Reuters sfidon pretendimet e Trump: Nuk ka prova se parandaloi konflikt mes Kosovës dhe Serbisë

Agjencia prestigjioze “Reuters” ka analizuar deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka pretenduar se ka “zgjidhur tetë luftëra” dhe ka parandaluar një konflikt mes Kosovës dhe Serbisë gjatë mandatit të tij të parë. Sipas “Reuters”, këto pretendime janë të pambështetura dhe në disa raste madje kundërshtohen nga zhvillimet reale në terren. Në pjesën kushtuar Ballkanit, agjencia thekson se Kosova dhe Serbia mbeten të tensionuara, pesë vjet pas marrëveshjeve të ndërmjetësuara nga administrata Trump, të cilat synonin thjesht përmirësimin e lidhjeve ekonomike, e jo zgjidhjen e statusit politik. Pa ofruar prova, Trump ka deklaruar se “ndali luftën” mes dy shteteve dhe se do ta rregullojë sërish situatën nëse merr një mandat të dytë. “Reuters” kujton se Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008 pas fushatës së NATO-s për të ndalur krimet e forcave serbe, ndërsa Serbia vazhdon ta konsiderojë Kosovën pjesë të territorit të saj. Dy vendet nuk kanë nënshkruar kurrë një marrëveshje paqeje, dhe tensionet në veri mbeten të pranishme, sidomos pas përpjekjeve të qeverisë Kurti për të shtrirë autoritetin shtetëror në zonat e banuara me serbë lokalë. Artikulli i “Reuters” nënvizon se deklaratat e Trump nuk përputhen me realitetin diplomatik, pasi asnjë institucion ndërkombëtar dhe asnjë dokument zyrtar nuk dëshmon se ai ka parandaluar një luftë apo një përshkallëzim të afërt në Kosovë.  “Reuters” e paraqet pretendimin e Trump si të pasaktë, të paargumentuar dhe të mbështetur më shumë në retorikë politike sesa në fakte të verifikueshme.

Kontrolloni gjithashtu

Hykmete Bajrami publikon humbjet e energjisë në veri: Deri në 15 herë më shumë nën qeverinë Kurti

Kandidatja për deputete nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Hykmete Bajrami, ka publikuar të dhëna që …