Protestë e studentëve shqiptarë në Maqedonia e Veriut: Kërkohet zbatimi i ligjit për gjuhën shqipe dhe dorëheqja e Hristijan Mickoski dhe Igor Filkov

Studentët shqiptarë të drejtësisë në Maqedoninë e Veriut kanë protestuar para Ministrisë së Drejtësisë, duke kërkuar që t’u mundësohet dhënia e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, ashtu siç parashihet me ligj. Ata theksuan se mohimi i kësaj të drejte përbën shkelje të drejtpërdrejtë të barazisë dhe të standardeve ligjore në vend. Gjatë protestës, studentët shprehën vendosmërinë për të mos u ndalur deri në realizimin e kërkesës së tyre. Studenti Mevlan Ademi deklaroi se kjo çështje nuk është thjesht procedurale, por lidhet drejtpërdrejt me identitetin dhe dinjitetin e tyre si qytetarë. “Ne jemi studentë të drejtësisë që nesër do të mbrojmë ligjin, ndërsa sot po kërkojmë zbatimin e tij. Gjuha jonë nuk është opsion, por identitet. Nuk ka shtet të së drejtës pa respekt për gjuhën,” u shpreh ai. Protestuesit gjithashtu kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Hristijan Mickoski dhe ministrit të Drejtësisë Igor Filkov, duke i konsideruar ata përgjegjës për moszbatimin e ligjit dhe për neglizhimin e të drejtave të studentëve shqiptarë. Ata paralajmëruan se do të vazhdojnë me forma të tjera të reagimit nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh nga institucionet përkatëse. /topchanel/

Kontrolloni gjithashtu

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë mbështet protestën e studentëve në Shkup: Kërkesa e drejtë dhe legjitime

Ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka shprehur mbështetje për protestën e …