Kryetari i komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi në një postim në facebook, ka shkruar se Rahoveci është një nga komunat më karakteristike në Kosovë, me potencial të jashtëzakonshëm zhvillimor. Deri më sot, kemi bërë qindra investime të mirëmenduara që qytetarët e komunës sonë të jenë sot prodhues dhe eksportues të suksesshëm, ndërsa Rahoveci të jetë destinacion turistik dhe nikoqir i organizimeve e ngjarjeve ndërkombëtare kulturore-artistike.
Djersa e bujkut, fisnikëria e puna e ndershme e qytetarit, kreativiteti e pasioni i të riut, zotësia e studentit dhe nxënësit, si dhe përkushtimi i sipërmarrësit rahovecas, janë ato që na udhëheqin për të krijuar historinë tonë me suksese në mënyrë të pandalur.
Tashmë kur ia kemi ndryshuar përmbajtjen komunës sonë përmes investimeve, me sheshin e ri, rrugët e reja e moderne si dhe ndërtimet e planifikuara me standarde, ne do t’ia ndryshojmë edhe pamjen vendlindjes sonë të dashur.
Për Rahovecin #PunaNukNdalet, por merr një dimension të ri zhvillimi drejt një të ardhmeje të sigurt kur vjelim frytet e punës sonë të gjatë dhe të palodhur, ka shkruar ndër të tjera në profilin e tij në facebook, kryetari i Rahovecit, z. Smajl Latifi.