Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, edhe pse fitoi mandatin me Iniciativën për Drenasin Kampion, thotë se komuna që ai udhëheq mbetet komunë e Partisë Demokratike të Kosovës Ai bëri të ditur se është takuar për rreth tre orë me kryetarin e ri të PDK-së, Bedri Hamza, ku është diskutuar për të ardhmen e partisë dhe proceset e brendshme. Lladrovci u shpreh se gjatë këtij takimi nuk është arritur ndonjë marrëveshje konkrete, duke theksuar se një takim i vetëm nuk mjafton për të finalizuar vendime të rëndësishme. “Edhe me dasht, nuk mundesh me u marrë vesh në takimin e parë, sepse ai duhet me bisedu edhe palën tjetër. Ne s’kemi nevojë me lëndu njanjën palë e me kthye tjetrën. Ne duhet të synojmë të dalim unikë”, deklaroi ai. Ai theksoi se bashkimi i PDK-së me iniciativën e tij për zgjedhjet e ardhshme qendrore do të siguronte një rezultat të fuqishëm. “Nëse merremi vesh, dalim unikë dhe besoj se shkojmë drejt fitores së zgjedhjeve që po vijnë. Si të jemi unikë, i fitojmë zgjedhjet”, tha Lladrovci. Megjithatë, ai la të hapur edhe opsionin që të garojë i vetëm, nëse nuk arrihet një marrëveshje. “Nëse shkojmë bashkë në zgjedhje, është sukses shumë i madh. Por edhe nëse nuk shkojmë, unë nuk hezitoj të shkoj edhe me iniciativë”, përfundoi Lladrovci.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
