Qeveria në detyrë po shkel Kushtetutën duke proceduar ligje në Kuvend

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka akuzuar Qeverinë e Kosovës se po vepron në kundërshtim të hapur me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, duke tentuar të procedojë ligje dhe dokumente në Kuvend pavarësisht se është në detyrë. Gruda theksoi se mandati i qeverisë aktuale ka përfunduar dhe se ajo nuk ka më asnjë kompetencë legjislative apo institucionale për t’u ndërvepruar me Kuvendin. “Qeveria jonë nuk është në dorëheqje, siç po tenton të paraqitet nga ministri i Financave. Është qeveri në detyrë, me mandat të mbaruar, e cila nuk ka të drejtë të procedojë ligje apo dokumente në Kuvend. As të ketë ndonjë kontakt institucional me parlamentin aktual. Për të dërguar buxhetin, duhet veprim ligjor – por kjo qeveri nuk ka të drejtë ta bëjë këtë,” – deklaroi Gruda. Deputeti i PDK-së paralajmëroi se veprime të tilla përbëjnë precedent të rrezikshëm dhe mund të interpretohen si përpjekje për përfitim elektoral, në prag të zgjedhjeve. “Ka gjasa që qeveria ta dorëzojë buxhetin për të bërë premtime e joshje elektorale. Do të thonë pastaj se opozita s’e votoi. Por kjo është shkelje e pastër kushtetuese dhe humbje e çdo legjitimiteti. Një qeveri e zgjedhur nga parlamenti i kaluar nuk mund të ketë raport me një Kuvend të ri nga i cili nuk ka mandat. Sot kemi një kryeministër dhe ministra që po ushtrojnë funksione në kundërshtim me Kushtetutën,” – përfundoi ai. Gruda kërkoi nga institucionet e pavarura dhe shoqëria civile që të reagojnë ndaj, siç tha ai, “shkeljeve flagrante të rendit kushtetues”, duke theksuar se demokracia nuk mund të funksionojë me një qeveri që vepron pa mandat.

Kontrolloni gjithashtu

Bajram Begaj: Njohja e Kosovësnga Siria shënon një hap të rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në Ballkan

Një zhvillim historik për diplomacinë kosovare: Republika Arabe e Sirisë ka njohur zyrtarisht pavarësinë dhe …