Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, ka dënuar Lëvizjen Vetëvendosje me gjithsej 5,500 euro gjobë në dy raste të ndara, për shkelje të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme gjatë zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025. Në vendimin e marrë më 30 dhjetor 2025, PZAP ka pranuar pjesërisht ankesën e LDK, duke konstatuar se LVV ka shkelur Kodin e Mirësjelljes dhe rregullat zgjedhore, përfshirë përdorimin e fëmijëve në fushatë dhe thyerjen e heshtjes zgjedhore në ditën e votimit. Sipas Panelit, LVV është gjobitur me 4,500 euro për prezencën dhe përfshirjen e fëmijëve nën moshën 15-vjeçare në tubimin përmbyllës të fushatës, si dhe për disa raste të thyerjes së heshtjes zgjedhore, përmes elementeve propaganduese pranë qendrave të votimit dhe postimeve në rrjete sociale nga mbështetës të saj me thirrje për votim. PZAP ka vlerësuar se këto veprime janë kryer gjatë heshtjes zgjedhore me qëllim ndikimin te votuesit, duke përbërë shkelje serioze të ligjit dhe rregulloreve zgjedhore. Paneli ka refuzuar si të pabazuara disa pretendime të tjera të LDK-së, përfshirë akuzat për shfrytëzim të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në fushatë, për shkak të mungesës së provave bindëse. Sipas ligjit në fuqi, kundër vendimeve të PZAP-it nuk lejohet ankesë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
