leoni

Reagim publik i kolonel Hajrush Kurtajt lidhur me aktgjykimin ndaj Gavrilo Milosavleviqit

 

Me dhimbje të thellë dhe indinjatë të madhe kam pranuar lajmin për aktgjykimin lirues të Gjykatës Themelore në Prishtinë ndaj Gavrilo Milosavleviqit, një prej të akuzuarve për krimet e luftës të kryera në burgun famëkeq të Dubravës, ku më 22-24 maj 1999 u ekzekutuan mizorisht 109 të burgosur shqiptarë dhe shumë të tjerë u plagosën, u torturuan dhe u trajtuan në mënyrë çnjerëzore. Ndër viktimat ishte edhe vëllai im, i martirizuar në atë burg, bashkë me shumë dëshmorë të tjerë që nuk kërkuan asgjë tjetër veç dinjitet dhe liri.

Vendimi për të shpallur të pafajshëm një individ të akuzuar për bashkëpjesëmarrje në një prej masakrave më të tmerrshme të regjimit serb në Kosovë përbën një fyerje të rëndë ndaj viktimave, familjeve të tyre, dhe ndaj vetë drejtësisë në Republikën e Kosovës. Ky është një akt që i jep zemër mohuesve të krimeve dhe dobëson besimin e qytetarëve në institucionet e vendit.

Në emrin tim personal dhe në emër të shumë ish-të burgosurve dhe familjarëve të të vrarëve, i bëj thirrje:

  • Prokurorisë së Shtetit që të rishikojë seriozisht qasjen ndaj rasteve të krimeve të luftës dhe të përgatisë dosje të plota, të qëndrueshme dhe të mbështetura në dëshmi dhe prova konkrete.
  • Gjykatave tona që të kenë guximin profesional dhe moral për të përballuar drejtësinë historike dhe për të mos lejuar që kujtesa e viktimave të fshihet përmes vendimeve të pamatura e të papërgjegjshme.
  • Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës që të ngrejë zërin dhe të mobilizojë opinionin publik dhe ndërkombëtar për të mos lejuar që krimet e kryera nga aparati shtetëror serb të mbeten pa ndëshkim.
  • Qytetarëve të Kosovës, që të reagojnë me dinjitet e vendosmëri përballë padrejtësive të tilla dhe të mos lejojnë që dhimbja kolektive e vendit tonë të nëpërkëmbet në emër të një drejtësie të verbër.

E vërteta për masakrën e Dubravës është e njohur dhe e dokumentuar. Përpjekjet për të heshtur mbi të nuk do të kenë sukses. Ne nuk kërkojmë hakmarrje – kërkojmë drejtësi. Dhe ajo duhet të ndodhë, në emër të viktimave, të kujtesës sonë kolektive dhe të së ardhmes së Kosovës si shtet i së drejtës.

Kolonel Hajrush Kurtaj
Familjar i viktimës së masakrës së Dubravës, luftëtar i Lirisë, zv.komandant i Brigadës, komandant i Brigadës 162 “Agim Bajrami”, shef i Shtabit në Komandën e Zonës së Gjashtë të Trupave të Mbrojtjes së Kosovës, drejtor i Departamentit të Bashkëpunimit Civilo-Ushtarak në MFSK/MM dhe aktualisht drejtor i Departamentit për Planifikim dhe Vlerësim në Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Prodhuesit vendor nisin betejë ligjore ndaj ZRrE-së: “Vendimi i padrejtë duhet të rrëzohet”

Shoqata e Prodhuesve Vendor, në kuadër të Odës Ekonomike të Kosovës, ka nisur një betejë …