Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar gjendjen aktuale në arsim, duke e cilësuar fillimin e vitit të ri shkollor si ditë të zakonshme dhe jo festë, për shkak të problemeve të shumta me të cilat përballen nxënësit, mësuesit dhe prindërit. Haradinaj ka kujtuar rolin historik të mësimdhënësve në periudha të vështira për Kosovën. “Në etapa të ndryshme të historisë sonë, mësimdhënësit bartën mbi supe barrën e madhe kombëtare; ngritjen e brezave dhe sfidën për çlirimin e Kosovës. Ata sfiduan regjimin famëkeq të Millosheviqit pa asnjë kompensim”, tha ai. Sipas tij, situata aktuale tregon një kontrast të madh. “Sot, në një situatë normale, 1 shtatori do duhej të ishte ditë feste për nxënësit, mësuesit dhe prindërit, e jo vetëm fillim i një viti të mundimshëm shkollor,” shtoi Haradinaj. Ai përmendi mungesën e librave, kushtet e rënda në shkolla, pagat e ulëta të mësimdhënësve dhe pamundësinë e shumë prindërve për të siguruar tekstet me subvencionin prej 80 eurosh. Haradinaj akuzoi qeverinë për mungesë vullneti dhe sindikatat për dobësimin e rolit të tyre. “Barra mbi këtë gjendje rëndon mbi njerëzit që janë në pushtet tash e sa vjet, e nuk lanë gjë pa bërë, përpos trajtimit me respekt dhe paga të dinjitetshme për mësimdhënësit. Ndërsa sindikatat e arsimit, që angazhoheshin për paga e kushte më të mira, i shpallën armiqësore,” theksoi ai. Në fund, Haradinaj uroi mësuesit, nxënësit dhe prindërit për fillimin e vitit shkollor: “Të vetëdijshëm se nuk e keni aspak të lehtë, ju uroj më të mirat që të keni forcë e kurajë ta përballoni një vit aspak të lehtë shkollor.”
