Ahmet Qeriqi: Në rrethana të pasqaruara dhe pa asnjë marrëveshje paraprake ndërrohet vendi i qëndrimit të selisë (30 mars, 1999)

Ahmet Qeriqi: Në rrethana të pasqaruara dhe pa asnjë marrëveshje paraprake ndërrohet vendi i qëndrimit të selisë (30 mars, 1999)

Edhe pse jemi marrë vesh që të vendosemi në vendin e caktuar në tendë, afër Gradinës, Berati me disa anëtarë të stafit është vendosur në një shtëpi të lagjes së Munollëve në Fshatin e Ri. Sot unë dhe Neziri jemi nisur nëpër Grykën e Gashit të fshatit Nekoc, meqë paraprakisht na kanë lajmëruar se stafi tani për tani është vendosur në lagjen e Munollve në Fshatin e Ri.

Gryka e Nekocit është mbushur me të zhvendosur. Me mijëra banorë të Komaranit të Nekocit dhe të fshatrave të tjera të Drenicës janë vendosur nëpër tenda, apo në rimorkio traktorësh ku kanë ngarkuar rroba, ushqime, dhe krejt çka kanë arritur. Disa i kanë futur edhe veturat e tyre dhe i kanë lënë anash rrugës meqë me to nuk depërtohet më thellë, për shkak se rruga është e pakalueshme. Fëmijët lozin dhe nuk duan t`ia dinë. Nënat duket të brengosura tejmase. Burrat të parruar dhe të shqetësuar për familjet…

Pas një rruge të gjatë dhe të mundimshme, së bashku me Nezirin depërtojmë në selinë e re. E shoh se vendi është shumë i papërshtatshëm dhe nuk na përshtatet meqë  prej këtij vendi nuk bën të transmetojmë, për shkak se mund të rrezikohet popullata. Sipas Beratit dhe të tjerëve, ne duhet të qëndrojmë aty, ndërsa në kohën e transmetimit teknikët dhe Nusreti duket të shkojnë këmbë dhe nën breshëri të granatave deri te Bajraku në Berishë për ta transmetuar emisionin. Unë nuk habitem në mendjelehtësinë dhe papërgjegjësinë e Luzhës por hidhërohem në Martin Çunin, i cili ka pranuar një propozim të tillë, duke i rrezikuar anëtarët e stafit. Mospëlqimin tim e shpreh publikisht, ndërsa me Beratin dhe Qemalin e kemi ndërprerë komunikimin.

Selia në Fshat të Ri është vendosur në shtëpinë e dëshmorit të kombit Liman Gega.

Rreth mesditës forcat serbe kanë filluar të granatojnë në drejtim të Arllatit, të Carrallukës dhe të Tërpezës. Shpërthime predhash të minahedhësve po dëgjohen edhe në drejtim të Berishës.

Në kohën e caktuar Nusreti, Vakdeti dhe Fatmir Dugolli janë nisur me xhip për të transmetuar programin…

Në mbrëmje, së bashku me Nezirin dhe Hilmi Ramadanin, nisemi drejt Grykës së Gashit, në Mahallen e Lugut ku tani e tutje na pret Ali Mullini.

Në mbrëmje kemi biseduar për rrjedhën e ngjarjeve të ditëve të fundit, për hapat që duhet të ndërmarrin në evakuimin sa më të shpejtë të popullatës dhe për përforcimin e pikave në drejtim të Grykës.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një ditë pushim në Grykën e Shpëtimit (E enjte 22 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Një ditë pushim në Grykën e Shpëtimit (E enjte 22 prill, 1999)

Sot kam vendosur të qëndroj në Grykë për të mësuar se si po gjallohet këtu …