Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, e ka cilësuar të pabazuar kërkesën e Prokurorisë së Dhomat e Specializuara të Kosovës për dënim me nga 45 vite burgim për Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Në një intervistë nga Haga për KosovaPress, ai deklaroi se nuk sheh prova që mbështesin pretendimet për krime lufte. “45 vite dënim me burg bazuar në çfarë? Ky proces ka zgjatur shumë dhe shumë dëshmitarë e kanë minuar atë që thoshte prokuroria,” tha Bosch. Ai shtoi se gjatë vitit 1999 kishte qenë personalisht i përfshirë me qeverinë holandeze dhe NATO, duke theksuar se UÇK-ja nuk ishte organizatë kriminale, përndryshe sipas tij nuk do të kishte bashkëpunim në terren. Bosch e cilësoi kërkesën si të barasvlershme me dënim të përjetshëm, duke thënë se “nëse qëndrojnë 45 vite brenda, ata nuk mbijetojnë dot”. Ai gjithashtu mbështeti protestat paqësore në Prishtinë me moton “Drejtësi, Jo Politikë”, duke theksuar se ato janë të pranueshme për sa kohë mbeten paqësore dhe se cilësimi i UÇK-së si organizatë kriminale, sipas tij, është fyes për Kosovën.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
