Prokuroria: Do të hetohen komisionerët dhe kandidatët për deputetë

Koordinatorja nacionale e zgjedhjeve, prokurorja Laura Pula, ka deklaruar se të gjithë personat që kanë cenuar vullnetin e lirë të qytetarëve duke manipuluar me votat, qofshin komisionerë apo kandidatë për deputetë, do të intervistohen nga prokuroritë përkatëse. Pula e ka vlerësuar si veprim të duhur vendimin e KQZ, për rinumërim të plotë të votave, duke theksuar se pas përfundimit të rinumërimit në shumicën e komunave ka urdhëruar grumbullimin e provave dhe nisjen e hetimeve penale për dyshimet për manipulim të votave pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025. Pula tha se bëhet fjalë për vepër penale të falsifikimit të dokumentit të votave, e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës. Ajo theksoi se do të hetohen të gjithë ata persona që kanë prekur vullnetin e lirë të qytetarëve për ta zgjedhur deputetin. Ajo vlerësoi se rinumërimi në të gjitha komunat është i nevojshëm për rikthimin e besimit të qytetarëve dhe për të sqaruar nëse është cenuar vullneti i tyre. KQZ ka vendosur që të rinumërohen votat për kandidatë në tërë Kosovën. Përveç rinumërimit në 28 komuna, u është ndërprerë mandati përfaqësuesve të subjekteve politike në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën e Prizrenit.

Kontrolloni gjithashtu

KEK ngre padi ndaj Janina Ymerit të LDK-së për deklarata denigruese

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) sh.a. ka njoftuar se ka parashtruar padi ndaj Janina Ymerit …