Qeveria e Kosovës ka miratuar propozimin e Ministrisë së Drejtësisë për Projekt-Kodit e Procedurës Penale të Kosovës, i cili ndër të tjera mundëson edhe gjykimin në mungesë të të gjithë atyre që kanë kryer vepra penale në Kosovë. Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu ka bërë të ditur se në Projekt-Kodin e Procedurës Penale janë paraparë disa plotësime e ndyshime për të cilat edhe dha detaje. “Gjykimi në Mungesë, përmes këtij propozimi kryerësit e veprave penale, sidomos ata që kanë kryer krime gjatë luftës nuk do të mund t’i ikin drejtësisë. Të gjithë ata që kanë kryer krime luftë do të marrin dënimin e merituar dhe kurdo që të hasen nga organet e drejtësisë do të vuajnë dënimin për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë”, tha Sallahu. Po ashtu ky plotësim-ndryshim ka të bëjë edhe me suspendimin e zyrtarëve të cilët akuzohen për vepra të ndryshme penale. “Çështja e suspendimit të zyrtarëve nga detyra, ku secili që ka kryer vepër penale ata automatikisht do të pezullohen nga detyra derisa Gjykata të merr aktgjykim në lidhje me veprën”, sqaroi Sallahu.
