Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar se është afër përfundimit të hetimeve për masakrën e Dubravës, një nga krimet më të rënda të luftës në Kosovë, e cila ndodhi në vitin 1999. Ky rast është trajtuar si një ndër prioritetet kryesore që nga marrja e kompetencave nga EULEX për hetimin e krimeve të luftës. Zëdhënësja e Prokurorisë, Nora Luta, ka bërë të ditur se hetimet janë zhvilluar në dy drejtime: aktualisht është në zhvillim procesi gjyqësor ndaj Gavrilo Milosavleviqit në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, dhe procesi pritet të përfundojë brenda këtij muaji. “Ndërsa në rastin tjetër, ndaj të gjithë të pandehurve, jemi në përfundim të hetimeve. Në këtë fazë kemi arritur të identifikojmë rreth 88 të pandehur dhe të intervistojmë mbi 400 dëshmitarë. Masakra e Dubravës, e kryer ndaj të burgosurve shqiptarë nga forcat serbe në maj të vitit 1999 në burgun e Dubravës, mbetet një nga ngjarjet më të rënda dhe më të dokumentuara të luftës në Kosovë.
