Mirënjohje për “misionarët e rinj” e gjuhës dhe kulturës arbëreshe
Ky shkrim është “një poezi e shpirtit” për ata që e mësojnë, e flasin dhe ruajnë gjuhën e zemrës, gjuhën e lashtë shqipe-arbërishte. Është një ftesë për të gjithë ne: në Republikën e Shqipërisë, në atë Kosovës, në Maqedoni, në Mal të Zi, në Itali, në Zvicër, në Amerikë e gjetkë për t’i mbajtur të freskëta dhe plot jetë: rrënjët tona, gjuhën e etereve e nënave tona, gjuhën që na e shkëlqen qenësinë, na e jep krenarinë dhe na e falë ëmbëlsinë edhe kur i shqiptojmë fjalët tona edhe kur flasim me dashuri e po kështu kur e përçojmë atë te brezat e rinj.
Shkruan: Vaxhid Sejdiu
Në një botë gjithnjë e më të globalizuar, ruajtja e identitetit kombëtar dhe e trashëgimisë kulturore bëhet një sfidë e përhershme. Por, me binjakëzimin e dy shkollave: “Shkolla Shqipe” në Zvicër dhe “Shkolla Arbëreshe” në Ungër, vjen një shembull frymëzues, një rreze shprese që na tregon se rrënjët nuk thahen, përkundrazi kur ujiten me dashuri dhe përkushtim, ato lulëzojnë gjallërisht.
Nxënësit e “Shkollës Shqipe” në Zvicër, janë udhëhequr mrekullisht nga prof. dr. Vaxhid Sejdiu, Qefsere Sejdiu e Minire Azemi. Këta nxënës së bashku me mësimdhënës janë bërë «misionarë të rinj» të gjuhës dhe kulturës arbëreshe. Nëpërmjet një bashkëpunimi të veçantë me shkollën arbëreshe në Ungër të Italisë e drejtuar nga mësueset Nicoleta Buono dhe Maria Tolisano, së bashku me ne po ndërtohen ura të forta lidhjeje mes dy brigjeve të identitetit tonë: asaj që jeton në diasporë dhe asaj që ruhet me krenari në tokën arbëreshe.
Ky binjakëzim shkollash, i mbështetur nga Qendra Albanologjike për Gjuhën dhe Kulturën Arbëreshe, themeluar nga Atë Antonio Bellusci dhe sot e udhëhequr me pasion nga znj. Ornela Radovicka, Tommaso Bellusci, Tommaso Ferrari dhe Rexhep Rifati, nuk është thjesht një bashkëpunim formal, por një akt dashurie ndaj gjuhës së të parëve dhe një përpjekje për ta mbajtur gjallë atë në zemrat e të rinjve tanë, brezave që janë e do të vijnë.
Vizita katër ditore e nxënësve shqiptarë nga Zvicra, në qytetin arbëresh të Ungrës, e realizuar në kuadër të projektit me emrin domethënës “Mos harromi gluhën”, kulmoi me një ceremoni të veçantë në Bibliotekën “Antonio Bellusci”. Aty, në praninë e emrave të lartpërmendur, nxënësit u nderuan me certifikata mirënjohjeje si ambasadorë të vërtetë të trashëgimisë arbëreshe.
Në këtë ceremoni që u kthye në një festë të gjuhës, kujtesës dhe përkatësisë, u shpërndanë libra të çmuar për gjuhën arbëreshe – përfshirë antologjinë mbi të folmen arbëreshe dhe fjalorin në tri gjuhë, si dhe një libër me shprehje frazeologjike të përgatitur nga vetë Atë Bellusci. Por dhurata më simbolike ishte vënia në kokë e plisit që kishte mbajtur Atë Antonio Bellusci, të cilin e kishte marrë dhuratë nga 4 mijë shqiptarë të diasporës në SHBA, gjatë një konference sensibilizuese për çështjen e Kosovës, në vitin 1989, në praninë e senatorit arbëresh Josif Dioguardi. Kështu, tani, po të njëjtin plis, gjatë marrjes së certifikatave dhe shënimeve të tyre në librin e kujtesës për Antonion Bellusci, nxënësit e vendosën në kokë si kurorë nderi dhe përkushtimi.
Të udhëhequr nga mësuesit e tyre të palodhur, këta fëmijë dëshmojnë se integrimi nuk do të thotë asimilim, por bashkëjetesë me dinjitet, me vetëdije për prejardhjen dhe dashuri për trashëgiminë.
Ky projekt u përkrah nga shumë organizata dhe personalitete të botës shqiptare në diasporë: Lidhja e Shkrimtarëve dhe Poetëve në Mërgatë, Shoqata «Hora e Arbëreshëve» me seli në Zvicër, si dhe gazetari i njohur dhe anëtar nderi i Qendrës Albanologjike, Rexhep Rifati, që përçoi mesazhin e fuqishëm të kësaj nisme në publikun më të gjerë.
Nxënësit e Shkollës Shqipe në Zvicër sot jo vetëm që mësojnë gjuhën shqipe, por e jetojnë edhe gjuhën dhe kulturën arbëreshe si pasuri kombëtare. Ata e ndiejnë të folmen arbëreshe si një melodi të ngjashme me gjuhën e gjyshërve të tyre; e ndjejnë kulturën si një pjesë të pazëvendësueshme të identitetit të tyre. Ata flasin me dashuri për kostumet tradicionale, për vallet, për historinë dhe gjeografinë e rrënjëve të tyre – duke u bërë, pa e ditur, shtylla mbi të cilën do të qëndrojë kultura shqiptare në diasporë.
Këta janë fëmijët që na kujtojnë se gjuha nuk është vetëm mjet komunikimi, por është fryma jonë kolektive, kujtesa jonë e përbashkët. Le t’i duartrokasim ata, le t’i mbështesim dhe mbi të gjitha – le të mos harrojmë kurrë:
“Mos harromi gluhën tonë të bukur, se ajo tingëllon në natyrën dhe shpirtin e gjakut tonë të shpërndarë.”