Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka marrë vendim në favor të subjektit politik Lista Serbe, duke aprovuar ankesën e këtij subjekti kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për moscertifikimin e listës së kandidatëve të saj për zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025. Sipas arsyetimit të këtij paneli, vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nuk ka qenë i bazuar në mënyrë të duhur në ligj dhe nuk është dëshmuar bindshëm që kandidatët në fjalë janë në kundërshtim me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili përcakton kriteret për të drejtën për t’u zgjedhur. Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa i ka kërkuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të bëjë certifikimin e listës së kandidatëve të Listës Serbe për komunat ku ka aplikuar për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale.
