Ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, i ka dalë kundër ministres së Jashtme në Detyrë, Donika Gërvalla, pas deklaratave të saj për dy njohje ndërkombëtare që Kosova ka marrë gjatë qeverisjes aktuale. Krasniqi tha se Gërvalla po mburret me njohje që nuk kanë ardhur si rezultat i punës së qeverisë së saj. “Ministrja Gërvalla sot mburret me ‘dy njohje’ gjatë kësaj qeverisjeje, por e vërteta është e thjeshtë: asnjëra prej tyre nuk ka ardhur si rezultat i punës së kësaj qeverie,” shkroi Krasniqi. Sipas saj, pozicioni ndërkombëtar i Kosovës është më i dobët se kurrë më parë, për shkak të sanksioneve nga partnerët perëndimorë, marrëdhënieve të acarura me aleatët dhe mungesës së përparimeve në proceset integruese. Krasniqi gjithashtu theksoi se qeveria aktuale ka shënuar “dështimin më të madh diplomatik të viteve të fundit” me mospranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Ajo fajësoi drejtpërdrejt ministren Donika Gërvalla dhe kryeministrin Albin Kurti për këtë humbje të mundësisë historike për vendin. “Ky ishte një shans historik për vendin, por u humb për shkak të papërgjegjshmërisë, mungesës së koordinimit dhe prishjes së raporteve me partnerët tanë. Ky nuk është sukses diplomatik, ky është dështim historik në përfaqësimin e vendit,” përfundoi Krasniqi. Ky reagim vjen në një kohë kur temat për politikën e jashtme dhe pozicionin ndërkombëtar të Kosovës janë në qendër të vëmendjes publike dhe politike.
