Hashim Thaci

RKL: Hashim Thaçi nuk është figurë e unitetit kombëtar, pavarësisht meritave që mund të ketë

Përpjekjet këmbëngulëse të  pozitës, pastaj shefit të BE-së, Zhbogar, ambasadorit të Amerikës, Delawie, ambasadorit anglez, O’Conelli e të tjerë, për zgjedhjen e Hashim Thaçit në postin e kryetarit të Kosovës, po e përshkallëzojnë situatën politike dhe të sigurisë në vend. Thaçi e ka përkrahjen e “partnerëve” ndërkombëtarë, ndoshta shumë më tepër për shkak të bashkëpunimit me Serbinë, në Bruksel, që konsiderohet si hap drejt normalizimit të marrëdhënieve Serbi-Kosovë, pavarësisht se Kosova në këto bisedime e marrëveshje  ka humbur dhe po humb territore dhe sovranitet. Thaçi nuk e ka përkrahjen e shumicës në vend, nuk e ka madje as përkrahjen e partnerit bashkë-qeverisës, nuk e ka përkrahjen mbarë popullore për të qenë një kryetar konsesual, edhe pse të tillë nuk kemi pasur asnjëherë.

Këmbëngulja e pozitës për ta emëruar Hashim Thaçin në postin e Kryetarit të Kosovës, në kohën e acarimit ekstrem të marrëdhënieve të Qeverisë me Opozitën, në kohën e protestave masive dhe tani protestave ditë e natë para Qeverisë e Kuvendit, është hapi më i pamatur dhe më i rrezikshëm që është ndërmarrë ndonjëherë në vendin tonë. Në një situatë të tillë, dikush, me  apo pa vetëdije po hedh benzol në zjarr, në vend se të hedh ujë. Kjo situatë, në një shtet të pa konsoliduar sikur është Kosova mund të jetë fatale dhe fajtori për krejt çka mund të ndodh do t’ i faturohet pikërisht koalicionit qeveritar, por edhe atyre që me këmbëngulje po e përkrahin një kandidat që, pavarësisht meritave që mund të ketë, pavarësisht përkrahjes së një pjese të elektoratit, është politikan shumë kontrovers, inatzi, hakmarrës, cinik dhe krejtësisht i papërshtatshëm për të qenë, sikur thuhet, “figurë unifikuese”.

Këto përpjekje të koalicionit qeverisës për ta emëruar me çdo kusht Thaçin në postin e të parit të Shtetit, madje edhe me një çmim të kacafytjes dhe revoltave të pakontrolluara, të cilat mund të rezultojnë me shpërthime të papritura, janë përpjekje që nuk mund të garantojnë paqe e siguri në vend. Nëse dikush mendon se me ndihmën e Policisë, EULEX-it dhe KFOR-it mund ta nënshtrojë vullnetin e shumicës së popullit dhe jo vetëm të opozitës, atëherë kot flasim për institucione të lira, demokratike e dokërra  si këto. Përjashtimi i opozitës nga Kuvendi, nxjerrja e deputetëve nga salla me ndërhyrje policore, arrestimi dhe  dënimi i shumicës së deputetëve të opozitës dhe i qindra aktivistëve, prania e shtuar e policisë kudo në institucione janë indikatorë të mjaftueshëm për të konkluduar se këtu po instalohet një pushtet autarkik, policor, në esencë njëpartiak për nga mendësia e qeverisjes dhe me prejardhje e përmbajtje nga ish-nomenklatura komuniste jugosllave. Rikthimi në pushtet dhe në postet më me rëndësi të Shtetit i ish-kuadrove antikombëtare, me prejardhje politike e ideologjike nga ish regjimi titist-milosheviqian, jo vetëm që nuk krijon asnjë bazë elementare për paqe, zhvillim e prosperitet, por minon të gjitha të arriturat e vendit dhe çlirimit nga vargonjtë e robërisë, e cila u arrit falë gjakut të derdhur për liri dhe luftës shekullore kundër okupimit. Po shihet se dikujt gjakimi për pushtet ia ka verbuar sytë dhe pasojat, në rastet si këto, dihet se ku e katandisin vendin, por edhe ata që duan ta zaptojnë dhe ta mbajnë pushtetin me çdo kusht.

Pushteti nuk merret me forcë, thonë ata, por me votë. Dhe kur merret me votë, atëherë qeverisja u dashka të mbrohet me çdo kusht dhe me çdo çmim, pavarësisht keqqeverisjes, korrupsionit dhe sjelljes së vendit buzë greminës. Qeveria dhe institucionet e Shtetit nuk kanë mandat fiktiv të domosdoshëm, 4-vjeçar, nëse gjatë mandatit shkelet Kushtetuta, shkelet sovraniteti i vendit, shkelen ligjet që i ka miratuar vetë Kuvendi. Në raste të tilla kudo në botën demokratike kërkohet dorëheqja e Qeverisë dhe kudo në botën demokratike bien qeveritë e korruptuara. Nëse nuk bien, nëse nuk tërhiqen, por mbahen në pushtet me anën e policisë dhe mbështetjes së politikave të caktuara ndërkombëtare, atëherë lindin fenomene autokrate dhe diktatoriale si Idi Amini, Bashar Assadi,  e të tjerë si këta. Të tillët nuk i duhen Kosovës. Sa më parë të t’ i thërrasin arsyes dhe ta kuptojnë këtë, do të jetë aq më mirë për ata dhe për të gjithë ne.

Është koha për reflektim realist dhe jo për trashje të inateve, armiqësive dhe mujsharisë së egër e primitive të klaneve e bajraqeve feudale.

 

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …