Njoftimi i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, se paga minimale në sektorin privat do të rritet në 500 euro nga janari, ka nxitur reagime të forta nga përfaqësues të komunitetit të veteranëve të UÇK-së. Ndër më të zëshmit ishte ish-komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit, Rrustem Mustafa – “Remi”, i cili e cilësoi vendimin e qeverisë si “padrejtësi të pastër” ndaj veteranëve. Mustafa kritikoi ashpër faktin që rritja e pagës minimale nuk përfshin veteranët e luftës, të cilët vazhdojnë të mbeten jashtë këtij mekanizmi ligjor. Ai tha se nuk ka asnjë arsye të pranueshme që shtesa e pagesës minimale të vlejë për gjithë sektorin privat, ndërsa një kategori simbol e lirisë së vendit të mbetet e përjashtuar. “Si ka mundësi që ndërsa paga minimale rritet, veteranët e UÇK-së vazhdojnë të mbeten të përjashtuar nga kjo e drejtë?”, shkroi ai, duke e quajtur vendimin e qeverisë “të pashpjegueshëm dhe të padrejtë”. Sipas tij, respekti për veteranët nuk duhet të matet me deklarata politike, por me veprime konkrete që reflektojnë vlerësim institucional për sakrificën e tyre. Mustafa e akuzoi qeverinë se me këtë vendim po ua mohon veteranëve minimumin financiar që u takon me ligj dhe me dinjitet.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
