Ish-zyrtari i lartë amerikan, James Rubin, i cili ka shërbyer si krahu i djathtë i ish-sekretares së Shtetit, Madeleine Albright, ka dhënë dëshmi mbrojtëse për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, para Gjykatës Speciale në Hagë, duke hedhur dyshime mbi pretendimet e Prokurorisë Speciale lidhur me UÇK-në. Rubin mohoi të ketë parë ose të ketë qenë në dijeni të ekzistencës së një “Shtabi të Përgjithshëm” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si një strukturë hierarkike dhe ushtarake, siç pretendon Prokuroria. “Nuk ka Shtab të Përgjithshëm që unë po e di. Si një strukturë e rregullt komanduese. Është keqpërfaqësim. Ta përshkruash si Shtab të Përgjithshëm më tingëllon absurde, zoti gjykatës,” deklaroi Rubin. Duke iu referuar librit të Rexhep Selimit, ku flitet për Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së dhe rolin e tij në marrëveshjen e Rambujesë, Rubin pranoi se kishte pasur disa komandantë dhe liderë të luftës që konsultoheshin mbi çështje strategjike, por “Shtab të Përgjithshëm” nuk do ta kualifikonte si një institucion të rregullt ushtarak. “E pasaktë, zoti gjykatës. Unë nuk di kurrë të ketë raportuar Thaçi te Shtabi i Përgjithshëm, dhe nuk kam vëzhguar ekzistencën e një strukture të tillë. Çka di është që Thaçit i duhej të konsultohej me liderët politikë dhe ushtarakë,” shtoi Rubin.
