Reagim i përbashkët i OVL-UÇK-së, SHIL-it dhe SHFD-së pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë

Organizata e Veteranëve të Luftës , Shoqata e Invalidëve të Luftës, dhe Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të Kosovës, kanë reaguar pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë për rrëzimin e mocionit të mbrojtjes së ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Përmes një deklarate të përbashkët, këto organizata e kanë cilësuar këtë vendim si zhgënjyes dhe shqetësues për drejtësinë, duke akuzuar Gjykatën për njëanshmëri dhe tentativë për rishkrim të historisë së luftës së Kosovës. “OVL-UÇK, SHIL dhe SHFD kanë ndjekur me vëmendje rrëzimin e mocionit të paraqitur nga mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara. Ky vendim është zhgënjyes dhe ngjall shqetësime serioze për drejtësinë dhe paanshmërinë që kjo gjykatë pretendon ta përfaqësojë,” thuhet në deklaratë. Organizatat vlerësojnë se refuzimi i mocionit përbën një mesazh negativ për drejtësinë ndërkombëtare, duke theksuar se vendime të tilla minojnë besimin publik në paanshmërinë e procesit gjyqësor. “Kur përballë fakteve, dëshmive dhe shkeljeve procedurale mohohet edhe një shqyrtim i drejtë i mocioneve mbrojtëse, krijohet përshtypja e një procesi të njëanshëm dhe të orientuar politikisht,” thuhet më tej. Deklarata nënvizon se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk kërkon mëshirë, por një proces të drejtë dhe të bazuar në të vërtetën historike, ndërsa paralajmërohet se qëndresa për mbrojtjen e vlerave të luftës do të vazhdojë. “UÇK-ja dhe drejtuesit e saj nuk kanë nevojë për mëshirë, por për një gjykim të drejtë, të barabartë dhe të bazuar në të vërtetën historike të luftës për liri. Gjykata nuk mund të mbyllë sytë para realitetit që e njeh bota – se UÇK-ja ishte një forcë çlirimtare. “Në emër të të gjithë atyre që sakrifikuan për lirinë e Kosovës, do të qëndrojmë gjithmonë në mbrojtje të së vërtetës dhe të drejtave të bashkëluftëtarëve tanë.”

Kontrolloni gjithashtu

Shkëlzen Dragaj pas vendimit të Speciales: Drejtësia është në rënie të lirë, mbi kurriz të UÇK-së

Ish-këshilltari politik i Kadri Veselit, Shkëlzen Dragaj, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Speciale për …