Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka shkruar se është e dhimbshme që kryeministri në detyrë, Albin Kurti i sulmoi sot në një mbledhje të partisë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese. “E dhimbshme kur kryeministri i deritashëm dhe ai që pretendon të jetë prapë kryeministër, nuk e njeh institucionin më të lartë të drejtësisë në vendin e vet dhe e sulmon aq egër e aq ulët. Ai nuk flet për shkeljet e njëpasnjëshme të Kushtetutës që i ka bërë ai e partia e tij, por zgjedh të mashtrojë sikur fajin e paskan gjyqtarët e Kushtetueses. Kjo ma kujton atë shprehjen popullore kur “hajni bërtet kapeni hajnin”! Ata gjyqtarë i ka zgjedhur Kuvendi legjitim i Republikës së Kosovës e jo formacionet imagjinare të tij! E vërteta për bllokimin, jo vetëm të Parlamentit por edhe të Shtetit, e ka vetëm një emër e ky është Albin Kurti dhe kjo sot është e qartë për secilin, veç në mendjen e Albin Kurtit është e mjegullt!” ka shkruar lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
