Me rastin e 26-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka përgëzuar këtë institucion, duke e cilësuar si një nga shtyllat më të fuqishme të sigurisë dhe të shtetit të Kosovës. Sipas tij, përgjatë më shumë se dy dekadave, Policia ka dëshmuar se është institucion i besueshëm dhe i përkushtuar në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, duke shërbyer si shembull edhe për vendet e tjera të rajonit. Haradinaj ka theksuar se përgjegjësia e institucioneve shtetërore është t’i krijojnë kushte të denja dhe mbështetje të plotë policisë, në përputhje me misionin e rëndë dhe përgjegjësinë që ajo bart. Ai ka shprehur respekt për të gjithë zyrtarët policorë për shërbimin e tyre ndaj vendit dhe mirënjohje të veçantë për ata që kanë humbur jetën gjatë kryerjes së detyrës.
