Kam vite që ndjek debatin e madh për këngën Polifonike: Isopolifoni apo Polifoni? Rrjedh nga kori Bizantin apo është këngë me rrënjë tërësisht shqiptare, që e ka shoqëruar shqiptarin që në djep? Dhe këto mendime të turbullta i kristalizova me librin e shkrimtarit dhe publicistit të mirënjohur Albert Zholi. Libri me titull “Historia dhe madhëstia e Polifonisë Shqiptare” është një libër unik, me fakte, intervista, reportazhe, kronika, opinione që nxjerrin në pah nga rrjedh dhe si emërtohet kjo këngë e rrralla që shumë herë e shprehim dhe me termin kënga labe. Në këtë libër me rreth 300 faqe autori sjell që nga prehistoria shembuj konkret se ku i ka rrënjët kjo këngë kaq e bukur.
Në këtë libër lexon të madhin Eqerem Çabej, Ramadan Sokoli, Zhani Ciko, Aleksandër Peçi, por lexon edhe akademikun e shquar Rexhep Qosja apo sheh edhe firmën e gjeniut Ismail Kadare. Këtë libër e lexon me etje, e lexon me shumë dëshirë parsi personazhet e përfshirë në të janë emra të mëdhenj në muzikologjinë apo në këngën e pastër shqiptare. Aty gjen Golik Jaupin, Paro Ziflajn, Irini Qirjakon, Petrit Lulon, Ylli Bakën, Tomorr Lelajn, Dashuri Hysaj, e shumë e shumë të tjerë. Kur i lexon thëniet e tyre për këngën labe befasohesh por njëherazi dhe krenohesh. Gjithë skenat e botës janë tronditur nga Polifonia Shqiptare. Jo vetëm janë tronditur por Konservatori i Parisit ngriti një grup prej pesë këngëtarësh për të intepretuar këngën legjendë “Janino ç’të panë sytë”! Vendimi i UNESCO-s, i marrë më 25 nëntor 2005, duke evidentuar vlerën e papërsëritshme të saj, ka treguar modernitetin, origjinalitetin, përkatësinë, vendlindjen e Polifonisë dhe pazëvendësueshmërinë e saj.
Kënga labe, është nga rastet e veçanta, për të mos thënë e veçantë në botë, e cila në vend të veglave ka vetë njeriun dhe frymën e tij, të dalë nga shpirti, që në çastin e këngës është i mbushur me dhimbje apo gëzim, me dashuri apo urrejtje. Në përgjithësi atyre që nuk e njohin mirë këngën labe dhe mesazhin e saj, u krijohet përshtypja se, të gjitha këngët janë njëlloj, sikur zërat janë të njëjtë, sikur tingulli del i standardizuar. Por nuk është kështu. Kënga labe është një mozaik ngjyrash zëror, shprehjesh shpirtërore, zërash të harmonizuar të akorduar veç e veç si në një orkestër simfonike, ku çdo vegël luan rolin e saj, dhe plotëson një hapësirë në botën e madhe të këngës, sipas tematikës dhe zërave. Është krejt e thjeshtë të dallosh dhe të marrësh mesazhin që ajo dërgon. Ndarja e specifikuar e tyre sipas qëllimit që ka, është e dukshme. Një këngë kurbeti, udhëton mbi nota minore monotone, me një thirrje të mbytur e të dhimbshme, shoqëruar me tekstin prekës e melankolik.
Një këngë dashurie i ngjan flladit dhe isoja dridhjes së petaleve të trëndafilit në çastin e hapjes për lulëzim të plotë. Në një këngë trimërie ritmi dhe pesha e fjalës është një kushtrim i vërtetë, bukurinë e së cilës vetëm kënga labe mund ta shprehë. Pra, kënga labe është bota shpirtërore, politike dhe ekonomike e ngritur në art, apo dhe në humor, në mënyrën më të specializuar dhe konkrete. Këngët janë nga më të ndryshmet, herë të qeta, herë të serta, herë të ëmbla, herë të rrëmbyeshme, herë të mugëta, herë të shpejta, herë këngë dashurie, herë trimërie, herë heroizmi e herë patriotike, herë të rrëmbyera e herë të ngadalta.
Në raste të veçanta ato janë si vetëtima të ëmbla, por dhe si një lëndinë mes bukurisë së luleve të porsaçelura. Por, nuk mund të mos i përmendim këngët e vajit, që kullojnë dhimbje, apo këngët gazmore dhe harmonike. Gjithfarëllojesh mund të jenë këngët e grupeve, por Polifonia është vetëm një, hijerëndë dhe madhështore, si vetë qielli,që mban shqiponjën dykrenore, një këngë që fluturon dhe gjëmon si qielli në shtrëngatë dhe deti në murrlan. Por, një gjë është e vërtetë. Polifoninë, jo kushdo e këndon dhe iso jo kushdo mund të mbajë. Ajo ka lindur bashkë me tokën, me qumështin e saj, në trevën e Labërisë dhe të Toskërisë shqiptare.
Ka dy mijë vjet e më shumë që valëvitet ky flamur-këngë. Pra shumë shekuj më parë, në truallin e Labërisë e Toskërisë shqiptare, krahas monofonisë, dalngadalë po kristalizohej një formë tjetër e ndërgjegjes artistike muzikore të banorëve të saj, Polifonia.
Duke shfletuar librin lexojmë të gjithë studiuesit e folklorit shqiptar të cilët theksojnë: “Nocioni «Polifoni» vjen nga greqishtja “poli” (shumë), “foni” (zë), tingull, d.m.th, shumë zëra, shumë tinguj, shumë melodi. Ndërsa e shqipëruar qysh kur lindi, kjo këngë do të thotë vënçe. Shqiptare! Ky libër vendos përfundimisht në vendin që i takon dhe me emrin që i takon Polifonisë Shqiptare!