Sabit Syla

Prof. dr. Sabit Syla, Reagim lidhur me analizën politike të Mehmet Krajës “Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor” I

Epoka e globalizmit dhe e teknologjisë informative, e cila e shndërroi botën në diçka më të vogël se sa ajo që kishim menduar më parë, karakterizohet edhe me transformime në shumë dimensione. Drejtues të institucioneve shkencore tanimë po bëjnë përpjekje për një organizim të ri.

I tillë është akademik Mehmet Kraja, Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Pas 47 vitesh të plota, tani, kur rrethanat kanë ndryshuar, kur dekada me radhë liria dhe demokracia po mbizotëron në Shqipëri, kur Kosova gëzon lirinë dhe kur shqiptarët në Maqedoni janë të lirë në zhvillimin arsimor e kulturor, dhe në kohën kur Evropa po integrohet gjithnjë e më tepër, është imperativ i kohës që edhe ne shqiptarët, të integrohemi si një popull në hapësirën evropiane. Në këtë drejtim Mehmet Kraja, do të duhej të synonte në bashkimin e kërkuesve dhe studiuesve të shkencave të disiplinave albanologjike, për të diskutuar, vlerësuar dhe ridimensionuar studimet tona të përbashkëta, që me argumente shkencore, të pavarura e neutrale, të dalim para botës me teoritë për vijimësinë iliro-shqiptare, trashëgiminë etnike dhe kulturore të shqiptarëve në hapësirat ballkanike, për studimet letrare, antropologjike, kulturore e muzikore, e hartiminin e objektivave dhe platformave për zgjidhjen e çështjes kombëtare, apo të paktën me platformë për punën me shqiptarët jashtë atdheut gjatë periudhës së ardhshme. Por ai del me analiza politike tejet të dëmshme, siç është e ashtuquajtura analizë, “Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor”. Sikurse dëfton emri i këtij dokumenti, qëllimi primar në thelb del ulja e vetëdijes kombëtare të shqiptarëve, e në linjë me këtë edhe të asaj politike e atdhetare. I dhimbshëm është fakti se analiza në fjalë është dokument zyrtar i publikuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Analiza politike e akademik Krajës, për Ilirët, Mesjetën e për shqiptarët në përgjithësi që flet prej shekullit XVIII e këndej, ka sjellë shumë pasaktësi në shkencë dhe në opinionin publik. Madje ka vazhduar t’i kultivojë e përterijë edhe disa nga teoritë historiko-politike të fushës së historiografisë serbe ashtu si pohonin dikur Konstandin Jeriçek në “Historia e Serbëve” edhe autorët e botimeve të pas Luftës së Dytë Botërore, “Historia e popujve të Jugosllavisë”, “Historia e Malit të Zi”, “Historia e popullit Maqedon”, “Serbët dhe e kaluara e tyre”, monografia “Kosova” etj., Të gjithë këta mbrojnë tezat “mbi paaftësinë shtetformuese të iliro-shqiptarëve”, duke pranuar se ata kanë njohur vetëm lidhjet farefisnore; mohojnë autoktoninë dhe lashtësinë e shqiptarëve në Kosovë, duke i paraqitur si “invadues” dhe “uzurpatorë”. Edhe për vrasjet e pasluftës Kraja duket që është në të njëtën linjë me studiuesit serb dhe me të dhënat e shërbimit për zbulimin e krimeve të luftës pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme (me tej: MPB) të Serbisë, që sipas tyre, “formacionet shqiptare janë përgjegjëse për vrasje gjatë luftës përveç pjesëtarëve të rregullt të MPB-së edhe për vrasje të pasluftës, nga viti 2001 – 31 dhjetor 2004”.

Për periudhën e Mesjetës akademik Kraja shkruan: “..Periudha e Mesjetës në Kosovë është jashtëzakonisht e errët”. Për sa i përket këtij konstatimi, mesjeta mund të jetë e errët për disa popuj, por jo për shqiptarët, sipas burimeve shkencore, nuk ka shkëputje kontinuitive në mes të vazhdimësisë iliro-shqiptare. Prandaj dhe peridha e mesjetës, në kushtet e tanishme nuk quhet më peridhë e errët, për studiuesit e kësaj fushe. Shkenca na ofron një sërë të dhënash arkeologjike, gjuhësore, antropologjike, etnologjike, që dëshmojnë qartë vazhdimësinë iliro-shqiptare. Kemi trojet arbërore qysh në mesjetën e hershme, qëndresë të shqiptarëve kundër pushtimit serb e atij osman, Kosovën në kuadrin e Principatës së Balshajve e të Dukagjinëve, kemi popullsi shqiptare, ekonomi, tregti, kulturë, organizim kishtar, etj.

Më tej për këtë periudhë Kraja  shkruan: “me vakuume të mëdha në memorien historike, e mbushur kryesisht me legjenda, me sundime despotësh, me kronika kishtare dhe me relacione tregtare të proveniencës raguziane ose venedikase. Prandaj, Beteja e Kosovës e vitit 1389, shikuar nga perspektiva e sotme, ndodhi sa në realitet, po aq në fantazinë e një mileu të prirë për mite dhe mistifikime, duke bërë shkapërcimin nga realiteti në fiksionin fetar, siç ka ndodhur në përgjithësi edhe me eposet kalorësiake të Mesjetës, përfshirë këtu edhe një literaturë me përhapje të jashtëzakonshme, të cilën në mënyrë të mrekullueshme e stigmatizon Servantesi në “Don Kishotin” e tij, sepse nuk ka pothuajse asnjë dallim midis bëmave të njërit nga heronjtë serb të Betejës së Kosovës, Marko Kraleviqit, dhe heroit të fiksionit letrar të Servantesit..”.

Një vlerësim i tillë është në kundërshtim me të dhënat shkencore, pasi kontributi i shqiptarëve në këtë betejë nuk përmendet fare. Burimet historike, mbi betejën e Kosovës e kanë vënë në pah më së miri rolin që luajtën aty shqiptarët e komanduar nga Gjergji II Balsha, sundimtar i principatës së Shkodrës,  Teodor Muzaka, zot i Beratit dhe i Myzeqesë, Dhimitër Jonima, zot i trevës midis Lezhës dhe Rrëshenit, si dhe forca të sundimtarëve të trevave të Shqipërisë së Jugut dhe Epirit. Kështu, shqiptarët zinin ¼ e numrit të përgjithshëm të ushtarëve të koalicionit antiosman. Gjergji II Balsha evidentohet si një ndër aktorët kryesorë të koalicionit që morën pjesë në betejën e Fushë-Kosovës. Gjergji aderoi aty me mijëra ushtarë. Roli dhe kontributi në këtë betejë  bazohet jo vetëm në pjesmarrjen e tij me trupa ushtarake të shumta, por edhe me vendin dhe me popullin e kësaj treve. Këtu bazohet edhe autoriteti që ai kishte mes krerëve të tjerë të koalicionit dhe ndikimi që ai ushtronte mbi vetë princ Lazarin. Në këtë betejë mbeti i vrarë edhe Teodori II Muzaka, ndërsa u zu rob Llazari i Serbisë, që më vonë turqit e vranë. Për më tepër vrasësi i sulltan Muratit ishte Millosh Kopiliqi, me origjinë shqiptare.

Andaj z. Kraja, Beteja e Kosovës më 1389 nuk është legjendë e as fantazi për shqiptarët, por burimet serbe për betejën e Fushë-Kosovës, janë krijime të mëvonshme të klerikëve të gatuara kryesisht në kishat e manastiret serbe në shekujt e sundimit osman dhe më vonë. Gaboni rëndë dhe me sa duket jeni i ndikuar nga literatura e vjetër të kohës, duke gjetur kështu vehten tek historiani i shek. XIX, I. Ruvarac që njihet edhe si themelues i historiografisë moderne serbe. Ai qysh në vitin 1887 i ka quajtur këto krijime si “përralla e prallëza popullore”, dhe si të tilla, “nuk mund të përbëjnë një burim për historianët e sotëm”, ashtu siç po pretendoni dhe po i merrni si të mirëqena në këtë rast dhe ju.

Për më tepër, z. Kraja shkruan: “Versionit serb të Betejës së Kosovës do të vijë në ndihmë edhe versioni turk..”. Por, një konstatim i tillë nuk qëndron për faktin se kur bëhet fjalë për analizë krahasuese, atëherë çdo studiues duhet të bëjë krahasimin e të gjitha burimeve të kohës, që në këtë rast, mungojnë. Si dëshmi mund të ofrojmë të dhënat nga veprat e autorëve dalmatin të shek. XV-XVI, siç është rasti i humanistit të njohur nga Raguza, abati Aloysius Carvinus Tubero dhe Mauro Orbini. Më pas vlen të theksohet dhe kronisti osman Oruçi e Neshri, kronistin Gjon Muzaka, e kronistët Saddedin e Sollakzade, e burime tjera, nuk e pohojnë se të gjitha burimet turke e mbështesin një gjë të tillë. Udhëpërshkruesi dhe kronisti turk Evlia Çelebiu, duke u kthyer nga Bosnja, gjatë vizitës nëpër Kosovë, shkruan se popullësia e Kosovës ishte popullsi shqiptare, kurse lumi Llab rrjedh pranë qytetit Kosovë, buron në Shqipëri dhe aty nuk flitet në gjuhën boshnjake (sllave), por vetëm shqip dhe turqisht.

Sipas përpjekjeve të z. Kraja, për të bërë analizë studimore për këtë periudhë nuk del që Kosova në atë kohë ishte me popullsi shqiptare dhe pjesë e Arbërisë. Lidhur me këtë, Philippe de Maizières (një kronistë i betejës), së Kosovës më 1389 ishte i pari që në veprën e tij të shkruar në tetor 1389 pohonte se beteja u zhvillua në pjesët e Arbërisë. Edhe nga të dhënat e mëvonshme të shek. XVII në dokumentacionin austriak të komandës së ushtrive austriake, si dhe në ato osmane gjatë luftërave austro-osmane të viteve 1683-1699, Rrafshi i Kosovës dhe i Dukagjinit dëshmohet se ishin krahina të banuara kryesisht nga popullsia shqiptare dhe përfshiheshin brenda kufijve dhe konceptit Shqipërisë (Albanien). Në dokumentet austriake dëshmohet se “Prizreni ishte kryeqytet i Shqipërisë”, se “Prishtina ndodhet në Shqipëri”, “Peja një qytet në Shqipëri”, se në viset e Kosovës flitej gjuha shqipe, etj. Vetë perandori i Austrisë Leopoldi I, kur hyri në Kosovë e thekson se ushtritë e tij luftonin në Shqipëri. Pra, ishim të një trungu etnik shqiptar.

Këto të dhëna perëndimore mbi konceptin “Shqipëri” dhe mbi përfshirjen në të edhe të qyteteve të Kosovës përputhen edhe me dokumente të tjera osmane. Në regjistrimin e vitit 1688 të kadillëkut të Rumelisë, të shkruar nga Abdullah Huremoviqi, rrethet e Pejës, të Alltun-Ilisë (Gjakovë-Deçan), sanxhaku i Dukagjinit, rrethi i Prizrenit, rrethi i Suharekës bënin pjesë në Shqipëri (Arnavutlluk). Po në këtë kohë, Jegen Pasha, duke kaluar nga Nishi për në Prishtinë, pohon se ishte duke u futur në Shqipëri. Me fjalë të tjera, Kosova llogaritej si pjesë e Shqipërisë. Në përputhje të plotë me këto të dhëna janë edhe ato të hartave evropiane të asaj kohe. Kështu, në një hartë të vitit 1688, territori i lumit Drin është pjesë e Shqipërisë. Në një hartë të një viti më vonë, krahina e Kosovës bënte pjesë në Shqipëri.

Kraja edhe pse mbron mos ekzistencën e mitit shqiptar për Betejën e Kosovës, nuk duket se ngjashëm vepron me figurën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut kur shkruan se: “Po të ishte se te shqiptarët ekzistonte një bazë për mitin e Betejës së Kosovës, ai do të valorizohej që në shekullin XIX, atëherë kur u valorizua edhe miti për Skënderbeun”. E vërtetë që tek shqiptarët nuk ka ekzistuar një bazë për mitin e Betejës së Kosovës, por nuk qëndron valorizimi për mitin e Skënderbeut. Gjergj Kastrioti Skënderbeu, nga fundi i Mesjetës bëri përpjekje maksimale për një shtet të bashkuar shqiptar. Një përpjekje, e parë si vazhdim e si pikë kulmore e përpjekjve të ngjashme që krerë të ndryshëm shqiptarë kishin çuar përpara duke filluar nga shekulli XII. Ai vuri luftën për jetë a vdekje kundër invazionit osman. Kjo zgjedhje e pakompromis e diferencoi dukshëm imazhin e Kastriotit nga ai i shumë sovranëve e princërve të tjerë të Evropës e Ballkanit, që u dorëzuan ose u squllën përballë rrezikut osman. Këtë projekt të tij e njihnin në vitin 1463, si Papa Piu II, ashtu edhe Mbretëria e Napolit, Republika e Venedikut, ajo e Raguzës, etj.

Mehmet Kraja, në disa raste duke përdorur fraza të gjata për vetitë etnike të shqiptarëve jep edhe disa vlerësime cinike për ta: “Frustrimet e nacionalizmit serb mbi këtë mit* i kanë shkaktuar Kosovës tragjedi të mëdha, herë duke e pushtuar atë me luftëra të përgjakshme, herë duke ushtruar gjenocid (mbi 170 mijë shqiptarë të shpërngulur nga Serbia jugore pas Kongresit të Berlinit, 30 mijë të vrarë më 1913, mbi 250 mije te shpërngulur ne Turqi para dhe pas Luftës se Dyte Botërore..” Më tej shkruan: “…pas Luftës së Parë Botërore Serbia ndërmori hapa radikalë në shpronësimin e shqiptarëve (përmes të ashtuquajturave reforma agrare) dhe dëbimin e tyre për Turqi..”

Sipas këtij vlerësimi, që është një fakt i vërtetuar dhe nga studiuesit ndërkombëtar për krimet serbe mbi shqiptarët, por, mos njohja e fakteve historike dhe përdorimi me nocionet e caktuara për ta argumentuar një krim, shpesh herë kanë qenë të dëmshme siç mund të argumentojmë edhe në këtë analizë. Është fakt i pamohueshëm se serbët në këtë periudhë kanë bërë krime kundër shqiptarëve, por fjala gjenocid nuk ka ekzistuar si nocion në këtë kohë. Si i tillë ky term doli në pah dhe u unifikua në vitin 1944 nga avokati polak Rafael Lemkin, duke shfrytëzuar parashtesën greke “genos”, që nënkupton racën apo fisin, dhe prapashtesën latine “cide”, që nënkupton vrasjen, përdori për herë të parë fjalën “gjenocid”. Farkimi i një termi të tillë ishte reagim i pjesshëm i Lamkinit ndaj politikës naziste të shfarrosjes sistematike të hebrenjëve, i cili më pas drejtoi fushatën për ta njohur dhe kodifikuar gjenocidin si një krim ndërkombëtar. Në këtë mënyrë gjenocidi u njoh si krim me ligjin ndërkombëtar të vitit 1946 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, e ratifikuar nga 149 shtete (deri më 2018). Neni 2 i “Konventës për parandalimin dhe dënimin e krimit të gjenocidit” shkruan qartë se: “gjenocidi nënkupton akte të kryera me qëllim të shkatërrimit, të plotë apo të pjesshëm, të një grupi etnik, kombëtar, racor apo fetar”.

Së dyti, shpërngulja e shqiptarëve që konsiderohet si popullsi në kuadër të Serbisë jugore, kur shkruan se: “mbi 170 mijë shqiptarë të shpërngulur nga Serbia jugore pas Kongresit të Berlinit..”. Sipas Krajës, çfarë nënkupton me termin “Serbia jugore”? Duhet ditur që historiografia serbe e fundit të shekullit XIX Kosovën e paraqet si “Serbia e Vjetër”*, deri më 1912. Trevat shqiptare të pushtuara nga serbët pas Luftërave Ballkanike u quajtën si “Viset e reja” apo “Viset e sapo çliruara” (1913-1915). Ndërsa ndërmjet dy luftërave botërore Kosova dhe Maqedonia e sotme u quajtën “Serbia Jugore”, kurse më vonë u përdor termi Kosovë e Metohi. Andaj ti besohet të ashtuquajturave koncepte doktrinare ideologjike serbe në këtë rast nuk është në rregull e aq me tepër të merren si të mirëqena ato.

Së treti, në periudhën 36 vjeçare 1876-1912, Vilajeti i Kosovës në vitin 1878, numri i përgjithshëm i popullsisë së Vilajetit rezultonte të ishte mbi 1 527 000, kurse më 1879 kishte 960 156 banorë dhe në këtë kohë ky vilajet përfshinte përveç territorit të Kosovës së sotme edhe Shkupin, Tetovën, Novipazarin, Senicën, Toplicen, Kurshumlinë, Prokuplen, Leskocin, Nishin dhe Vranjën. Më 1877 mijëra shqiptarë u dëbuan nga Toplica e Klisura. Vetëm prej 81 fshatrave nga Toplica e Kosanica janë shpërngulur rreth 1 867 familje shqiptare. Në vitet 1876-1878 nga Prokupla e Kurshumlia, ku 90% e popullsisë ishte shqiptare, po ashtu u dëbuan mijëra banorë shqiptarë. Sipas të dhënave turke, serbe, austriake e frënge në thellësi të Vilajetit të Kosovës e të Shkodrës u vendosën rreth 300 000 shqiptarë të shpërngulur si rezultat i pushtimit të krahinave të sipërme nga Serbia, Mali i Zi dhe Austro-Hungaria, jo siç na ofron shifra të paverifikuara Mehmet Kraja.

Në analizën e Mehmet Krajës të konteksti i marrëdhënieve shqiptaro – serbe shkruan: “të dy popujt kanë gabimet dhe fajet e tyre në të shkuarën, se ata kanë histori të përgjakshme dhe se e ardhmja duhet të ndërtohet duke i tejkaluar armiqësitë dhe animozitetet e kohëve të shkuara”.

Ku qëndron gabimi i shqiptarëve sipas Mehmet Krajës? Shqiptarët, sipas të dhënave historike të konfirmuara, që nga formimi i tyre nuk kanë pasur platformë politike kundër asnjë kombi me të cilët është kufizuar, atëherë si mund të barazohen shqiptarët me serbët si fajtorë të përbashkët për krimet e bëra në hapësirën gjeografike shqiptare?

Lidhur me këtë, pa u zhytur thellë në histori po japim një pasqyrë shumë të shkurtër, të gjendjes së shqiptarëve. Gjatë periudhës 28 vjeçare (1913-1941), nga viset shqiptare në Jugosllavi u shpërngulen mbi 500 mijë shqiptare. Nga të 500 mijë të shpërngulurit gjatë kësaj periudhe, një pjesë kanë shkuar në Shqipëri e pjesa më e madhe e tyre në Turqi. Sipas statistikave që japin organet jugosllave gjatë viteve 1919-1927 janë vrarë edhe rreth 4 000 luftëtarë të çetave kryengritëse.

Edhe pas kapitullimit të Mbretërisë jugosllave forcat çetnike serbo-malazeze të Mihajloviqit, iu vërsulen Kosovës e në Mal të Zi, përmes vrasjeve kolektive të tipit etnik. Në janar të vitit 1943, nga forcat e kombinuara serbe u vranë rreth 4 000 veta, ndër të cilët 2 083 fëmijë dhe 797 gra dhe dogjën 1 763 shtëpi e plaçkiten çdo gjë, duke djegur edhe 49 katunde të Bjellopoles: “Shumica e viktimave fëmijë dhe gra të djegur në zjarr, të therur me thikë e çdo lloj masakrimi tjetër..”. Ndërkohë në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, ndodhën krime rrënqethëse…, vetëm nga të dhëna të pjesshme llogaritet se mbi 30 000 shqiptarë vdiqën, nga viti 1944 në vitin 1948. Mijëra tjerë u zhduken në vitet pasuese nga vrasjet e torturat çnjerëzore, e mijëra tjerë u shpërngulen, valë e cila nuk u ndal nga ndjekjet e persekutimet e dhunshme. Sipas një dokumenti, “Pasqyrë e vitit 1967 e pa botuar e Ministrisë së Punëve të Brendshme Turke mbi shpërndarjen e popullsisë shqiptare në Turqi”, llogaritej se në Turqi numri i personave që njiheshin si shqiptarë ishte 800 000, që kanë origjinë 1 090 000, numri i përgjithshëm i shqiptarëve 1 890 000, personat që flasin shqip mirë 412 000 dhe pak 373 000. Brutalitet e dhunë pati edhe pas demonstratave të vitit 1968 e më pas në vitet 1981-1999 krime që edhe në raportin tuaj përmendni shifrën prej 13 000 vetash për luftën e fundit. Atëherë, nga këto të dhëna arkivore, çfarë faji patën shqiptarët që iu ekspozuan një krimi sistematik shtetëror jugosllav?. I vetmi faj është të qenurit shqiptar si të tillë.

 

Vijon

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Kreu shtetëror kriminal serb paralajmëron NATO-n se nëse sulmon Jugosllavinë, duhet ta dijë se çka i pret shqiptarët. (22 mars 1999)

Ahmet Qeriqi: Kreu shtetëror kriminal serb paralajmëron NATO-n se nëse sulmon Jugosllavinë, duhet ta dijë se çka i pret shqiptarët. (22 mars 1999)

Sot është dita e tretë e ofensivës së përgjithshme të forcave ushtarake e policore serbe. …