RKL: Intervistë me Ekrem Jasharin, djali i dëshmorit,  Sherif Jashari 

RKL: Intervistë me Ekrem Jasharin, djali i dëshmorit,  Sherif Jashari 

RKL: Mirë se vini në Radion Kosova e Lirë, i nderuar Ekrem, djali i dëshmorit të Kombit, Sherif Jashari

Ekrem Sherif Jashari: Mirë se ju gjeta, kënaqësi të jem në radion “Kosova e Lirë”, radion e luftës dhe të paqes.

RKL: Më 22 janar të vitit 1998, kur sulmohet familja e kryekomandantit Adem Jashari, Sherifi ishte njëri ndër të parët që i shkoi në ndihmë, ju personalisht si e kujtoni atë ditë?

Ekrem Sherif Jashari: Aktivitetet e përgatitjeve për çlirimin e Kosovës në lagjen tonë kanë filluar shumë herët dhe me kalimin e kohës, duke ditur përmasat shkatërruese që do të ndërmerrte pushtuesi ndaj fisit tonë, atëherë prindërit tanë ishin marr vesh që disa nga djemtë e fisit t’i largonin përkohësisht nga Kosova. Njëri nder ta isha edhe unë. Në atë kohë unë jetoja në Zvicër dhe punoja për mirëqenien e familjes. Pra, me datën 22 janar të vitit 1998 unë isha në punë dhe porsa u ktheva në banesë mora vesh nga mjetet e informimit. Menjëherë e mora në telefon bacën Rifat, e pastaj u lidha me familjen në telefon dhe kuptova shumëçka për ngjarjen.

RKL: Njëri ndër ata burra, që iu gjend përherë pranë kryetrimit Adem Jashari, ishte edhe Sherif Brahim Jashari i trungut të Jasharëve. Familja e Juaj, si krejt Lagjja e Jasharëve të Prekazit, ishte përherë në shënjestër të regjimit serb, ku ishit Ju familja e gjerë kur ndodhi sulmi i forcave kriminele serbe në Prekaz me 5,6 dhe 7 mars 1998, çka kujtoni nga ato tri ditë luftë?

Ekrem Sherif Jashari: Në Zvicër unë punoja dy punë. Zgjohesha herët për të shpërndarë gazetat ditore. Aty rreth orës 5 të mëngjesit, të datës 5 mars 1998 e mora në telefon babën Sherif. E dija së është zgjuar, sepse kishte kohë që lagjja jonë nuk flinte. – Sapo u ndava me Hamzën, më tha baba Sherif (zakonisht Hamëza dhe baba Sherif ishin të pandashëm në këto aktivitete). Baba Sherif shpesh fliste në mënyrë alegorike dhe fundi i bisedës sonë ishte: – Retë e zeza e kanë mbulu këtuhën, por mos u bën merak…, më tha baba Sherif.  Mbarova shpërndarjen e gazetave dhe nuk mund të shkoja në punën tjetër pa e marr në telefon edhe një herë babën. Provova disa herë dhe askush nuk e ngrinte telefonin. Fillova të shqetësohem fort. Në punë nuk mund të mungoja dhe aty nga ora 9, në kohën e pauzës 15 minutëshe, zura kabinën telefonike që të lidhëm me familjen. Pas disa minutash dikush e hapi telefonin dhe u përgjigj duke thënë: – Na u kallëm, ju bëni çfarë të doni…, telefoni mbeti hapur për disa minuta dhe unë dëgjoja krisma shurdhuese. Më vonë kuptova së ai që u përgjigj në telefon kishte qenë Bashkim Jashari, i cili kishte pas mundësi sekondëshe që të përgjigjej me dy fjalë, duke treguar tmerrin që po ndodhë. Pas kësaj, mora në telefon bacën Rifat dhe e pyeta për ngjarjen. – Përhajr na kjoftë, së dasma u ndez, më tha.

RKL: Rënia dëshmor e Sherif Jasharit, në atë kohë ka qenë  humbje e madhe për UÇK-në, por edhe për familjen, e bashkëluftëtarët, a mbani kontakte me shokët e Tij?

Ekrem Sherif Jashari: Shokët e tij kanë qenë bashkëluftëtarët e asaj beteje dhe atdhetarë të tjerë gjithandej hapësirës shqiptare. Kontaktet vazhdojnë të jenë të përhershme duke sjellë në kujtesë heroizmat e asaj beteje të lavdishme.

RKL: Përgjatë tre ditëve sa kanë zgjatur luftimet, kush tjetër nga familja e Juaj pësoi ato ditë?

Ekrem Sherif Jashari: Në këtë betejë ranë shumë dëshmorë: Faik Jashari, Nazmi Jashari, Beqir Jashari, Halil Jashari, Qazim Jashari dhe u plagos rëndë (me 5 plumba) vëllai im Riadi, 16 vjeçar. Gjithsejtë nga Trungu i Jasharëve ranë për të mos vdekur kurrë 56 dëshmorë.

RKL: Ku jeni sot Ju pasardhësit e dëshmorit, a punoni, ku jetoni?

Ekrem Sherif Jashari: Nga 8 bijtë dhe bijat e Sherif Jasharit, sot jetojmë në Kosovë: unë, Qemali dhe Leonita. Të tjerët: Sofia, Riadi, Samedini, Ganiu dhe Leonora jetojnë dhe punojnë në Zvicër.

Unë vazhdoj të jetoj në Prekaz dhe përpiqem të jem sa ma afër fëmijëve të mi të cilët po më nderojnë me punën e tyre rreth studimeve: Sherifi në stomatologji, Sibora në mjekësi, ndërsa Vlera është ende në shkollën fillore në Skënderaj. Si çdo prind edhe unë mundohem të ndajë kafshatën e fundit me ta dhe nuk mundëm pa falënderuar vëllezërit dhe motrat e mia për ndihmesën që më bëjnë në shkollimin e tyre.

RKL: I nderuar Ekrem cili është mendimi i Juaj, lidhur me trajtimin e familjeve të dëshmorëve nga qeveritë e pasluftës?

Ekrem Sherif Jashari: Jam interesuar të mësoj gjendjet e pas luftërave nëpër shtetet e ndryshme të botës dhe kudo kam gjetur mënyra shumë të dinjitetshme të trajtimit të invalidëve të luftës, të familjeve të dëshmorëve, të veteranëve të luftës. Qeveritë e pasluftës sikur nuk e kanë gjetur ende rrugën më të dinjitetshme për këto kategori, duke themeluar ligje të veçanta për to.

RKL: A mendoni se po bëjmë mjaft për të quar në vend amanetin e dëshmorëve?

Ekrem Sherif Jashari: Amanetet e dëshmorëve janë të shenjta, dhe vetëdijesimi i shoqërisë sonë duhet të jetë gjithmonë zgjuar për t’i realizuar ato. Pra kemi shumë punë përpara dhe lum ata që nuk lakojnë nga kjo rrugë.

RKL: Cila është përkrahja konkrete që keni marrë nga shoqëria dhe nga institucionet e vendit dhe a mjafton ajo?

Ekrem Sherif Jashari: Përveç dekoratave, asgjë tjetër.

RKL: Dëshmorët jetën, luftën e rënien e bënë bashkë, por fatkeqësisht tani për interesa politike disa prej tyre edhe po i ndajnë, si e komentoni këtë?

Ekrem Sherif Jashari: Është vogëlsi të përpiqesh të ndash dëshmorët. Ata janë atdheu ynë i përbashkët dhe rruga nga duhet të ecim të gjithë.

RKL:  Në New York, një rrugë me 5 mars të vitit të ardhshëm do të emërtohet me emrin e heroit Sherif Brahim Jashari, na trego për dëgjuesit e RKL-së, kush  e mori këtë nismë, cilat ishin si ishin procedurat, kriteret?

Ekrem Sherif Jashari: Para një kohe pata kënaqësinë të jem pranë bashkatdhetarëve tanë në SHBA. U ndjeva i nderuar nga mikpritja e tyre. Gjatë shumë bisedave, tregimeve dhe kuvendimeve me bashkatdhetarët, ata shfaqen iniciativën për emërtimin e një rruge me emrin e babait tim. I jam shumë mirënjohës zotit Mark Gjonaj, ish asamblist i Nju Jorkut i cili hapi mundësinë ligjore që kjo gjë të ndodhë në prag të Epopesë së UҀK-së, me datën 5 mars 2024.

RKL: I nderuar Ekrem, të falënderojmë se u bëre pjesë e intervistave në Radion Kosova e Lirë. Shëndet e suksese!

Ekrem Sherif Jashari: Faleminderit juve për mundësinë dhe faleminderit për gjithçka që po bëni në ruajtjen e frymës atdhetare për këtë vend. Vendi ynë dhe shoqëria jonë në përgjithësi gjithmonë do të ketë nevojë për një medium si ju, i cili na kujton të kaluarën dhe na përgatitë të jemi të gatshëm për të ardhmen.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Zholi

-Albert Z. ZHOLI: Flasin për Ditën e Verës: Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka

Flasin Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka -Dita e Verës nuk …