Departamenti amerikan i Shtetit ka publikuar raportin më të ri për respektimin e të drejtave të njeriut në botë, ku për Kosovën ka theksuar se Qeveria ka ndërmarrë hapa “jo të qëndrueshëm” në identifikimin, hetimin, ndjekjen penale dhe ndëshkimin e zyrtarëve të përfshirë në shkelje të të drejtave të njeriut. Në raportin për vitin 2024, është veçuar se Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka qenë disa herë shënjestër e fushatave të shpifjeve, veçanërisht kur ka mbrojtur gazetarë dhe media. Sipas AGK-së, në këto fushata janë përfshirë edhe zyrtarë qeveritarë, përfshirë kryeministrin dhe anëtarë të partisë në pushtet, me synim minimin e besimit të publikut tek mediat. Kosova ka shënuar rënien më të madhe në 15 vitet e fundit në Indeksin e Lirisë së Shtypit të organizatës “Reporterët pa Kufij”, duke zbritur në vendin e 99-të nga 180 shtete, pozicion më i ulëti në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian. Qeveria ka hedhur poshtë gjetjet e raportit, duke i quajtur ato jo përfaqësuese të realitetit në vend. Raporti i DASH përmend edhe ligjin për Komisionin e Pavarur për Media, që parashihte licencimin dhe mbikëqyrjen e mediave online, si dhe gjoba deri në 40 mijë euro. Gjykata Kushtetuese e rrëzoi këtë ligj në prill 2025, duke konstatuar se disa nene nuk përputheshin me Kushtetutën.
