Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, dhe kandidati për kryeministër, Ramush Haradinaj, ka dërguar një mesazh të fortë politik dhe emocional përmes një postimi në rrjetet sociale, duke deklaruar se besimin nuk e ka humbur kurrë, madje as gjatë ditëve më të vështira të luftës. Haradinaj thekson se forca, guximi dhe besimi janë trashëgimi që ai dhe bashkëluftëtarët e tij e morën nga familjet, populli dhe mbështetja e vazhdueshme e miqve ndërkombëtarë në kohët kur po vendoseshin themelet e shtetit të Kosovës. Ai kritikon ashpër, siç thotë, “keqpërdorimin ekstrem të lirisë së fjalës” nga ata që sipas tij kanë krijuar një klimë ofendimesh, propagande dhe sulmesh që dëmtojnë kujtesën historike dhe rrugëtimin demokratik të vendit. Megjithatë, Haradinaj shprehet i bindur se ndryshimi do të vijë nëpërmjet votës së qytetarëve, e cila do të rikthejë besimin tek zhvillimi dhe tek miqtë e Kosovës. “Do të bëhemi krah njëri-tjetrit. Do t’ia kthejmë Kosovës miqtë. Do ta rikthejmë shpresën për zhvillim”, shprehet ai, duke theksuar se “ditët e mira do të agojnë” dhe se angazhimi i tij mbetet i sinqertë e i palëkundur.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
