Prokuroria kërkon vazhdimin e paraburgimit për Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin

Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka kërkuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë që paraburgimi i Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit të vazhdohet edhe për dy muaj të tjerë. Të tre janë bashkëakuza me Hashim Thaçin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Prokuroria ka argumentuar se që nga vendimi i fundit për paraburgim, nuk ka pasur ndonjë zhvillim që të reduktojë rreziqet për pengimin e procedurës, arratisje ose kryerjen e krimeve të mëtejshme. Në kërkesat e dorëzuara më 27 tetor 2025, ZPS thekson se rreziku mbetet i lartë për shkak të njohjes që të akuzuarit kanë mbi të gjithë çështjen dhe përfshirjen e dëshmitarëve. “Veseli vazhdon të paraqesë një rrezik të pengimit të procedurës, përfshirë çdo përpjekje për hakmarrje ndaj dëshmitarëve ose për të ndikuar në dëshmitë e tyre,” thuhet në kërkesë. Prokuroria argumenton gjithashtu se paraburgimi është proporcional dhe i domosdoshëm, ndërsa asnjë masë alternative nuk mund të zbusë mjaftueshëm këto rreziqe. Procesi gjyqësor ka vazhduar me paraqitjen e provave nga të akuzuarit dhe mbrojtësit e viktimave, përfshirë dëshmitë e ekspertëve më 16 dhe 17 korrik 2025. ZPS kishte dorëzuar aktakuzën e konfirmuar ndaj katër të akuzuarve më 30 shtator 2022, që përmban dhjetë pika me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndërsa akuzat lidhen edhe me incidente në Gjilan, Budakovë e Semetishtë. Të katër të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm që nga paraqitjet e tyre të para në nëntor 2020 dhe 2022.

Kontrolloni gjithashtu

Fatmir Limaj i përgjigjet akuzave të VV-së për blerje votash: “Marre të flitet pas këtij rezultati”

Lideri i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka reaguar ndaj deklaratave të anëtarit të Lëvizjes Vetëvendosje …