Brickos

RKL

RKL: Shumë lexues e dëgjues pranojnë mashtrimin dhe fyerjen e inteligjencës së tyre nga mediet e caktuara

Një pjesë e madhe e medieve në Kosovë i deformojnë informatat, kopjojnë, vjedhin, i përgjysmojnë,  interferojnë  dhe bëjnë punën e klaneve të biznesev, apo klaneve  politike e ideologjike…

Shumica dërrmuese e medieve janë prodhuese dhe ricikluese të lajmeve që sajojnë e shpërndajnë pandërprerë vetëm me qëllim përfitimi, mbijetese, pasurimi dhe jo në shërbim të arsimimit, përhapjes së diturisë dhe begatimit të dijes e vlerave qytetëruese. Këtë, nëse ende nuk e keni kuptuar duhet ta kuptoni sa herë që merrni vendim për ta shfletuar apo për të mos e shfletuar, dëgjuar, apo për ta përcjellë një medium të caktuar. Qëllimi i çdo mediumi në këtë konkurrencë virulente kapitaliste është që të imponohet dhe mundësisht të të përvetësojë. Andaj, kujdes çfarë lexoni e çfarë shfletoni, sepse jeni të rrezikuar nga ata që duan  me çdo kusht të iu shfrytëzojnë, të përfitojnë dhe më pas t’iu flakin si plaçkë pa vlerë… Edhe pse  kjo nuk vlen për të gjitha mediet, mjerisht vlen për shumicën prej tyre.

Pretendimet se mediet e thonë të vërtetën dhe se duhet besuar atyre, janë pretendime naive dhe këtë mund ta besojnë vetëm njerëzit naivë  me arsimim të dobët dhe të tillëve që nuk lexojnë,  nuk mësojnë, që  janë torollakë të lindur dhe nuk arrijnë ta kuptojnë realitetin objektiv, ku jetojnë.

Shumë nga mediet, të cilat pas luftës në Kosovë kanë ngalluar si hithrat  në pleh, nuk e pasqyrojnë as përafërsisht realitetin që mbretëron në publik dhe as mund të merren si kriter për të vlerësuar një gjendje, apo një situatë aktuale. Mjafton të plasohet një gënjeshtër nga një medium dhe një lajm i tillë, sidomos nëse është sensacional, lajm i kronikës së zezë, apo lajm hiqi, por i kurdisur me një titull provokues për ta lexuar, dhe, atëherë  informata e tillë bëhet lajm për komentim, por kjo nuk zgjat shumë, sepse sajuesit  e lajmeve të tilla, pas pak çastesh afishojnë tjetrin lajm sensacional dhe kështu me radhë. Derisa një lajm i tillë lexohet, afishohen sa e sa të tjerë dhe në këtë mënyrë krijohet kaosi informativ, galimatiasi gjuhësor,  që i përngjet  punës së Sizifit, asaj gjithçkaje të nuk ka fillim as mbarim.

Shumë nga lexuesit që kanë prirje për sensacione, që ushqehen me ëndrra e gënjeshtra, duke shfletuar lajmet, komentet, analizat bëhen edhe më trapa sesa kanë qenë, sepse në trurin e tyre përzihen të gjitha dhe ai nuk di çka zgjedh, nuk di cilës informatë t’i besojë.

Nga kjo radhë lexuesish, mediet serioze nuk shfletohen, nëse nuk trillojnë, nëse nuk e deformojnë lajmin, nëse nuk afishojnë tituj sensacionalë e provokues, nëse nuk afishojnë pornografi dhe reklamë të dalldisur  për veten e mediumin e tyre.

Mediet serioze kanë më pak lexues, dëgjues e shfletues, sepse njerëzit seriozë edhe nuk kanë kohë të merren me mediet, meqë  ata punojnë, veprojnë, janë vetë ata, që lajmin e krijojnë me punë, me angazhim dhe afinitet në profesione të caktuara.  Mediet e tilla krijojnë opinion dhe kanë lexues seriozë, nëse kanë edhe gazetarë me kredibilitet, njohës të rrethanave dhe parashikues realistë dhe jo paragjykues naivë e injorantë, të cilët janë shumuar ashtu sikur janë shumuar portalet dhe papagajt medialë kudo në botën e sotme.

2.

Duke shkruar për industrinë i informimit, gazetarja dhe filozofja e mirënjohur, Antonia Case, redaktore letrare e revistës Filozofia e re redaktore e revistës Magazina e femrave (New Philosopher magazine, dhe The Womankind magazin)  shprehet se “Praktikuesit e marrëdhënieve publike mësuan që arti i paketimit të informacionit në medie na sjellë informata për katastrofa, luftëra, terror, vrasje, seks, ikona stili, divorc, modele, miliarderë e kështu me radhë. Brenda këtyre lajmeve vijnë gjëra të tjera, gjëra më të rëndësishme që ndikojnë në mënyrën si ju shikoni dhe perceptoni botën dhe ku e shikoni veten në skemën e gjërave”.

Në këtë segment ne jemi të bombarduar me lajme sensacionale, me gënjeshtra notorne, me shpifje, tallje, trillime, përbuzje, sharje, fyerje dhe këto informata janë krejtësisht të panevojshme t’iu bëjmë vend në trurin tonë, sepse nuk na shërbejnë për asgjë, sepse sajohen si informata të tilla për të na deformuar trurin, bindjet, besimin dhe ata për vetën e tyre krejt këtë punë e bëjnë  për të nxjerrë përfitime. Dhe mjerisht shumica edhe ia arrijnë.

Përse atëherë i lexojmë dhe cili është lexuesi apo shfletuesi, kërkuesi apo hulumtuesi?

Leximi është vlerë unike e mësimit dhe e pajisjes së njeriut me njohuri e dituri. Shpikja e shkronjave, në bazë të tingujve të shqiptuar nga goja, që në fonetikë quhet  “aparati i të folurit”, i ka dhënë jetës njerëzore formën e qytetërimit, që ka mbijetuar me shekuj dhe është perfeksionuar përmes mësimit e arsimimit, si përcaktues themelor i qytetërimit njerëzor.

Por për dallim nga vitet e shkuara kur pothuajse krejt çka është botuar edhe ka vlejtur të lexohet, sot raporti është krejtësisht ndryshe. Sot vetëm 10 për qind e asaj të botohet apo afishohet ka vlerë të lexohet dhe mund të mësohet prej saj. Sepse sot boton libra kushdo dhe të tillët i shpërndajnë gjithandej kudo ku arrijnë, edhe pse e dinë mirëfilli se nuk i lexon kush, përveç nëse janë politikanë, njerëz të biznesit, VIP-a, apo këngëtarë të njohur, sportistë apo artistë, të cilët sukseset e tyre i kanë arritur me meritë, ose janë pjellë e reklamës dhe mujsharisë politike.

Edvard Bernajs, personalitet i njohur marrëdhënieve me  publikun, sipas Antonia Case ka thënë: “Çdo banor është vazhdimisht i ekspozuar ndaj ndikimit të rrjetit tonë të gjerë të komunikimit që shtrihet në çdo cep të vendit, pavarësisht sa i largët apo i izoluar është. Fjalët godasin vazhdimisht sytë dhe veshët”. Sot, industria e marrëdhënieve publike është një gjigant në shumë miliarda dollarë. Një narrativë e mirë, prodhim cilësor, imazhe dhe tituj – të gjitha të lustruara dhe të përcjella me makinën mediatike. Sukses i marrëdhënieve publike konsiderohet kur një emër, individ apo kompani, bëhet “publik”, pavarësisht mënyrës si bëhet i tillë. Këta njerëz dhe reklamat e marrëdhënieve publike konsumojnë jetën mendore të lexuesve dhe shikuesve, të cilët thjesht nuk mund t’i rezistojnë goditjes. Dhe me rutinën e konsumit të lajmeve që është bërë pjesë e jetës së shumicës, kontrolli i mendjes publike është po aq i lehtë sa hedhja e peshkut në një fuçi. Ata mendojnë për ju haptazi. Mesazhi i fshehur, ose supozimi i pranishëm në shumicën e lajmeve, është që njerëzit janë të këqij, bota është jashtë kontrollit dhe se në botë ka shumë njerëz më të suksesshëm se ju. Pronarëve të pasurive që sigurojnë fitime të majme duke blerë me çmim të ulët dhe shitur me çmim të lartë – që i japin me gëzim shtëpinë një familjeje që do të jetë në borxh për pjesën tjetër të jetës – u rrihen krahët me respekt. Pronarët e bizneseve që krijojnë perandori dhe grumbullojnë pasuri masive janë ikonat tona kombëtare.

Mediet, në përgjithësi, nuk iu përmbahen kodekseve morale, andaj edhe kanë degraduar duke u bërë pjesë e politikave dhe klaneve të caktuara. Si të tilla, disa medie nuk kanë kurrfarë kredibiliteti, për më keq me qëllim për të mbijetuar, ato nuk zgjedhin mjete e metoda duke deformuar realitetin, duke paraqitur vetëm anët e zeza, vetëm kronikat e zeza. Në këtë mënyrë ato bëhen pjesë e babëzisë dhe nopranisë njerëzore.

3.

Një shembull tipik të manipulimit të lexuesve e bën portali, “Bota sot”. Duke afishuar çdo lajm kundër luftëtarëve të lirisë, duke mohuar në tërësi luftën, ky portal të vetmin komandant të luftës e njeh dezertorin, Tahir Zemaj me klanin e tij në Dukagjin. Miku i serbëve, kapiteni i Armatës së Jugosllavisë, dileri i drogës, “komandanti” që  dorëzoi luftën në Dukagjin, duke ikur nga fronti dhe duke urdhëruar të gjithë ushtarët  e tij të iknin kush kah mundet, themeluesi i batalionit “Mërgimi”  është heroi i “Bota sot”, mjerisht edhe i një pjese të anëtarësisë së LDK-së. Pavarësisht rrethanave si është vrarë dhe kush e ka vrarë Zemajn, historia e luftës së tij është historia e dezertorit, e njohur për çdo shqiptar kudo në botë. Tahir Zemaj për “Bota sot” është para heronjve, Agim Ramadani e Salih Çekaj, të cilët nuk dezertuan por ranë në luftë përballë forcave serbe.

Po kështu ky portal, bën lajm prej çdo njeriu, cilido qoftë ai nëse me një fjali të vetme atakon luftën e UÇK-së e shtatë të arrestuarit e Gjykatës Speciale. Thirret në emër të analistëve, kur boton dërdëllisje të një spiuni të Serbisë, gjatë dhe pas luftës, një analfabet që nuk di si duhet as shkrim lexim. Në këtë portal, përveç lakuriqësisë, perversiteteve, pornografisë, reklamave shqip e serbisht, dhe tërë një konglomerati të “jugo-svashtarisë”, botojnë shkrimet e tyre edhe disa analistë, të cilët, të paktën kur shkruajnë për mediet e tjera, nuk duket se përkrahin këtë portal. Atyre nuk u intereson se cila është politika redaktuese e “Botës sot”, mjafton që aty t’ iu del fotoja dhe shkrimi, gjithsesi i autocensuruar, për të mos ia prishur “namuzin”, portalit.

Njëjtë si ky portal, bëjnë edhe të gjitha  jugo-mediet e tjera, në Kosovë, të cilat i kanë vënë vetës detyrë t i shërbejnë Gjykatës Speciale, Vuçiqit e Daçiqit, bashkim vëllazërimit të shqiptarëve me serbë. Kjo pjellë është rezultat i jetës së shqiptarëve nën robërinë serbe, për gati 80 vjet, i jetës së përbashkët, i vëllazërimit me serbë, i kumbarisë dhe pobratimisë, i ngjizjes së gjakut, që nuk bëhet ujë…

Kontrolloni gjithashtu

Miftar Mehani: Krenar me ty Ferid Curri (10.10.1974-15.4.1999)

Zymer Mehani: Ata janë vetë liria jonë

(Ferid Currit  dhe shokëve të tij, me rastin e përvjetorit të rënies) Në vargun e …