Raport i KOSTT-it ngre dyshime serioze për manipulim të çmimeve të energjisë në dëm të Kosovës

Një raport i brendshëm i Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike, i hartuar në kuadër të hetimeve të nisura në sektorin energjetik, ka ngritur dyshime të forta për manipulim të çmimit të energjisë elektrike nga importi për Kosovën gjatë vitit 2025. Sipas raportit, të cilit i referohet Buletini Ekonomik, ekspertët e KOSTT-it kanë konstatuar se në ankandet e zhvilluara në Zyrën e Ankandeve të Evropës Juglindore (SEECAO) në Podgoricë, kanë bashkëpunuar në mënyrë të dyshimtë kompanitë “Noa Energy Trade” dhe “Elektroprivreda Srbije”, kjo e fundit në pronësi të shtetit serb. Gjetjet tregojnë se gjatë vitit 2025, në dhjetëra raste, këto dy kompani kanë marrë pjesë si të vetmet ofertues në ankandet për kapacitetet ndërkufitare të linjave të transmisionit me destinacion Kosovën. Kjo sjellje, sipas raportit, krijon dyshime serioze për marrëveshje paraprake dhe koordinim të qëllimshëm, me synim rritjen artificiale të kostove të bartjes së energjisë elektrike për tregun kosovar. Ekspertët e KOSTT-it vlerësojnë se ky bashkëpunim i dyshuar ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve të importit të energjisë, duke e dëmtuar rëndë interesin publik dhe duke i shkaktuar humbje financiare sistemit energjetik të Kosovës. Raporti është përpiluar në kuadër të hetimeve të nisura nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), pas një serie hulumtimesh investigative të publikuara gjatë vitit 2025 nga Buletini Ekonomik, të cilat kanë trajtuar mënyrën e importit të energjisë elektrike dhe kostot e larta që i janë faturuar Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Trump: Takimi me Kim Jong Un-in do të mbahet më 12 qershor

Donald Trump: Shkallë e lartë e përfitimit të ndihmave sociale te familjet emigrante nga Ballkani në SHBA

Presidenti amerikan Donald Trump ka shpërndarë një renditje statistikore mbi përfitimin e ndihmave sociale nga …