Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, së bashku me zëvendësin e tij Christian Bottcher, ka zhvilluar një vizitë të veçantë në Kampin Bondsteel pranë Ferizajt, ku ka takuar trupat gjermane të KFOR-it dhe është informuar në detaje për misionet aktuale dhe teknologjinë që ato përdorin në patrullimet kufitare përgjatë vijës Kosovë–Serbi. Gjatë vizitës, Rohde është njohur me automjetet e blinduara moderne, sistemet e avancuara të vëzhgimit dhe pajisjet e tjera teknike që përdoren në misione të sigurisë, duke shprehur vlerësimin e tij për profesionalizmin dhe përkushtimin e ushtarëve gjermanë në terren. “U ndjeva sikur u ktheva në shtëpi”, ka thënë Rohde, duke evokuar kujtime nga koha e tij në ushtrinë gjermane në vitet ’80. Një moment simbolik për ambasadorin ishte rikthimi në kontrollin e një ngarkuesi ‘Ahlmann’ me krah rrotullues – një pajisje që ai e kishte përdorur dekada më parë gjatë shërbimit të tij ushtarak, por që tashmë është modernizuar dhe në përdorim aktiv nga trupat në Kosovë. Në njoftimin e shpërndarë nga Ambasada e Gjermanisë në Kosovë thuhet se Rohde u impresionua nga efikasiteti dhe saktësia e ushtrisë gjermane në realizimin e mandatit të KFOR-it. “Puna juaj është thelbësore, ekspertiza juaj e jashtëzakonshme dhe përkushtimi juaj vlerësohet thellësisht. E kaluara takon të tashmen – aty ku shërbimi i përbashkët vazhdon të formësojë paqen dhe sigurinë në Kosovë”, u shpreh ambasadori.