Brickos

BE

RKL: Bashkimi Evropian nuk e ka pranuar pavarësinë e Kosovës, jo vetëm në harta por as në qëndrime apo dokumente zyrtare

Bashkimi Evropian nuk e ka pranuar pavarësinë e Kosovës jo vetëm në harta por as në qëndrime e dokumente zyrtare, pasi vendin tonë e konsideron si pjesë të Serbisë, në akord me Rezolutën 1244 të KS të OKB-së të vitit 1999

Është për t’ u habitur, por edhe për të ardhur keq me të gjithë ata politikanë, analistë të vetëquajtur, gazetarë mendjelehtë dhe të painformuar, të cilët shohin për herë të parë  hartën e Shteteve të Bashkimit Evropian, ku Kosova afishohet si pjesë e Serbisë. Këtu nuk ka asgjë të re dhe ky është qëndrimi zyrtar i BE-së, këtu e njëzet vitet e fundit. Me këtë hartë, ku Kosova del të jetë pjesë e Serbisë, i ka zhvilluar bisedimet në Bruksel kryesuesja e delegacionit të Kosovës, zonja Edita Tahiri dhe të gjithë dialoguesit e tjerë.

Zëdhënësi i BE-së për Politikë dhe Siguri të Jashtme, Peter Stano, ka reaguar pas raportimeve, të disa gazetarëve të Kosovës, ku shfaqet një hartë e Evropës me Kosovën si pjesë të Serbisë, në zyrën e Miroslav Lajçakut. Stano  ka thënë se BE-ja ka status neutral në këtë çështje, duke shtuar se në Kosovë duhet të merren me shumë me dialogun dhe problemet rreth tij. “Pretendimi rreth hartës është totalisht i pavend dhe i rremë. Kjo hartë zyrtare e BE-së është një linjë me pozicionin e BE-së – status neutral. Do të doja të rekomandoja secilin që të fokusohet në problemet reale që ndihmojnë në avancimin e normalizimit të dialogut, në vend se të përpiqen të bëjnë raporte të rreme”, ka shkruar Stano, duke komentuar disa gazetarët të Kosovës, të cilët sado të mençur që paraqiten në mediet e tyre, nuk e dinë se BE-ja nuk e ka pranuar  pavarësinë e Kosovës, ndërsa vendin tonë e konsideron si pjesë të Serbisë.

Pse habiten aq shumë të paditurit dhe ata që tash pas 20 viteve e paskan parë hartën zyrtare të BE-së, të cilën nuk e kanë vërejtur deri tani.

Si ka mundësi të habiten politikanët me këtë hartë, kur ata e dinë më së miri se BE-ja nuk e ka njohur as e pranon pavarësinë e Kosovës. Madje është thënë nga autoritetet spanjolle në BE se edhe nëse Serbia e njeh pavarësinë, ajo nuk do ta njohë.

Pse habiteni aq shumë dhe tregoni paditurinë tuaj, duke u mbështetur në 22 shtetet e BE-së, të cilat e kanë pranuar Kosovën e pavarur, kur dihet se vendimet në BE merren me konsensus të plotë dhe vetëm nëse ta zëmë, një  gjysmë Qipro xhuxhe nuk e pranon pavarësinë e Kosovës, ngecë tërë procesi ashtu sikur ka ngecur qe 13 vjet, por ja që kemi jetuar dhe do të jetojmë edhe pa pranimin e pavarësisë nga pesë shtetet e BE-së dhe pa vetë BE-në.

Nuk varet jeta e popullit të Kosovës, as e shqiptarëve në përgjithësi nga qëndrimi injorues i BE-së, i Serbisë, qoftë edhe i Rusisë.

Inkuadrimi i Kosovës në BE aktualisht ka një çmim të cilin nuk arrijnë ta akaparojnë politikanët tanë. Ky proces do të vazhdojë edhe për shumë vjet të tjera, sepse Evropës nuk do t i bëhet vonë, ashtu sikur nuk iu ka bërë vonë qysh nga vitit 1878, kur trojet e pushtuara me dhunë të Shqipërisë,  ia ka bërë tapi katër shteteve të Ballkanit, Greqisë, Bullgarisë, Serbisë e Malit të Zi, të cilit ia firmosi edhe 8.200 hektarë tokë shtesë të Kosovës, disa vjet më parë.

Pastaj pse pranoni të mashtroheni nga premtimet e zonjave raportuese  të BE-së dhe PE-së, lidhur me liberalizimin e vizave, i cili deri tani është kushtëzuar sa e sa herë dhe më në fund, e tha hapur e shkoqur,  zonja Cramon, se kurrë nuk do të ketë liberalizim të vizave për Kosovë, pa u arritur marrëveshja e kompromisit me Serbinë. Sapo zonja Viola von Cramon e mori detyrën e raportueses për Kosovën, ajo u tregua entuziaste, premtoi liberalizim të shpejtë, kritikoi burokracinë për vonesë të procesit. Pastaj e fokusoi kritikën drejtuar Francës  e Holandës, të cilat i shënjestroi si shtete që  më së shumti po e pengojnë liberalizimin e vizave. Më në fund e tha troç se nuk do të ketë liberalizim pa i realizuar qëllimet e veta Qeveria e Serbisë, përmes marrëveshjes me kompromis, në dialog me delegacionin e Kosovës, kompromis në të cilën ka insistuar dhe insiston Beogradi zyrtar.

Është vështirë të kuptohet pse bëjnë të verbrin e të shurdhin disa politikanë lidhur me hartën e shteteve të Evropës e të rajonit të Ballkanit në BE, kur harta tekefundit është vetëm çështje teknike, gjeografike, por ajo iu përmbahet rregullave, ligjeve e qëndrimeve  të veta dhe jo tekeve tona. Kjo përngjet me atë fjalën e urtë që thotë: Kur nuk ke çka i bën gomarit i mëshon samarit.

Kjo lë për të kuptuar se disa politikanë mendjelehtë po ta shohin Kosovën jashtë  hartës së Serbisë, do të mjaftoheshin me aq dhe nuk do ta çanin kokën për punë të tjera, sepse janë politikanë të improvizimeve, mburrjeve, rrahagjokseve, por kur shkojnë në Bruksel e futin kokën në rërë, ashtu si struci, të gjithë pa dallim, madje edhe këta mburravecët e sotëm.

Kontrolloni gjithashtu

Ejup Maqedonci: Serbia me qasjen e saj hegjemoniste dhe agresive karshi Kosovës do të bëjë që tensionet të vazhdojnë

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, dje pas bllokimit në kufi me Serbinë të …