leoni

RKL: Themelimi i një Gjykate në Kosovë për gjykimin e krimeve të luftës nuk e mbron luftën e UÇK-së

Nisma e një deputeti në Kuvend  për themelimin e  një Gjykate në Kosovë për gjykimin e krimeve të luftës, në radhë të parë po bëhet për të tejkaluar pak më me lehtësi fushatën e egër dhe diskriminuese të EULEX-it kundër luftëtarëve të lirisë të Kosovës, me akuza  se gjatë luftës kanë rrahur e maltretuar kolaboracionistë shqipfolës dhe policë e ushtarakë serbë, të cilët ishin vënë në ballë të makinerisë së krimit shtetëror të Serbisë, ndërkohë që forcat pushtuese serbe kanë kryer krime kundër njerëzimit, gjenocid dhe krime lufte në Kosovë.  Përpjekjet për të bërë diçka me qëllim për ta shafitur zemërimin e luftëtarëve të lirisë, eprorëve dhe ushtarëve të UÇK-së, është një përpjekje e mjerë e njerëzve të veshur me pushtet, është një përpjekje e neveritshme për të ruajtur me çdo kusht pozitat, nga frika e ndonjë shpërthimi të zemërimit popullor  kundër luftës, me gjakun e së cilës u arrit liria dhe Kosova u shpall shtet i pavarur.


 


Kosova ka mjaft gjykata, por të gjitha janë të varura nga EULEX-i nga segmenti i rendit dhe sundimit të ligjit. Të gjitha gjykatat e prokuroritë e Kosovës janë gjykata vasale dhe si të tilla do të mbesin deri në fund të mandatit të EULEX-it, ndoshta të tilla do të mbesin kurdoherë,  të varura nga ndonjë segment juridik i Brukselit. Kërkesa e deputetëve për një Gjykatë speciale për krime të luftës në Kosovë, paragjykon dhe nënkupton krimet e luftës të kryera nga shqiptarët, sepse kriminelët serbë, që jetojnë të lirë në Serbi kurrë nuk do t’ i përgjigjen një gjykate të Kosovës, përderisa Serbia nuk e ka njohur as do ta njohë Kosovën si shtet. Ata i përgjigjen Gjykatës omonime të Serbisë, e cila po improvizon gjykime për krime lufte dhe kohë pas kohe, apo vit pas viti shpall  fajtor ndonjë kriminel serb, për krime të kryera gjatë luftës në Kosovë. Niveli i dënimeve që u shqiptojnë ato gjykata kriminelëve është cinik dhe qesharak. Të dënohet katër vjet burg krimineli që la vrarë 10 apo 20  shqiptarë, në një rast të tillë  nuk kemi të bëjmë me gjykim por me një maskaradë gjyqësore, që pretendon ta vrasë viktimën edhe për të vdekuri.


 


Propozimi për themelimin e një gjykate në Kosovë, e cila do të merrej me krimet e luftës është propozim i pakuptimtë, nëse një gjykatë të tillë nuk e njeh EULEX-i, kuptohet  as Serbia dhe nëse një gjykatë e tillë nuk arrin të shtrijë autoritet të pranuar ndërkombëtarisht. Një gjykatë e tillë nuk do të ketë ingerenca madje as në veriun e Kosovës, por as edhe në enklavat serbe. Si e tillë, kjo gjykatë do të merret vetëm me çlirimtarët, vetëm me pjesëtarët e UÇK-së, nën akuza  se kanë vrarë serbë dhe kanë keqtrajtuar e kanë vrarë kolaboracionistë shqipfolës, të cilët në çdo luftë, në çdo vend të botës ndiqen dhe ndëshkohen. Për ta ilustruar këtë konstatim po sjellim një shembull të Amerikës, sesi shteti më i madh, më i fuqishëm dhe më demokratik i botës vepron kundër kolaboracionistëve.


 


Më 3 qershor 2013 “prokurorët ushtarakë të Amerikës  kanë akuzuar ushtarin Bradley Manning se i ka mundësuar liderit të Al Kaidës, Osama bin Laden, të shohë sekretet e ushtrisë amerikane. Manning ka dalë të hënën para gjykatës në Fort Mid, pranë Uashingtonit, nën akuzat se i ka dhënë ueb-faqes WikiLeaks mbi 700,000 dokumente sekrete. Avokatët e Manningut e kanë cilësuar atë si “ushtar të mirë, naiv, por qëllimmirë”, i cili ka bërë përpjekje të zbulojë të vërtetën për luftërat e Shteteve të Bashkuara në Afganistan dhe në Irak. Manning ka pranuar fajësinë për 10 akuza, por jo për atë më seriozen – akuzën se ka ndihmuar armiqtë e Shteteve të Bashkuara. Nëse shpallet fajtor për këtë akuzë, 25-vjeçari Manning mund të përballet me burgim të përjetshëm”. Kështu ndodh në Amerikë dhe kështu ndodh kudo në botën demokratike, por nuk ndodh në vendet ku regjimet janë vaaale ndaj politikave të caktuar globaliste sikur është Kosova. Një gjykatë amerikane, disa vjet më parë kishte dënuar me vdekje,  të riun amerikan përkrahës të talebanëve në Afganistan.


 


Nëse pushtetarët e Kosovës, besojnë se lufta e UÇK-së ishte një luftë çlirimtare, një luftë e organizuar e forcave vullnetare shqiptare kundër dhunës, diskriminimit dhe gjenocidit të një regjimi okupator, sikur ishte Serbia e Milosheviqit, kasapit të popujve të Ballkanit, atëherë ata edhe duhet të veprojnë në akord me këtë realitet. Por mjerisht kështu nuk po ndodh.


 


Të gjithë zyrtarët e Kosovës, po thuajse pa dallim dhe  në mënyrë krejt deklarative përsërisin stereotipet se lufta e UÇK-së ishte e pastër, por nuk kanë ndërmarrë as edhe një hap për ta manifestuar dhe për ta sanksionuar me ligj atë pastërti. Kjo pastërti nuk i mbulon  krimet që kanë kryer individë të caktuar nën uniformën e UÇK-së, të cilët nuk i kanë përfillur rregullat e luftës, nuk e kanë njohur Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së dhe kanë vepruar në grupe, klane e banda mafioze, sikur regjenti i APJ-së, Tahir Zema e të tjerë.  Të tillë edhe mund të gjenden, por  akuzat për vrasje të tilla duhet t’i nxisin vetë familjarët, ata të cilët konsiderojnë se pjesëtari i familjes është vrarë për hakmarrje, apo për ndonjë motiv tjetër. Krime të tilla kanë ndodhur edhe pas luftës në Kosovë, por nuk mund të trajtohen si krime lufte.


 


Mungesa e gatishmërisë dhe e guximit të pushtetarëve tanë për t’ u përballur me realitetin e luftës së UÇK-së, nuk është bërë vetëm nga mungesa e dijes, apo nga frika, por në radhë të parë është bërë dhe vazhdon të bëhet për përfitime politike, që nënkuptojnë edhe shumë përfitime të tjera shtesë, me të cilat janë të stërngarkuar politikanët dhe qeveritarët e Kosovës.


 


Lufta e UÇK-së nuk mbrohet me themelimin e një gjykate speciale për krime lufte, nuk mbrohet as me deklarata verbale të krerëve politikë dhe institucionalë, nuk mbrohet as me deklaratat e shoqatave të luftës, as me demonstrata e protesta spontane, as me greva të urisë, as me kërkesë për mëshirë, sepse me veprime të tilla, të paktën deri tani nuk është mbrojtur asnjë çlirimtar i vendit për 14 vjet rresht pas çlirimit.


 


Luftën e UÇK-së nuk ka kush e mbron, nëse nuk e mbron vetë kreu  i saj, vetë anëtarët e gjallë të SHP të UÇK-së dhe komandantët me emër, kudo ku ndodhen. Kjo mbrojtje e vërtetë nuk ka ndodhur asnjëherë deri tani, sepse asnjëri prej tyre nuk është në gjendje ta kushtëzojë pozitën e tij në institucione, në emër të mbrojtjes së kësaj lufte. Vetëm kur ata vetë arrestohen dhe etiketohen e përbuzen me akuza të pa qena, kujtohen se nuk e kanë mbrojtur luftën, ashtu sikur e kanë mbrojtur ata, që ranë për çlirimin e saj. Nëse liria është vlerë dhe për lirinë kanë rënë sa e sa dëshmorë e martirë edhe fitorja e luftës është vlerë që duhet të mbrohet me çdo çmim, kuptohet edhe me çmimin  e jetës.


 


Lufta e UÇK-së mund të mbrohet, nëse vetë çlirimtarët e vërtetë të Kosovës e marrin përsipër ta mbrojnë atë. Në të kundërtën, edhe kjo luftë do ta ketë fatin e shumë luftërave çlirimtare të shqiptarëve, luftëra të cilat u mohuan dhe po mohohen në varësi nga pushtetarët. Kreu shtetëror në Shqipëri mohon edhe vlerat e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, ndërsa lufta partizane në Kosovë konsiderohet si luftë, që mundësoi ripushtimin serb e sllav të Kosovës.


Fati i luftës fitimtare të UÇK-së dhe ndihma që i dha çlirimit të Kosovës Aleanca Veriatlantike, forca   më e madhe ushtarake e botës, nuk mbrohet me deklarata verbale, as me servilizëm ndaj të gjithë zyrtarëve të vendeve të huaja. Lufta e UÇK-së mbrohet me një qëndrim të fortë institucional, me një ligj të veçantë, në të kundërtën mund të na përsëritet historia, meqë edhe ashtu jemi të ndarë në pesë shtete dhe një luftë për bashkim kombëtar na pret, duan  apo nuk duan politikanët tanë në Prishtinë, Tiranë e në Shkup.


 

Kontrolloni gjithashtu

Dr. Skënder Demaliaj: Adoleshentët, shkolla, familja dhe shoqëria I

Sjelljet devijante të adoleshentëve e kanë burimin në faktorët ekonomikë, socialë dhe psikologjikë. Baza është …