Vetëm pak ditë pasi Fondi Monetar Ndërkombëtar publikoi raportin që sinjalizon ngadalësim të ekonomisë së Kosovës, Qeveria ka miratuar Projektligjin për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në raste të destabilizimit të tregut. Projektligji, i cili konsiderohet si një version i riformuluar i ligjit për “çmimet tavan” të rrëzuar më parë nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, është miratuar me unanimitet në mbledhjen e ekzekutivit. Qeveria e arsyeton këtë nismë me rritjen e ndjeshme të çmimeve të produkteve bazë dhe ankesat e shumta të qytetarëve, veçanërisht për çmimin e naftës dhe ushqimeve. Ndërkohë, raporti i fundit i FMN-së paraqet një tablo shqetësuese ekonomike. Sipas tij, rritja ekonomike ka rënë nga 4.6% në vitin 2024 në 3.6% në vitin 2025, ndërsa për vitin 2026 pritet të zbresë edhe më tej në 3.3%. Po ashtu, inflacioni ka arritur në rreth 5.75% në janar 2026 dhe pritet të rritet në 5.9% gjatë vitit, kryesisht për shkak të çmimeve të larta të ushqimeve. FMN paralajmëron se stabilizimi drejt nivelit 2% mund të arrihet vetëm deri në mesin e vitit 2028. Raporti evidenton edhe rritjen e deficitit të llogarisë rrjedhëse në 9.2% të BPV-së, si pasojë e importeve më të larta të energjisë dhe ushqimeve, me pritje për thellim të mëtejmë gjatë këtij viti. Në këtë kontekst, rikthimi i ndërhyrjes së shtetit në treg përmes këtij projektligji shihet si një përpjekje për të frenuar rritjen e çmimeve, por mbetet të shihet nëse do të ketë efekt konkret në përmirësimin e standardit të jetesës së qytetarëve.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
