Në ambientet solemne të Akademisë së Shkencave dhe Arteve e Kosovës, më 18 mars 2026, u mbajt ceremonia e përurimit të veprës më të re shkencore të akademik Arsim Bajramit, me titull “Konferenca e Rambujesë dhe intervenimi i NATO-s në Kosovë”, një botim që ndriçon një nga periudhat më vendimtare të historisë moderne të vendit.
Ky promovim u shndërrua në një ngjarje të rëndësishme akademike e kulturore, ku u theksua vlera historike, politike dhe shkencore e veprës. Në fillim të ceremonisë, profesori Frashër Demaj lexoi biografinë e pasur të autorit, duke nënvizuar kontributin e tij të jashtëzakonshëm në jetën akademike dhe institucionale të Kosovës. Bajrami është autor i 43 librave shkencorë, hartues i shumë akteve kushtetuese, pjesëmarrës në Konferencën e Rambujesë, si dhe nënshkrues i Shpalljës së Pavarësisë së Kosovës.
Recensionin e librit e paraqiti profesori Jusuf Bajraktari, i cili e vlerësoi lart qasjen analitike dhe dokumentare të autorit. Ai theksoi se vepra paraqet në mënyrë kronologjike zhvillimet dhe rëndësinë politike të Konferenca e Rambujesë si përpjekje për një zgjidhje paqësore, duke evidentuar gjithë ecurinë e saj dhe ndikimin në rrjedhat historike.
Ndërkaq, në fjalën e tij, profesori Ismet Salihu e cilësoi librin si një trajtim të një ngjarjeje ekzistenciale për popullin e Kosovës. Ai nënvizoi nivelin e lartë shkencor të veprës, e cila në 512 faqe dhe 11 kapituj sjell një analizë të thelluar dhe të strukturuar të proceseve historiko-politike.
Në fund të ceremonisë, akademik Arsim Bajrami falënderoi të pranishmit dhe shpalosi qëllimin e botimit, duke theksuar se pas Shpalljës së Pavarësisë së Kosovës, nuk ka datë më të rëndësishme për Kosovën se Konferenca e Rambujesë. Sipas tij, kjo Konferencë shënoi momentin kur shqiptarët u bënë palë vendimmarrëse për fatin e tyre dhe fituan partneritet strategjik me NATO-n.
Ai theksoi se, megjithëse jo perfekte, Rambujeja bashkoi spektrin politik shqiptar dhe krijoi rrethanat për ndërhyrjen e NATO-s, në Kosovë, duke përmendur edhe komunikimin e vazhdueshëm të gjeneralit Wesley Clark me strukturat e UÇK-së, në atë periudhë vendimtare.
Në një reflektim me tone vizionare, Bajrami u shpreh se në të ardhmen duhet të përjetësohen në hapësira publike citimet e figurave ndërkombëtare që mbështetën Kosovën, si Madeleine Albright. Ai përmbylli fjalimin e tij me një mesazh të fuqishëm për unitet kombëtar dhe institucional, duke e cilësuar ndërhyrjen ndërkombëtare si një moment fatlum në historinë e popullit të Kosovës.
Kjo vepër përfaqëson një kontribut të jashtëzakonshëm në historiografinë dhe studimet politike shqiptare, duke mbetur një referencë e rëndësishme për studiuesit dhe brezat që synojnë të kuptojnë rrugëtimin drejt lirisë dhe shtetndërtimit të Kosovës.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
