Propozimi për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandic, nuk u miratua në seancën e së martës. Vetëm 20 deputetë votuan në favor të largimit të tij, ndërsa kundër ishin 41 deputetë. Nga gjithsej 81 deputetë, në votim morën pjesë 63, ndërsa dy vota u shpallën të pavlefshme. Nisma për shkarkim ishte paraqitur nga Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) dhe Social-demokratët, por nuk arriti të sigurojë mbështetjen e mjaftueshme në Kuvend. Ndërkohë, deputetët malazezë kanë votuar sërish për marrëveshjen ndërkombëtare mes Malit të Zi dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, që parasheh zhvillim të projekteve të mëdha turistike në vend. Kjo marrëveshje ka ngjallur debat dhe kundërshtime në opinionin publik për shkak të ndikimit të mundshëm në burimet natyrore dhe trashëgiminë kulturore të vendit.
