Reagon djali i Kadri Veselit ndaj deklaratës së Kurtit: “Deklarim i padinjitetshëm që rëndon familjet tona”

Klestori Veseli, djali i ish-kryetarit të Kuvendit dhe ish-udhëheqësit të UÇK-së, Kadri Veseli, ka reaguar pas deklaratave të bëra nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili përmendi babain e tij në një kontekst politik gjatë një interviste televizive. Në një reagim publik, Klestori Veseli e ka cilësuar këtë përmendje si të pavend dhe të padinjitetshme, duke theksuar se për familjen e tij dhe bashkëluftëtarët e babait, që prej vitesh janë duke u përballur me sfida serioze në Hagë, një gjuhë e tillë politike vetëm sa rëndon gjendjen. “Dëgjova me kujdes komentet e mbrëmshme nga Kryeministri në detyrë, z. Albin Kurti, ku ai përmendi babanë tim, Kadri Veseli, në mënyrë shumë të pavend. Ky nuk është aspak një deklarim dinjitoz,” u shpreh ai. Sipas Klestorit, deklarata të tilla nuk u shërbejnë as institucioneve, as drejtësisë dhe as imazhit të vetë kryeministrit: “Deklaratat e tilla jo vetëm që na rëndojnë gjendjen neve, por nuk i bëjnë nder as vetë Kryeministrit në detyrë,” përfundoi ai. Reagimi i tij vjen pas një vale kritikash të ashpra nga familjarë dhe përfaqësues të organizatave të dala nga lufta, të cilët i kanë cilësuar komentet e Kurtit si të dëmshme dhe politike, në një kohë kur proceset në Hagë janë ende në zhvillim.

Kontrolloni gjithashtu

Reagon OVL e UÇK-së: Deklarata e Kurtit për Thaçin e Veselin, dëshmi e frikës nga drejtësia dhe një sulm i papërgjegjshëm ndaj vlerave të luftës

Deklarata e Albin Kurtit për Thaçin e Veselin, dëshmi e frikës nga drejtësia dhe një …