidhur me efektet anësore të Kosovës për nacionalizmin serb. Natyrisht keni pasur në mendje artikullin e mirë-informuar të Chris Cviiç në gazetën ‘The Tablet’ të datës 8 gusht. Megjithatë, mendoj se vërejtjet e tij mbi marrëdhëniet serbo-maqedonase janë tërësisht spekulim. Është e vërtetë se kontaktet e nivelit të lartë midis autoriteteve dhe Kishës Ortodokse serbe duket se kanë qenë më të shpeshta së fundmi dhe po kështu atmosfera, duke gjykuar nga pasqyrimi i TV, ka qenë më e ngrohtë. Sidoqoftë, kjo situatë nuk ka penguar kritikën zyrtare në shtypin popullor të nacionalistëve klerikë, të cilët përfshinin ortodoksë si dhe katolikë dhe myslimanë dhe vetëm rreth një javë më parë doli një përgjigje e fuqishme në gazetën “Pravoslavlje”, e cila është një gazetë ortodokse që del dy herë në muaj. Kështu, e gjithë kjo panoramë nuk është e gjitha e ëmbël dhe e ndriçuar.
  2. Përveç kësaj, Cviiç është në rrugë të gabuar për kishat serbe dhe maqedonase. Problemi për pajtim nuk premtonte sukses në anën maqedonase. Patriarku serb, German, ka kundërshtuar thekshëm krijimin e Kishës autoqefale maqedonase dhe, sipas të gjitha gjasave, vazhdon të mbajë këtë qëndrim. Natyrisht pakënaqësia e tij mund të jetë e shoqëruar me Kryepeshkopin Dositej, por vdekja e këtij të fundit dhe zëvendësimi i tij më 18 gusht nga Angelarij, ish metropolitani 70-vjeçar i Dibrës dhe Kërçovës, nuk ka të ngjarë që të ndryshojë qëndrimin e Germanit. Dyshoj se pajtimi mund të arrihet vetëm pas vdekjes së Germanit. Por ky mendim është po aq spekulativ sa edhe pikëpamja e Cviiqit.
  3. Për momentin, nacionalistët e zjarrtë serbë do të vazhdojnë të ankohen për “humbjen” e Maqedonisë dhe nacionalistët e zjarrtë maqedonas padyshim do të vazhdojnë të ndjejnë keqardhje për sundimin e mëparshëm serb. Por unë nuk shoh se maqedonasit mund të sulen me armët e tyre thjesht për shkak të trazirave me shqiptarët në krahinën e Tetovës. Maqedonasit duket se e kanë situatën plotësisht nën kontroll atje dhe kanë bërë të qartë se shqiptarët e tyre janë shqiptarë maqedonas dhe do të mbeten të tillë, duan apo s’duan ata. Duket se ata nuk i janë drejtuar Serbisë apo tjetërkujt për ndihmë.

Kushtetuta

  1. Siç e thoni edhe ju, zgjidhja kushtetuese nuk ekziston për Kosovën. Nëse ka pasur ndonjë dyshim në këtë drejtim, Vidiq, Kryetar i Kryesisë serbe i ka hedhur poshtë ato në një vizitë në Mitrovicë më 26 gusht, ku përsëriti në një fjalim aty se “sipas Kushtetutës së Federatës, Serbisë dhe Krahinave Autonome të vitit 1974, është përcaktuar statusi autonom i Krahinave, si dhe është përcaktuar plotësisht pjesëmarrja e tyre aktive në arritjen e marrëveshjeve dhe mirëkuptimit midis Republikave, Krahinave dhe Federatës si dhe roli i tyre aktiv në funksionimin e Serbisë në tërësi”. Megjithatë, më vonë ai theksoi: “Nevojitet që ne së bashku të çojmë më tej dhe të perfeksionojmë të gjitha aspektet e marrëdhënieve kushtetuese në Republikën tonë. Kushdo që kundërshton në publik shqyrtimin e kësaj teme, është i gabuar”. Kjo deklaratë synon të konfirmojë se shqyrtimi i çështjes vazhdon, por më tepër ka të bëjë me objektivin e shtrëngimit të situatës sesa të lehtësimit të saj.

 

                                                                                                                                           I Juaji

  1.                                            J. Crark

Për dijeni: P Rennie Esq

Departamenti i Kërkimit

  -92-

Për përdorim të kufizuar

 J C R Gray Esq                                                                                         Ambasada britanike

Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore                                                            Beograd

Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit                                                                    2 shtator 1981

I nderuar Charles,

Kosova: përgatitjet për vitin e ri shkollor

Përmbledhje

 

  1. Autoritetet e Kosovës janë përgatitur shumë për vitin e ri shkollor që filloi sot (Universiteti i Prishtinës rihapet në tetor). Vëmendje e veçantë i është kushtuar në Kosovë, por edhe në Mal të Zi dhe në Maqedoni përmbajtjes së teksteve shkollore në gjuhën shqipe; shumë libra janë konstatuar se përmbajnë paragrafe me tone nacionaliste dhe për rrjedhojë janë tërhequr nga përdorimi. Është kërkuar që të vihen para përgjegjësisë personat përgjegjës për shqyrtimin e këtyre teksteve shkollore dhe pranimin e tyre, por që deri tani pa sukses. Por autoritetet jugosllave vazhdojnë t’i japin shumë rëndësi rifillimit të qetë të mësimit.

Detaje

  1. Siç kam raportuar (në letrën time për ju të datës 23 korrik), autoritetet në Kosovë kanë shfrytëzuar pushimet verore për të shqyrtuar sistemin arsimor në Krahinë dhe për të futur një larmi ndryshimesh. Meqenëse është afruar data e planifikuar për rifillimin e mësimit, shtypi ka vëzhguar nga afër (nëse jo në mënyrë të përsëritur) zhvillimet në këtë krahinë të rëndësishme; përmbledhja e mëposhtme është marrë nga përshkrimi i ngjarjeve në gazetën “Politika”, përveç kur shprehej ndryshe.
  2. Në një fjalim madhor të Komitetit Qendror të LKK më 6 gusht, Sekretari i Kryesisë, Peter Kostiq, identifikoi katër detyra të gjera arsimimi në Kosovë: nevojën për diferencim në radhët e kuadrove të përfshirë në arsim për të përjashtuar të gjithë ata që nuk kishin “cilësitë e duhura moralo-politike” apo që kishin prirje nacionaliste; heqjen e “një numri të madh njerëzish të pakualifikuar”; nevojën për të mbushur këto hapësira me kuadro të përgjegjshëm; si dhe një shqyrtim analitik dhe kritik të bazës ideologjike të programeve shkollore dhe, në veçanti, teksteve shkollore. Megjithëse këto objektiva pa dyshim janë ndjekur pak a shumë me kujdes, gjatë muajit të fundit shtypi ka nxjerrë së paku disa të dhëna që tregonin se në jetën akademike të Krahinës po zëvendësohet “një numër i madh njerëzish të pakualifikuar”. Mbase suksesi në këtë front do të përmbushë përpjekjet e Z. Rushi për t’i dhënë fund praktikave shkel e shko dhe jokompetente mësimdhënëse në Universitetin e Prishtinës. Por analiza e fundit e përmbajtjes së teksteve shkollore ka qenë vërtet domethënëse.

Tekstet shkollore

  1. Historia kryesore në Kosovë për këtë çështje ka qenë refuzimi i plotë i një vlerësimi të mëparshëm nga Komiteti përgjegjës i Këshillit të Arsimit të Kosovës që tekstet shkollore aktualisht në përdorim, janë të kënaqshme, megjithëse mund të bëhen një a dy ndryshime. Gazeta “Politika” më 20 gusht është nxitur që të sulmojë këtë konkluzion të bërë nga një gazetë serbe në Prishtinë, ku theksoi se pikërisht autorët dhe botuesit e librave kishin qenë përgjegjës për kontrollin e tyre. Për shembull, në një libër historie, gabimet ishin të shumta dhe të dukshme: fotoja e Titos mungonte në faqen e përparme të librit; Tito thuhej se ka lindur “shumë larg nesh”; emri i plotë i Jugosllavisë ishte dhënë në mënyrë të pasaktë; është ngatërruar dallimi i rëndësishëm jugosllav midis termave “kombe” dhe “kombësi”; dhe është pasqyruar lufta partizane në Kosovë por jo lufta tjetërkund në Jugosllavi. Me fjalë të tjera, libri portretizonte një pamje tejet ‘Kosovo-centrike’ të botës.
  2. Në ditët e ardhshme shtypi nxori më shumë shembuj të librave të papërshtatshëm, shpesh të shkruar prej shqiptarëve nga Shqipëria, në të cilat tonet nacionaliste ishin mjaft të qarta. Më 29 gusht Këshilli i Arsimit të Kosovës bëri të ditur se nuk ishte pranuar konkluzioni i mëparshëm dhe përmendi 14 libra të cilët do të hiqeshin nga përdorimi në gjuhën dhe letërsinë shqipe. Gjithashtu, Komiteti Ekzekutiv i Kuvendit serb vendosi të hetonte përgjegjësinë e inspektorëve të shkollave, të cilët kishin aprovuar materiale të tilla si të përshtatshme.
  3. Është interesante se autoritetet në Mal të Zi dhe Maqedoni gjithashtu nuk lanë gur pa lëvizur. Kështu, në Mal të Zi u zbulua se kurset e letërsisë që mësoheshin aty në gjuhën shqipe, i kushtonin rreth 67 orë letërsisë nga Shqipëria dhe vetëm 59 orë letërsisë jugosllave dhe asaj botërore. Në Maqedoni deri në 40% të teksteve shkollore aktuale në gjuhën shqipe vinin nga autorë të Shqipërisë e madje edhe nga shqiptarë që jetonin në Bullgari. Vetëm 7 (!) libra aktualisht në përdorim në orët e gjuhës shqipe në shkolla, ishin të përshtatshme për t’u përdorur në vijim. Në një mbledhje të Këshillit Arsimor Republikan në Shkup më 28 gusht, thuhej se “këta libra shkollorë ushtronin prej vitesh një influencë negative”. Disa prej tyre madje glorifikonin Stalinin dhe Enver Hoxhën. Thirrje të forta ishin bërë që personat përgjegjës të viheshin para përgjegjësisë. Megjithatë, deri tani asnjë person nuk është dënuar rëndë për këtë çështje në Kosovë, ose në Maqedoni apo Mal të Zi. Me të vërtetë, kaq shumë mësues dhe zyrtarë janë përfshirë saqë do të ishte e vështirë për të ditur se ku të fillohej – apo ku të ndalohej. Duke komentuar këtë çështje në tërësi, një artikull i gazetës “Borba” më 1 shtator vinte në dukje me sarkazëm se Universiteti i Prishtinës kishte “1,022 mësues, duke përfshirë 244 me gradën Dr. dhe 216 me gradën Ma., por nga 143 libra shkollorë që përdoreshin rregullisht në fakultetet e Universitetit, vetëm 38 prej tyre ishin shkruar në Jugosllavi”.

Universiteti i Prishtinës

  1. Pak lajme ka pasur që prej letrës sime të datës 28 korrik, në të cilën në paragrafin 4 kam përmendur se regjistrimi i studentëve në klasat ku mësimi jepej në gjuhën serbo-kroate, nuk ka shkuar aq mirë, megjithëse janë pritur përmirësime. Sidoqoftë, ‘raundi’ i dytë i regjistrimit nuk ka dhënë shumë kënaqësi në këtë rezultat; më 26 gusht ishte njoftuar se ishin zënë të gjitha vendet në degët e fakultetit të drejtësisë, mjekësisë, ekonomikut dhe fakulteti bujqësor, por në lëndë të inxhinierisë, metalurgjisë, matematikës dhe në lëndë të tjera të tilla kishte shumë pak të regjistruar, veçanërisht kur mësimi jepej në gjuhën serbo-kroate. Ndërkohë, vazhdon ‘raundi’ i tretë i regjistrimit. Në të kundërt, e vetmja pikë tjetër për t’u theksuar doli në një artikull në gazetën “Politika” më 14 gusht, ku shqyrtoheshin hapat e marrë (të cilat janë përmendur në letrat tona) për të siguruar se komunitetet lokale ushtrojnë kontroll shumë më të rreptë mbi studentët nga krahinat e tyre. Është identifikuar edhe problemi i studentëve që pranojnë bursa nga firmat e më pas dështojnë të përmbushin detyrimet e tyre. Gjatë pesë vjetëve të fundit, kompleksi gjigant“Trepça” ka sponsorizuar 2,090 studentë të universitetit dhe shkollës së mesme në pritje që të punësonte për pasojë mbi 1,000 ekspertë të rinj. “Por vetëm 211 studentë kanë përmbushur detyrimet e tyre ndaj … kolektiv … një numër i madh janë zhdukur pa lënë gjurmë dhe 620 studentë kanë humbur bursat e tyre pas rezultateve të dobëta”. Ky fakt përfaqëson një humbje të madhe financiare për “Trepçën”.
  2. Më tej do t’ju raportoj më vete mbi përgatitjet për vitin e ri shkollor në Universitet, i cili fillon më 1 tetor.

Komente

  1. Në artikullin e datës 1 shtator, gazeta “Politika” deklaronte se “çdo gjë është gati për fillimin e vitit të ri shkollor” dhe, duke folur në Prizren më 27 gusht, Sinan Hisani, Zëvendës/Kryetar i Kuvendit Jugosllav, tha prerazi se “fillimi i vitit shkollor do të tregojë nëse e kemi fituar betejën”. Muajt e ardhshëm do të jenë një test i rëndësishëm si për autoritetet e Kosovës dhe ato Federale dhe do të ketë shumë rrezik. Por problemet mbi tekstet shkollore tregojnë se ndryshimet që kërkohen, janë të thella dhe do të duhen muaj ose, në disa pika, edhe vite që rezultatet të jenë të dukshme. Sidoqoftë, ‘shtypi i Beogradit’ po shikon me skepticizëm të gjitha këto zhvillime në Kosovë, një fakt ky që duhet të jetë burim i vazhdueshëm i dështimit aty.

 

I Juaji

  1. G. Crawford

Për dijeni: P Rennie Esq

Departamenti i Kërkimit

FCO

 -93-

Konfidenciale

GRS 161

Shkresë

Nga A. E. Montgomery, Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore

6 shtator 1981

Për ndjekje për T. J. Crark, Beograd                                                                   14 shtator 1981

Telegrami juaj nr. 156: dokumenti i EC/EEWG për Shqipërinë

 

  1. Ju falënderoj për komentet tuaja mbi draft dokumentin për EEWG për Shqipërinë.
  2. Jemi dakord që dokumenti duhet të përfshijë një përshkrim të marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave mbi Kosovën dhe për këtë arsye kemi përfshirë një fjali të re hyrëse siç është propozuar. Sidoqoftë, mendojmë se nëse bëhen ndryshime tërësore në të gjithë tekstin, artikulli do t’i shmangej shumë qëllimit kryesor, d.m.th. për të zbuluar më shumë për politikat e brendshme shqiptare nga partnerët tanë të KE të cilët kanë poste aty. Megjithëse jugosllavët vazhdojnë të flasin pa pushim për lidhje të pretenduara midis nacionalistëve kosovarë dhe Tiranës, aluzione të ndërthurura për përfshirjen e sovjetikëve, pak prova janë ofruar për këto deklarata. Por keni të drejtë që pasoja e ndryshimit të regjimit për Jugosllavinë meriton një vlerësim më nga afër dhe po mendojmë mbi mundësinë që EEWG t’i drejtohet këtij aspekti të problemit në një datë të mëvonshme.

Nënshkruar nga A. E. Montgomery

-94-

Për përdorim të kufizuar

  1. E. Montgomery Esq      Ambasada britanike

Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore                                                           Beograd

Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit                                                                   8 shtator 1981

I nderuar Alan,

Kosova: situata e sigurisë

 

  1. Siç kam raportuar në letrën e 1 shtatorit, situata e sigurisë është përmirësuar. Kryesia e Komitetit Krahinor të LK të Kosovës u mblodh më 5 shtator për të shqyrtuar situatën dhe, sipas “Tanjug”, arriti në përfundimin se ishte më e mirë se më parë, por nuk kishte arsye për vetëkënaqësi. Viti shkollor kishte filluar normalisht dhe procesi i “diferencimit” po bëhej gjithnjë e më i suksesshëm.
  2. Ky njoftim u shoqërua me një sërë raportesh në shtyp nga pjesë të ndryshme të Kosovës, ku komitetet lokale të LK-së po zhvillonin në shqyrtim të ngjashëm të situatës në komunat e tyre. Tablloja e shfaqur kishte tendencën të konfirmonte konkluzionin e Kryesisë përveç në komunën e Ferizaj, ku kishte probleme të hapura. Këtu, duket se situata e sigurisë ka mbetur “e ndërlikuar” dhe aktiviteti i nacionalistëve nuk tregon shenja pakësimi, veçanërisht në fshatrat përreth vetë Ferizajt. Ata vazhdojnë të shkruajnë parulla, të qarkullojnë pamflete, të dëmtojnë të korrat, si dhe të rrethojnë dhe të angazhohen në zjarrvënie. Ky aktivitet u intensifikua në gusht dhe bëri që serbët lokalë të kërkonin masa të ashpra kundër të gjithë shqiptarëve. Serbë të tjerë thjesht vendosën të shpërngulen nga krahina.
  3. Komiteti Qendror serb dhe Kryesia serbe u mblodhën së bashku më 7 shtator dhe, midis të tjerash, shqyrtuan çështjen e Kosovës. Vlerësimi i tyre ishte më i kujdesshëm me efektin se të gjitha përpjekjet e bëra deri tani kishin kontribuar në normalizimin gradual të situatës politike dhe të sigurisë por që kishte mbetur e ndërlikuar dhe aktive. Ata miratuan më tej, masa të papërcaktuara qartë “për normalizimin e plotë të situatës në Kosovë”.
  4. Sot arritëm që të marrim një lejekalim për Atasheun e Mbrojtjes dhe djalin e tij që të kalonin në Kosovë nga dy rrugë të ndryshme me ndalime natën në Prishtinë dhe Pejë gjatë rrugës për në Ohër dhe prej andej përmes Tetovës. Pas kthimit të tij më 14 shtator,do t’ju informoj nëse përshtypjet e tij konfirmojnë përmirësimin e raportuar.

                                                                                                                                            I Juaji

  1.                                          J. Crark

Për dijeni: P Rennie Esq

Departamenti i Kërkimit

FCO

Zyra e Kancelarit

UKDEL NATO Bruksel

-95-

Për përdorim të kufizuar

J C R Gray Esq                                                                                        Ambasada britanike

Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore                                                          Beograd

Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit                                                                  8 shtator 1981

I nderuar Charles,

Kosova: probleme ekonomike

Përmbledhje

  1. Në disa fronte, Kosova ka bërë progres të rëndësishëm gjatë dy dekadave të fundit, por janë bërë gabime të rëndësishme në strategjinë e përgjithshme të zhvillimit. Dy dekadat e rritjes së shpejtë të popullsisë nënkuptojnë se tashmë nuk ka më mundësi për të plotësuar nevojat për punë të cilat do të rriten me të shpejtë gjatë 5 vjetëve të ardhshme. Baza industriale e Krahinës ka nevoja të theksuara për shuma të mëdha kapitalesh, e cila, në përgjithësi, është joefikase dhe e cenueshme ndaj prishjes; Për më tepër, aktualisht raportohen humbje të panumërta. Gjithashtu, sistemi arsimor i Kosovës nuk është duke i siguruar ekonomisë lokale aftësitë e duhura, një problem i cili i shtohet emigrimit të serbëve dhe malazezëve të aftë. Janë planifikuar më shumë investime masive, por pjesa më e madhe e tyre është lënë rezervë për të paguar për përfundimin e (dhe për të subvencionuar humbjet) komplekseve industriale ekzistuese të Kosovës.
  2. Çfarë duhet bërë? Meqenëse asgjë nuk mund ta pengojë zgjerimin e shpejtë afat-shkurtët të tregut të punës, Kosova duhet ose të krijojë vende të reja pune ose të eksportojë punëtorë ose të aplikojë të dyja rastet. Nuk është e nevojshme që të zbatohen menjëherë reforma të papëlqyeshme në sistemin arsimor. Gjithashtu, duhet të rrënjoset disi në mendjen e të gjithëve një kuptim më i madh i disiplinës dhe përgjegjësisë në punë. Por, duke pasur parasysh krizën ekonomike të zhvillimit në Jugosllavi, e ardhmja afatshkurtër duket e zymtë. Atëherë, a mundet Jugosllavia që ekonomikisht të përballojë vazhdimin e mbështetjes për Kosovën? A mundet që ajo politikisht të mos ta bëjë një gjë të tillë?

Detaje

  1. Trazirat nacionaliste në Kosovë në mars dhe prill çuan në rivlerësime të gjera publike të pozitës kushtetuese të krahinës brenda Jugosllavisë dhe të të gjitha aspekteve të performancës politike të Kosovës. Megjithatë, gjatë verës, shtypi ka tërhequr vëmendjen në mënyrë të kujdesshme në rritjen e vështirësive ekonomike që kjo krahinë po pësonte. Raportimi ynë në këtë drejtim mbi Kosovën ka qenë deri tani i kufizuar në një vlerësim të përbashkët të ambasadave të KE në Beograd, të cilat trajtuan në përgjithësi disa (por jo të gjitha) nga çështjet kryesore. Ambasada e Shteteve të Bashkuara bëri më 23 korrik një analizë më të plotë të problemeve ekonomike të Kosovës (dërgohet një kopje bashkangjitur). Analiza në vijim është planifikuar për të plotësuar këto dy studime dhe bazohet në një shqyrtim të artikujve të shtypit që në muajin prill (është shfrytëzuar përshkrimi i gazetës “Politika” përveç rasteve kur shprehet ndryshe). Por të dhënat e cituara në shtyp, kanë qenë në mënyrë karakteristike të paqarta ose të paplota ose vetë-kontradiktore. Për rrjedhojë, ndërkohë që vlerësimi i përgjithshëm duket i vlefshëm, kërkoj falje për prezantimin domosdoshmërish të parregullt (dhe ‘jo shkencor’!) të fakteve mbështetëse.

Disa komente të përgjithshme

  1. Përpara vazhdimit të analizimit të temave kryesore, vlen të përmendet se me gjithë shenjat e dukshme të ndryshimit shoqëror, veçanërisht në Prishtinë, në disa zona rurale të Kosovës, njerëzit jetojnë ende sipas mënyrave tradicionale dhe normave sociale, të cilat janë zhdukur disa dekada më parë tjetërkund në Evropë. Për shembull, artikujt e fundit të revistave raportonin vazhdimin e gjakmarrjes së përhapur, ndërkohë që “gratë në shumë fshatra nuk lejohen të shikojnë TV që ndodhen në vendet e burrave”. Komunikimet kanë mbetur të dobëta në Krahinë megjithëse këtë javë është njoftuar një nismë e re për të elektrifikuar të gjitha fshatrat e Kosovës. Lidhjet tradicionale të sistemit karakteristik kosovar “Zadruga” (familjet e mëdha) janë ende të fuqishme dhe pjesa më e madhe e fuqisë punëtore industriale është ‘brezi i parë’, pra të pamësuar me disiplinën që kërkojnë teknikat moderne të prodhimit.
  2. Prej këndej, del që ashtu siç ekziston aspekti “veri-jug” në zhvillimin e Kosovës që është përmbledhur mirë në dokumentin e Shteteve të Bashkuara (pp 2-3), po kështu mund të thuhet se modeli i vetë-zhvillimit në Kosovë ka krijuar një model klasik ‘qendër-periferi’ aty. Prishtina, me Universitetin e saj të mbushur me studentë, biblioteka e saj e re e mrekullueshme, hoteli i saj pesë-yjesh si dhe ndërtimi i gjallë i ndërtesave publike dhe private dominon në provincë si nga ana politike dhe sociale. Investimet e mëdha publike aty kanë nxitur shpërnguljen e thekuar rurale-urbane, shumë më larg se kapaciteti i qytetit për të siguruar punë ose akomodim, duke arritur rezultatet e dyfishta të prishjes së modelit të jetës tradicionale në të gjithë Krahinën për asnjë qëllim praktik, dhe të krijimit të një ‘proletariati të painteresuar’ urban, perspektivat e të cilit janë të varfra, por aspiratat e të cilit janë padyshim të ushqyera nga stili i mirë i jetesës i elitës së privilegjuar (të punësuar). Askush nuk është e nevojshme të pajtohet me determinizmin e ashpër Marksist për të pranuar se në këtë pjesë të Ballkanit po shpaloset modeli aktual i njohur i modernizimit të shpejtë, por të keqdrejtuar që më shumë shkakton probleme sociale sesa i zgjidh ato kur përplasen me mentalitetet dhe stilet tradicionale të jetesës.

Punësimi

  1. Një grup i thjeshtë shifrash shpjegon problemin e papunësisë në Kosovë:

            Popullsia e përgjithshme e Kosovës 1981                           : 1,600,000

            Numri i përgjithshëm i të punësuarve 1981                        :   200,000

            Numri i përgjithshëm i të regjistruarve si të papunë 1981  :      72,000

            Numri i llogaritur i të sapoardhurve në

         tregun e punës 1981 – 1986                                                 :   190,000

         Numri i përgjithshëm i planifikuar për

         vende të reja pune 1981 – 1986                                             :     75,000

         Numri i përgjithshëm i parashikuar i të papunëve 1986         :   200,000

Me fjalë të tjera, rritja e shpejtë e popullsisë e viteve 1960, po fillon t’i hedhë të larguarit nga shkolla në tregun e punës shumë më shpejt nga sa mund të gëlltisë ekonomia lokale. Ka më shumë të ngjarë që, së paku, gjysma e popullsisë së moshës për punë të mbetet pa punë në 5 vitet e ardhshme – dhe do të ishte e çuditshme nëse Kosova do të siguronte një numër të mjaftueshëm të punëve të reja në mënyrë që të mos lejonte rritjen e këtij proporcioni.

  1. Një ndarje e detajuar e shifrave të censusit të vitit 1981, nuk është ende e disponueshme. Kur kjo të bëhet, do të jemi në gjendje të krijojmë një përshkrim më të saktë të këtyre faktorëve demografikë. Por, duhet të konfirmohet forca shtytëse e analizës së mësipërme.
  2. Gazeta “Politika” komentoi më 16 gusht me pesimizëm probleme të tjera të punësimit në Kosovë. Kapacitetet ishin veçanërisht të pashfrytëzuara; Rrallë ka filluar puna me turne, por është përdorur gjerësisht puna me kohë të zgjatur. Më shumë femra aktualisht kërkojnë punë. 64 % e njerëzve të regjistruar që kërkojnë punë kanë mbërritur rishtazi nga fshatrat. Rregulloret për punësimin e fillestarëve injoroheshin. Sektori i bujqësisë dhe biznesit të vogël ishin neglizhuar. 7000 ‘mjeshtrit’ e Krahinës punësuan vetëm 9000 njerëz dhe zgjerimi i planifikuar në sektorin e vetë-punësimit të 7500 punëtorëve gjatë 5 viteve të ardhshme ishte mjaft i papërshtatshëm. Zgjerimi i punësimit në sektorin bujqësor as që figuronte në planet zyrtare. Trajnimi për mjeshtri të ndryshme për të papunët ishte po aq i nevojshëm sa edhe drejtimi i investimeve në drejtim të fabrikave të përpunimit që kërkonin shumë fuqi punëtore fati i të cilave nuk ishte i lidhur kaq ngushtë me atë të industrive përtej Kosovës. Nevojiteshin përmirësime të sistemit për të informuar kosovarët për vende pune tjetërkund në Jugosllavi me qëllim që të zhvillohej një lëvizshmëri më e madhe e fuqisë punëtore.
  3. Sidoqoftë, ‘ekonomia joformale’ po ndihmon në mbushjen e disa hapësirave të mëdha që tregojnë shifrat zyrtare (dokument i SHBA, p.4), si në Kosovë dhe më gjerë. Shqiptarët njihet se janë punëtorë të zellshëm në Jugosllavi dhe ndoshta një numër i madh i tyre enden nëpër vend duke kryer punë fizike në të zezë në biznesin fitimprurës të ndërtimit dhe rregullimit të shtëpive dhe duke dërguar para në shtëpi. Megjithatë, kjo lloj ekzistence zor se mund të funksionojë, mijëra studentë të diplomuar nga Universiteti i Prishtinës, të cilët do të vërshojnë në tregun e punës gjatë viteve të ardhshme. Planet aktuale duket se ofrojnë siguri të pamjaftueshme për këtë grup.

Investimet

  1. Siç sugjerohet në paragrafët e mësipërm, politika e investimeve në Kosovë ka krijuar një strukturë të pandryshueshme industriale. Prej rreth 200.000 personave të punësuar zyrtarisht 26% janë angazhuar në “aktivitete jo-ekonomike” si organizata qeveritare, kulturore dhe sociale (dokument i SHBA, p.3). Kështu, rreth 150.000 veta punojnë vetëm në sektorin industrial, por disa komplekse gjigante përfaqësojnë një pjesë të konsiderueshme të këtij totali; për shembull, kompleksi i minierës së “Trepçës” punëson 19.000 njerëz në 5 fabrikat e tij në Kosovë, ose çdo punonjës i tetë industrial në Krahinë.
  2. Një gjë e tillë nuk është e rastësishme. Kur autoritetet qendrore nga mesi i viteve ‘60 nisën politikën e industrializimit të shpejtë në Kosovë, ata e perceptuan me korrektësi se një aspekt i rëndësishëm i avantazhit të krahasuar të Kosovës qëndronte në shfrytëzimin e burimeve të saj të pasura me minerale. Por, industria e lehtë dhe bujqësia janë neglizhuar në favor të një ekonomie konglomerate që kërkon shumë kapital dhe ku neglizhenca ndjehet ende sot. Grupet e ‘Trepçës’, ‘Kosovës’, ‘Feronikl’ dhe ‘Melioraca’ kanë përvetësuar prej vitesh deri në 70% të kapitalit total të investimeve të planifikuar për zhvillimin e Krahinës. Këto grupe gjigante nuk janë mbërthyer vetëm nga paefektshmëria. Ato nevojitet të kenë gjithashtu investime të mëdha: centrali elektrik ‘Kosova B’ kërkon 4.3 miliard dinarë, ‘Feronikl’ kërkon 3.9 miliardë dinarë dhe ‘Ibër-Lepenci’ kërkon 6.5 miliardë dinarë. Fatkeqësisht, Jugosllavia nuk ka zgjidhje tjetër veçse të vazhdojë me këto subvencionime të shtrenjta, të cilat përfaqësojnë 50% të shumës së investimeve të planifikuara për periudhën 1981-1985. Duke angazhuar veten me këtë strategji shumë të rëndë, autoritetet duhet t’i shohin si të papërfytyrueshme pasojat politike dhe sociale për tërheqjen e mbështetjes më të gjerë financiare në favor të një rruge të re drejt një strukture të larmishme industriale që kërkon shumë fuqi punëtore.
  3. Dokumenti i SHBA-së (p.6-8) vë në dukje fitimet e ulëta në kapitalin e investuar që Kosova ka përfaqësuar deri më sot. Thuhet se ky fitim kushton dy herë më shumë për të hapur një vend të ri pune në Kosovë dhe tjetërkund në Jugosllavi. Duke shtuar vërejtjet e përgjithshme se produktiviteti është shumë i ulët, se kapacitetet janë tejet të pashfrytëzueshme, se projektet kanë përfunduar shpesh me vonesë dhe se objektivat e prodhimit po humbasin me një diferencë të madhe, njeriu arrin në konkluzionin se tablloja është mjaft e zymtë. Autoritetet kanë filluar tashmë të përfshijnë realitetin ekonomik në këtë situatë, duke reduktuar elementet neto të grandeve në fondet e përgjithshme të investimeve për Kosovën dhe duke inkurajuar ndërmarrjet e përbashkëta që kërkojnë shumë fuqi punëtore me firma nga Republikat e tjera (Plani 5-vjeçar i rishikuar për vitet 1981-1985 pritet që të sjellë sigurimin e plotë të këtyre lëvizjeve kur të dalë më vonë këtë muaj).

Humbjet dhe disiplina industriale

  1. Në të vërtetë, këto firma do të duhet të kenë një shpirt të guximshëm sipërmarrjeje nëse nuk do të pengohen nga raportimet e fundit të shtypit mbi paefektshmërinë e tmerrshme, humbjet gjigante dhe rritjet e tepërta të pagave në ndërmarrjet kosovare. Në Kuvendin e Kosovës, më 14 korrik është raportuar se megjithëse prodhimi industrial po përmirësohej në disa zona, situata ekonomike ishte ende “shumë e komplikuar”. Kështu, gjatë 5 muajve të parë të këtij viti, prodhimi i qymyrit ka rënë (me 297.000 tonë), po ashtu si prodhimi i energjisë elektrike (me 237 milionë për kilovat/orë). Çmimet e qymyrit janë rritur me 75%, por efektet ishin “zbutur” në uljen e prodhimit dhe rritjen e pagave. Më 8 shtator, humbjet e llogaritura në të gjithë Kosovën për gjashtë muajt e parë të vitit 1981, u deklaruan se ishin 1.57 miliardë dinarë, 136% më shumë sesa në periudhën korresponduese të vitit 1980. Pagat personale në disa firma që prodhonin humbje apo që ishin në prag të falimentimit, kishin kapërcyer në 50% ndërkohë që faturat e firmave ishin rritur shumë pak.
  2. Një raport i botimit të gushtit të revistës “Duga” mbi bazën e kontakteve me disa ndërmarrje të mëdha në Kosovë, bëri të njëjtin përshkrim: Prodhim më i ulët sesa planifikimi, vetëkënaqësi në radhët e fuqisë punëtore, humbje të mëdha dhe rritje të mëdha të pagave. Një zyrtar në “Trepçë” citoi: “Çështja është se si të stimulohet rezultati i prodhimit thelbësor…shkaku kryesor është mungesa e interesit të punëtorëve në prodhim”. Në Trepçë, paga mesatare nga janari në qershor ishte aktualisht 130% më e lartë sesa paga në periudhën korresponduese të vitit 1980, por pa rezultat. Minatorët vinin vonë në puse; përgjegjësit ishin të pakualifikuar; shmangia/mosvajtja ishte e përhapur; gjithashtu ishin raportuar raste sabotimi.
  3. Kjo mungesë e dukshme endemike e disiplinës në fabrika duhet të jetë një burim i madh shqetësimi për autoritetet qendrore. A është ky një shqetësim relativisht jetëshkurtër i fuqisë punëtore me një këndvështrim tejet rural të gjërave që kombinohen me nevojat për prodhimin në masë? Apo në vend të kësaj a është kjo një llogaritje cinike e bërë nga ana e punëtorëve që në të vërtetë nuk ka rëndësi se çfarë niveli tolerimi ata zgjedhin ndërkohë që Serbia (dhe Jugosllavia) nuk rrezikojnë që t’i lejojnë këto komplekse kaq të rëndësishme të shkojnë dëm?

Përgjigja zyrtare

  1. Më 13 korrik u organizua mbledhja e përbashkët e Kryesisë së Kosovës dhe Kryesisë së LK të Kosovës. Situata ekonomike u vlerësua “se ishte për pjesën më të madhe e pakënaqshme … ku, në veçanti, mbizotëronin kushtet e vështira dhe të ndërlikuara në periudhën pas demonstratave armiqësore”. U arrit në konkluzionin se detyrë parësore ishte aktiviteti intensiv dhe i mirë organizuar “për të zgjidhur problemet e fondeve të investimit në Krahinë; për të plotësuar projektet e nisura dhe për t’i vënë ato në funksion; për të shënuar mjetet për përfundimin e investimeve aktuale (veçanërisht ato që përfshijnë punën tjetërkund në Jugosllavi); për të zgjidhur problemet e vënies së çmimeve në mbrojtje të standardeve të jetesës dhe furnizimeve me ushqime dhe mallra bazike; për të rritur shfrytëzimin e kapaciteteve prodhuese dhe rritjen e punës prodhuese”; e kështu me radhë. Nuk ka një listë të detajuar të sugjerimeve.
  2. Megjithatë, pas këtyre këshillave të mërzitshme, janë zhvilluar diskutime gjatë verës midis Kosovës dhe Republikave të tjera për investime në këtë Krahinë. Më 21 korrik, gazeta “Borba” raportoi bisedimet e bëra për bashkëpunimin ekonomik midis ndërmarrjeve në Bosnjë-Hercegovinë dhe Kosovë. U arrit marrëveshja për të ndërtuar dy fabrika të reja për skelete biçikletash dhe biçikleta, duke krijuar kështu me qindra vende pune. Puna do të fillonte “pas gjashtë muajsh”. Më 19 gusht, përfaqësuesit serbë dhe kosovarë diskutuan mundësitë për hapjen e nëntë fabrikave të reja, duke përfshirë një të tillë në Deçan që kushtonte 320 miliardë dinarë. Gjithashtu, më 28 gusht, u njoftua për një larmi projektesh të reja që përfshinin firmat kroate në lidhje me produkte të tilla si pajisje frigoriferike, turbina, kompresorë, fabrika të përpunimit të gurit, ëmbëlsira dhe biskota, si dhe qumësht. Gjithsej, deri tani janë planifikuar në vlerën 4 miliardë dinarë investime më pak madhështore në ndërmarrje të përbashkëta, duke treguar se së paku po bëhen përpjekje për të marrë disa hapa pozitive.
  3. Dokumenti i SHBA jep gjithashtu një përmbledhje të mbështetur të përgjithshme të mangësive në sistemin arsimor në Kosovë (p.4 dhe 5), megjithëse do të përmendja se shifra e cituar prej 47,000 si madhësi e trupës studentore në Universitetin e Prishtinës është zëvendësuar nga shifra zyrtare prej 28,608 (shkresat e mia dërguar për ju më 10 qershor dhe 28 korrik janë ndalur në problemet e rënda politike në Universitet dhe hapat e marrë deri tani për zgjidhjen e tyre). Së fundi, dokumenti i SHBA vlerëson me kujdes humbjet e shkaktuara në ekonominë e Kosovës drejtpërdrejt nga vetë trazirat, për të cilat mund të shtoj se nuk ka të ngjarë që të mësojmë ndonjëherë shtrirjen reale të dëmeve ekonomike të shkaktuara nga trazirat nacionaliste të pranverës, nga emigracioni i serbëve dhe malazezëve të kualifikuar, por edhe nga veprimet e errëta të përçarjes dhe sabotimit të cilat nuk janë pasqyruar në media.

Komente

  1. Disa ekspertë jugosllavë pëlqejnë të shprehen se nuk ekziston asnjë dallim real ndërmjet problemeve ekonomike me të cilat përballet Kosova dhe atyre me të cilat përballet Jugosllavia në tërësi; është thjesht fakti se në Kosovë problemet janë shumë më të vështira dhe delikate. Diskutimi i mësipërm në njëfarë mënyre e mbështet këtë ide. Historia e investimeve të keq-menaxhuara, rritjes së papunësisë, paaftësisë në punë dhe neglizhencës së bujqësisë gjen zbatim në të vërtetë në të gjithë Jugosllavinë dhe nuk është vetëm një anomali lokale. Megjithatë, norma e shpejtë me të cilën edhe në rastin më të mirë do të rritet papunësia në Kosovë gjatë viteve të ardhshme dhe dobësia drastike e strukturës industriale të lartë joefikase atje, shkakton shqetësim të veçantë në Jugosllavi dhe jashtë kufijve të saj. Shpërthimet nacionaliste këtë pranverë padyshim kanë nxitur kërkimin për të rishqyrtuar një strategji afatgjatë zhvillimi në këtë Krahinë dhe padyshim që do të bëhen ndryshime. Sidoqoftë, çështja është nëse janë ndjekur me vendosmëri politika të gabuara në Kosovë për një periudhë tepër të gjatë. A munden autoritetet të ndryshojnë drejtim?
  2. Përgjigja do të kërkojë kohë. Në këtë fazë, njeriu mund të thotë vetëm se autoritetet qendrore dhe serbe kanë njohur së paku dimensionet e problemit dhe duket se po bëjnë përpjekje më të mëdha me udhëheqjen e re në Kosovë për trajtimin e këtij problemi. Plani 5-vjeçar i rishqyrtuar do të japë disa tregues të qëllimeve të tyre, por aftësia për t’i zbatuar ato, do të varet nga një shumëllojshmëri faktorësh, duke përfshirë zgjidhjen politike (së paku afatshkurtër) të problemit nacionalist dhe progresin e Jugosllavisë për të arritur stabilizimin ekonomik. Kjo çon në një detyrë të vështirë edhe në rrethana të favorshme dhe aktualisht duket se nuk ka shanse për sukses. Por nuk ka alternativë të pranueshme për përpjekjen e bërë, nëse nuk do të ndodhin shpërthime të tjera nacionaliste dhe nëse nuk do të kërcënohet integriteti territorial i Jugosllavisë.

                                                                                                                                           I Juaji

  1.                           G. Crawford

-96-

Konfidenciale

(014/427/1)                                                                                            Ambasada britanike

  1. E. Montgomery Esq                                    Beograd

Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore

Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit                                                               14 shtator 1981

I nderuar Alan,

Artikull i EC/EEWG për Shqipërinë

 

  1. Ju falënderoj për shkresën tuaj të datës 8 shtator mbi artikullin që do të shqyrtohet në Grupin e Punës së Evropës Lindore për Shqipërinë pas epokës së Hoxhës. Jam dakord me mendimet tuaja.
  2. Ndërkohë, kam takuar së fundmi Denny Rusinow, i cili raporton nga Vjena për Stafin e Fushës së Universiteteve Amerikane dhe i cili është ekspert i njohur për Jugosllavinë. Ai më dha një kopje të dy artikujve që ka shkruar për Kosovën në fund të vitit 1979, të cilat, në retrospektivë, janë të jashtëzakonshme për parashikimin e tyre. Ato lidhen veçanërisht me konsideratat e juaja aktuale në faktin që ai shprehu në atë kohë të njëjtën çështje për aspiratat e nacionalistëve shqiptarë të Kosovës për Shqipërinë e Madhe pas Hoxhës. Bashkangjitur po ju dërgoj një fotokopje të ekstraktit përkatës.

                                                                                     I Juaji

  1. J. Crark

Kontrolloni gjithashtu

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË – X

-112- Për përdorim të kufizuar J C R Gray Esq                                                                                           Ambasada britanike FCO                                                                                                                     Beograd I …