Prokuroria Speciale: Asnjë raport për gjyqtarin Laban, pavarësisht alarmimeve nga institucionet dhe politika

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka konfirmuar se nuk ka pranuar asnjë raport, informatë apo denoncim nga AKI, PK, MPB, apo ndonjë institucion tjetër lidhur me gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese, Radomir Laban. Kjo deklaratë bie ndesh me pohimet publike të presidentes Vjosa Osmani dhe ish-ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të cilat prej muajsh kanë ngritur alarmin se Laban paraqet rrezik për sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të Kosovës. “Ju njoftojmë se, sipas regjistrit të Prokurorisë Speciale nuk është evidentuar asnjë rast lidhur me personin për të cilin keni adresuar pyetje”, tha për Betimi për Drejtësi zëdhënësja e PSRK-së, Arbnora Luta, duke shtuar se Prokuroria mbetet e përkushtuar në luftimin e krimit e korrupsionit dhe mbrojtjen e interesit publik. Kjo përgjigje ngre dilema serioze: ose institucionet e sigurisë nuk kanë dërguar asnjë raport në PSRK për veprimtarinë e dyshimtë të gjyqtarit Laban – siç pretendojnë presidentja dhe deputetë të pozitës – ose këto raporte nuk janë adresuar zyrtarisht aty ku duhej. Në të dyja rastet, situata nxjerr në pah një boshllëk të rrezikshëm institucional. Ky kontrast mes deklaratave politike dhe heshtjes institucionale lë hapur pyetjen thelbësore: nëse dyshimet për Labanin janë të vërteta, pse nuk janë trajtuar nga organet e drejtësisë? Dhe nëse nuk janë të bazuara, pse udhëheqësit e institucioneve vazhdojnë të alarmojnë opinionin publik me akuza të tilla?

Kontrolloni gjithashtu

Ariana Musliu-Shoshi: Dialogu me Serbinë po udhëhiqet pa legjitimitet, dobëson pozitën e Kosovës

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, ka shprehur shqetësimin për mënyrën se si …